• Në Shqipëri, të gjitha pushtetet janë kapur nga një kryeministër autokrat, i zhytur në korrupsion dhe i lidhur me krimin. Ka ardhur koha që e vërteta të mos fshihet dhe sheqeroset për partnerët e huaj.
  • Me këtë qeveri dyert e Europës do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura, negociatat nuk do të hapen dhe shqiptarët do të vazhdojnë të largohen.
  • PD është e vendosur ta ndalë krizën politike, krizën ekonomike, krizën e thellë të besimit dhe shpresës tek vendi ynë.
  • Rruga e vetme për t’u përballur me sistemin kriminal oligarkik që ka ndërtuar Edi Rama është ajo e bashkimit të qytetarëve. Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar.
  • Opozita ka vendosur të udhëheqë protestat qytetare deri në largimin e kësaj qeverie. Së bashku të largojmë modelin që vjedh dhe ta zëvëndesojmë me modelin e qeverisë që punon për qytetarët dhe zhvillimin e vendit.
  • Sezoni i protestave që do të nisë, do të jetë një mundësi për të folur hapur me njerëzit, për të bashkëbiseduar me ta, për të ndarë me ta vizionin dhe platformën tonë për të nesërmen.

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Në këto 3 ditë, ministri i jashtëm holandez, ministri i jashtëm italian, me praninë e tyre kanë sinjalizuar një vëmendje të rritur ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, që vjen në një moment ku vendi po zhytet në një krizë të thellë politike.

Ngjarja e djeshme në parlament është asgjësimi dhe eliminimi i të drejtës më elementare të një opozite, e cila është e drejta e fjalës.

Ndërkohë që situata e përgjithshme mund të përshkruhet me dy fjalë, me kapjen e të gjitha pushteteve politike dhe të gjitha institucioneve nga një kryeministër autokrat, i zhytur në korrupsion dhe i lidhur me krimin.

Ka ardhur koha që këto të vërteta të mos fshihen apo të sheqerosen, sepse përndryshe asgjë të re nuk do të kemi nga fronti i Perëndimit. Dyert e Evropës do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura, negociatat do të vazhdojnë të hapen për vendet e tjera, por jo për Shqipërinë dhe shqiptarët do të mund ta shohin dhe ta njohin Evropën vetëm përmes largimit nga vendi i tyre.

Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur ta ndalim këtë, ta ndalim krizën politike, ta ndalim krizën ekonomike, ta ndalim krizën e thellë të besimit dhe shpresës tek vendi ynë. Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm përmes kthimit tek vlerat evropiane. Tek vlerat evropiane që në kuptimin politik do të thotë ndarje dhe kontrolli i pushteteve, do të thotë zgjedhje të lira, do të thotë kontroll i qeverisjes nga qytetarët përmes mekanizmave evropianë, do të thotë garë e ndershme politike. Për ekonominë do të thotë ekonomi e lirë e tregut, do të thotë konkurrencë e ndershme, do të thotë taksa të ulëta, do të thotë fund abuzivizmit dhe terrorit ndaj sipërmarrjes, që për shtresat sociale, për shtresat në nevojë, për fermerët, për studentët do të thotë zgjidhje reale.

Këto zgjidhje sot mungojnë pikërisht, sepse modeli europian dhe demokratik i qeverisjes nuk ekziston, por ekziston një model oligarkik, kriminal, ku një grusht politikanësh me në krye Edi Ramën, një grusht oligarkësh dhe një grusht kriminelësh, kontrollojnë gjithë vendimmarrjen politike dhe fondet publike.

Prandaj fondet nuk shkojnë për uljen e tarifave, për uljen e çmimeve, për përmirësimin e cilësisë së arsimit, nuk shkojnë për subvencione për fermerët, nuk shkojnë taksa më të ulta për sipërmarrësit, nuk shkojnë për spitalet, nuk shkojnë për fëmijët shqiptarë, por përfundojnë në duart e politikanëve të korruptuar më në krye Edi Ramën dhe të një grushti oligarkësh dhe kriminelësh që janë bërë veglat e mbajtjes së pushtetit që është sot e gjithë ditën preokupimi i vetëm i Edi Ramës.

Ndaj rruga e vetme për t’u përballur me këtë, është rruga e angazhimit të të gjithë qytetarëve, e bashkimit të të gjithë qytetarëve, për t’i dhënë fund kësaj fasade. Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar.

Për këtë arsye, ditën e djeshme opozita ka vendosur të udhëheqë protestat qytetare deri në largimin e kësaj qeverie, sikundër bëhet gati të parashtrojë një zgjidhje politike për të cilën do të kemi një vendimmarrje dhe konkrete në Këshillin Kombëtar të PD, ditën e shtunë dhe do të kemi një mobilizim të partive të opozitës së bashkuar në bashkëpunim me qytetarët.

Një gjë është e sigurtë: kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, ka rënë para syve të Europës dhe të gjithë botës. Ka rënë edhe para syve të socialistëve të ndershëm, nuk përfaqëson asgjë më, përfaqëson vetëm një interes privat të Edi Ramës, në funksion të grabitjes vjedhjes dhe sundimit të vendit për interesa personale.

Unë jam I ndërgjegjshëm se shqiptarët nuk kërkojnë thjesht dhe vetëm largimin e një njeriu, por largimin e këtij modeli dhe zëvendësimin e tij me një model që të punojë për ta.

Nuk mund të shpikim modele, i vetmi model që mund të funksionojë është modeli europian.

Për këtë qëndroj fuqimisht unë dhe Partia Demokratike, ndaj edhe sezoni i protestave që do të nisë, do të jetë po kështu një mundësi për të folur hapur me njerëzit, për të bashkëbiseduar me ta, për të ndarë me ta vizionin dhe platformën tonë për të nesërmen.

  • Për ndarjen e politikës nga krimi përmes vettingut të politikanëve.
  • Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve.
  • Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare.

Por, së pari duhet të vijë beteja për të rikthyer demokracinë dhe shtetin ligjor dhe kjo betejë nuk mund t’i takojë jo vetëm opozitës, i takon çdo shqiptari të ndershëm. I takon medias, i takon asaj pjese të shoqërisë civile e cila nuk mbahet vetëm nga paratë e grabitura nga qeveria për të bërë avokatinë e qeverisë, por qëndron për vlerat europiane dhe për të ardhmen europiane të vendit.

Këto janë çështjet që kam parashtruar në takimin e sotëm me Ministrin Blok.

Qëndrimi i Holandës vazhdon të mbetet një qëndrim i drejtë, por strikt. Shqipëria duhet të plotësojë kriteret dhe këtu nuk ka asgjë të re. Ky është qëndrimi i të gjithë atyre që duan vërtetë të mirën e vendit, që nuk thonë gënjeshtra sa për të kaluar konferencën e shtypit të rradhës, por bëjnë të qartë se ka një rrugë të qartë përpara.

Jam i bindur se me të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre, ne mund dhe do ta përshkrojmë këtë rrugë dhe nuk do të humbim mundësinë për hapjen e negociatave dhe për ndërtimin këtu në Shqipëri të gjitha mundësive për njerëzit dhe shqiptarët që ata sot janë të detyruar t’i kërkojnë nëpërmjet emigracionit.