Mafia e minierave e Ilir Metës, që merret me biznesin e kromit po grabit në mënyrë arbitrare jo vetëm pasurinë e fshatrave të Kukësit, por po dhunon e ushtron terror prej shumë kohësh ndaj banorëve të këtij rrethi.

Dje në fshatin Mamëz policia ka arrestuar e dhunuar fizikisht, burra e gra e të moshuar. 50 banorë janë shoqëruar në komisariat.

E njëjta situatë e rëndë është edhe në fshatin Kalimash e Surroj.

Banorët e fshatrave ngrenë zërin, dhe protestojnë sepse mafia e minierave e Ilir Metës, po grabit pasurinë, po dëmton pronat e tyre, protestojnë sepse kjo mafie e kromit është sulur ngado, dhe babëzia e saj nuk ka kursyer as oborret e shtëpive.

Kushdo që kundërshton, e pret dhuna e policisë dhe burgu, pasi në anën tjetër të këtij biznesi është ortaku i Ilir Metës, Saimir Tahiri, i gatshëm për bashkëpunim kriminal, në këtë rast bashkë me kushëririn e tij drejtor policie në Kukës.

Prej afro dy vitesh, kjo klimë terrori është prezente në Kukës, dhe në shumë fshatra ku mafia e kromit e liçensuar dhe e kotrolluar nga Ilir Meta nuk kursen askënd.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të tërhiqet menjëherë nga ky represion antiligjor. Ne i bëjmë të ditur personave përgjegjës, se do të shkojnë para ligjit për këtë dhunim brutal që po u bëjnë banorëve.

Partia Demokratike i bën të ditur frymëzuesve dhe porositësve të kësaj dhune, Ilir Metës e mashave të tij, që të mos provokojnë qytetarët e banorët e Kukësit, pasi do të mbajnë përgjegjësi deri me një.

Populli është në këmbë. Ora e drejtësisë po afron.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Flamur Noka, 20 Mars 2015