Ajo që ndodhi sot është asgjësimi përfundimtar i Kuvendit.Ju e keni parë, Edi Rama ka asgjësuar qeverisjen e vendit, duke e personalizuar atë tërësisht. Sot ishte akti i rënies edhe të fasadës, i emërimit të personave të cilët nuk përfaqësojnë asnjë vullnet politik por vetëm vullnetin personal të Edi Ramës, përfaqësojnë pushtetin e tij personal me oligarkët dhe kriminelët.
Sot pra ishte edhe akti i rënies së qeverisë, i kapjes përfundimtare, personalisht nga Edi Rama të pushtetit ekzekutiv, gjyqësor, të prokurorisë, dhe me aktin e sotëm, edhe asgjësimi përfundimtar i Kuvendit. Për herë të parë në 28 vite demokraci, opozita kërkon debat parlamentar, për t’ju parashtruar qytetarëve shqiptarë, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, qendrimin e saj dhe të vërtetat tronditëse, pas këtyre emërimeve të kukullave të oligarkëve dhe të kriminelëve, me vulën dhe firmën e Edi Ramës. Asnjë nga arsyet e parashtruara nga kryetari i kooperativës në krye të Kuvendit nuk qendron.
Opozita parashtroi kërkesë, asnjë rregull i vetëm i procedurës, i rregullores parlamentare, nuk e pengon opozitën të marrë fjalën. Opozitën e pengon të marrë fjalën një kryetar kuvendi dhe një Kuvend i marrë peng nga një hajdut psiqik, i cili preokupimin e tij kryesor sot ka të vazhdojë të ruajë favoret e vjedhjes dhe hajdutërisë, dhe për këtë arsye i ka dhënë fund qeverisjes.
Sot ne kemi një qeveri të vdekur. Ne kishim një qeveri në koma, e cila nuk qeveriste për shkak se nuk erdhi në pushtet me votat e qytetarëve dhe me një program qeverisjeje, por erdhi në pushtet me votat e krimit dhe me paratë e oligarkëve, pikërisht për të zhvatur qytetarët.
Jemi në një gjendje emergjence kombëtare.
Faturën e kapjes totale të qeverisjes, ku për herë të parë, që nga koha e Enver Hoxhës, kryeministri mban edhe pozicionin e ministrit të jashtëm dhe, njësoj si në kohën e Enver Hoxhës, na prezanton sot një kabinet me asnjë fije më shumë dinjitet sesa Pali Miska dhe Lenka Çuko, pra faturën e kësaj sjelljeje e paguajnë shqiptarët e thjeshtë. Faturën e kësaj sjelljeje e paguajnë studentët, që kanë një muaj që janë ngritur për të drejtat e tyre elementare, në një vend ku arsimi është më i shtrenjti, dhe cilësia e arsimit më i dobëti në Evropë. Janë ngritur për kërkesat e tyre elementare. Faturën e paguajnë banorët e Astir-it, të cilët kanë më shumë se 65 ditë, që protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Faturën e paguajnë të papunët shqiptarë. Faturën e paguajnë pensionistët që kruajnë xhepat për të paguar energjinë, ujin, qiranë dhe pastaj s’u mbetet asgjë për të ngrënë. Faturën e paguan sipërmarrja, e cila po shkon drejt falimentimit me 50 biznese në ditë që mbyllen si rezultat i masave represive dhe taksave të larta, faturave të larta të kësaj qeverie.
Faturën e paguan çdo familje shqiptare, me çmimin më të lartë të karburantit në rajon, me çmimin më të lartë të energjisë në rajon, në kushtet e një ekonomie që po futet në kolaps. Faturën e paguajnë fëmijët shqiptarë të cilët shkojnë në shkolla pa ngrohje, ku sëmurën masivisht e nuk marrin as trajtimin minimal shëndetësor.
Faturën e paguajnë gazetarët dhe mediat e lira, të cilat pasi përballen me presione, shantazhe, joshje, tani përballen edhe me mbylljen e gojës me projektligjet diktatoriale, policinë e mendimit që Edi Rama ka sjellë për të hequr të vërtetën nga ekranet dhe portalet dhe për të imponuar propagandën e tij të gënjeshtërt.
Faturën e paguajnë policët, të cilët detyrohen të nderojnë, rrespektojnë dhe të trajtojnë si VIP-a kriminelët dhe trafikantët ndërkombëtarë të drogës, ndërkohë që në shkelje dhë në dhunim të ligjit, eprorët e tyre arrestojnë qytetarë të pafajshëm, vetëm e vetëm sepse mbrojnë të drejtën e tyre dhe të familjeve të tyre për ekzistencë.
Faturën, pra, e paguan gjithë Shqipëria, faturën e paguan çdo shqiptar i ndershëm.
Kjo nuk mund të vazhdojë më.
Kjo duhet të marrë fund.
Nuk mund të ketë më një shtet me një kryeministër fals që, në fakt, është një hajdut psiqik, që për vjedhjen dhe për mbrojtjen e parave dhe të pushtetit të tij, sot i dha dërrmën e fundit Kuvendit dhe në këtë mënyrë u përpoq të mbyllë opozitarizmin dhe gojën e opozitarëve me hipokrizinë më totale.
Nuk mund të vazhdojë më kjo gjëndje.
Shqipëria nuk mund ta përballojë më këtë gjëndje.
Ndaj detyra jonë kryesore si opozitë është të jemi në krah të këtyre njerëzve dhe t’u japim atyre zgjidhjen politike: T’i ftojmë të bëhemi të gjithë së bashku pjesë e kësaj zgjidhjeje politike.
Çdo ditë me Edi Ramën kryeministër, është ditë krize dhe emergjence për shqiptarët.
Largimi i tij është sot interesi më i lartë kombëtar.
Çdokush që i shërben me vetëdije apo pa vetëdije, vazhdimit për çdo ditë të vetme Edi Ramës kryeministër, është një tradhëtar i interesave të popullit të vet, është një tradhëtar i interesave të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të trajtohet i tillë, pavarësisht nëse është kryetari kukull i Kuvendit kukull, apo një analist apo gazetar i shitur apo i blerë tek pushteti, apo pronarë medias, apo oligarkë që vjedh 20 milion euro km, popullit më të varfër.
Të gjithë duhet të trajtohen si tradhtarë.
E sotmja është një shpallje lufte ndaj opozitarizmit dhe Parlamentit dhe beteja është dhe duhet të jetë finale.
Ajo që ne do të bëjmë si opozitë, është mobilizimi total i të gjithë resurseve opozitare dhe thirrja ndaj çdo shqiptari të ndershëm, për ti dhënë fund një orë e më parë kësaj farse, për të rrëzuar me çdo kusht, me çdo çmim e me çdo mjet shkaktarin dhe përgjegjësin e kësaj emergjence kombëtare, për të mos lënë vidhisjen deri në fund të familjeve shqiptare dhe të Shqipërisë në greminë, për largimin imediat të Edi Ramës.