Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Lezhës dhe Mirditës: Përdoreni me zgjuarsi votën për të zgjedhur më të mirët.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në kuvendet kombëtare të PD në Mirditë dhe Lezhë. Zgjedhja e drejtuesve të partisë me votë është një vlerë e jashtëzakonshme, tha zoti Basha, ndërsa ka apeluar për dëmokratet që ta përdorin me zgjuarsi dhe me përgjegjësi për të zgjedhur më të mirët.
“Sfida dhe qëllimi kryesor i këtyre zgjëdhjeve që po zhvillohen në të gjithë piramidën ka qënë dhe është të nxjerrim me votë ekipet e fitorës. Kjo është një sfidë e përbashkët, një sfidë e gjithë anëtarëve nga i pari tek i fundit. Jeni ju që vendosni, jeni ju që zgjidhni me votë të lirë. Kemi venë votën e lirë në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës në Partinë Demokratike . Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, është një vlerë që duhet të dimë ta përdorim me zgjuarsi dhe me përgjegjësi. Ne do të ruajmë e do të zhvillojmë me tej në publik reputacionin e një partie të mirë duke zgjedhur mirë”, tha Basha.
Duke sjellë në vëmendje situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi, Basha ka bërë të ditur se demokratët në platformën e tyre qeverisëse, do te orientohen më mirë dhe më fuqishëm drejt sipërmarrjes së lirë, drejt Shqipërisë që punon e kërkon të punojë.
“Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, për fat të keq, nuk foli dhe nuk po flet dot një plejadë e re dhe një vision i ri i së majtës shqiptare. Foli dhe po flet, kam bindjen se për herë të fundit, një vizion i vjetër dhe i vjetëruar që e shikon pushtetin si sulltanat personal. Përballë këtij realiteti të hidhur, ne kemi e duhet të zhvillojmë më tej alternativën tonë të lirisë dhe zhvillimit, duke u orjentuar më mirë dhe më fuqishëm se deri tani drejt lirisë si promnotor zhvillimi, drejt sipërmarrjes së lirë, të vogël, të mesme dhe të madhe, drejt Shqipërisë që punon, krijon dhe prodhon në bazë të kësaj aksiome që e kemi vendosur në radhët tona si kryesore dhe vendimtare; nismës së lirë dhe konkurencës së lire”, tha Basha.