- Partia Demokratike dënon vendimin e paligjshëm të qeverisë për dëbimin e Shoqatës Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve Politikë nga selia e saj.
- Edi Rama po sjell para syve të shqiptarëve hijet e të kaluarës dhe po vepron si nostalgjik fanatik, që ka si objektiv vetëm rikthimin e regjimit autokratik.
- Akti i qeverisë është dëshmi se liritë dhe të drejtat e shqiptarëve po treten përditë dhe se vendi po shkon me shpejtësi drejt një përplasjeje civile si në vitin 1991.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike dënon me forcë vendimin e qeverisë për dëbimin e Shoqatës Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve Politikë nga selia e saj.
Ky dëbim, i pabazuar në ligj, është një vendim personal i Edi Ramës dhe merr shkas vetëm prej instinktit pervers të luftës klasore, trashëguar nga babai i tij biologjik dhe ati i vet ideologjik Enver Hoxha.
Me këtë akt, Edi Rama dëshmohet edhe njëherë si armik i lirive të njeriut, shpërfillës i respektit njerëzor, frymëzues i skutave më të egra të krimit politik. Çdo ditë, ai po sjell para syve të shqiptarëve hijet e të kaluarës dhe po vepron si nostalgjik fanatik, që ka si objektiv vetëm rikthimin e regjimit autokratik.
Nuk ka fund egërsia klasore që ai hedh ndaj të përndjekurve politikë:
- Emëron në poste kyçe pinjollë të Byrosë Politike komuniste.
- Promovon hetuesit dhe persekutorët më të egër të regjimit komunist, duke i futur ata edhe në sistemin e ri të drejtësisë.
- Rrënon kullën e Prek Calit, simbol të antikomunizmit.
- Urdhëron t’i këndohet diktatorit.
- Keqpërdor fëmijët të parakalojnë me pankarta me simbolet e komunizmit.
- Ndërpret me ligj të posaçëm dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe haptas.
Kudo e kurdo mundet, Edi Rama shfaqet si një buratin i diktatorit, një kryeministër i yllit me pesë cepa.
Dëbimi nga selia është hapi i radhës i Edi Ramës kundër shtresës së të përndjekurve. Ministrinë e Drejtësisë, si vegël qorre e Edi Ramës, në kundërshtim me kompetencat e saj, po internon edhe njëherë Shoqatën Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve.
Veprimi i qeverisë së Edi Ramës është provokimi më i ndyrë social dhe sulmi i radhës ndaj demokracisë në Shqipëri.
Është dëshmia e radhës se shqiptarëve po u treten përditë liritë dhe të drejtat e tyre dhe se vendi po shkon me shpejtësi drejt një përplasjeje civile si më 1991-n, prej të cilës qeveria e Edi Ramës do të ketë të njëjtin fund si rregjimi i atit të tij ideologjik.