- Shqipëria është një krizë të thellë ekonomike. 1 në 10 shqiptarë ushqehet vetëm një herë në ditë. Gjysma e familjeve jetojnë me 5 mijë lek në ditë, por Edi Rama me oligarkët e tij ndërtojnë 1 km rrugë 20 milionë euro.
- Edi Rama i vjedh shqiptarët, sepse ka vjedhur votat. Skandali i publikuar nga Zëri i Amerikës e provoi se Rama nuk është kryeministër i shqiptarëve, por është kryeministër i oligarkëve dhe i kriminelëve, me të cilët pasurohet.
- Vetëm nga disa minuta përgjim, prej mijërave që ekzistojnë, u zbulua sesi është manipuluar vota në katër qarqe. Edi Rama ka vjedhur votat dhe mandatet e deputetëve me lekët e krimit dhe korrupsionit.
- Mesazhi i PD është mesazhi i shpresës tek e nesërmja. Me aleatët tane perëndimorë PD ka një plan për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Prioriteti numër një i planit tonë ekonomik është punësimi i shqiptarëve dhe mirëqenia e tyre.
- Ne i kemi zgjidhjet: ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, rritja e pagave dhe pensioneve, që do të rrisin konsumin. Kjo politikë do të ndihmojë punësimin dhe mirëqenien e shqiptarëve në vendin e tyre.
- Procesi politik elektoral është bllokuar. Nuk është çështje e Kodit Elektoral apo e Kodit Penal, është çështje e zbatimit të ligjit, I cili po të respektohej, do të çonte prapa hekurave Ramën, Tahirin, Ballën, Dakon, Gjiknurin.
- Ky është është një shtet armik i interesave të çdo qytetari. Kjo është një qeveri e shitur kokë e këmbë tek banditët dhe tek oligarkia. Më 16 shkurt, të presim nyjën gordiane në Tiranë, që ka bllokuar zhvillimin dhe çdo proces politik.
- Le të jetë 16 shkurti dita e parë e ndryshimit. Nuk ka për të pasur asnjë kompromis me të keqen. Nuk ka për të pasur asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Ai duhet dhe në vullnetin tuaj dhe bashkimin tuaj, do të largohet bashkë me krimin.
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË TAKIMIN ME QYTETARË TË VORËS
Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja të Bashkisë së Vorës dhe faleminderit për pritjen sot këtu në qytetin tuaj.
Unë sapo përfundova takimin me disa sipërmarrës të vegjël, biznese të vogla, dyqanxhinj siç i themi në gjuhën e popullit dhe qytetarë në rrugën, pas këtyre pallateve për të ardhur këtu në këtë takim me ju, për t’ju dhënë një mesazh të thjeshtë dhe të qartë për të gjithë që na ndjekin përmes ekranit dhe për gjithsecilin prej jush, për familjet tuaja, për miqtë tuaj.
Ajo që konstatohet në Vorë, konstatohet në Tiranë, konstatohet në Shkodër, Korçë, Durrës, Vorë dhe kudo tjetër, Shqipëria është një krizë të thellë. Shqipëria është në një krizë të thellë ekonomike. Mjafton të futesh në secilin prej këtyre dyqaneve, gjëja e parë që thonë që nuk ka xhiro. Pse? Sepse nuk kanë lekë. Nuk kanë lekë jo vetëm për të blerë apo shpenzuar diçka, si p.sh tek dyqani i parë që sapo u futa, për një bateri apo për një fotokopje, por nuk kanë lekë për të blerë as konsumimin minimal të përditshëm për veten e tyre.
1 në 10 shqiptarë ushqehet vetëm një herë në ditë. Gjysma e familjeve shqiptare jetojnë me 5 mijë lek të vjetra në ditë. Ndërkohë, Edi Rama bredh nga Berlini tek sheikët e Arabisë Saudite dhe kthehet këtu vetëm për t’i nxjerrë gjuhën popullit në parlament. Disa prej jush, shumë prej jush janë ndjerë të fyer apo jo? Disa të tjerë e kanë tallur, kanë thënë shiko si bën si majmun apo jo? Por nuk është ky thelbi, nxjerrja e gjuhës është një shfaqje e shëmtuar e një njeriu që bëhet me një dhe vetëm me një qëllim, që të flasim për fytyrën e tij, për gjuhën e tij, gjestet e tij, për mungesën e tij të edukatës, kur në fakt duhet të flasim për dështimet e tij, për premtimet që nuk ka mbajtur, për vjedhjet e tij, për hajdutërinë e tij, si këtu tek Unaza e Re, pak kilometra më tej ku po vjedh 20 milionë euro për 1 kilometër.
Dhe mbi të gjitha të flasim për skandalin e fundit, se skandalet nuk kanë fund këtu, ditë për ditë ka nga një skandal, për skandalin që i zbuloi Zëri i Amerikës. Atë ditë, atë siklet kishte. Nuk donte që të bëhej një diskutim dhe një ballafaqim për skandalin që i zbuloi Zëri i Amerikës.
Cili është ky skandal?
Ky është skandali që tregon se Edi Rama nuk është kryeministër i shqiptarëve, nuk është kryeministër i juaj, nuk është kryeministër i votës së lirë, por është kryeministër i oligarkëve, është kryeministër i kriminelëve, është kryeministër i hajdutëve, është kryeministër i Gjush Dakëve, i Niçeve, i Bajrave, i Ndokave. Pra, është kryeminstër i llumit, prandaj edhe kjo është një qeveri e llumit e cila i shërben vetëm hajdutërisë dhe pasurimit të një grushti njerëzish.
Arsyeja kryesore përse jeni kështu, pse jemi në këtë gjendje është sepse vendi nuk ka qeveri, por ka një bandë që në pushtet nuk ka ardhur me vota dhe, për këtë arsye, nuk ka asnjë arsye t’i shërbejë qytetarëve, sepse e di që nuk do të ballafaqohet me ju, i bën hesapet që edhe zgjedhjet e ardhshme prapë me banda dhe me krimin do të marrë dhe do të mbajë pushtetin.
Zonja dhe zotërinj kam ardhur sot këtu edhe për një mesazh tjetër: një mesazh shprese tek e nesërmja që po vjen.
Partia Demokratike bashkë me aleatët tanë perëndimore kanë shpalosur një plan dhe një program për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Ky plan ka mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Ky plan ka mbështetjen e partnerëve perëndimorë dhe ky plan do të vihet në zbatim që ditën tonë të parë në qeveri duke filluar me uljen që ditën e parë me 300 lekë çmimit të naftës dhe të benzinës, duke vazhduar me uljen e çmimit të energjisë për veprimtarinë prodhuese 30-40%, për biznesin e vogël jo më pak se 20% dhe për popullsinë e cila sot paguan çmimn e energjisë më të lartë në Ballkan, ndonëse ju e dini se energjia prodhohet këtu në kaskadat e Shqipërisë me një çmim shumë më të ulët, për shkak të keqadministrimit dhe të vjedhjes.
Doni një shembull 100 milionë euro fitim KESH, 4.5 milionë euro ka fituar vetëm në nëj ditë një kompani e lidhur me Edi Ramën. E ka blerë nga KESH energjinë e ka shitur brenda 24 orëve 4.5 milionë euro. E dini sa janë 4.5 milionë euro? Janë mjaftueshëm për të trefishuar pensionet dhe për të 5-fishuar ndihmën ekonomike, për të gjithë pensionistët dhe për të gjithë ndihmën ekonomike të Bashkisë së Vorës. I vjedh në një ditë Edi Rama.
Ne i kemi zgjidhjet; ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, rritja e pensioneve e cila do të stimulojë konsumin. Një politikë e cila do të ndihmojë punësimin dhe mirëqenien e shqiptarëve. Prioriteti numër një i planit tonë ekonomik është punësimi i shqiptarëve, mirëqenia e shqiptarëve, në veçanti është punësimi i brezit të ri, krijimi i mundësive për punësim këtu në vendin e tyre, në shtëpitë e tyre dhe jo largimi në emigracion.
Ky plan ekonomik është plotësisht i zbatueshëm, është realist. Ai zbatohet duke ndjekur një parim të thjeshtë dhe besoj se e kuptoni të gjithë.
Deri më sot, kemi një bandë, që i merr shumicës dhe i jep pakicës. Nesër, akti i parë do të jetë që çdo qindarkë, që oligarkët dhe Edi Rama ju ka vjedhur, do t’ua konfiskojmë, kudo t’i kenë pasuritë e tyre, në Shqipëri apo jashtë Shqipërie. Dhe këto para, do t’i kthehen qytetarëve shqiptarë, do t’i kthehen politikave tona të uljes së taksave, të uljes së çmimit dhe të energjisë, do të kthehen në investime publike që sot mungojnë dhe e kanë katandisur infrastrukturën shëndetësore dhe arsimore, shërbimet sociale, në ditën e tyre më të zezë.
Por, dua të jem i ndershëm dhe i sinqertë me ju, deri në fund. Kam ardhur të zotohem para jush, se e kemi këtë plan dhe kam vendosmërinë, ekipin për ta zbatuar këtë plan prej ditës së parë. Ja ku i kam këtu, pjesëtarët e ekipit, njerëz të shquar dhe profesionistë me integritet.
Me gjithë këto të zeza që kanë ndodhur, normalisht në Europë, do të kishte pasur dy përgjigje. Përgjigja e parë do të kishte qënë: vota, që do ta kishte shkarkuar Edi Ramën. Por kjo nuk ndodhi, sepse e patë tek Zëri i Amerikës se çfarë ndodh me votën e shqiptarëve. Dhe ajo vetëm maja e ajsbergut është.
Vetëm një çeshtje, ku janë zbuluar vetëm disa minuta përgjim, nga mijëra orë përgjim, ka dalë sesi nga katër qarqe është manipuluar vota, janë vjedhur votat, janë vjedhur mandatet e deputetëve. Imagjinoni se çfarë ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë! Imagjinoni sa mandate të vjedhura ka Edi Rama me lekët e krimit, me lekët e korrupsionit, me oligarkinë.
Pra, procesi politik elektoral, është bllokuar. Na thonë: miratoni Kodin elektoral. U them “miq të dashur” ua kam thënë edhe në anglisht, por sot po ua përsëris në shqip, “Ç’punë keni me kodin? Po të zbatohet ky kod elektoral, siç është, po të zbatohet ky kod penal, siç është, sot, Vangush Dako, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe vetë Edi Rama, do të duhet të ishin para drejtësisë dhe prapa hekurave. Pra, nuk është çeshtje kodi, nuk është çeshtje letrash, është çështje e zbatimit të ligjit.” Ligji nuk zbatohet, sepse prokuroria është mashë e Edi Ramës. Është mashë e krimit në rrugë dhe e krimit në qeveri. Kriminelët, nuk kapen dhe nuk ndëshkohen. Edhe kur kapen ia hedhin pa lagur. Qeveritarët jo e jo! E pësojnë vetëm njerëzit e ndershëm, njerëzit e pambrojtur. Ata që detyrohen për bukën e fëmijëve të tyre. Ata që ngrihen kundër padrejtësive, ata i arrestojnë, si kuksianët apo si gratë shtatzëna te Unaza e re.
Ky pra është sistemi i padrejtë, që ka ngritur Edi Rama, këto 5 vite.
Kjo nuk është qeveria juaj. Ky nuk është parlamenti juaj. Ky nuk është shteti juaj. Ky është është një shtet armik I interesave të çdo qytetari shqiptar. Kjo është një qeveri e shitur kokë e këmbë, tek bandit dhe tek oligarkia. Ndaj, ka vetëm një rrugë, për të cilën, na duhet ndihma juaj. Për të zhbllokuar procesin politik, për të ardhur tek ju me këtë ofertë, për t’ju mundësuar që ju të zgjidhni me votë qeverinë që meritoni dhe ta mbani përgjegjëse, prapë me votë, duke u zotuar edhe njëherë, se do t’i bëjmë realitet, planin që sëbashku me partnerët perëndimorë, kemi për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, ju thërras që me 16 shkurt, të presim nyjën gordiane në Tiranë, në sheshin qëndror, në sheshin para kryeministrisë dhe te Dëshmorët e Kombit.
Ju ftoj të gjithëve atje, që të gjithë sëbashku, të bëjmë atë që bën një popull që i bllokohen rrugët e tjera për të dalë nga kriza. Zgjedhje nuk ka, drejtësi nuk ka, sovrani mblidhet, sovrani i jep fund qeverisjes së banditëve, i jep fund qeverisjes së oligarkëve. Mbaron me 16 shkurt, edhe formalisht, se në të gjitha senset e tjera, ka mbaruar kjo qeverisje. Vetëm për të qeverisur nuk qeverisin më. Vjedhin, mashtrojnë, grabisin, por nuk qeverisin. Me 16 shkurt, nuk do të jetë një ditë e zakonshme proteste, as një protestë si gjithë protestat!
Do të jetë dita, kur bashkimi më i madh i shqiptarëve, që nga dita e parë e pluralizmit, do t’i japë fund e do të deklarojë fundin e qeverisë bandite të Edi Ramës. Kjo është ftesa që kam për ju. Dhe unë do të jem në krahun tuaj, njësoj si ju. Nuk do të jetë ditë fjalimesh. Fjala e vetme dhe zëri i vetëm që do të dëgjohet atë ditë, do të jetë zëri juaj, zëri i qytetarëve të nëpërkëmbur, harruar, përdhunuar, grabitur e të vjedhur. Ndaj, ju ftoj, siç jeni mbledhur sot, këtu në këtë shesh dhe shumë më shumë, të jeni pjesë e protestës së 16 shkurtit, për t’i hapur rrugë ndryshimit. Duke nisur me 16 shkurt, le të jetë ajo dita e parë e ndryshimit, dita kur merrni në dorë, fatin tuaj.
Nuk ka për të pasur asnjë kompromis me të keqen.
Nuk ka për të pasur asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Ai duhet dhe në vullnetin tuaj dhe bashkimin tuaj, do të largohet, një orë e më parë nga karrigia që ka uzurpuar. Nuk është kryeministri I shqiptarëve, është kryeministri i krimit dhe do të largohet bashkë me krimin.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Të gjithë bashkë me 16 shkurt.
Faleminderit