- Në Shqipëri është instaluar shteti privat i Edi Ramës, një shtet që funksionon jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjeve. Edi Rama e pranoi vetë ekzistencën e këtij shteti privat kur deklaroi publikisht se ai ka një strukturë të posaçme hetimore që i shërben atij personalisht
- Kur shteti sulmon kundërshtarët politikë, gazetarët dhe policët e ndershëm, për të mbrojtur kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, jemi në kushtet e një diktature mafioze
- Kryeministri, Ministri i Brendshëm, kreu i grupit parlamentar, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kanë komplotuar së bashku, për të manipuluar të vërtetën për të mbrojtur një trafikant droge si Agron Xhafajn
- Ky shtet privat, kjo diktaturë mafioze, duhet të shkatërrohet dhe do të shkatërrohet. Të gjithë ata që janë pjesë e tij dhe sot ndihen mbi ligjin do të japin llogari para ligjit
DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Mirëdita të nderuar përfaqësues të medias,
Të dashur bashkëqytetarë,
Në Shqipëri sot është instaluar një shtet privat i Edi Ramës, një shtet që funksionon jashtë Kushtetutës, jashtë ligjeve, jashtë çdo lloj mbikqyrjeje apo kontrolli.
Dje Edi Rama e pranoi vetë ekzistencën e këtij shteti privat kur deklaroi publikisht se ai ka një strukturë të posaçme hetimore që i shërben atij personalisht.
Mbrëmë të gjithë shqiptarët panë fytyrën e këtij shteti privat dhe përbërjen e kësaj strukture: deputetë, drejtorë të policisë, prokurorë që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar kriminelët.
Edhe pse nuk u përmendën me emër, drejtues dhe pjesë të kësaj structure dhe këtij inskenimi janë pa asnjë dyshim edhe Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku.
Pra, kryeministri, Ministri i Brendshëm, kreu i grupit parlamentar, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë komplotuar së bashku, drejtpërdrejt për të manipuluar të vërtetën, për të mbrojtur një trafikant droge Agron Xhafajn, dhe vëllain e tij Ministrin e Brendshëm.
Shteti privat i Edi Ramës vendosi që të fabrikojë dëshmitarë për të sulmuar dhe përndjekur gazetarët dhe denoncuesit, opozitarët me një qëllim: për të shpëtuar trafikantin e dënuar Agron Xhafaj dhe mbrojtësin e tij Fatmir Xhafaj.
Është i njëjti shtet privat që ka manipuluar gjithçka, çdo provë dhe çdo fakt, për të mbrojtur Taulant Ballën dhe Rahman Rrajën. Edhe në këtë rast shteti privat i Edi Ramës dhe vetë ai kërcënuan me gjuhë mafioze një oficer policie, Emiljano Nuhun, për të shpëtuar dhunuesin sadist Rexhep Rraja dhe mbrojtësin e tij Taulant Balla.
Pas kësaj bënë gjithçka me dhunë dhe para për të shpërfytyruar viktimën e dhunës në një peng që pështyn denoncuesit, median dhe opozitën dhe përqafon dhunuesit.
Kur shteti sulmon kundërshtarët, gazetarët, denoncuesit, policët e ndershëm, kundërshtarët politikë, për të mbrojtur kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, jemi në kushtet e një diktature mafioze.
Ngjarjet e ditëve të fundit kanë provuar paralajmërimet dhe të vërtetat që ka shpalosur me zë të lartë Partia Demokratike prej vitesh:
- Sikurse e kemi thënë që ditën e parë, me Fatmir Xhafajn nuk do të ketë kurrë luftë kundër krimit. Përkundrazi, emërimi i tij ishte triumfi i njërës bandë mbi bandën tjetër: Xhafajt triumfuan mbi Habilajt dhe mbi Tahirin. Dje i gjithë shteti ishte në mbrojtje të bandës së Habilajve sot është në mbrojtje të familjes mafioze Xhafaj.
Policia e Shtetit e shkatërruar dhe e vënë në shërbim të krimit nga Saimir Tahiri vazhdon të jetë në shërbim të krimit nën Fatmir Xhafajn.
- Emërimi i Arta Markut, siç e paralajmëruam që në fillim, ka rezultuar një katastrofë për drejtësinë dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ajo u soll politikisht në krye të prokurorisë për të mbrojtur lidhjet e qeverisë me krimin dhe këtë gjë e ka bërë me sukses.
Arta Marku ka shkatërruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe bashkë me të edhe hetimet për Saimir Tahirin, ka varrosur hetimet e nisura që më parë nga prokuroria për lidhje kriminale në shkëmbim të votave për Damian Gjiknurin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Agron Xhafajn, Ulsi Manjën dhe drejtues të tjerë të lartë të qeverisë dhe të shtetit. Arta Marku nuk ka nisur dhe nuk ka për të nisë hetimet për lidhjet kriminale të politikanit bandit Taulant Balla.
- Vetingu nga instrument për pastrimin e drejtësisë është përdorur nga Edi Rama si instrument për kapjen e drejtësisë duke mbajtur në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe me lidhje të dyshimta të cilët janë lehtësisht të shantazhueshëm, ndaj edhe kthehen lehtësisht në vegla të pushtetit.
- Ngjarjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah shkatërrimin e shtetit të së drejtës. Në Shqipëri drejtësia e korruptuar është kthyer në drejtësi kriminale. Deri dje njerëzit u paguanin para prokurorëve dhe gjyqtarëve, sot duhet të jesh i lidhur ose me Edi Ramën ose me kriminelët që të marrësh drejtësi.
Ky shtet privat, kjo diktaturë mafioze, duhet të shkatërrohet dhe do të shkatërrohet.
Të gjithë ata që janë pjesë e tij dhe sot ndihen mbi ligjin do të japin llogari para ligjit.
Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Arta Marku, Ardi Veliu dhe të gjithë shërbëtorët e tyre të vegjël apo të mëdhenj, pjesë e manipulmit për të mbrojtur krimin, do të dalin para drejtësisë. Sikurse do të dalin të gjithë kriminelët, në shtet, në qeveri dhe në rrugë.
Pushteti i tyre nuk e ka të gjatë. Drejtësia ndaj tyre nuk do të mungojë.
Rruga e pandëshkueshmërisë do të marrë fund bashkë me pushtetin e tyre.