- Provat zyrtare tregojnë qartë se Prokuroria ka mbyllur sytë për të realizuar skenarin mafioz të Edi Ramës, që mbron vëllain trafikant droge të Fatmir Xhafës
- Këto janë prova të mjaftueshme që sot prokuroria të arrestojë Ard Veliun për akuzat: shpërdorim detyre, pengim të zbulimit të së vërtetës dhe fabrikim të provave në mbrojtje të një trafikanti droge
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI ERVIN SALIANJI
Faktet për inkriminimin e Taulant Ballës dhe Ardi Veliut për të krijuar, sajuar dhe paguar një dëshmitar të rremë me qëllim mbrojtjen e trafikantit të drogës Agron Xhafa dhe vëllait të tij Ministër të Brendshëm, janë të pakundërshtueshme.
Faktet e pakundërshtueshme i ka parë me zë dhe me figurë cdo shqiptar, ashtu siç i ka parë, dëgjuar dhe shkruar edhe prokuroria e cila i ka përfshirë si përgjime në fashikullin e plotë.
Në përgjimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme janë renditur përgjimet që faktojnë përfshirjen e Taulant Ballës dhe Ardi Veliut në krijimin e dëshmitarit të rreme.
Në përgjimet e datës 27 Maj vetëm tre ditë para se aktori i Ramës të rekrutohej zyrtarisht nga policia e shtetit ai bën këtë bisedë të përgjuar nga prokuroria:
“Më është ofruar një gjë e mirë nga ana tjetër?…….E kur të vij ejjj të mora se bëra një muhabet me shokun tim nga Librazhdi, kupton? E ke parasysh? i kishte thënë ai, hap gojën sa do, i kishte thënë ai (shoku nga Librazhdi)”
Këto janë përgjime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, por prokuroria bën sikur nuk i shikon pavarësisht se dëshmitari i sajuar është kapur me zë dhe me figurë në bisedë të lirë duke thënë se është ofertuar me 200 mijë euro nga Taulanti nga Librazhdi dhe Ard Veliu nga Delvina.
Më pas Taulant Alizoti bën pohimin shkatërrues se: “.. ai i ka bërë muhabetet tamam”, “…më mirë bëj një vit burg dhe marr ato që më takojnë”.
Qartësisht ai vetëpranon se në këmbim të pakos është i gatshëm të japë dëshmi të rremë dhe të bëjë një vit burg.
Përgjimi provon pikërisht pse është dëshmi e rreme, kështu Albert Veliu i thotë Alizotit se:
“çfarë lidhje ke ti me këtë pune, çfarë pune ke ti që iu afrohesh kur nuk ke asnjë lidhje me këto gjëra”.
Këto janë prova të mjaftueshme që sot prokuroria të arrestojë Ard Veliun për:
– Shpërdorim detyre
– Pengim të zbulimit të së vërtetës
– Fabrikim të provave në mbrojtje të një trafikanti droge.
Provat dhe përgjimet dëshmojnë qartë, se Alizoti është sajesë e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës.
Provat tregojnë qartë se Prokuroria ka mbyllur sytë për të realizuar skenarin mafioz të Edi Ramës, që mbron trafikantin e drogës dhe sulmon denoncuesin.
Sot është dita ku prokuroria duhet t’i jap fund farsës që ka ngritur deri më sot.
Sot është dita ku Ardi Veliu duhet të ishte në burg.
Sot është dita ku Drejtori i Policisë së Fierit duhet të jetë në burg.
Sot është dita ku Taulant Balla duhet të ishte nën procedim penal për sajimin e provave dhe blerje të dëshmitarit të rremë.
Sot Fatmir Xhafaj duhet të ishte nën hetim për mbështetjen shtetërore që i ka dhënë vëllait trafikant droge.
Partia Demokratike nuk do të tërhiqet asnjë cast nga beteja jetike për çlirimin e politikës ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi.
Është e qartë që fundin e Edi Ramës nuk e fshehin dot veglat e tij në çdo institucion.
Një pushtet që përfshihet në çdo qelizë të tij në mbrojtje të një trafikanti droge është i rënë!