• Edi Rama nuk ka asnjë plan dhe vullnet për të realizuar asnjë nga kërkesat e studentëve. Paketa e tij është paketa e mashtrimit të studentëve dhe tregues i panikut dhe çoroditjes së Edi Ramës.
• Zgjidhja garantohet nga alternativa e PD: anullim i menjëhershëm i ligjit korruptiv për arsimin e lartë, dyfishim i buxhetit me 74 milionë usd plus.
• Me planin e PD, shteti paguan tarifën e plotë për studentët e familjeve me të ardhura nën 640 mijë lekë/muaj dhe paguan gjysmën e tarifës për studentët e familjeve me të ardhura nën 640 mijë lekë/muaj.
• Me planin e PD, 5 milion usd mbulojnë shpenzimet e jetesës për studentët që vijnë nga familje shumë të varfra.
• Me planin e PD, 32 milionë usd investohen në infrastrukturën konviktore dhe akademike të universiteteve publike shqiptare.
• Edi Rama i ka mundësitë ta dyfishojë buxhetin për arsimin e lartë, por ai nuk do që studentët të marrin 75 milionë usd plus. Rama ka vendosur të paguajë 105 milionë usd për koncesionet e klientëve të tij.
• Zgjidhja nuk mund të jetë një zgjidhje matematike, por duhet të jetë një zgjidhje politike. Edi Rama nuk qeveris më, por vetëm grabit, mashtron dhe menaxhon krizën me propagandë, përçarje e shitblerje.
• Vendi ka nevojë për një pakt të ri kombëtar zhvillimi, por hapi i parë i domosdoshëm duhet të jetë: Largimi një orë e më parë i kësaj bande kusarësh që të vjedh natën e të mashtron ditën.
DEKLARATA E PLOTË E KRYETART TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Përshëndetje!
Mirë se keni ardhur përfaqësues të medias, operatorë dhe gazetarë!
Të dashur bashkëqytetarë!
Para pak minutash mbaroi viti qeveritar, ashtu siç nisi, me mashtrime dhe me premtime të pambajtura. Pas panikut total që e ka mbërthyer, Edi Rama po përpiqet të mashtrojë studentët dhe opinionin publik me të ashtuquajturin pakt për universitetin, kur, në fakt është e qartë: nga goja e tij kanë dalë fare qartë gënjeshtrat dhe mufkat që tregojnë se ai në të vërtetë nuk ka asnjë plan dhe asnjë vullnet për të realizuar asnjë nga kërkesat e studentëve.
Ta marrim çështjen e kostos së studimeve. Çikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli sot, të cilat janë riciklimet e atyre që ka thënë gjatë këtyre ditëve, nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta, të thella, financiare me të cilat përballet studentët dhe prindërit e tyre.
Konviktet tha do të mbarojnë deri në fund të mandatit. Natyrisht, konviktet nuk janë Unaza, nuk ka as DH e as Biba X tek konviktet, kështu që deri në fund të mandatit, se Unaza duhej bërë akoma pa marrë lejen e ndërtimit, duhej të prisheshin shtëpitë e qytetarëve, ndërsa për konviktet do të duhet të presim deri në fund të mandatit. I vetmi rast kur mund ta realizojë këtë premtim është, në qoftë se mandatin e tij populli e terminon brenda këtij gjashtëmujori, kjo po që do të ishte zgjidhje.
VKM-ja për bibliotekat. Asnjë nga zgjidhjet që kanë kërkuar studentët. Përfaqësimi i studentëve në bordet e administrimit: asnjë nga zgjidhjet që kanë kërkuar studentët. Paketa është një mashtrim, një mashtrim i plotë, por më shumë se mashtrim është shenjë e çoroditjes totale dhe e panikut që e ka kapur Edi Ramën.
Tani të vijmë pak tek rrugët e daljes nga kjo gjendje. I parashtrova në Kuvend dhe dua t’i parashtroj edhe njëherë para studentëve dhe para shqiptarëve rrugët e daljes nga ky kolaps ku gjendet sot arsimi.
Ka dy rrugëdalje.
E para është anulimi i menjëhershëm dhe i plotë i Ligjit korruptiv Për Arsimin e Lartë, që është zanafilla e të keqes. Këtu zuri fill e keqja. Ligji i Arsimit të Lartë që kaloi, përpos kundërshtimit të plotë nga pedagogët, nga studentët, natyrisht edhe nga Partia Demokratike, është gur themeli mbi të cilën qëndron kjo godinë korruptive, ku nga njëra anë, shqiptarët, prindërit e studentëve taksohen dhe nga taksat e tyre nuk jepen mjaftueshëm fonde për universitetet dhe nga ana tjetër tarifat sa vijnë e rriten. Pra, shqiptarët vidhen dyfish, por prapëseprapë nuk ka asnjë përmirësim në cilësinë e mësimdhënies.
Drama e arsimit të lartë në Shqipëri është kjo: Kemi sot arsimin e lartë më të shtrenjtë në Evropë – pra, shqiptarët paguajnë sot më shumë para për arsimin e lartë se çdo vend tjetër evropian – dhe ka cilësinë më të dobët në Evropë, një nga cilësitë më të dobëta në botë.
Pra, hapi i parë është anulimi i këtij ligji dhe hartimi, në konsultim të plotë me studentët, me pedagogët, me të gjithë shoqërinë, i një ligji modern për arsimin e lartë, ku të mishërohen parimet e arsimit të lartë në Evropë, diçka që ne, Partia Demokratike, e ka propozuar, diçka për të cilën kam folur shumë herë. Shumë prej njerëzve më të shquar, me të cilët Shqipëria sot mburret në Evropë janë produkt i standardeve evropiane të arsimit, nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i sjellim këto standarde edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë në radhë të parë demokratizim, dhe jo centralizim, siç bëri Ligji i Arsimit të Lartë i vitit 2015.
Demokratizim do të thotë më shumë autonomi në vendimmarrje për universitetet dhe një rol më të madh për pedagogët dhe studentët. Absolutisht qeveria do të ketë rolin e saj, të mbikqyrjes së fondeve publike, të fondeve të taksapaguesve shqiptarë, por ky nuk do të jetë një rol vendimmarrës në bordet e universiteteve. Do të thotë një rikonceptim i mënyrës sesi do të rritet cilësia e mësimdhënies në universitete, sepse thjesht dhe vetëm rritja e mbështetjes financiare nuk do të çojë automatikisht në përmirësim të cilësisë së mësimdhënies. Kjo do të thotë padyshim investim në infrastrukturën konviktore dhe akademike. Pra, konviktet, kushtet e studentëve në tërësi, sepse një pjesë e studentëve nuk rrinë në konvikte, rrinë me qira, por ata nuk mund të jenë jashtë vëmendjes.
Çështja e mbështetjes së studentëve që vijnë nga familje pa mundësi ekonomike, kjo është çështja e parë dhe natyrisht çështja e mbështetjes së infrastrukturës akademike që sot është në ditën e saj më të zezë krahasuar me çdo infrastrukturë akademike në vendet e rajonit, përfshi Bosnjë, Kosovë, Maqedoni. Bibliotekat, auditorët, mbështetja me teknologjinë e informacionit dhe natyrisht cilësia e mësimdhënies, cilësia e pedagogëve dhe rankimi i universiteteve. Të gjitha këto janë kolonat për projektin e një ligji të ri arsimin e lartë të cilën ne si Parti Demokratike do ta konsultojmë me pedagogët, me studentët në javët e para, në muajin e parë të vitit të ardhshëm.
Shtylla e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë.
Edi Rama ka folur sot 45 minuta dhe ka premtuar lloj-lloj gjërash, gënjeshtra. Por nuk iu thotë shqiptarëve një gjë të thjeshtë, që totali i buxhetit për arsimin e lartë, i miratuar me votat e tij dhe të qeverisë së tij është rritur vetëm me afërsisht 2 milionë dollarë.
Çfarë do të zgjidhë ai me 2 milionë dollarë?
Çfarë tarifash do të përgjysmojë ai me 2 milionë dollarë?
Cilëve studentë do t’u vijë në ndihmë Shqipëria me 2 milionë dollarë?
Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Aktualisht kjo do të thotë një vlerë prej afërsisht 74 milionë dollarë më shumë se sa ato që janë planifikuar.
74 milionë dollarë më shumë të cilat do të shpenzohen në dy drejtime:
Së pari, për të subvencionuar tarifat e studentëve dhe për të mbështetur përmes subvencionit social ata studentët, prindërit e të cilëve nuk kanë asnjë mundësi ekonomike që të paguajnë as shumën më të vogël për jetesën e tyre, qoftë kjo qira, ushqim, veshmbathje, libra, transport, telefon apo shpenzime të tjera të jetës së përditshme. Nuk dua të ndalem gjatë sesa i kushton një student një familjeje shqiptare, kemi mundësinë t’i rikthehemi kësaj çështje, e diskutova gjatë mbajtjes së qëndrimit tonë në parlament dhe amendamenteve, propozimeve që sollëm në parlament. Por dua t’ju them se për shumicën dërrmuese të studentëve nuk ka zgjidhje tjetër përveçse subvencionimit të plotë të tarifës. Pra, që prindërit dhe studentë të mos paguajnë as tarifën e Bachelor, as tarifën e Masterit, nëse vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
Për familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të ardhura në muaj, përgjysmim i tarifave për Bachelor dhe për Master. Tarifa totale e këtij propozimi të Partisë Demokratike e zbatua me numrin aktual të studentëve në universitetet publike dhe e projektuar sipas të ardhurave që ka matur censusi dhe INSTAT-i, fatura totale që të mbulohen që të gjitha familjet nën 640 mijë lekë të vjetra të ardhura në muaj, të paguajnë zero tarifa dhe familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra të në muaj të paguajnë vetëm gjysmën e tarfiës, efekti total është 38 milionë dollarë.
Në propozimin tonë, në planin tonë për ndryshimin e buxhetit për arsimin e lartë mbeten afro 37 milionë të tjerë, për të cilat ne kemi propozuar që 5 milionë të ndahen në familje me vështirësi ekstreme ekonomike; në këtë rast përveç subvencionimit të tarifës këta studentë do të mbështetën me një subvencion të drejtpërdrejtë prej afro 2200 dollarësh në vit, para të cilat janë llogaritur duke patur parasysh koston e konviktit, qiranë e shtëpisë, nëse janë më shtëpi në qira, me një kosto minimale prej 6 mijë lekësh të vjetra në ditë për ushqimin dhe kosto të tjera që kanë të bëjnë me koston e librave, abonesë, telefonit, etj.
Pjesa tjetër e parave, 32 milionë dollarë do të investohen në infrastrukturën konviktore dhe akademike të universiteteve publike shqiptare.
Ky është propozimi ynë, plotësisht i arritshëm.
Le të shikojmë se ku janë këto para në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Edi Rama ka ndarë 18 milionë dollarë për rikonstruksione, për pajisje zyrash, për orendi, për blerje makinash. Ka rritur me 21 milionë dollarë shpenzimet operative të udhëtimit, të hoteleve, të biletave jashtë shtetit. Ka ndarë 12 milionë dollarë për skandalin tek Unaza e Re. Ka ndarë 21 milionë dollarë për Klodian Zoton dhe Klodianin tjetër, dy prestanomet e Arben Ahmetajt në aferën e tre incenaratorëve të Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit.
Ka ndarë 33 milionë dollar për Vilma Nushin, Ilir Rrapaj dhe Jani Karathanon për 3 PPP-të korruptive në shëndetësi. Po ti mbledhim të gjitha këto bashkë, janë 105 milionë dollar që Edi Rama nuk I çon për studentët, por i çon për 7 apo 8 projekte korruptive të kontrolluara nga 3-4 njerëz të lidhur drejtpërdrejtë me të dhe me ministrat e tij të korruptuar, siç është Arben Ahmetaj.
Nuk po futemi këtu në shpenzimet e planifikuara për PPP-të e këtij viti. Po qëndrojmë vetëm tek këto shpenzime: 150 milionë dollarë, janë 30 milionë dollar më shumë se sa ç‘duhet për të dyfishuar buxhetin për Arsimin e lartë.
Janë 30 milionë dollarë më shumë sesa duhet që gjithë familjet me të ardhura nën 640 mijë lek të vjetra në muaj, mos të paguajnë më asnjë lek për tarfiat e fëmijëve të tyre në Universitet. Dalin e teprojnë, që për afro 5 mijë studentë që vijnë nga familje në nevojë ekstreme ekonomike, shteti të disbursojë 2 milionë e 200 mijë lek të vjetra në vit për t’u paguar qiranë dhe ushqimin.
Mjaftojnë për të përgjysmuar tarifën e studentëve për të gjithë ata që vijnë për familje me të ardhura mbi 640 mijë lek të vjetra në muaj.
Mjaftojnë për një fond prej 32 milionë dollarësh për konvikte, për biblioteka, për auditore, për të bërë më në fund rankimin e famshëm që edhe shqiptarët ta dinë se ku qëndrojnë universitetet shqiptare në krahasim me njëri-tjetrin në cilësinë e mësimdhënies dhe të vendosin ku ti çojnë fëmijët e tyre.
Dua ta përsëris qartë dhe shkoqur: Buxheti i 2019-ës i ka këto mundësi, por Edi Rama këto para nuk do që t’i çojë për studentët. Nuk do që t’i çojë për universitetet.
Do t’i çojë, e përsëris:
• 18 milionë dollarë shpenzime luksi qeveritare.
• 21 milionë dollarë më shumë shpenzime operative – më shumë karburant, më shumë dhoma hoteli, më shumë udhëtime me avion. 21 milionë dollar më shumë sesa sivjet!
• 12 milionë dollarë vetëm për korrupsionin tek Unaza e re.
• 21 milionë dollar vetëm për Arben Ahmetajn dhe inceneratorët e tij në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
• 33 milionë dollar për Vilma Nushin, Ilir Rrapaj dhe Jani Karathano.
Këto janë prioritetet e Edi Ramës. Mbushja e xhepave të këtyre njerëzve, mbushja e xhepave të vet dhe të ministrave të vet, janë arsyeja pse Edi Rama, paratë e taksapaguesve shqiptarë, paratë e prindërve shqiptarë, në vend që t’i për Universitetet dhe studentët i vjedh dhe i zhvat me këto projekte korruptive.
Është e qartë se degjenerimi I sistemit arsimor është pasojë e degjenerimit të qeverisjes. Po të kishim një qeveri të përgjegjshme, po të kishim kontrollin dhe balancën e pushteteve, pot ë kishim një drejtësi funksionale, as Edi Rama, as kabineti i tij i korruptuar, nuk do të arrinin dot të bënin këtë gjëmë të madhe: të çonin 105 milionë dollarë në xhepat e pak vetave, ndërkohë që studentët kanë një muaj që protestojnë për kushte më të mira dhe për një arsim cilësor e modern. Akoma më keq. Nuk do të kishte mundësinë të gënjente kaq ashiqare, në dritën e ditës siç gënjeu sot.
Pra, është e qartë se zgjidhja nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një zgjidhje matematike, një përmirësim matematik i buxhetit për të cilin ju faktova se është plotësisht i mundur.
Është dhe duhet të jetë një zgjidhje politike.
Edi Rama dhe qeveria e tij, nuk qeverisin më. Ata vetëm grabisin, mashtrojnë dhe menaxhojnë krizën dhe pakënaqësinë popullore përmes propagandës, përçarjes dhe shitblerjes të çdo faktori që mund të ndihmojë në përçarje dhe në propagandën qeveritare.
Ndaj detyra jonë kryesore si opozitë është jo vetëm t’u tregojmë shqiptarëve fare qartë sesi vidhen paratë që mund të ndihmonin arsimin e lartë, por, po kështu, edhe rrugën që këto para mos të vidhen më, që kjo vjedhje të ndalë dhe taksat e shqiptarëve të shkojnë realisht aty ku ka më shumë nevojë vendi, aty ku kanë nevojë më shumë qytetarët: tek arsimi, tek pensionet, tek ndihma sociale, tek shëndetësia, tek ulja e taksave, tek ulja e çmimit të naftës dhe energjisë më të lartat në rajon. Pra, tek një pakt i ri kombëtar zhvillimi dhe për këtë padyshim hapi i parë dhe i domosdoshëm është dhe duhet të jetë: Largimi një orë e më parë i kësaj bande kusarësh që të vjedh natën e të mashtron ditën.
Faleminderit!