• Pastrimi i politikës nga krimi, vijë e kuqe e opozitës dhe shans i fundit, në të kundërt, populli do të marrë në dorë fatin e tij.

 

  • Asnjë lloj kompromisi, pa pastruar politikën nga krimi. Kthim në parlamentin e lidhur me krimin nuk ka e nuk do të ketë.

 

  • Jo trajtim preferencial për politikanët, kërkojmë standardin që Venecia miratoi për prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo është vijë e kuqe për opozitën.

 

  • Ata që bëjnë pakt me kriminelët për vota, i pret burgu. Ky është kushti i dytë i panegociueshëm. Pa ndëshkuar krimin elektroal, pa ndëshkuar kryebashkiakët dhe ministrat që janë kapur duke bërë pakte me bandat, nuk mund të këtë kompromis me opozitën. Këta njerëz duhet të arrestohen! Duhet të jenë para drejtesisë, në burg! Ta mendojë mirë çdo politikan që pazari me bandat do ta çojë, jo në pushtet, por në burg”

 

  • Partnerët ndërkombëtarë të mos bëjnë sikur nuk dinë, nuk dëgjojnë e nuk shohin. Nuk ka për të patur zgjidhje politIke, pa pastruar politikën nga krimi.

 

  • Ne do të ofrojmë përmes votës dhe besimit të shqiptarëve, plarformën e daljes nga kjo e keqe në fushën ekonomike, politike, të ligjit, të rendit, të luftës kundër krimit. Kompromis me krimin nuk mund të bëjmë!

 

  • 3 platformat emergjente: pastrimi i politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve, që fillon me ndëshkimin e atyre që janë kapur tashmë duke vjedhur zgjedhjet; dhe platforma kundër korrupsionit dhe kundër oligarkisë. Mbi këto tre platforma ngrihet koncepti ynë i mirëqeverisjes, i cili ka në qendër fatin e qytetarëve shqiptarë dhe ekonominë shqiptare.

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË BERAT

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Qytetare dhe qytetarë të Beratit, të rinj dhe të reja, demokrate dhe demokratë,

Ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme.

I ftohti sapo ka nisur por këtë sallë rrallëherë e kam gjetur kaq të nxehtë dhe me shpresë. Dhe kjo regon një të vërtetë të madhe. Qyteti i Beratit, familjarët, kryefamiljarët, nënat e Beratit, fëmijët e Beratit, rinia e Beratit, presin shpresën. Presin t’u ringjallet besimi tek ky qytet 3 mijë vjeçar, simbol i qytetërimit shqiptar, simboli i vlerave më të larta patriotike dhe intelektuale, dhe presën me të drejtë e presin dhe e kërkojnë këtu, në gjirin e demokratëve shqiptarë, Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar me një qëllim, me përgjegjësinë e madhe, që këto ditë të vështira për vendin, në këto ditë kritike për të ardhmen tonë, të paraqesim një zgjidhje politike, të qartë, të vendosur dhe përfundimtare, për të larguar të keqen dhe për t’i dhënë Shqipërisë, perspektivën që meriton, të punës, të shpresës, të mundësive, perspektivën europiane të një vendi me mundësi për të një jetë më të mirë për të gjithë.

Zonja dhe zotërinj,

Unë sapo erdha nga një takim me fermerët e zonave përreth Beratit, në Poshnje, dhe po kështu në takime të tjera me fermerë të zonave të tjera, shoh se të përbashkëtat e vuajtjeve të tyre, përmblidhen në tre fjalë, braktisje, harresë, mashtrim.

Dhe kjo e lidh fatin e fermerëve shqiptarë, me fatin e pensionistëve shqiptarë, me fatin e studentëve shqiptarë, me fatin e pacientëve shqiptarë. Me fatin e të rinjve që sapo kanë përfunduar studimet dhe enden rrugëve pa mundësi për një punë dinjitoze, me paga të mjaftueshme për të themeluar jetën e tyre.

Pa strehim dhe mundësi strehimi me çmime të përballueshme.

Me fatin e sipërmarrjes shqiptare, që ka 5 vite që terrorizohet nga një administratë tatimore që sillet si një administratë terroriste, banditë, me fatin e një popullsie të tërë. Të gjetur përpara keqqeverisjes, korrupsionit, dhe kriminalitet. Themeli i kësaj të keqe është tjetërsimi i pushtetit. Trajtimi i pushtetit si një mundësi për të zhvatur e për t’u pasuruar. Ngritja në kult e pasurimit me çdo kusht, duke shkelur mbi ligj, Kushtetutë, pronën e njerëzve, mbi punën e tyre, mbi të ardhmen e  tyre dhe të fëmijëve të tyre.

E ku e gjen më mirë këtë pasqyrim se sa në dramën e mbi 1 mijë familjeve, ku siç njihet Unaza e Re, zona e “Astirit”, siç kam takuar disa herë familje me origjinë nga qarku i Beratit, nga qendra dhe zona urbane dhe rurale.

Më shumë se 1/3 e këtyre familjeve e kanë përfunduar procesin e legalizimit, pra janë pronarë me letra të shtëpive të tyre.

Edhe ata të tjerët që janë në proces legalizimi, tash sa vjet, zvarriten dyerve pa marrë asnjë përgjigje, janë gdhirë një ditë të bukur para dy javësh, me shenja boje në muret dhe kollonat e shtëpive të tyre.

I kanë shënuar, për t’ua prishur shtëpitë, atyre, 1 mijë e sa familjeve.

Me qindra, me mijëra vogëlushë, vajza dhe djem të vegjël, jetojnë të traumatizuar prej dy javësh sepse prindërit nuk e fshehin dot hallin e madh që i ka zënë.

Në cilin vend të botës kërcënohet një qytetar me prishjen e banesës pa i dhënë asnjë shpjegim, pa zbatuar ligjin, por duke e shkelur me të dyja këmbët pa garantuar dëmshpërblim sipas ligjit me vlerën e tregut, e t’u japë mundësinë më pas t’i transferojnë aty ku duhet transferohen me qera, apo me shumën e parave që meritojnë për dëshpërblimin e pronës së tyre, të blejnë një pronë tjetër.

Kjo nuk ndodh kërkund, në Europë, jo që jo.

Kjo ndodh vetëm me një vend, kur qeveria nuk i takon më popullit.

Sepse nuk ka ardhur nga populli dhe nuk punon për popullin.

Gjeneza e së keqes, është pakti i politikës me krimin.

Një kryeministër që vjen me votat e blera, me paratë e pista të krimit, që vjen me mbështetjen e bandave kriminale, sigurisht që nuk i shkon mendja tek vogëlushët e Unazës së Re, nuk u shkon mendja tek prindërit, nuk u shkon mendja tek fermerët, pensionistët, tek studentët, tek sipërmarrja.

E gjithë koha e Edi Ramës, kur merret me poçet e shëmtuara dhe ekspozitat e luksit siç po bën aktualisht në Gjermani, merret me mbylljen e dosjes së krimit, dosjes së vetë, dosjes së Olsi Ramës, vëllait të vetë të përfshirë në trafik droge, dosjet e Sajmir Tahirit, Agron Xhafës, Fatmir Xhafës, Taulant Ballës, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, t’i marrësh një për një, janë një ansambël politikanësh të lidhur me krimin, të gjithë të pasuruar në mënyrë marramendëse dhe ky krye i pasuruari, politikanimë i korruptuar dhe më i pasuruar në Ballkan në kurriz të popullit më të varfër dhe më të braktisur të Ballkanit.

Dy janë kollonat që e mbajnë në pushtet këtë të keqe;

Aleanca me krimin

Servilizmi, hipokrizia, mungesa e guximit, indiferenca e atyre që bëjnë propagandën e regjimit, pranojnë heshturazi apo kanë guximin ta mbrojnë në studio televizive, në artikuj gazetash dhe qëndrime të paskrupullta, nuk guxojnë të shfaqin të vërtetën ashtu siç është, por i bëjnë lajka dhe përpiqen t’u shesin shqiptarëve sapunin për djath.

Flasin për rritje ekonomike në një vend ku vetëm në katër vite janë larguar 500 mijë shqiptarë.

Sa veta janë larguar nga blloku ku jetoni ju? Nga pallati? Nga lagjia? Nga fshatrat? Larguar për shkak të mungesës së mundësive.

Larguar për shkak të mungesës së perspektivës.

Bëhet fjalë për 500 mijë shqiptarë, 500 mijë shqiptarë, 1/6 e popullsisë rezidente, sepse 1 milionë shqiptarë janë emigrantë.

Si mund të ketë rritje ekonomike në një vend, ku 1 në 6 qytetarë është larguar, kjo do të thotë të largohet 1/6 e fuqisë blerëse, do të thotë të largohet 1/6 e taksapaguesve. Si mund të ketë rritje ekonomike. Nuk ka rritje ekonomike ka vetëm gënjeshtra dhe mashtrime, për të mbajtur në këmbë një regjim që nuk ka as legjitimitet, as vizion, as mëshirë, për të punuar për qytetarët.

Gjendja ku ndodhet vendi është një thirrje e madhe për opozitën, për Partinë Demokratike, për vizionin tonë për daljen nga kjo situatë.

Dhe sot kemi ardhur këtu para qytetarisë së Beratit për të shpalosur tre elementë bazë mbi të cilën ngrihet kjo platformë, e para dhe më kryesorja, e padiskutueshmja, pa të cilën nuk mund të ketë rrugë përpara dhe me të cilën nuk mund të ketë asnjë loj kompromisi, asnjë lloj kompromisi.

Dua ta them qartë nga Berati dhe të na e dëgjojë e gjithë Shqipëria.

Asnjë lloj kompromisi pa pastruar parlamentin nga kriminelët e lidhur me krimin.

Pa dyshim që jemi një parti europianiste.

Pa dyshim, jemi një parti institucionale.

Ne do t’ju ofrojmë përmes votës dhe besimit tuaj shqiptarëve plarformën e daljes nga kjo e keqe në fushën ekonomike, politike, të ligjit, të rendit, të luftës kundër krimit, por kompromis me krimin nuk mund të bëjmë, ndaj i bëj thirrje të gjithëve, edhe miqve tanë që s’i kanë hapur sytë akoma, t’iu hapin mirë.

Kthim në parlament me politikanët e lidhur me krimin, nuk ka dhe nuk do të ketë.

Zgjidhja është para jush.

Tash tre muaj, në formën e amendamentit kushtetues, për pastrimin e politikës nga krimi.

Nesër vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur.

Ne s’kërkojmë asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët.

Që politikanët e lidhur me krimin të humbasin mandatet.

Nuk po kërkojmë të marrim drejtësinë në duart tona.

Nuk jemi ne, as prokurorët, as gjyqtarët.

Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie  bëri ligj për policët dhe gardistët.

Ne do e kishim votuar po të kishin pranuar amendamentin tonë që vetingu i policisë të niste nga Ministri i Brendshëm, por që këta nuk e deshën, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët.

Kjo është vija e dytë e kuqe për opozitën.

Trajtim preferencial për politikanët, nuk do të ketë.

Dita kur politikanët të mos jenë më mbi ligjin, do të jetë dita e parë e bardhë për qytetarët në Shqipëri.

Nëse duan zgjidhje institucionale, kjo është zgjidhje institucionale.

Miratimi i amandamentit kushtetues për vetingun e politikanëve, dhe shporrja një orë e më parë nga parlamenti dhe bashkitë e vendit dhe jashtë çdo institucioni, e politikanëve mafiozë, e politikanëve të lidhur me krimin.

Ta mendojnë mirë, ata që bëjnë pakte kriminale me votat, se i pret largimi nga institucionet dhe i pret burgu. Dhe ky është kushti i dytë, i panegociueshëm. Dhjetëra qindra qytetarë prehen sot nëpër burgje për shkelje të ndryshme të ligjit, duke përfshirë edhe shkelje të detyruara nga kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë. Baballarë apo nëna që janë shtyrë të kryejnë vepra të ndryshme penale, vjedhje apo vepra të tjera penale, shpeshherë për bukën e fëmijëve të tyre, por ligji është ligj apo jo? Ligji është i verbër, ligji i takon të gjithë njësoj, apo jo? Është kështu apo jo?

Jo, nuk është kështu, se dikush apo dikë e detyron e keqja të shkelë ligjin e të vjedhë diçka, përfundon në burg, kurse një politikan që kapet duke vjedhur vota me bandat e krimit të organizuar, që të mbajë pushtetin e të vjedhë përmes pushtetit tendera me miliona, vazhdon të krekoset në karrigen e kryeministrit apo të kryebashkiakut. Pa ndëshkuar krimin elektoral, pa ndëshkuar krybashkiakët dhe ministrat, të cilët janë kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë duke bërë pakte kriminale me bandat për qëllime elektorale, nuk mund të ketë asnjë luftë kundër krimit, as drejtësi, as përparim në Shqipëri. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë kompromis as me opozitën, as me Partinë Demokratike. Do të ketë betejë të vendosur. Këta njerëz duhet të arrestohen, duke filluar nga Vangjush Dako, Taulant Balla, Qazim Sejdini, Saimir Tahiri, njerëz që bredhin në kuaj me shalën miliona euroshe, bredhin me jahte e me makina luksoze dhe që japin konferenca shtypi nga hotelet luksoze të kryeqytetit. Duhet të jenë prapa hekurave, para prokurorëve, para drejtësisë, në burg.

Dhe ky të jetë një investim, që të nesërmen ta mendojë mirë çdo politikan, i çdo lloj ngjyre dhe çdo lloj partie, se pazari me bandat kriminale për të tjetërsuar vullnetin tuaj, do ta çojë jo në pushtet, por në burg, prapa hekurave. Dekriminalizimi i zgjedhjeve nis me ndëshkimin e krimit elektoral. Edi Rama futi duart në vullnetin e popullit në vitin 2013, futi duart në vitin 2015, futi duart në vitin 2017. Shqiptarët e dinë, opozita e di, unë e di, miqtë tanë ndërkombëtarë e dinë. Të mos bëjnë sikur s’e shikojnë. Nuk ka për të pasur zgjidhje politike pa ndëshkimin e krimit elektoral të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Marrja e pushtetit nuk është diçka abstrakte për organizatën kriminale të “Rilindjes”. Ajo bëhet për një qëllim të caktuar dhe qëllimi nuk është abstrakt, ndonëse shifra është e paimagjinueshme për shumicën e shqiptarëve. Qëllimi i pushtetit është të vjedhë e të zhvasë këtë vend dhe qytetarët shqiptarë.

Po marrim vetëm një shembull, kontratat e tenderave dhe koncesioneve dhe të ashtuquajturave Partneritet Publik Privat, të bëra pa garë, me garë fallso, me garë ku nuk fiton më i miri, pra oferta më e lirë, por oferta më e shtrenjtë, me kompani që themelohen të hënën dhe fitojnë farën të premten, me kompani fantazëm, të regjistruara në parajsat fiskale, sepse pronarët e vërtetë janë ministrat dhe pushtetarët aktualë. 2,2 miliardë euro për 10 apo 15 oligarkë. Nuk ka vend në Ballkan, nuk ka vend në Evropë, qeveria e të cilit të hartojë, të firmosë dhe të vërë në veprim shpenzime të tilla marramendëse, duke iu dhënë një grushti njerëzish, me një të rënë apo me 15 të rëna të lapsit, gjysmën e buxhetit të shtetit. 150 milionë euro në vit do të mjaftonin për subvencionimin total të bujqësisë, do të mjaftonin për ndjekjen e një politike pensionesh që do të fillonte me një rritje të menjëhershme prej 30 % të pensioneve, do të mjaftonin për rifutjen në skemë të mijëra familjeve me ndihmë ekonomike, të cilat u hoqën me pa të drejtë do mjaftonin për dëmshpërblimin e banorëve të ASTIR-it në Unazën e Re dhe të dhjetëra projekteve të tjera që meritojnë shpronësim dhe janë lënë mes katër rrugëve.

Por në vend që të ndodhin këto, kemi 15 derra dhe politikanë të lidhur me ta që bëhen gati të vjedhin 2,2 miliardë euro.

Sot një pjesë e prezantimit do të jetë edhe Ligji Antimafia, kundër oligarkisë dhe korrupsionit, dhe padyshim shpjegimi do të jetë i hollësishëm, i kësaj platforme politike dhe i instrumentit ligjor që ne do të votojmë që ditën e parë në pushtet.

Por nga Berati le t’ua japim këtë mesazhi oligarkëve që mendojnë se i kanë blinduar kontratat me Edi Ramën. Nuk ka kontratë të blinduar me Edi Ramën. Nuk ka shans që ju ta falimentoni Shqipërinë. Nuk ka shans t’i lëmë pensionistët pa pensioned he vogëlushët pa ngrohje, që të paguajmë kontratat tuaja korruptive. Nëqofëse mendoni se do të falimentojmë Shqipërinë me kusht që të paguajmë kontratat tuaja, le ta kenë fare të qartë: Nuk do të falimentojë Shqipëria, do të falimentoni ju dhe t’jua ktheni çdo qindarkë qytetarëve shqiptarë që jua keni grabitur.

Zonja dhe zotërinj, këto janë 3 platformat emergjente: pastrimi i politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve, që fillon me ndëshkimin e atyre që janë kapur tashmë duke vjedhur zgjedhjet; dhe platforma kundër korrupsionit dhe kundër oligarkisë. Mbi këto tre platforma ngrihet koncepti ynë i mirëqeverisjes, i cili ka në qendër fatin e qytetarëve shqiptarë dhe ekonominë shqiptare.

Nuk ka për të patur asnjë prioritet tjetër përveç ekonomisë tuaj dhe ekonomisë kombëtare. Ne jemi të vendosur ta zbatojmë këtë platformë, e cila ka marrë miratimin e ekspertit më të mirë të Europës e të Gjermanisë, ne jemi të vendosur ta kthejmë Shqipërinë në vendin me taksën më të ulët konkurruese në Ballkan, 9 % taksë e sheshtë. Ne jemi të vendosur të rrisim kufirin e biznesit të vogël me 120 milionë lekë të vjetra dhe të vendosim të vetmin regjim fiskal për ta, pullën fiskale në hyrje të premisës, dhe largimin e bandave të tatimorëve që i terrorizojnë. Ne jemi të vendosur ta ulim që ditën e parë në pushtet çmimin e naftës me 300 lekë, duke eleminuar taksën korruptive Rama që e kanë bërë naftën e shqiptarëve më të shtrenjtën në Evropë, ndërkohë që është populli me fuqinë blerëse më të ulët. Jemi të vendosur të rikthejmë çmimin e arsyeshëm të energjisë elektrike dhe subvencionimin e saj, si për shtresat në nevojë, ashtu edhe për fermerët dhe për prodhimin industrial.

Ne jemi të vendosur që me taksa të ulëta dhe me kthimin e investimeve të huaja, të garantojmë jo vetëm punësim, por të garantojmë një portofol investimesh të fuqishme, infrastructure dhe shërbimesh sociale, në mënyrë që asnjë shqiptar të mos mbetet prapa, që asnjë shqiptar të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa dritë, pa dinjitet.

Dhe për këtë jemi gati t’u ofrojmë shqiptarëve vizionin tonë, platformën tonë, ekipin tonë, të pakorruptuar, të painkriminuar, me njerëz të vendosur të zbatojmë ligjin dhe t’u kthejmë shqiptarëve dinjitetin, demokracinë dhe normalitetin.

Beteja që kemi përpara duhet luftuar dhe duhet fituar. Ky është shansi i fundit që kjo betejë të lufohet e të fitohet në rrugë dhe mënyra institucionale. Refuzimi, siç ka bërë deri më sot, i organizatës së Rilindjes, për të pranuar kriteret, parimet dhe instrumentet që na nxjerrin nga boshti i krizës ku e ka future vendin, nuk ka rrugë tjetër përveçse t’ju drejtohemi ju, tju drejtohemi qytetarëve shqiptarë.

PD padyshim do të vijë në pushtet me votë, por nëse alternativat e rikthimit të demokracisë funksionale dhe të shtetit ligjor nuk hapen, nëse rrugët e arsyes vazhdojnë të bllokuara, atëhere qytetarit, popullit, i lind dhe i mbetet e drejta për të marrë fatin në duart e tij dhe për të larguar, rrëzuar apo shporrur me të gjitha mjetet dhe mënyrat një qeveri që nuk i përfaqëson, që nuk ju shërben atyre, por krimit dhe xhepave të tyre.