- Edi Rama vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, megjithëse është kapur si autor kryesor në krimin elektoral të Rilindjes.
- Në një vend normal, kandidat për në BE kryebashkiaku do të kishte dhënë dorëheqjen të nesërmen për t’i çelur rrugë hetimit të pandikuar.
GENC POLLO, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE
Kanë kaluar 30 ditë që kur përgjimet zyrtare të prokurorisë ndaj bandës së Avdylajve, dëshmuan se Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit e shef politiko-elektoral i partisë rilindiste në pushtet për krahinat Durrës, Shijak e Krujë, është në pale kontraktore me këtë bandë: Avdylajt i mbledhin vota me para e kërcënime.
Shefrilindisti lokal i shpërblen duke i mbrojtur nga policia, duke i dhënë tendera e leje ndërtimi dhe duke ja emëruar minibanditët me shkollë në drejtoritë e Durrësit.
Në një vend normal, nuk po them anëtar i NATO-s e kandidat për në Bashkimin Europian, por thjesht në një vend normal, kryebashkiaku do të kishte dhënë dorëheqjen të nesërmen, për t’i çelur rrugë hetimit të pandikuar.
Në një vend normal, nëse kjo nuk do të ndodhte, partia e tij do ta zhvishte nga funksionet partiake e do të procedonte me përjashtimin e tij.
Në një vend normal, shefi i mazhorancës e qeverisë do e denonte aktin e ofiqarin, e të paktën do insistonte në sqarim të plotë e hetim të thelluar.
Në Shqipërinë rilindiste, prej 5 vitesh Kryebashkiaku tërsëllon kundër kritikëve e kundërshtarëve që i lexojnë dosjen, herë me zë të trashë e herë me qesëndi, madje i pakursyer në padi.
Partia e tij nuk mund t’i bëjë gjë pasi nuk është më ose gjallon nën thundrën bandito-rilindiste.
Shefi i mazhorancës i jep mbrojtje mbi e nën rrogoz dhe së shpejti pritet të apelojë që kush foli e mendoi keq për Dakon, t’i kërkoi atij falje publike.
Prandaj zonja e zotërinj është detyrë primare e opozitës por edhe e gjithë shoqërisë të mos rreshtim e të mos lëm gur pa përmbysur deri sa të jemi sërish vend normal ku banditët me e pa kravatë të mos rrinë në zyra e nëpër rrugë por aty ku e kanë vendin: në burg.