Një nga njerëzit më të afërt të Ministrit të Brendshëm, Anastas Meçi, inspektori i tij personal që ka në fakt më shumë pushtet se sa i jep detyra dhe ligji, është përjashtuar dy herë nga policia e Shtetit për shkelje të rënda.
Fillimisht u përjashtua në vitin ‘96 për falsifikim provash. Ai u akuzua se falsifikoi provat në djegien e magazinës së armatimeve në Peqin, në vitin 91.
Më pas, u përjashtua në vitin 2001, nga Bilbil Mema, atëherë drejtor i Përgjitshëm i Policisë, për abuzime të rënda me atributet e Policisë. U kap me abuzime me armatimin, kur ishte shef i sektorit të grumbullimit të armëve në komisariatin e Kuçovës.
Kemi këtu dy shkresat zyrtare për inspektorin e Tahirit.
Por sot, ky i përjashtuar dy herë për shkelje të rënda, është krahu i djathtë i Ministrit të Brendshëm.
Pikërisht, me të tillë persona, Ministri Tahiri mbyll aferat e tij dhe kujdeset për bizneset e tij kriminale. Ai është sot ministri më i akuzuar në dy dekadat e fundit, për lidhje me bandat e trafikut të drogës.
Oficerë të lartë të Policisë kanë dhënë prova e dëshmi të implikimit të drejtpërdrejtë të Saimir Tahirit në trafikun e drogës.
Faktet tregojnë se Tahiri ka inkriminuar kupolën e rendit dhe lidhjet e tij me krimin janë tronditëse.
Ka vetëm një rrugë, largimi i tij dhe hetimi i plotë nga drejtësia.
Deklaratë për shtyp e deputetes të PD, Mimoza Hajdarmata, 15 Shtator 2015