• Shqiptarët po ngrihen dhe po bashkohen, sepse e kanë kuptuar që tek bashkimi qëndron shpresa dhe ndryshimi. Së bashku t’i hapim rrugën ndryshimit që do të sjellë mirëqenie dhe stabilitet.

 

  • Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka drejtësi, nuk ka punësim, nuk ka integrim. Rama nuk ka asnjë zgjidhje për hallet dhe problemet tuaja. Ai është shkaku I tyre.

 

  • Edi Rama nuk është kryeministri i lezhjanëve dhe shqiptarëve, por është kukulla e krimit. Ai qëndron në pushtet nga pakti me Ndokët, Bajrat, Lul Berishët, e Shullazët kudo në vend.

 

  • Dy janë objektivat tona madhore; punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve dhe futja e Shqipërisë në Europë. Rruga nuk është e lehtë, por eshtë plotësisht e mundur me bashkimin e të gjithëve ne që duam ndryshimin.

 

  • Që ditën e pare të ardhjes tonë në pushtet, karburanti do të jetë 300 lekë/litër më lirë sesa sot. Do të vendosim fashën mbrojtëse për energjinë elektrike dhe do ta ulim çmimin e energjisë për biznesin.

 

  • Ne do të hapim rrugën që çdo i ri të ketë mundësi që të ndjekë universitetin, pavarësisht prej të ardhurave të familjes së vet. Shteti shqiptar mund dhe do të paguajë për arsimin tuaj.

 

  • Ne kemi një plan, këto nuk janë premtime. Plani ynë zbatohet me votën tuaj, pasi të kemi çliruar institucionet nga zgjedha e krimit dhe oligarkëve. Këtë nuk e ka në dorë asnjë parti politike. Këtë vendim e merr populli i bashkuar.

 

  • Unë dhe PD jemi të vendosur t’u dalim zot fateve të vendit. Ne do t’ua marrim pasuritë deri në qindarkën e fundit oligarkëve dhe do t’ua kthejmë ju. Çdokush që ka shkelur ligjin do të shkojë prapa hekurave, duke filluar me të parin e qeverisë.

 

  • 16 shkurti është një ditë bashkimi kombëtar. 16 shkurti nuk është dita kur Partia Demokratike merr pushtetin, por është dita kur ne rrezojmë një pushtet i cili nuk është i popullit dhe nuk punon për popullin.

 

  • Përmes një qeverie kalimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme t’ju ftoj të gjithë të votoni programin tone, në mënyrë që qeveria e PD të nisë prej ditës së parë t’ju shërbejë ju, interesave, punësimit dhe mirëqenies Suaj.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË LEZHË

 

Mirëse ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja,

 

Nga Kavaja deri në Shkodër, nga Mallakastra në Fier, nga Durrësi në Lezhë shqiptarët po ngrihen, po bashkohen e po japin dorën njëri tjetrit. Po i japin dorën njëri tjetrit, sepse e kanë kuptuar që tek bashkimi i shqiptarëve qëndron shpresa, qëndron vlera e vërtetë e ndryshimit që do të sjellim gjithë së bashku për veten tuaj dhe familjet tuaja.

 

Dhe nuk ka moment më të mirë dhe vend më të mirë për ta kujtuar vlerën e bashkimit të shqiptarëve se këtu, këtu ku kremtohet, përmes këtij monumenti Besëlidhja e Lezhës, Besëlidhja e Lezhës për të mbrojtur lirinë, për të mbrojtur vlerat, për të mbrojtur identitetin e shqiptarëve.

 

E pra, nga historia mund të mësojmë shumë dhe ata popuj që nuk mësojnë nga historia e përsërisin historinë. Historia jonë është e mbushur me drama të mëdha. Por edhe aktualiteti është i mbushur me drama.

 

Me Edi Ramën nuk ka zhvillim.

Me Edi Ramën nuk ka mirëqenie.

Me Edi Ramën nuk ka drejtësi.

Me Edi Ramën nuk ka punësim.

Me Edi Ramën nuk ka integrim europian.

 

Ditë për ditë plasin skandale. Skandale që tregojnë se ai është i zhytur në krim. ai është i zhytur në korrupsion. Ditë për ditë plasin skandale që tregojnë:

 

Se pse nuk ka rritje pensionesh;

Se pse këtu në Lezhë janë mbyllur 10 shkolla, në të gjithë Shqipërinë mbi 250 të tilla.

Se pse mirëqenia e shqiptarëve është në pikiatë.

Se pse fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në Ballkan.

Se pse bizneset nuk kanë punë dhe po mbyllin qepenat 50 biznese në ditë.

Se pse shumica dërrmuese e familjeve shqiptare nuk ngrohin dot as shtëpitë në dimër.

Se pse paguajmë energjinë më të shtrenjtë në Ballkan, naftën më të shtrenjtë në Europë.

Se pse paratë e shqiptarëve i vjedh Edi Rama me një grusht banditësh dhe oligarkësh.

 

Si asnjëherë në 30 vite vullneti i popullit është asgjësuar dhe sot nuk kemi kryeministër, por kemi një sharlatan, i cili ka zaptuar selinë e qeverisë shqiptare me ndihmën që i ka dhënë dhe me paktin, që i ka dhënë  me Ndokët, me Bajrat, me Lul Berishët, me Shullazët, me kriminelët anembanë Shqipërisë.

 

Nuk është kryeministri i shqiptarëve, nuk është kryeministri i lezhjanëve, është kukulla e krimit. Është një njeri, i cili nuk ka asnjë zgjidhje për hallet dhe problemet tuaja. Ai është shkaku i halleve dhe problemeve tuaja.

 

Gjatë këtyre 5 viteve jemi munduar të bëjmë rolin tonë institucional si opozitë. Kemi çuar amendamente në parlament për të rritur pensionet, për të rritur rrogat, për ulur çmimin e naftës, për të ulur çmimin e energjisë, për të çliruar energjitë pozitive të biznesit. Sepse për ne objektivi numër një është punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve shqiptarë.

 

Dhe e kemi bërë këtë jo për interesat tona politike por për interesin tuaj. Por ju e dini fare mirë se gjitha këto propozime dhe amendamente Edi Rama i ka votuar kundër pa i diskutuar fare. I ka votuar kundër jo thjesht dhe vetëm se i propozoi Partia Demokratike, jo thjesht dhe vetëm se i propozoi opozita. I ka votuar kundër, sepse prej ditës që ka zaptuar atë karrige Edi Rama punon kundër interesit të qytetarëve, kundër interesave të vendit, kundër interesave të familjeve tuaja.

 

Prandaj, po ua përsëris, nuk ka patur dhe nuk do të ketë zhvillim me Edi Ramën, nuk do të ketë stabilitet me Edi Ramën, nuk do të ketë integrim europian me Edi Ramën. Tani ka ardhur koha që populli të marrë në dorë fatet e tij që ju të merrni në dorë fatet tuaja.

 

Ne kemi një program dhe një plan, i cili do të nxjerrë Shqipërinë  nga kriza.

Dy janë objektivat tona madhore; punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve dhe alternativa europiane për Shqiëprinë, futja e Shqipërisë në Europë.

 

Rruga nuk do të jetë e lehtë, por rruga do të jetë plotësisht e mundur, kur të gjithë shqiptarët do të bashkohen rreth këtyre objektivave. Hapat tonë të parë do ta çlirojnë ekonominë nga laku që i ka vënë Edi Rama.

 

  • Ne do të eliminojmë taksën Rama mbi naftën, 300 lekë të vjetra për litër. Pra me ardhjen tonë në pushtet që ditën e parë, karburanti do të jetë 300 lekë më i lirë sesa është sot.
  • Ne do të vendosim fashën mbrojtëse për energjinë elektrike për të gjithë popullatën dhe do ta ulim çmimin e energjisë për biznesin, në mënyrë që biznesi shqiptar të prodhojë dhe të ofrojë shërbime konkurruese në tregun tonë dhe në tregun Ballkanik.
  • Ne do të bëjmë të mundur përmes hapave që do të hedhim që taksat që iu merrni shqiptarëve të shkojnë prapë tek shqiptarët, me shkolla, me spitale që funksionojnë që nuk shndërrohen në gërmadha, siç është spitali i Lezhës sot.
  • Ne do t’u kthejmë ndihmën ekonomike atyre  që nuk kanë asnjë mundësi tjetër, nuk do t’i lëmë mbrapa, nuk do t’i harrojmë. Nuk do të ketë familje pa bukë, pa ujë, pa drita.

 

Ne kemi një plan, këto nuk janë premtime. Ne kemi një plan, të cilin do ta vëmë në jetë me vullnetin tuaj, me votën tuaj ne do ta vëmë këtë program në jetë. Por na duhet të çlirojmë institucionet, na duhet të rikthejmë procesin politik.

 

Sot në Shqipëri nuk ka proces politik, ka vetëm proces banditësh dhe oligarkësh. Dhe këtë nuk e ka në dorë asnjë parti politike, këtë vendim e merr populli i bashkuar. Ndaj e ftoj Lezhën ta udhëheqë këtë bashkim, ta sjellë shembullin e Besëlidhjes së Lezhës, më 16 shkurt në mes të Tiranës, bashkë me qytetarët e tjerë shqiptarë!

 

Së bashku ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe dhe të hapim rrugën e ndryshimit pozitiv, ndryshimit që do të sjellë mirëqenie, stabilitet. Ndryshimit që do të sjellë ndryshimin e rrugës europiane. Ndryshimit që do të sjellë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

 

Ne jemi gati t’iu shërbejmë dhe ju duhet të jeni gati të merrni në dorë fatin tuaj, të zhbllokoni rrugën e mbyllur nga koalicioni i Edi Ramës me krimin dhe oligarkinë. Kjo është thirrja ime. Kjo është ftesa ime.

 

Të gjithë sëbashku me 16 shkurt në Tiranë !

Zoti e bekoftë Lezhën dhe lezhjanët!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Faleminderit!

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË LAÇ

 

Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja!

 

Sot kisha programuar të kisha në qytetin e Laçit një ecje dhe bashkëbisedim me qytetarë, me sipërmarrës, me biznese, me të rinj, oor e shoh që, ajo që do të ishte një ecje, një bashkëbisedim është kthyer në një miting spontan, ku jemi bashkuar të gjithë me një zë dhe me një qëllim.

 

Nuk ka si të jetë ndryshe. Asgjë s’mund t’ju përçajë ju kurbinasit trima, njerëz të besës, të Zotit dhe të vlerave, asgjë s’mund t’ju hutojë ju, asgjë s’mund t’ju mposhtë ju.

Unë e di, kam ardhur këtu në mesin tuaj në mënyrë të vazhdueshme dhe i njoh problemet tuaja shumë mirë. E di se kjo zonë njerëzish trima dhe punëtorë, ka qenë shënjestër të oligarkisë dhe të bandave të Edi Ramës për t’ju lodhur, për t’iu varfëruar, për t’ju shtypur, për t’ju detyruar të largoheni nga shtëpitë tuaja.

 

E di që prej një viti nga 3500 familje në ndihmë ekonomike, gjysma prej tyre janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike, sepse Edi Ramës dhe kukullave të tij nuk u bëhet vonë për familjet e varfra të Kurbinit dhe të Shqipërisë. E di se ka dhjetëra fshatra që janë pa elektricitet, pa rrymë prej muajsh, sepse Edi Rama u ka prerë dritat. në vend që t’ju subvencionojë dhe t’ju japë para për të paguar faturën që e ka dyfishuar. Sepse ato para i do për veten e tij, banditët dhe oligarkët me të cilët hanë dhe pinë nga mëngjesi deri në darkë.

 

E di se spitali i qytetit tuaj është në gjendjen më të keqe sesa spitalet fushore të Luftës së Parë Botërore;  se lekët që duhet të shkojnë për ilaçe dhe për mjekë vilen nga oligarkët dhe Edi Rama dhe përfundojnë në xhepat e tij dhe në kontot e tij bankare. E di që buxheti i shtetit dhe taksat tuaja janë kthyer në burim pasurie për again e Surrelit dhe për miqtë e tij hajdutë me të cilët ka ardhur në pushtet dhe me të cilët mban pushtetin.

 

E di, të rinj dhe të reja të Kurbinit, që tani na kanë çelur sytë sot dhe jeni bashkë me baballarët dhe motrat tuaja. E di se 90% e maturantëve të Kurbinit nuk kanë mundësi të ndjekin studimet e larta, sepse familjet e tyre janë të papuna, sepse tarifat e studimeve universitare janë më të lartat në Europë. Jam këtu për t’ju thënë ju, rini e Kurbinit, se Partia Demokratike do t’i dalë zot fateve tuaja. Dhe ne do të hapim rrugën që çdo bijë dhe bir kurbinasi, që dëshiron ta ndjekë universitetin, të ketë mundësi që të ndjekë universitetin, pavarësisht prej të ardhurave të familjes së vet.

 

Shteti shqiptar mund dhe do të paguajë për arsimin tuaj. Mund dhe do të paguajë që ju të përgatiteni, që ju të futeni në jetë. Mund dhe do të paguajë që ju të mos mbeteni rrugëve, por të përfundoni studimet e larta, të gjeni punë dhe të jetoni me dinjitet në Kurbin, në Shqipëri në vendin tuaj.

 

Por zonja dhe zotërinj, këto probleme, sikundër problemet e mëdha të atyre që jetojnë në zona rurale dhe janë totalisht të braktisur nga kjo qeveri do të gjejnë zgjidhje vetëm kur të kemi një qeveri dhe një kryeministër që e ka lidhur fatin me ju, që ka ardhur në pushtet me votën tuaj dhe që kujdeset për fatet tuaja.

 

Sot gjithë bota e di që Edi Rama nuk është kryeministri i shqiptarëve, ai është kryeministër i krimit. Ai është kryeministri i Gjushit. Ai është kryeministri i bandave. Ai është kryeministër i oligarkëve. Ndaj nga mëngjesi deri në darkë ai kujdeset vetëm për aferat e tij, vetëm për punët e tij personale, për pasurimin e tij personal dhe si e si të mbrojë ata që e sollën në pushtet dhe ata nuk janë qytetarët shqiptarë, ata nuk janë as socialistët shqiptarë, ata janë kriminelët dhe oligarkët, një grusht njerëzish që kanë marrë peng qeverisjen e vendit.

 

Kjo është arsyeja që sa herë që ne çonim amendamente në Parlament për të rritur pensionet, për të ulur çmimin e energjisë, për të ulur çmimin e naftës, këta i rrëzonin. Sepse këta nuk kanë interesin tuaj në mendje dhe në zemër. Këta janë ulur në ato karrige, që nuk i meritojnë, vetëm për të grabitur, vetëm për të grabitur pasuritë tuaja dhe e shqiptarëve, për t’u pasuruar vetë dhe për të  ndarë pushtetin me ata që i kanë sjellë në pushtet.

 

Kjo nuk mund të vazhdojë më. Këtë e thoni ju, këtë e dëgjoj kudo që shkoj. Në Kavajë, në Shkodër, në Mallakastër, në Fier, në Lezhë, në Kurbin, në Tiranë ka një dhe vetëm një thirrje, koha e fjalëve ka mbaruar.

 

Ka ardhur koha që populli të marrë fatin e tij në dorë. Kanë kaluar 6 vite dhe e keqja vetëm sa është zhytur thellë dhe më thellë. Skandal pas skandali, aferë pas aferë, çdo ditë zbulohet se sa i lidhur është Edi Rama me krimin. Çdo ditë zbulohet se si qeveria e tij ligjet dhe rregullat i ka vetëm për të grabitur qytetarët dhe për të pasuruar kriminelët. Kjo qeverisje ka edhe një sllogan: grabit shumicën, pasuro pakicën.

 

Nuk ka zhvillim me Edi Ramën, nuk ka mirëqenie me Edi Ramën, nuk ka punësim me Edi Ramën, nuk ka Europë me Edi Ramën.

Sa kohë që të kemi një njeri si ai në krye të vendit, sa kohë që qeverisja të jetë e uzurpuar nga ai negociatat prapë nuk do të hapen për herë të tretë dhe vendi do të vazhdojë të braktiset e shpresa të vritet.

 

Unë nuk mund ta pranoj këtë. Partia Demokratike nuk mund ta pranojë këtë.  Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur t’u dalim zot fateve të vendit, fateve të Kurbinit, fateve të rinisë shqiptare.

 

Ne i kemi planet dhe zgjidhjet për ju. Ne do t’ua marrim pasuritë deri në qindarkën e fundit oligarkëve dhe do t’ua kthejmë ju. Çdo kush që ka shkelur ligjin do të shkojë atje para drejtësisë dhe përpara hekurave duke filluar me të parin e qeverisë.

 

Por që të ndodhë kjo duhet të rikthejmë institucionet, duhet të rikthejmë ligjin dhe mbi të gjitha duhet të rikthejmë demokracinë. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes një qeverisje tranzitore,  një qeverie kalimtare dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat populli të shprehet lirisht për programin dhe planin që dëshiron të votojë.

 

Pra zonja dhe zotërinj, ju e dini se për çfarë qëndrojmë ne. Ne qëndrojmë për problemet e lirisë, demokracisë, punësimit dhe mirëqenies për qytetarët shqiptarë. Prej ditës së parë, plani ynë ekonomik, i cili është hartuar dhe ka mbështetjen e ekspertëve më të mirë të Europës, siç e patë ditën e premte me kryekëshilltarin ekonomik të partisë së Kancelares Merkel, që na qëndroi në krah dhe na ndihmoi ta zbatojmë këtë program prej ditës së parë, ditën e parë do të ulim me 300 lekë çmimin e naftës, do të heqim taksën Rama për naftën, do të rikthejmë fashën mbrojtëse të energjisë për popullsinë, do të kemi një çmim 30 deri ne 40 % më të ulët për energjinë për biznesin dhe prodhon dhe hap vende pune. Përsa i përket ndihmës ekonomike, Shqipëria, me qeverinë tone, do të ketë mundësinë, që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita.

 

Punësim dhe mirëqenie. Punësim dhe mirëqenie për çdo shqiptar është prioriteti ynë kryesor. Për këtë ne kemi një alternativë dhe një program europian me mbështetjen europiane.

 

Por që të arrijmë tek ajo ditë, ne, Shqipëria dhe Europa ka nevojë për ndihmën tuaj. Ka nevojë për ndihmën e çdo qytetari që është i tejngopur me mashtrimet, premtimet dhe dështimet e kësaj qeverisje. Ka nevojë për revoltën e çdo qytetari që i thotë jo krimit dhe korrupsionit në pushtet. Ka nevojë për bashkimin e sovranit me 16 shkurt për t’i dhënë fund qeverisjes së bandave, për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.

 

Ndaj, me këtë ftesë dua t’i drejtohem të gjithë atyre që duan zgjidhje për problemet e përditshme. Me këtë ftesë dua t’ju shoh në sy dhe dua t’ju them të kini besim tek njëri-tjetri, kini besim tek Shqipëria, jepini dorën njëri tjetrit dhe ejani të gjithë në Tiranë me 16 shkurt!

 

Ndaj dita e ndryshimit po afron. E keqja është në fundin e ciklit të saj. Ndryshimi është në dorën tuaj. Drejtësia e vërtetë është në dorën tuaj. T’i japim fund kësaj bande. Të çlirojmë djemtë dhe vajzat tona nga padrejtësitë, nga makutët, nga hajdutët, nga ata që kanë ndërtuar mirëqenie mbi gjakun dhe djersën e shqiptarëve të pafajshëm. Të bashkohemi të gjithë dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo bandë uzurpatore, të këpusim zinxhirët e varfërisë. Me 16 shkurt të gjithë në Tiranë.

 

Kështu do të bëjmë të mundur që t’u japim fund padrejtësive, t’i japim fund varfërisë, t’i japim fund pamundësisë.

 

Rrugët politike që kemi ndjekur deri më sot janë shteruar, por një gjë nuk shterohet kurrë. Parlamenti, qeveria, institucionet, nuk janë pronë e Edi Ramës, ato janë prona juaj, janë prona e sovranit dhe kur sovrani vendos t’i çliroje nga pengmarrësit, ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, triumfi i vullnetit të përgjithshëm qytetar, të bashkuar, shqiptar.

 

Një thirrje të veçantë kam për dhjetëra, qindra socialistë që janë po kaq të dëshpëruar, të tradhtuar dhe të braktisur, nga ky kryeministër dhe nga kjo qeveri, të cilët i shërbejnë vetëm vetes së tyre dhe një grushti njerëzish.

 

16 shkurti është një ditë bashkimi kombëtar. 16 shkurti nuk është dita kur Partia Demokratike merr pushtetin, por është dita kur ne rrezojmë një pushtet i cili nuk është i popullit dhe nuk punon për popullin. Dhe pas kësaj, përmes një qeverie kalimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme t’ju ftoj të gjithë të votoni programin tonë në mënyrë që qeveria e PD të nisë prej ditës së parë tu shërbejë ju, interesave tuaja, punësimit tuaj, dhe mirëqenies tuaj.

 

E di dhe kam dëgjuar gjatë këtyre ditëve zemërimin e shqiptarëve të ndershëm. Kam parë po kështu se si dëshpërimi dhe mungesa e shpresës i ka lënë vendin një shprese të re që po zgjohet. Po zgjohet kjo shpresë në veçanti kur jemi bashkë e kur shohim tek njëri tjetri se ndani të njëjtat halle dhe kërkoni të njëjtat zgjidhje. Nëse, kështu bashkë, vazhdojmë të qëndrojmë, e keqja i ka ditët e numëruara.

 

Është në dorën tuaj.

Zoti e bekoftë Kurbinin dhe Laçin.

 

Të gjithë bashkë me 16 shkurt. Zoti na ndihmoftë. Kisha e Laçit, Shna Ndout na ndihmoftë. Ti japim Shqipërisë alternativën europiane, të marrim fatin tonë në duart tona. Faleminderit dhe të gjithë në Tiranë me 16 shkurt.