• Koha e fjalëve, ka mbaruar! Nuk kam, vëllezër dhe motra, asnjë zgjidhje tjetër politike për t’ju ofruar, por e di se jeni të vendosur dhe të bashkuar që me 16 shkurt të merrni në dorë fatin tuaj në Tiranë.

 

  • Edi Rama fatin nuk e ka lidhur me shqiptarët, prandaj ai i thotë popullit: qen! Ai e ka lidhur fatin me qenërit e krimit të organizuar, ai e ka lidhur fatin me qenërit e oligarkisë, ai s’e ka lidhur fatin me njerëzit, ndaj shkel ditë për ditë Kushtetutën dhe ligjet.

 

  • Dua t’ia them shkoqur dhe qartë: Nuk je kryeministri i shqiptarëve, je kryehajdut, je kryetrafikant. Deri të premten me 15 shkurt ke kohë të hapësh rrugën dhe të japësh zgjidhje politike. Me 16 shkurt populli do të trajtojë si kryeqen, si kryehajdut, si kryetrafikant.

 

  • PD dhe unë jemi përpjekur ta zgjidhim krizën duke e pastruar të keqen nga koka, kemi propozuar vettingun e politikanëve, ligjin Antimafia kundër oligarkëve dhe korrupsionit, por, Edi Rama i ka hedhur poshtë, me dhunën e kartonave që nuk përfaqësojnë interesin tuaj.

 

  • Edi Rama dhe krimi i organizuar që e ka sjellë në pushtet, nuk mbron xhepat tuaj, por ata mbrojnë xhepat e Niçeve, Gjushërve, banditëve dhe politikanëve me të cilët është ulur në atë karrige.

 

  • Këtu nga Pogradeci Rama hodhi sfidën se do ta marrë Bashkinë e Pogradecit. Po i them po nga Pogradeci: I ke bërë hesapet me Niçen, i ke bërë hesapet me krimin, s’i ke bërë hesapet me popullin.

 

  • 16 shkurti do të jetë dita, kur do t’i japim fund grushtit të shtetit që Edi Rama ka bërë me oligarkët e kriminelët. Do të jetë dita, kur do kthejmë demokracinë europiane, do të jetë dita që asnjë shqiptar mos ta ketë frikë qeverinë, por prej asaj dite çdo qeveri do të ketë frikë qytetarët shqiptarë.

 

  • Demokraci europiane do të thotë që kur qeveria dështon, kur qeveria kapet duke vjedhur, kur qeveria kapet duke u bërë njish me krimin e organizuar, nuk ikën populli, ikën qeveria, ikën kryeministri dhe kjo është rruga e vetme e zgjidhjes së kësaj krize.

 

  • Kupa është mbushur dhe kupa po derdhet, në burg do të shkojnë nga i pari tek i fundit të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe ata që kanë futur duart në xhepat tuaj, si minj në çark do t’i zëmë më 16 shkurt, do t’i çojmë para ligjit, përpara drejtësisë.

 

  • 16 shkurti është dita kur Europa do të shohë shqiptarët e bashkuar, t’i thonë jo kësaj qeverisje, t’i thonë Europës nuk e meritojmë shtetin mafioz, duam e do të ndërtojmë shtetin europian në vendin tonë, për veten tonë.

 

 

FJALA E PLOTË E KRYETARIT LULZIM BASHA NË POGRADEC

 

 

Mirë se ju gjej zonja e zotërinj,

Qytetare dhe qytetarë të Pogradecit,

Të rinj e të reja,

Vëllezër e motra.

Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme, për këtë bashkim kaq të madh, plotë me shpresë, plotë me vendosmëri, në këtë javë vendimtare, javën kur era e ndryshimit, do të shtrihet në mbarë Shqipërinë, për të kulmuar në Tiranë me 16 shkurt.

Nuk e kisha pritur kur nisa këtë tur bashkëbisedimi me qytetarët, me fermerët, me sipërmarrësit, me rininë, me të papunët, që brenda një kohe të shkurtër, ecjet nëpër qytetet tona do të ktheheshin në mitingje të këtyre përmasave, por e kuptoj fare mirë, sepse kam kohë që ju dëgjoj.

Koha e fjalëve ka mbaruar.

Thika ka shkuar në palcë.

Ekonomia është në kolaps total.

Papunësia është ulur këmbëkryq.

Mirëqenia, është në pikën e saj më të ulët.

Këto janë fjalët që dëgjoj kudo, nëse janë sipërmarrës apo fermerë, nëse janë studentë apo pensionistë.

Dhe këtu në Pogradec, në këtë qytet të bukurisë natyrore dhe të bukurisë shpirtërore të pogradecarëve, sot shoh gjendjen e vështirë ekonomike, krizën totale që ka pllakosur.

Shoh se, një në katër biznese ka mbyllur dyert në vetëm dy vitet e fundit. Nga afro 2 mijë biznese, sipërmarrje që kishte Pogradeci, 500 janë mbyllur.

Janë mbyllur, për shkak të taksave të larta, janë mbyllur për shkak të terrorit tatimor, janë mbyllur për shkak të politikave monopoliste që edhe thertoret ua kanë çuar në Korçë tregtarëve të mishit këtu në Pogradec.

Janë mbyllur, për shkak të varfërisë që ka pllakosur dhe ka zbrazur xhepat pogradecarëve, njësoj si xhepat e bashkëqytetarëve tanë kudo.

 

Me çmimin e naftës, më të lartin në Europë për popullin më të varfër të Europës, me çmimin e energjisë më të lartin në rajon, në vendin ku energjia prodhohet me çmimin më të ulët, me koston më të ulët, sepse prodhohet nga uji, nga lumenjtë, nga pronat, jo të një grushti oligarkësh, por të shqiptarëve.

Taksat e larta, hajdutëria qeveritare, kanë zbrazur xhepat e pogradecarëve, kanë shkatërruar ekonominë tuaj familjare, kanë shkatërruar biznesin.

Ka pllakosur pra, një krizë, më e rënda ekonomike, sociale dhe psikologjike.

E gjitha kjo, nuk ka ndodhur për asnjë arsye tjetër, përveçse vënies në krye të vendit dhe në krye të qeverisë të një njeriu që nuk ka ardhur aty me votë, por siç e dëshmoi Zëri i Amerikës, siç e tregojnë përgjimet e prokurorisë, ka ardhur aty vetëm duke vjedhur votat e qytetarëve në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Një njeri, që është ulur aty me ndihmën e kriminelëve. Një njeri, që është ulur aty me ndihmën e oligarkëve, nuk ka absolutisht asnjë lidhje me hallet dhe problemet tuaja. Jo vetëm që s’ju ka ndihmuar, jo vetëm që s’ka mbajtur asnjë premtim, po ai ka tradhtuar qytetarët e Pogradecit.

Ai ka tradhtuar qytetarët shqiptarë.

Premtoi ulje taksash, por i rriti taksat.

Premtoi shëndetësi falas, por e çoi në kolaps me ilaçe të skaduara, me spitale që mbyllen dhe me mjekë që ikin.

Premtoi uljen e çmimit të energjisë dhe e rriti.

Premtoi uljen e çmimit të naftës dhe e rriti.

Premtoi subvencione për fermerët dhe nuk dha asnjë lek.

Premtoi 300 mijë vende pune dhe çoi 500 mijë shqiptarë në emigracion.

Dhe prapë, ka guximin të vijë këtu dhe t’u thotë njerëzve: qenër. T’i thotë opozitës; qenër. Ti thotë parlamentit; shtëpi qensh.

A e dini pse?! Sepse, ai, fatin nuk e ka lidhur me shqiptarët.

Prandaj, ai i thotë popullit: qen!

Ai e ka lidhur fatin, me qenërit e krimit të organizuar!

Ai e ka lidhur fatin, me qenërit e oligarkisë!

Ai, nuk e ka lidhur fatin me njerëzit, ndaj shkel ditë për ditë Kushtetutën dhe ligjet. Madje, bën ligje, kundër njerëzve, si e si t’jua zbrazë më shumë xhepat.

500 biznese të mbyllura, një e katërta e bizneseve, të mbyllura, do të thotë 500 familjarë të hedhur në mes të rrugës. Por, nuk është vetëm kjo! Në hyrje të Pogradecit, vetëm ai beton i derdhur aty, kushton 12 milion euro, njësoj si afera e Unazës. Dhe dua të përshëndes delegacionin e Unazës, që ka ardhur këtu në Pogradec sot.

12 milion euro të vjedhura!

Me këto para, për 5 vite mund të ishin dyfishuar pensionet e pensionistëve të Pogradecit.

Me këto para mund të ishte dy dhe trefishuar ndihma ekonomike për gjithë familjet në qarkun e Korçës.

Mund të ishin hapur 2 mijë vende pune me pagë minimale, 300 mijë lek në muaj.

Asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur! Apo jo?

Asnjëra prej tyre, s’ka ndodhur, sepse këto para, që janë paratë tuaja, taksave tuaja, Edi Rama, njësoj si tek Unaza, njësoj si tek konçensionet e shëndetësisë, njësoj si tek konçensionet e rrugëve, i vjedh dhe i ndan me një grusht qenërish, oligarkë dhe hajdutë.

Partia Demokratike është përpjekur dhe unë jam përpjekur fort ta zgjidhim këtë problem për ta pastruar peshkun nga koka për ta pastruar nga brenda sistemin.

Kemi propozuar ligje, amendamente. Kemi propozuar vettingun e politikanëve, ligjin Antimafia kundër oligarkëve dhe korrupsionit, por, Edi Rama i ka hedhur poshtë me dhunën e kartonave që nuk përfaqësojnë interesin tuaj.

Nuk mbrojnë xhepat tuaj, por mbrojnë xhepat e Niçeve, Gjushërve, banditëve dhe politikanëve me të cilët është ulur në atë karrige.

Meqë këtu nga Pogradeci hodhi sfidën se do ta marrë Bashkinë e Pogradecit, por i ke bërë hesapet me Niçen, i ke bërë hesapet me krimin, s’i ke bërë hesapet me popullin.

I janë verbuar sytë: “Do marr këtë, do marr atë”

Tani nga Pogradeci dua t’ia them shkoqur dhe qartë: Nuk je kryeministri i shqiptarëve, je kryehadjut, je kryetrafikant.

Deri të premten me 15 shkurt, ke kohë të hapësh rrugën dhe të japësh zgjidhje politike.

Me 16 shkurt, populli do të trajtojë si kryeqen, si kryehajdut, si kryetrafikant.

Koha e fjalëve, ka mbaruar!

Nuk kam  vëllezër dhe motra, asnjë zgjidhje tjetër politike për t’ju ofruar, por e di se jeni të vendosur dhe të bashkuar, që me 16 shkurt, të merrni në dorë fatin tuaj në Tiranë.

Dhe ju garantoj, se ajo do të jetë një ditë, do të jetë një ditë ndryshimi i madh, për ju, familjet tuaja dhe për Shqipërinë.

Do të jetë dita kur do t’i japim fund grushtit të shtetit, që Edi Rama ka bërë me oligarkët dhe kriminelët.

Do të jetë dita kur do të kthejmë demokracinë europiane, do të jetë dita që asnjë shqiptar mos ta ketë frikë qeverinë, por prej asaj dite çdo qeveri do të ketë frikë qytetarët shqiptarë.

Kjo është demokracia europiane, kur qeveria dështon, kur qeveria kapet duke vjedhur, kur qeveria kapet duke u bërë njish me krimin e organizuar, nuk ikën populli, ikën qeveria, ikën kryeministri dhe kjo është rruga e vetme e zgjidhjes së kësaj krize.

Por, duhet të jemi të qartë e të vendosur, kështu siç jeni bashkuar sot, kështu dhe më shumë të jemi të bashkuar, i gjithë Pogradeci të jetë në Tiranë me 16 shkurt.

Krah për krah me Korçën, Devollin, me Maliqin, me Kolonjën, me Librazhdin, me Prrenjasin, Elbasanin, me Tiranën, Durrësin, me Vlorën dhe me Shkodrën.

Kjo është një qeveri që ju ka vjedhur, ky është një kryeministër që ju ka vjedhur, ky është një kryeministër që ju ka tradhtuar, ky është një kryeministër që ju ka poshtëruar, ky është një kryeministër që ka mbrojtur ata që duhet të shkojnë në burg dhe ka çuar në burg njerëzit e pafajshëm.

Ky nuk do të qëndrojë më asnjë ditë në atë karrige që i kanë falur kriminelët.

Më 16 shkurt do të dëgjohet vetëm një zë, do të merret vetëm një vendim, do të dëgjohet vetëm zëri juaj e do të merret vendimi i popullit të bashkuar.

 

 

As Pogradeci, as Shqipëria, as Europa nuk meritojnë një krye trafikant dhe një kryehajdut në karrigen e kryeministrit.

 

Për çfarë duhet shteti? Unë besoj se shteti dhe qeveria nuk kanë detyrë më të rëndësishme se t’i shtrijnë dorën njerëzve, t’ua bëjnë jetën më të lehtë, t’u krijojnë mundësi, t’u krijojnë punësim, të kujdesen për më të pamundurit, t’u japin mundësinë që askush të mos ketë mungesë buke, ujit, dritash.

 

T’u japin mundësinë të jetojnë me dinjitet, t’i trajtojnë njerëzit me dinjitet, të mos iu bëhen barrë për t’ua lehtësojnë barrën, të mos ua shtojnë hallet por t’ua lehtësojnë sadopak hallet.

 

Kjo është qeveria që unë dua, një vend normal, një qeveri normale, që iu shtrin dorën njerëzve në vend që t’iu vërë shkelmin tek koka, t’iu ulë taksat, siç do t’i ulim, të ulë çmimin e naftës. Sepse që ditën e parë do ta ulim me 300 lekë duke hequr taksën “Rama” mbi naftën dhe benzinën. Që nuk e trajton energjinë elektrike si një mall për të mbushur xhepat.

 

E patë, për 8 orë kompania që gazetarët sllovenë thonë që është e lidhur me familjarët e Edi Ramës, që për 8 orë fitoi 4.5 milionë euro nga uji dhe energjia e shqiptarëve.

 

Të gjithë që shohin këtë situatë brenda dhe jashtë vendit bien dakord me ju dhe me atë që kemi thënë edhe sot këtu në Pogradec, kupa është  mbushur.

 

Kupa është mbushur apo jo?

 

Kupa është mbushur dhe kupa po derdhet. Ndaj që t’i hapim rrugë një plani ekonomik që do ta nxjerrë ekonominë nga koma, që miliarda euro që këta i kanë vjedhur do t’i rikthejnë në xhepat tuaj.

 

Po, po, në burg do të shkojnë nga i pari tek i fundit, të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe ata që kanë futur duart në xhepat tuaj si minj në çark do t’i zëmë më 16 shkurt, do t’i çojmë para ligjit, përpara drejtësisë.

 

16 shkurti do të jetë një ditë mësimi historik për politikën, për partitë politike dhe për çdo qeveri tjetër që do të vij.

 

Dhe mësimi do të jetë ky: ky vend është i popullit, këto të drejta janë të qytetarëve, këto taksa janë të njerëzve, nuk do të tolerohen më politikanët e lidhur me krimin, nuk do të tolerohen më hajdutët oligarkë, 5 njerëz që shfrytëzojnë dhe zhvatin taksat dhe pasuritë e shqiptarëve.

 

Më 16 shkurt jepini fund këtij sistemi të kalbur.

 

Më 16 shkurt jepini mësim. Jam i bindur që do t’i jepni një mësim çdo qeverie tjetër se me popullin nuk luhet, se durimi ka marrë fund, se koha e fjalëve ka mbaruar dhe bashkë me të edhe koha e këtij sistemit të kalbur, kriminal.

 

Vëllezër e motra, plani ynë, plani im, bindja ime është se atje për ku nisemi si klandestinë dhe ilegalë mund dhe duhet të shkojmë ballëlartë dhe dinjitozë. Nuk ka pse shqiptarët të ikin si emigrantë të paligjshëm në Europë. Ne duhet ta hapim derën e Europës dhe të shkojmë atje ballëlartë, se ne jemi një popull krenar, një popull punëtor, një popull që nuk kërkon lëmoshë por kërkon mundësi, kërkon liri. Dhe përmes mundësisë dhe lirisë di të krijojë mirëqenie, di të krijojë punësim, di të krijojë e të ruajë dinjitetin.

 

Është kështu apo jo?!

 

Por dera e Europës është mbyllur sa kohë në krye të vendit është një kryetrafikant, sa kohë që shteti nuk është i popullit por i mafias, sa kohë që ekonomia nuk punon për ju por vetëm për 5 njerëz.

 

Unë dua ta hapim atë derë dhe së bashku ta përshkojmë atë rrugë që na çon drejt punësimit dhe drejt mirëqenies, na çon drejt dinjitetit europian.

 

Unë e di vëllezër e motra, e di kam ikur 18 vjeç nga Shqipëria dhe e di nuk ka vend tjetër që të bëhet si vendi yt. Ne do të bëjmë gjithçka që ta ndërtojmë Europën këtu.

 

Por miqtë e mi, në Europë nuk shkohet me mashtrime, me vjedhje, me kriminelë. Në Europë nuk shkohet me gënjeshtra, hilera. Në Europë shkohet me të vërteta, me punë dhe me vlera.

 

Në Europë shkohet vetëm me një shtet i cili legjitimitetin e merr nga qytetarët me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.

 

Barazia para ligjit, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një drejtësi e cila nuk i mbron por i çon në burg politikanët e korruptuar dhe kriminelët.

 

Këto janë themelet e një shoqërie të drejtë.

 

Ju shtrij dorën që të bashkohemi të gjithë. Marshimi i 16 shkurtit është edhe marshimi për të hapur derën e mbyllur të Europës, për ta bërë edhe Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Europa po na vëzhgon. Demokracia ka një sentencë të artë: çdo popull ka qeverinë që meriton.

 

Nuk e keni merituar ju këtë dhunë, këtë vjedhje, këtë poshtërim, por më 16 shkurt keni mundësinë t’i jepni fund.

 

16 shkurti është dita kur Europa do të shohë shqiptarët e bashkuar t’i thonë jo kësaj qeverisje, t’i thonë Europës nuk e meritojmë shtetin mafioz, duam e do të ndërtojmë shtetin europian në vendin tonë, për vetën tonë.

 

Që ta bëjmë këtë gjëja kryesore që na duhet është uniteti, bashkimi. Ju them edhe socialistëve të ndershëm që janë tradhtuar nga klika kriminale e rilindjes, ju them edhe qytetarëve të frikësuar të cilët shohin koren e bukës apo nuk kanë kurajon të ngrenë kokën nga hallet, shikojini në sy fëmijët tuaj, shikojini në sy fëmijët dhe të rinjtë tuaj në qoftë se mendoni se jeni të lodhur e nuk ja vlen më të luftosh për veten tuaj. A ja vlen të luftoni për fëmijët tuaj? A ja vlen të luftoni për rininë?

 

Ju jap fjalën se kjo do të jetë një betejë nga e cila do të dalë e fituar vetëm populli dhe qytetarët e këtij vendi.

 

Ndaj flakjani tutje frikën, siç e keni flakur. Këto kanë qenë dy javë të një zgjimi të madh kombëtar. Ejani dhe jepni verdiktin përfundimtar më 16 shkurt, të shtunën në Tiranë!

 

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

 

Zoti e bekoftë Pogradecin!

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!