Kryetari i Partisë Demokratike merr pjesë në konferencën e të zgjedhurve vendor për decentralizimin dhe reformën territoriale, dhe denoncon projektin e njëanshëm e të pakonsultuar të qeverisë.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë, të zgjedhur, përfaqësues të pushtetit vendor.
Dua tu shpreh falenderimet dhe mirënjohjen time për pjesëmarrjen në këtë konferencë të parë, pjesë e 3 takimeve tona gjatë një periudhe 10 ditore, për të thënë fjalën tonë dhe për të na dëgjuar publiku, se çfarë përfaqësojmë. Të bëjmë të mundur që përmes fjalës tonë të dëgjohet edhe zëri i komuniteteve që ne përfaqësojmë, të dëgjojmë zërin e qytetarëve, shqetësimet, dëshirat, aspiratat e tyre në raport me cilësinë dhe sasinë e shërbimeve që duan të kenë nga pushteti vendor.
Në nisje të kësaj konference, dhe në themel të saj qendron një fakt i pa kundërshtueshëm. Fakti se në 23 vite demokraci, jo mbatja e status-quos së regjimit të kaluar por ndryshimi i asaj status-quoje, jo sekretarët e parë të komuniteteve ekzekutive të rretheve, por përfaqësuesit e zgjedhur me votë, bënë të mundur ndryshime rrënjësore në cilësinë e shërbimit si dhe në shkallën e përfaqësimit, transparencës dhe llogaridhënies dhe gjetjes së vetvetes, nga çdo qytetar tek komuna, apo bashkia ku jeton.
Në themel dhe në pikënisje të kësaj konference, së bashku, pamë me shifra dhe jo me fjalë që i merr era, as me spekulime politike të bëra për leverdinë e çastit, se si sa herë pushteti është decentralizuar, pra ka ardhur më afër qytetarit, qytetari ka patur përfitime.
Pamë se si pushteti vendor që manaxhon vetëm 2.1 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, arrin të realizojë si mesatare 50% investime. Ndërkohë që pushteti qendror e ka rreth 33 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, realizon vetëm 7% investime. Pra rreth 7 herë më pak se pushteti vendor. Kjo natyrisht nuk na jep të drejtën as si shoqata, as si të zgjedhur vendor t’i themi qeverisë; je 7 herë më e keqe se ne. Kjo do të ishte fodullëk, arrogancë, dritëshkurtësi dhe mendjemadhësi e stampës dhe stilit me të cilin po përballemi me tepricë në krahun tjetër.
Kemi tavolinë imagjinare të shkëmbimit dhe dialogut. Tavolinë imagjinare, sepse një e vërtetë nuk ekziston. Nuk ekziston sepse nuk ka vullnet, nuk ekziston sepse qeveria e z.Rama dhe z Meta i është nisur detit në këmbë.
E ka caktuar në pikënisje se ku do të dalë. Do të dalë tek Enver Hoxha plus. Pra 36 komitete ekzekutive plus ndonjë bisht për të kënaqur gjoja kriteret e Këshillit të Europës për minoritetet dhe për të bërë ndonjë ndarje të nënës dhe të njerkës në disa prej rretheve të mëdha.
Dhe ne paralajmëruam që në pikënisje se nisja me paragjykim i këtij procesi nuk do të sjellë një produkt të qendrueshëm. Se nisja pa konfrontim dhe pa debat të hapur të këtij procesi, pa rrahje mendimesh, në fakt është treguesi më i mirë i një mentaliteti të vjetër dhe të tejkaluar. Një mentaliteti që e kemi denoncuar dhe vazhdojmë ta denoncojmë edhe për shkak të shfaqjeve të tjera, si një mentalitet oligarkësh, pra njerëzish që përqendrojnë pushtetin në pak duar. Oligarkia nuk funksionon dhe nuk ka funksionuar asnjëherë, që nga koha e Çezarit e deri tek e Janukoviçit.
Ajo që funksionon është demokracia. Ajo që funksionon është liria. Duhet thënë këtu duke qënë njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike e cila ka udhëhequr një numër të madh reformash në pushtetin vendor, se këto reforma padyshim që mund dhe duheshin thelluar edhe më tej dhe ndaj pikëpamjet me disa parafolës këtu se një pjesë e rëndësishme e punës mbeti pa u bërë gjatë kohës që ne ishim në pushtet.
Por kjo jo për shkak të mungesës së vullnetit tone, por për shkak të asaj klime asfiksuese të konfliktit politik që e bënte të pamundur për t’u ulur e për të gjetur gjuhën e përbashkët e për të bashkuar votat për një reformë të rëndësishme për vendin.
Gjej rastin të theksoj se ne nuk jemi për status quo-në. Se status-quo-ja ka vend për përmirësime të mëdha. Por se këto përmirësime duhet të kenë në themel leverdinë që i shkojnë qytetarit, shërbime që përmirësohen në përfitim të qytetarit dhe qytetarëve dhe jo në përfitim të pushtetit dhe pushtetarit.
Dhe në këtë kuptim, mbi bazën dhe argumentin që u shpalosën këtu, nuk mendoj se ka qytetar që ta gjejë veten tek propozimi i paragjykuar i kthimit të Shqipërisë së ndarjes territorial “ Enver Hoxha plus”; i kthimit të Shqipërisë në kohën e Sekretarëve të Parë të Komiteteve Ekzekutive: të padukshëm, të paprekshëm, të paarritshëm nga qytetari; i kthimit në kohën e pashallarëve që kanë në dorë çelësat por që nuk bëjnë asgjë për ti ofruar qytetarëve atë nivel demokracie, përfaqësie dhe transparence shërbimi që i shkon për shtat nivelit të sotëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Nivel i cili pritet të rritet konsiderueshëm, të paktën në kuptimin formal, me marrjen e statusit dhe që bashkë me rritjen e këtij niveli do të rriten edhe pritshmëritë dhe kërkesat për ta çuar edhe përfaqësimin, edhe shërbimin, edhe transparencën në një shkallë më të lartë.
Nuk ekziston kjo ofertë. Nuk ekziston edhe pse e kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë në tavolinën e dialogut dhe të debatit. Edhe pse i ftuam zotërinjtë përfaqësues të komisionit qeveritar për decentralizimin që të ishin pjesë e këtij diskutimi të hapur, asnjëri prej tyre nuk ka marrë pjesë. As i ngarkuari me këtë pjesë në qeverinë e z.Rama, që u ftua të merrte pjesë nuk denjoi të ishte i pranishëm këtu. Nuk denjoi apo kanë frikë, kjo është çështje e tyre.
Ne kemi faktet, argumentat, arsyen në anën tonë. Ne kemi një vullnet të palëkundur për të forcuar decentralizimin, për të konsoliduar demokracinë vendore, dhe natyrisht për të konsoliduar si pjesë e kësaj edhe reformën territoriale.
Por për ta bërë këtë, duhet të nisemi jo vetëm nga një vullnet i mire, por duhet të nisemi edhe nga një bashkim i fakteve dhe argumentave nga njëra anë, dhe i vizionit se ku duam të shkojmë në anën tjetër. Dhe faktet dhe argumentat nuk flasin në favor të njësive të mëdha.
E them këtë si kryetar i një njësie të mëdhe, më të madhen në vendin. Faktet dhe argumentat flasin se performancë më e mirë është aty ku organet e qeverisjes vendore, kryetarët e komunave apo bashkive, këshilltarët e komunave apo bashkive, kanë krijuar përmes zbatimit të atyre kompetencave të dhëna me ligj së bashku me mjetet për ti ushtruar, praktikat më të mira në raport me transparencën, llogaridhënien, me shërbimin 24 orë ndaj qytetarit, me planifikimin e mirë nikoqir por dhe afatgjatë të prioriteteve që skanë asnjë lidhje me madhësitë e komunave apo bashkive.
Sepse ka me të vërtetë komuna të vogla si Dajçi, dhe flas për Dajçin sepse pata rastin të rrija 2 javë gjatë kohës së përmbytjeve të vitit 2010, që kanë zbatuar parime akoma iluzive për Bashkinë e Tiranës. Nuk ka letra në Dajç, gjithçka është dixhitale. Edhe në Tiranë po përpiqemi të kalojmë 100 % dixhitalë por nuk jemi akoma aty. Dhe ka bashki të mëdha të cilat kanë probleme të tejkalojnë sfida ekzistenciale. Nuk ka të bëjë pra me madhësinë. Ka të bëjë me resurset. Padyshim. Ka të bëjë me politizimin e shpërndarjes së resurseve qendrore, pa pikë dyshimi.
E pra, nëse duam një reformë të vërtetë e të qëndrueshme dhe af
atgjatë për pushtetin qendror, le të merremi me problemet e vërteta. Ta lëmë të paktën në këtë rast konfliktin politik dhe dëshirën “të kapim çfarë të kapim”, për të vënë edhe këtë hallkë të rëndësishme të qeverisjes dhe demokracisë nën sqetullën e një megamaxhorance që shikon pushtetin si një mundësi për të kapur çdo ishull jashtë tij dhe jo për të shërbyer dhe qeverisur.
Iku një e katërta e kohës. Dhe 3 të katërtat kanë mbetur. Në qoftëse kjo kohë përdoret për të kapur institucione të tjera të demokracisë siç është pushtetin vendor, asgjë e mirë nuk do të dalë prej kësaj. Vetëm përkeqësim do të vijë prej kësaj.
Por në qoftë se ka hapësirë për reflektim dua të shpreh vullnetin tim si kryetar i shoqatës së bashkive dhe në emër të shoqatës së komunave dhe në emër të shoqatës së qarqeve, në emrin tuaj, në emër të opozitës, në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, se ne jemi gati.
Jemi gati ti përvishemi punës ashtu siç duhet me transparencë të plotë, me debat, me diskutime, me shkëmbim pikëpamjesh. Tentativa që nisi, jo keq, me katër studimet e katër organizatave përfundoi mjerueshëm.
Mjerim më të madh se sa të komisionosh katër studime dhe të mos të dëgjosh asgjë që kanë për të të thënë, por të shkosh përpara me variantin Enver Hoxha plus, që kishin në mendje që në fillim, nuk ka.
Një gjë është e sigurtë, kjo skemë nuk do të funskionojë për qytetarët. Kjo skemë nuk do të funskionojë për shqiptarët. Kjo skemë nuk është e qëndrueshme. Kjo skemë nuk kursen para, do të hajë më shumë para. Por jo për ti kthyer në investime por për ti hedhur graso dinosaruve të rinj të skemave të vjetra të komiteteve ekzekutive.
Ndaj le ta ndalim sa nuk është vonë. Le ta ndalim me forcën e arsyes. Le ta konsiderojmë këtë seminar dhe dy konferenca të tjera që do të vijnë si një thirrje të arsyes për këdo që është me të vërtetë i interesuar për këtë proces.
Një gjë është e sigurtë. Nëse thirrja e arsyes nuk funksionon, ne të zgjedhurit vendorë, sikundër jam i sigurtë shumica e qyetarëve të lirë të këtij vendi që e dinë që liria funksion dhe jo mungesa e saj, që e dinë që përgjegjësia e decentralizuar funksionon më mirë se ajo e përqendruar në kullat e fildishta të pushtetit, nuk do të rrimë duarkryq, nuk do të rrimë të heshur. Liria është tepër e çmuar për t’u sjellë si dele.
Ndaj edhe njëherë i bëjmë thirrje qeverisë ti përgjigjet thirrjes së arsyes. Të ulet dhe të dialogojë me ne, përfaqësuesit e komuniteteve vendore, të dialogojë me qytetarët siç e kërkon Kushtetuta e vendit.
Ajo Kushtetutë me të cilën do ti presim në dorë në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe komunave tona, jo për të mbrojtur ngjyrat e Partisë Demokratike apo të opozitës shqiptare, por për të mbrojtur ngjyrat e patjetërsueshme të lirisë që kanë qenë dhe mbeten burim i mirëqënies dhe vlera më e çmuar për shqiptarët tash e 23 vite.
Faleminderit!