- Prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi është emëruar në KLP në kundërshtim me Ligjin. Ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin Venusi.
- Arta Marku dhe vetingu e kualifikuan Bujar Sheshin duke shkelur ligjin, në mënyrë që qeveria dhe ajo vetë, ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll.
- Arta Marku, organet e vetingut dhe Autoriteti I Dosjeve janë pjesë e mekanizmit mafioz për të mbajtur nen shantazh organet e reja të drejtësisë.
- E vërteta për Bujar Sheshin u publikua një ditë pasi ai votoi kundër interesit të Edi Ramës dhe Arta Markut për të kthyer në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dy prej prokurorëve të larguar nga Arta Marku.
- Bujar Sheshi duhet shkarkuar! Ai nuk përmbush kriteret për të qenë anëtar i KLP-së. Arta Marku duhet shkarkuar menjëhere sepse ka shkelur ligjin dhe, me vetëdije, ka manipuluar procesin e ngritjes së KLP.
DEKLARATAT E PLOTA TË DEPUTETIT GENT STRAZIMIRI, NËNKRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka ndodhur ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar shumë kohë më parë: vetingu ka mbajtur në sistemin e drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë në kundërshtim me ligjin, që i shërbejnë Edi Ramës për të mbajtur nën kontroll organet e reja të drejtësisë.
Prova më flagrante është emërimi si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i prokurorit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi.
Dokumentat zyrtarë tregojnë se ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe për këtë fakt procedura e emërimit të tij duhet të ishte ndërprerë menjëherë.
Ligji e ka shumë të qartë: një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ndalohet të bëhet pjesë e organeve të reja të drejtësisë.
Më konkretisht, kushti pengues ligjor parashikohet nga neni 105, ku thuhet se:
“Kandidatët duhet të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit.”
Por përse për sigurimsin që në shkollë të mesme Bujar Sheshi, vija e kuqe e ligjit nuk ka funksionuar?
Si ka mundësi që ai aplikoi dhe kaloi vetingun me shpejtësi, pa u bërë verifikimi i figurës, siç e kërkon ligji?
Ka një përgjigje fare të thjeshtë per këto pyetje që me të drejtë mund t’i bëjë kushdo, që ka besuar tek reforma në drejtësi.
Bujar Sheshi nuk duhet të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por Arta Marku e kualifikoi atë në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që qeveria dhe ajo vetë, ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll.
Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë e ngarkon Arta Markun me përgjegjësi direkte, pasi në nenin 279 percaktohet se “Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtarë te KLP-së”.
Të vetmen detyrë që i ngarkon ligji në raport me krijimin e KLP-së, Prokurorja e Paligjshme e Edi Ramës nuk e ka kryer. Ajo nuk ka pritur përgjigje nga Autoriteti i Dosjeve, por e ka çuar aplikimin e paplotë pranë organeve të vetingut.
Edhe këta, besnikë të partisë, kanë mbyllur njërin sy për të mos parë që kandidatit të vetëm, në dorë të të cilit kishte ngelur ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Ka edhe një pyetje tjetër për t’i dhenë përgjigje në këtë lojë të pistë për kapjen e sistemit të drejtesisë?
Përse Autoriteti i Dosjeve e publikoi 3 muaj me vonesë gjetjen e papërshtatshmërisë absolute të Bujar Sheshit, si drejtues i asaj që quhet “drejtësia e re”?
Ku “gaboi” shoku Bujar Sheshi, që Partia ta dënonte me dekonspirim dhe…”zbatim të ligjit”?
Kjo është pyetja që kërkon përgjigje, për të sqaruar hijen e turpit që qëndron mbi konstituimin e organeve të “drejtësisë popullore e socialiste”, në të cilën e nën të cilën ligji zbatohet vetëm si dënim për mosbesnikëri ndaj PARTISË.
DEKLARATA E DYTË E GENT STRAZIMIRIT
Rreth 2 orë më parë, ne publikuam dokumentin zyrtar që provon se anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, është emëruar në KLP në kundërshtim me ligjin, sepse ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që në gjimnaz.
Pseudonimi i atij që sot është në drejtimin e qeverisjes së re të Prokurorisë ka qenë “Venus”-i, por dashuria me Arta Markun, e cila e ka kualifikuar në kundërshtim me ligjin, ka mbaruar.
Ne i kërkuam Arta Markut të japë sqarime se për çfarë arsye e dërgoi për vetting aplikimin e Bujar Sheshit pa përmbushur kriterin ligjor:
– pa marrë përgjigje nga Autoriteti i Dosjeve për kandidatin e drejtësisë se reformuar.
Arta Marku po hesht për të mbuluar mekanizimin mafioz që Edi Rama ka përdorur me veglat e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Autoritetin e Dosjeve për të kontrolluar Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
E vërteta është se organet e reja të Drejtësisë nuk janë të pavarura. Ato punojnë nën shantazh dhe sipas interesave politike mafioze.
Ky është shpjegimi pse Arta Marku nuk e zbatoi ligjin, pse vettingu e mbylli njërin sy për njeriun e partisë dhe pse Autoriteti i Dosjeve e publikoi 3 muaj me vonesë gjetjen se, anëtari i KLP-së ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Partia dhe shoku Edver duan ta djegin sigurimsin Bujar Sheshi, pasi ai votoi kundër interesit të tyre.
Shkresa e Autoritetit të Dosjeve mban datën 22 Janar, pra një ditë pasi KLP votoi për të kthyer në detyrë dy prokurorët e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela, të shkarkuar në shkelje të ligjit nga Arta Marku.
Votimi ka rezultuar 6 me 5 me favor të prokurorëve të shkarkuar dhe vota e Bujar Sheshit ka bërë ndryshimin.
Prandaj, Arta Marku sot po qarkullon dokumentat kundër Bujar Sheshit – si hakmarrje për mosbindje ndaj urdhrit të partisë dhe shokut Edver!
Pavarësisht makinacioneve mafioze dhe shantazheve për të mbajtur nën kontroll sistemin e drejtësisë, është fakt se, si bashkëpunëtor i Sigurimit, emërimi i Bujar Sheshit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, është në kundërshtim me ligjin.
Bujar Sheshi duhet shkarkuar!
Ai nuk përmbush kriteret për të qenë anëtar i KLP-së.
Ndërsa Arta Marku duhet shkarkuar menjëhere sepse ka shkelur ligjin dhe, me vetëdije, ka manipuluar procesin e ngritjes së KLP.
Partia Demokratike shpreh edhe njëherë bindjen se Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi me të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben vetëm atij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe aferat korruptive.
Me kapjen politike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edi Rama synon t’i shpëtojë drejtësisë, duke kontrolluar dhe penguar SPAK-un të bëjë atë që shqiptarët presin me padurim: burg për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar e të lidhur me krimin.
Kjo është një arsye më shumë për të dalë në protestë më 16 Shkurt!
Të mos lejojmë që drejtësia të bëhet nga ata që na kanë shtypur për 50 vjet me radhë!