Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Korçë, Pogradec dhe Devoll: “Të orientohemi sot në opozitë drejt kapaciteve dhe mendësisë për të ndërtuar nesër një qeveri që është më shumë në punë se sa në TV, që prodhon më shumë rezultate se propaganda”.

 

Ndërsa qeveria e sotme është e orientuar vetëm tek propaganda dhe e ka zhytur vendin në krizë, zoti Basha tha se ekipi i ri drejtues i PD-së do t’i japë një dimension të ri në alternativën e saj qeverisëse zhvillimit ekonomik dhe demokracisë pjesmarrëse.

“Të orientohemi sot në opozitë drejt kapaciteve dhe mendësisë për të ndërtuar nesër një qeveri që është më shumë në punë se sa në TV, që prodhon më shumë rezultate se propagandë. Që do t’i japë dimension të ri demokracisë pjesmarrëse, që do të projektojë duke filluar që tani drejtimet e reja të zhvillimit të vendit, në kushtet e hapjes dhe të konkurencës me tregjet e BE”, deklaroi Basha.

Kryetari i PD theksoi se një parti me demokraci funksionale brenda saj, e cila dëgjon dhe respekton zërin e anëtarëve të saj, është garanci për funksionimin e saj në qeverisje dhe në raport me qytetarët shqiptarë.

“Një familje politike që vendos qartë rregullat e demokracisë për funksionimin brenda vetes, një familje politike që zgjedh me votë të lirë më të mirët brenda vetes sot në opozitë, jep garanci se nesër në pushtet po kështu do të caktojë njerëzit më të mirë në postet publike dhe të administratës. Një familje që brenda vetes se vetë, i jep çdo kujt mundësinë të shprehet, të shkëmbejë lirisht dhe në mënyrë të qyteteruar mendimet,  të ndajë pikëpamjet me të tjerët,  të respektojë dinjitetin personal të çdo anëtari të PD-së nga më i vjetri tek më i riu. Nesër do të bëjë të njëjtën gjë në raport me shoqërinë, në raport me qytetarët”, tha Basha.

Sfida dhe qëllimi kryesor i zgjedhjeve që po zhvillohen në gjithë piramidën e Partisë Demokratike, shtoi Basha, është të nxjerrim me votë të lirë  drejtuesit  e fitores se nesërme. Zgjedhja me votë të anëtarësisë e drejtuesve të partisë është një vlerë e jashtëzakonshme që  duhet të dimë ta përdorim me zgjuarsi dhe me përgjegjësi, theksoi kryetari i PD-së.