• Afera e Unazës së Madhe është një vjedhje e hapur dhe e negociuar direkt nga Edi Rama në dy kompenentë: Nga rrëmbimi i taksave tuaja dhe rrëmbimi i pronave të gati 317 pronave të familjeve që do të prishen në kundërshtim me ligjin.
  • 2 mijë euro për 1 cm: ky është çmimi me të cilin Rama po vjedh paratë tuaja, paratë e taksapaguesve shqiptarë.
  • Garë nuk ka pasur dhe çmimi i prokurimit është çmim rekord. Kur ke në plan të vjedhësh të erren sytë dhe nuk mund të shohësh ligj kur vjen puna tek pronat e qytetarëve
  • Një projekt i pakërkuar është adaptuar nga agjencia e vjedhjes së rrugëve, ARRSH-ja, e cila pastaj ka gjoja hapur tender dhe pastaj janë future tre operatorë. Paratë e shqiptarëve po vidhen. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha, mbajeni mend, nguliteni në kokë – ky është një projekt megavjedhje! Është një projekt megahajdutërie, me Edi Ramën autor.
  • Shkelet çdo ligj dhe ligji i parë që shkelet është ligji i prokurimeve. Kjo nuk mund të ndodhë vetëm me kokën e drejtorit të ARRSH i cili do japë llogari para ligjit. Kjo ndodh sepse në vjedhje është përfshirë Edi Rama. Hajduti që ka shkelur ligjin e prokurimeve është Edi Rama. Hajduti numër 1 që ka futur duart në thesin e parave të shqiptarëve duke shkelur ligjin e prokurimeve, është Edi Rama.
  • Është bërë gjithçka me nxitim të madh, që 40 milionëshi dhe kapari i 40 milionëshit përfundon  një orë e më parë në xhepin e Edi Ramës, në vilën e Surrelit dhe ekspozitat e tij të shtrenjta anembanë botës.
  • Banorët duhet të dëmshpërblehen, në dy lotet e tjera janë dëmshpërblyer Është shpërndarë mashtrimi se këta njerëz janë zaptues, secili prej tyre e ka blerë pronët, paguan për 25 vite faturat, energjisë, ujit, fitues i ligjit të legalizimit, asnjë nga ata nuk është zaptues.
  • Kam një pyetje për organizatat ndërkombëtare në Shqipëri: Ku jeni, për çfarë paguheni?! Për çfarë jeni këtu?! Për të bërë pasarela, për të ngrënë e për të pirë? Sa e mirë është vera shqiptare?! Ku jeni?! Ja ku është “drejtësia shqiptare”! Pse heshtni?! Heshtja ju bën bashkëfajtorë!”

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

Të dashur bashkëqytetarë, të nderuar përfaqësues të medias, jam sot përpara jush, në një përpjekje të ndershme për t’ju shpjeguar me fakte dhe vetëm përmes të vërtetës tragjedinë që po ndodh në mbi 1 mijë familje që banojnë në 317 banesat që kërcënohen me prishje të paligjshme nga Edi Rama.

Mjaftojnë faktet, mjafton e vërteta për ta kuptuar sepse kjo është një tragjedi jo vetëm për këta mijëra banorë, qindra vogëlushë, por është një vijë e kuqe që kërcënon drejtpërdrejt fatin e çdo shqiptari dhe shtëpinë, vatrën e çdo shqiptari.

Faktet janë të rënda, nuk ka nevojë fare për interpretim. Por, ka dy javë që Edi Rama dhe lukunia e tij barbare e hajdutëve me propagandë nga mëngjesi deri në darkë po i ushqen opinionit publik mashtrime dhe gënjeshtra me shpresën se do t’ia hedhë pa u lagur, me shpresën që do të arrijë të triumfojë anti-ligji dhe ai të kryejë një vepër barbare të shkatërrimit të këtyre shtëpive, për të mbushur xhepat e tij dhe të ortakëve të tij në krim.

Afera e Unazës së Madhe është një vjedhje e hapur direkt nga Edi Rama. Gjithçka është negociuar drejtpërdrejt nga Edi Rama.

Vjedhja e Unazës së Madhe përbëhet nga dy komponentë:

Rrëmbimi i taksave, taksave tuaja, taksave të çdo qytetari dhe rrëmbimi i pronave të afro 1 mijë familjeve, të afro 317 pronave të tyre, shtëpive të tyre të cilat do të prishen në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin.

Çdo ligj i mundshëm është shkelur.

Le ta nisim me vjedhjen e parë. Vjedhjen rekord prej 40 milion eurosh, apo 2 mijë euro për centimetër, të këtij segmenti prej 2 kilometrash.

2 mijë euro për një centimetër të kësaj rruge. Imagjinoni. Ky është çmimi me të cilin Edi Rama po vjedh paratë tuaja, jo thjesht të atyre qytetarëve. Paratë tuaja, të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë. Si po e bën këtë?

Së pari e gjithë skema e prokurimit, e tenderimit është korruptive. Nuk ka patur garë. Një projekt i pakërkuar është adaptuar nga agjencia e vjedhjes së rrugëve, ARRSH-ja, e cila pastaj ka gjoja hapur tender dhe pastaj janë future tre operatorë. Secili me ofertën maksimale, operatori i katërt në secilin prej këtyre tendërave është e vetmja kompani, “Vëllezërit Hysa”, e cila pasi futet për të përligjur se ka konkurrencë, ka të paktën dy operatorë në garë. De facto saboton garën duke mos dhënë çmim, duke mos dhënë ofertë, pra mbetet e vetmja ofertë, oferta më e lartë nga të tre operatorët, njëri prej të cilëve i regjistruar në parajsa fiskale, dhe në procesin e prokurimit ka qenë nën sekuestro, për shkak të detyrimeve të pashlyera.

Ja pra, shkelet çdo ligj dhe ligji i parë që shkelet është ligji i Prokurimeve. Kjo nuk mund të ndodhë, vetëm në kokën e drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së, i cili padyshim do të japë përgjigje përpara ligjit, penalisht.

Nuk mund të ndodhë as vetëm me kokën e hajdutit tjetër në Ministrinë e Infrastrukturës, Damian Gjiknurit.

Kjo mund të ndodhë vetëm sepse në këtë vjedhje është përfshirë direkt Edi Rama. Hajduti numër 1 që ka futur duart në thesin e parave të shqiptarëve duke shkelur ligjin e prokurimeve, është Edi Rama.

Si ndryshe mund të shpjegohet që për dy kilometra në një unazë ekzistuese, në një rrugë ekzistuese të kryeqytetit, do të harxhohet një shumë rekord për Europën e ndoshta edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku çmimet e autostradave variojnë nga 5-8 herë më të lira sesa çmimi i Unazës së Re.

Paratë e shqiptarëve po vidhen. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha, mbajeni mend, nguliteni në kokë – ky është një projekt megavjedhje! Është një projekt megahajdutërie, me Edi Ramën autor.

Së dyti, i gjithë procesi i Prokurimit ka ndodhur pa u miratuar leja e ndërtimit. Leja e ndërtimit është miratuar në kundërshtim me një sërë rregullash dhe ligjesh pa asnjë konsultim publik. Pa konsultimin e autoritetit vendor të Bashkisë së Tiranës, të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Është bërë gjithçka me nxitim të madh, që 40 milionëshi dhe kapari i 40 milionëshit përfundon  një orë e më parë në xhepin e Edi Ramës, në vilën e Surrelit dhe ekspozitat e tij të shtrenjta anembanë botës.

Garë nuk ka pasur! Çmimi i Prokurimeve është çmim rekord dhe gjithçka është bërë pa leje ndërtimi.

Tani vijmë te grabitja e pronave. Natyrisht kur ke në plan të vjedhësh, të megavjedhësh 40 milionë euro, të erren sytë dhe nuk mund të shohësh as ligj as Kushtetutë kur vjen puna për pronat e qytetarëve.  40 milionë euro dhe nuk është gjetur një kacidhe për të dëmshpërblyer pronarët e shtëpive të tyre.

Dhe këtu hyn pastaj propaganda e ndyrë, e cila mundohet të lajë edhe qëndrimet më të papranueshme, raciste, të cilat janë të dënueshme, sipas Kushtetutës dhe kodit penal. Qëndrimet raciste dhe përçarëse të Edi Ramës dhe lolos së tij në Bashkinë e tiranës Erion Veliaj, të cilët i referohen njerëzve si shpellarë. Shpellarë pse? Sepse kërkojnë të drejtën e tyre, të cilën ua garanton ligji, Kushtetuta dhe që ua ka premtuar dy herë kryehajduti dhe loloja i tij në Tiranë. Cila është kjo e drejtë dhe pse garantohet me Kushtetutë, ligj, precedent juridik? Kjo është e drejta e banesës, mbrohet me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Është norma më e lartë ligjore. Çdo normë tjetër ligjore që është në kundërshtim me këtë normë ligjore bie. Banesa është e shenjtë!

Së dyti, norma juridike e vendosur me ligjin për legalizimin të miratuar dhe në fuqi në vitin 2015 e thotë qartë: Edhe në ato raste kur je në proces legalizimi dhe legalizimi nuk ka përfunduar do të shpronësohesh dhe pastaj do të merret prona dhe do të zhvillohet projekti.

Në 2015 në mënyrë tinëzare dhe me makutërinë e hajdutit është ndryshuar ky ligj në mënyrë që këto prona të prishen pa dëmshpërblim, por edhe këtë e ndalon Kushtetuta.

Pse?

Trajtim i barabartë në raste të barabarta. Në dy lote të tjera banorët janë dëmshpërblyer dhe në këtë lot nuk dëmshpërblehen. Rendi kushtetues, rendi ligjor mbahet nga disa parime bazë dhe njëri prej këtyre parimeve është që të dy raste të njëjta nuk mund të trajtohen nga mënyra të ndryshme nga ligji. Nuk mundet që dikush të marrë dëmshpërblim kur ndërtohet një vepër infrastrukturore dhe dikush tjetër jo. Nuk mundet që dikush tjetër të shpronësohet dhe dikush jo kur janë në të njëjtat pozita. E pra, banorë në të njëjtën gjendje siç janë sot një pjesë e mirë e banorëve të Unazës së Madhe janë dëmshpërblyer para futjes në fuqi të ligjit të vitit 2015 i cili në këtë aspekt nuk është thjesht një ligj hajdut por është një ligj antikushtetues, shkel normën e sigurisë juridike.

E drejta e fituar nuk mund të merret. Banorët e kanë fituar këtë të drejtë me ligjin e legalizimit të ngarkuar nga Partia Demokratike; e kanë fituar në mënyrën se si është zbatuar ky ligj; e kanë fituar me precedentët e vendosur nga Këshilli i Ministrave në vitin 2011, 2012 në rastin e shpronësimeve në Bulevardin e Ri dhe në Unazën e Madhe, për të mos lënë pas këtu edhe premtimin e Edi Ramës të kapur në mashtrim flagrant me zë dhe me figurë siç kanë patur kurajon ta transmetojnë disa media.

Pra, pretendimi se këtu po zbatohet ligji është një pretendim i paskrupullt. Ligji po shkelet me të dyja këmbët për të marrë, për të grabitur pronën e qytetarëve në Unazën e Madhe, për t’i hapur rrugë megavjedhjes 40 milionë euro, vjedhjes direkt nga Edi Rama.

Së dyti, është shpërndarë mashtrimi se këta njerëz janë zaptues. E keni dëgjuar se si flasin për qytetarët, këta hajdutë që iu thonë zaptues. Secili prej tyre e ka blerë pronën. Secili prej tyre paguan tash prej 20-25 vite faturën e energjisë, faturën e ujit. Secili prej tyre është përfitues i ligjit të legalizimit. Marrëdhënia që kanë me shtetin deri më sot është respektuar nga ata, ndërsa sot po shkelet nga shteti i Edi Ramës.

Asnjëri prej tyre nuk është zaptues, të gjithë kanë blerë tokën ku kanë ndërtuar. Të gjithë janë  trajtuar si subjekte ligjore kur iu është dërguar fatura e ujit, fatura e dritave, taksat, tatimet dhe gjithçka. I vetmi moment kur shahen, përbuzen, sulmohen, denigrohen, është momenti kur Edi Ramës i vishen sytë sepse po i vonohet ryshfeti i majmë që po merr me megavjedhjen 40 milionë euro.

Pra, Edi Rama mashtron. Secili prej tyre e ka blerë tokën. Të gjithë ata janë në proces legalizimi, një pjesë prej tyre janë legalizuar.

Këto pra janë faktet se si po vjedh Edi Rama në mega-aferën 40 milionë euro. 2 mijë euro për një gisht asfalt.

Që Edi Rama është një bandit plaçkitës që vetëm mendon dhe krijon përditë skema vjedhjes masive, shqiptarët tani e kanë mësuar.

Një hajdut i fiksuar pas vjedhjes që e ka përsosur artin e vjedhjes.

Ka shpikur PPP-të për të vjedhur shqiptarët.

Ka shpikur skemën e vjedhjes tek Teatri për të vjedhur shqiptarët.

Ka shpikur vjedhjen tek stadiumi për të vjedhur shqiptarët.

Është një njeri që jeton dhe mendon vetëm duke vjedhur.

Është një hajdut patologjik që vjedh gjithçka që prek.

Kur nuk kishte pushtet vidhte dhe shiste ikona, pastaj shiti leje ndërtimi, tani po shet gjithë Shqipërinë, po vjedh gjithë Shqipërinë.

Sot dua të dënoj qëndrimin e disa mediave të cilat janë bërë pjesë e propagandës qeveritare duke tjetërsuar faktet që përmenda më sipër, të cilat janë e vërteta dhe vetëm e vërteta e aferës së vjedhjes së Unazës së Madhe, por edhe ata anëtarët të shoqërisë civile dhe intelektualë që mbulojnë ose heshtin kur vidhet në mënyrë brutale çdo gjë dhe shkelen të drejtat e njerëzve nga një qeveri banditë.

Ata duhet të zgjedhin nëse duhet të bëhen pjesë e krimit qeveritar apo do të zgjohen dhe do të radhiten në krah të interesit publik.

Por një mesazh kam për të gjithë ata që me heshtjen e tyre apo me avokatinë që i bëjnë vjedhjes së Unazës së Madhe bashkëpunojnë me vjedhjen dhe krimin.

Bashkëpunimin me krimin dhe vjedhjen njerëzit nuk do t’ua falin.

Kam një pyetje për organizatat ndërkombëtare që financohen me paratë e taksapaguesve të Europës dhe të gjithë botës, të  cilët lejojnë vjedhjen e hapur duke shkelur çdo standard të mirëqeverisjes dhe të shtetit ligjor.

Ku jeni? Për çfarë pune paguheni? Për çfarë jeni këtu? Për të bërë pasarela?! Për të ngrënë e për të pirë në restorante të shtrenjta? Për të na treguar sa e mirë vera shqiptare.

Ja ku e kemi mirëqeverisjen, sundimin e ligjit ja ku e keni, ja ku e keni reformën në drejtësi. Një kryeministër harbut dhe hajdut që shkel Kushtetutën, shkel ligjin dhe sot po rreh fëmijë dhe gra.

Pse?

Për të vjedhur. Vjedhja është e hapur, është në sytë tuaj dhe cënon çdo standard ndërkombëtar të prokurimeve ndërkombëtare.

Pse heshtin?

Heshtja ju bën bashkëfajtor. Heshtja ju bën të pabesueshëm para shqiptarëve.

Zonja dhe zotërinj sot në orën 17:00 banorët e zonës së “Astir” do të jenë prapë në protestë. Unë do të jem prapë aty bashkë me ta, me grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe çdo qytetar që duhej dhe do të ngrihej edhe sikur padrejtësia të kufizohej vetëm tek këta 1 mijë banorë, një mijë familje, mijëra vogëlushë. Por në fakt nuk do të kufizohet vetëm aty: Mos prisni t’ju vijë tek dera e shtëpisë! Sepse atëherë do të jetë shumë vonë.