- Veliaj kapet në flagrancë duke gënjyer për ndryshimin e shtratit të Lumit të Lanës. Një vit më parë deklaroi nisjen e punimeve. Pas zbulimit të skandalit tha se projekti nuk është emergjencë për bashkinë.
- Ndryshe nga sa mashtron Bashkia e Tiranës, harta zyrtare e Planit Urbanistik të Tiranës tregon gjurmën ekzakte sesi është devijuar Lana në favor të projektit 60 milionë euro të trafikantit të drogës.
DEKLARATË PD, INA ZHUPA, ZËDHËNËSE E PARTISË DEMOKRATIKE
Bashkia e Tiranës bëri dje atë që di të bëjë më mirë, të mashtrojë qytetarët për të mbuluar të vërtetën e projektit luksoz 60 milionë euro të trafikantit të drogës, Edmond Bego.
Përveç mashtrimeve të tjera, Bashkia tha se projekti që zhvendos shtratin e lumit Lanë nuk do të nisë tani. Por ky pohim kundërshton deklaratën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj një vit më parë, sipas të cilit puna për Lanën do të niste shumë shpejt.
Bashkia ka dy alternativa. Ose të pranojë se kryetari Erion Veliaj gënjeu dje kur tha se nuk ka emergjencë ose të pranojë se Erion Veliaj ka gënjyer qytetarët një vit më parë.
Në çdo rast mbetet fakt i pandryshueshëm dhe i pamohueshëm se Erion Veliaj dhe Edi Rama firmosën në Planin e ndryshuar Urbanistik të Tiranës, zhvendosjen e Lumit të Lanës me qëllim që të mos prekë tokën ku do të ndërtojë trafikanti i drogës.
Ndryshe nga sa mashtron Bashkia e Tiranës, harta zyrtare e Planit Urbanistik të Tiranës tregon gjurmën ekzakte sesi është devijuar Lana në favor të projektit 60 milionë euro të trafikantit të drogës.
Kjo gjurmë tregon sesi për të mos cënuar projektin e trafikantit të drogës, u planifikua zhvendosja e Lanës mbi territorin ku ndodhen shtëpitë e 200 familjeve.
Në vend që të mashtrojë qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj duhet t’i përgjigjet pyetjes për të cilën hesht që nga zbulimi i skandalit: Pse ai firmosi Planin për zhvendosjen e Lumit të Lanës?
Roli prej budallai dhe loja me paditë politike me shpresën për të larguar vëmendjen nga skandali, nuk e shpëtojnë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës nga pyetja që tani e bëjnë shumë njerëz në Tiranë: Sa është pjesa e Erion Veliajt në projektin rezidencial 60 milionë euro që e detyroi atë të ndryshojë planin urban të Tiranës dhe të zhvendosë Lanën në favor të projektit të trafikantit të dënuar të drogës Edmond Bego?