• Këta hajdutë me lekët e vjedhura kanë blerë dhe ato karrige ku ulen përditë. Ato karrige nuk janë në shitje! Ato karrige janë vjedhur! Ato karrige ju përkasin juve! Pushtetin e vërtetë e keni ju, ndaj duhet ta merrni vetë fatin me dorë!

 

  • Edi Rama dhe banda e tij janë kapur duke vjedhur. Kjo qeveri është kapur duke vjedhur, në flagrancë. Është kapur duke vjedhur bizneset, pensionistët, studentët, pacientët, votat dhe zgjedhjet e shqiptarëve

 

  • Në çdo vend të Evropës, kur qeveria dhe kryeministri kapet duke vjedhur, ikën qeveria dhe hajdutët shkojnë në burg, nuk vuan populli. Karriget ku janë ulur i kanë blerë me paratë e vjedhura shqiptarëve, i kanë blerë me paratë e krimit.

 

  • Ndaj duhet të marrim në dorë fatin tonë. Duhet të merrni në dorë fatin tuaj dhe t’i çlironi institucionet e kapura nga krimi dhe nga mafia. Kudo në Evropë kjo do të ndodhte, por këtu janë asgjësuar dy kolona të shtetit: zgjedhjet dhe drejtësia.

 

  • Të mblidhemi të gjithë bashkë këtë të shtunë, le të vërshojë sovrani nëpër rrugët dhe sheshet e Tiranës të shtunën në ora 11, në referendumin më të madh popullor, që do t’i japë fund kësaj qeverie bandite.

 

  • Bashkimi i datës 16 shkurt ka forcë dhe fuqi mbi parlamentin dhe qeverinë e hajdutëve, Është një bashkim europian dhe kushtetues, për t’i dhënë fund njëherë e mirë, këtij sistemi të kalbur që është një grusht njerëzish

 

  • Europa i ka sytë nga ne. Ditën e shtunë keni mundësinë me bashkimin tuaj t’i tregoni Europës, se ditën e shtunë merr fund largimi i shqiptarëve nga padrejtësitë, fillon shembja e këtij sistemi të kalbur antipopullor, antieuropian.

 

  • Ju jap fjalën se, falë bashkimit tuaj, një standard i ri do të vendoset: prej datës 16, kurrë më populli nuk do të ketë frikë qeverinë, por çdo qeveri që vjen pas datës 16, do t’i bëjë llogaritë vetëm me popullin dhe forcën e drejtësinë e vendimeve të popullit.

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN ME QYTETARËT NË MAT

 

Mirë se ju gjej vëllezër e motra matjanë,

 

zonja e zotërinj,

 

qytetare e qytetarë,

 

fermerë, të rinj e të reja.

 

Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme në këtë javë vendimtare për Matin, për Shqipërinë, për fatin tonë evropian, për çlirimin nga humnera ku gjendet sot vendi.

 

Faleminderit për këtë temperaturë vere në këtë ditë shkurti këtu, që buron nga shpirti juaj, nga zemrat tuaja dhe nga vendosmëria juaj për t’i dhënë fund sistemit të vjedhjes dhe varfërimit të Matit e të gjithë Shqipërisë.

 

Vëllezër e motra,

 

kudo ku kam qenë gjatë këtyre javëve, kam parë nga njëra anë varfërinë e madhe, papunësinë, braktisjen, tradhëtinë që Edi Rama dhe banda e tij e hajdutëve ka bërë ndaj çdo shqiptari.

 

Kam parë pamundësinë ekstreme të prindërve për të siguruar bukën e gojës për fëmijët e tyre, kam parë kushtet e vështira të shkollave e të spitaleve tona, kam parë fermerët në krizë ekzistenciale, minatorët e dëshpëruar, të përdorur e të keqpaguar, pensionistët në kufijtë e ekzistencës, kam parë edhe punonjësit e policisë kokëposhtë, sepse kolegët e tyre përdhosen dhe vriten dhe kriminelët në vend që të dënohen përjetë apo të ekzekutohen nxirren nga burgu nga kjo qeveri. Dhe, asnjeri prej këtyre lajmeve nuk është thjesht lajm, por është e përditshmja e qytetarëve, është e përditshmja e njerëzve, është e përditshmja e popullit.

 

Papunësi, varfëri, mjerim, padrejtësi, braktisje, harresë,…dhe një palo-kryeministër që rri sallave i rrethuar nga luksi dhe propaganda, që nuk i njeh dhe as do të dijë për hallet tuaja.

 

Kemi qenë afër njëri-tjetrit këto vite të vështira dhe e di që sot ka shkuar aty ku nuk mban më.

 

Ka shkuar thika në palcë, siç thotë populli.

 

Jam kthyer sot këtu në Mat, jo thjesht për t’ju takuar, jo thjesht për të parë si jeni, sepse e di fare mirë si jeni. Unë me ju kam qenë, me ju rri e me ju do të rri gjithmonë, jo me kriminelët, jo me oligarkët, jo me hajdutët, por me njerëzit.

 

Por, dua të ndaj me ju sot edhe një lajm tjetër, lajmin se bashkë me gjendjen e dëshpëruar ku ndodhet vendi, kam parë një zgjim të madh të shqiptarëve, nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Gjirokastër, nga Durrësi në Mallakastër e në Tiranë.

 

Ky zgjim i madh i shqiptarëve, ky zgjim i madh i juaji, jam i bindur vjen në radhë të parë sepse si asnjëherë njerëzit e kanë kuptuar se janë zotër të fateve të veta. Fati juaj është vetëm në dorën tuaj dhe të askujt tjetër. Nuk ka qeveritar t’ju heqë ju bukën e fëmijëve.

 

 

 

Edi Rama dhe banda e tij janë kapur duke vjedhur.

 

Kjo qeveri është kapur duke vjedhur në flagrancë.

 

Është kapur duke vjedhur bizneset dhe taksat e tyre, është kapur duke vjedhur pensionistët, është kapur duke vjedhur studentët, është kapur duke vjedhur ilaçet dhe pacientët, është kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve dhe zgjedhjet e shqiptarëve, siç e nxori Zëri i Amerikës.

 

Kjo qeveri është kapur duke vjedhur dhe tani është kapur duke ju hequr bukën e fëmijëve tuaj për të mbushur xhepat e hajdutëve dhe të kriminelëve për të cilët punon.

 

Para syve të të gjithë shqiptarëve, të djathtë apo të majtë, gegë apo toskë, të krishterë apo myslimanë, që jetojnë në Shqipëri apo që janë detyruar të emigrojnë dhe para syve të botës, ka dalë lakuriq ky kryeministër dhe kjo qeveri.

 

Ka dalë lakuriq e vërteta: këta janë kapur duke vjedhur.

 

Nisën të prishin shtëpitë e banorëve tek Unaza për t’i dhënë 18 milionë një kompanie DH Albania, që as nuk ekziston fare, 12 milionë euro të njëjtës kompani OST-ja, paratë tuaja të energjisë së shtrenjtë që paguani, të çmimit më të lartë të energjisë që paguani në rajon.

 

Janë kapur duke vjedhur 200 milionë euro me Teatrin Kombëtar në Tiranë.

 

Janë kapur duke vjedhur miliona euro me bregdetin, me tenderat, PPP-të, ku ka shkuar 20 milionë euro kilometri i rrugës.

 

Janë kapur duke vjedhur me minierat, me naftën. Janë kapur duke vjedhur me gjushër e me abdylaj zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë, siç i nxori Zëri i Amerikës provat e prokurorisë shqiptare.

 

Këta janë kapur duke vjedhur, janë kapur në flagrancë dhe e gjithë Shqipëria, të gjithë shqiptarët e di këtë.

 

Në çdo vend të Evropës, kur qeveria kapet duke vjedhur, kur kryeministri kapet duke vjedhur, ikën qeveria dhe hajdutët shkojnë në burg, nuk vuan populli.

 

Këta janë kapur duke vjedhur dhe me paratë e tyre kanë vjedhur edhe karriget ku janë ulur. Karriget ku janë ulur i kanë blerë me paratë e vjedhura shqiptarëve, i kanë blerë me paratë e krimit.

 

Por kanë harruar diçka, nuk janë karriget e tyre. Nuk janë për shitje ato karrige, ato janë karriget e qytetarëve.

 

Karriget mund t’i kenë vjedhur, por të mos ta harrojnë kurrë se pushteti nuk është i atyre karrigeve të vjedhura, pushteti nuk është i atyre që ulen në karrige të vjedhura, pushteti është i qytetarëve shqiptarë.

 

Ndaj duhet të marrim në dorë fatin tonë. Duhet të merrni në dorë fatin tuaj dhe t’i çlironi institucionet e kapura nga krimi dhe nga mafia.

 

Kudo në Evropë kjo do të ndodhte, por këtu janë asgjësuar dy kolona të shtetit: zgjedhjet dhe drejtësia. Por zgjedhjet dhe drejtësia, parlamenti dhe qeveria nuk janë gjë tjetër veçse produkt i vullnetit tuaj. Ndaj le të mblidhemi të gjithë bashkë këtë të shtunë, le të vërshojë sovrani në rrugët dhe sheshet e Tiranës të shtunën në ora 11 në referendumin më të madh popullor, që do t’i japë fund kësaj qeverie bandite.

 

Të shtunën, miqtë e mi, mos harroni, në anën tjetër të gardhit të policëve të keqpaguar, të tradhtuar dhe të poshtëruar, në anën tjetër të gardhit të policëve është hajduti, është kryehajduti që është kapur duke vjedhur paratë tuaja, taksat tuaja, votat tuaja.

 

Në anën tjetër është shumica dërrmuese e popullit shqiptar që është vjedhur nga kjo qeveri, ndaj të shtunën më shumë se çdo ditë tjetër, bota e ka kuptuar dhe do ta shohë se ku e ka katandisur shtetin Edi Rama, një shtet i kapur i cili vetëm mbron hajdutët që janë kapur duke vjedhur.

 

Një shtet i kapur që vetëm mbron vjedhjen, që vetëm mbron hajdutët e votave dhe që nuk i shërben asnjë qytetari të ndershëm, që godet shumicën e tradhëtuar, shumicën e varfëruar, shumicën e shpunësuar nga ky shtet hajdut.

 

Prandaj bashkimi i datës 16 shkurt ka forcë dhe fuqi mbi parlamentin e hajdutëve mbi qeverinë e hajdutëve.

 

Është një bashkim europian dhe kushtetues, për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij sistemi të kalbur që në fakt është vetëm një grusht njerëzish.

 

Një grusht njerëzish që fitojnë miliarda euro, paratë që dalin nga xhepat tuaja, paratë që nuk shkojnë për bukën e gojës së fëmijëve tuaj.

 

16 shkurti është bashkimi popullor kundër vjedhjes, është bashkimi popullor kundër hajdutëve të shqiptarëve, kundër hajdutëve të taksave tuaja, kundër hajdutëve të pasurive tuaja.

 

16 shkurti është bashkimi i shqiptarëve, kundër vjedhjes së votave, kundër vjedhjes së zgjedhjeve, kundër vjedhjes së të ardhmes së shqiptarëve.

 

Në Europë ne do të shkojmë se jemi një popull fisnik dhe një rracë europiane njerëzish punëtorë.

 

Sot mijëra bija dhe bij të Matit, jetojnë në Europë me djersën e ballit, ndihmojnë familjet e tyre, rrisin familjet e tyre, ndihmojnë dhe këtu në Mat, ju bëjnë ju krenar si prindër, na bëjnë gjithë krenar, por nuk duhet të jetë kështu.

 

Nuk duhet t’i braktisin shtëpitë e tyre.Nuk duhet të na mungojnë, sepse asnjë vend nuk bëhet si vendi yt.

 

Ne duhet të krijojmë kushtet që Mati, Dibra dhe gjithë Shqipëria të kenë mundësi të kenë liri për të krijuar mirëqenie dhe për të krijuar punësim, në radhë të parë për rininë e Matit, për rininë shqiptare dhe pastaj për të gjithë ata që kanë nevojë për punë.

 

Dhe plani ynë ekonomik që ka aprovimin dhe vulat e Europës dhe Gjermanisë mike dhe partnere, do të bëjë pikërisht këtë; ditën tonë të parë kur të marrim besimin me votë të qytetarëve se Partia Demokratike do të vijë në pushtet me votë, me votën e lirë të qytetarëve, ne do të eliminojmë taksën “Rama” 300 lek mbi karburantin.

 

300 lek mbi naftën, mbi benzinën, kjo taksë do të eliminohet që ditën e parë.

 

Ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, taksat më të ulta në Ballkan, do të rikthejnë jo vetëm optimizmin, por dhe kapitalin e besimin që motorët e ekonomisë të ndizen, që biznesi mos të mbyllet, por të hapet e të krijojë vende pune, vende pune me kushte dhe paga dinjitoze.

 

Që ekonomia shqiptare të shfrytëzojë plotësisht potencialin e shqiptarëve punëtorë, siç e shfrytëzon sot Gjermania apo Anglia, Italia e vende të tjera ku kanë emigruar ata për të cilët kemi më shumë nevojë.

 

Ne i kemi zgjidhjet për të papunët.

 

Ne i kemi zgjidhjet për studentët.

 

Ne i kemi zgjidhjet për minatorët.

 

Ne i kemi zgjidhjet për fermerët.

 

Dhe me ndihmën tuaj, me votën e shqiptarëve të lirë, ne do t’i bëjmë këto zgjidhje realitet.

 

Por, para kësaj dite, na pret një betejë vendimtare dhe beteja është fare e thjeshtë: çdo popull ka qeverinë që meriton.

 

Europa po pret, i ka sytë nga ne. Në Europë, kjo qeveri do të kishte rënë dhjetëra herë, gjysma e tyre do të ishin sot në burg. Ditën e shtunë, keni mundësinë me bashkimin tuaj dhe vendosmërinë tuaj ti tregoni Europës dhe mbarë botës, se jemi popull europian, se jemi popull i qëndresës, se ditën e shtunë merr fund largimi i shqiptarëve nga padrejtësitë, fillon largimi dhe shembja e këtij sistemi të kalbur antipopullor, antieuropian.

 

Dita e shtunë, është dita e bashkimit, është dita e fitores së gjithë popullit shqiptar kundër kësaj bande.

 

Ne do të jemi bashkë krah më krah atë ditë, që do të jetë dita e parë e ndryshimit që gjithsecilit prej jush pret, meriton dhe shpreson.

 

Ju jap fjalën, se falë bashkimit tuaj i cili do të jetë më i madhi që ka dëshmuar populli shqiptar këto 30 vite, një standard i ri do të vendoset. Prej datës 16, kurrë më populli nuk do të ketë frikë qeverinë, por çdo qeveri që vjen pas datës 16, do ti bëjë llogaritë vetëm me popullin dhe forcën e drejtësinë e vendimeve të popullit.

 

Ndaj ju bëj thirrje, siç jeni mbledhur sot, siç u mblodhët në protestën madhështorë para disa ditësh, duke i dhënë një mesazh të qartë, jo vetëm qarkut të Dibrës, por gjithë Shqipërisë, ashtu të bashkuar të derdheni në Tiranë. Të derdheni në sheshet e Tiranës, me drejtësinë e kauzës popullore në zemër dhe me vendosmërinë për të mos u larguar pa e shembur sistemin e kalbur që ju varfëron dhe ju vjedh ditë për ditë.

 

Një ditë e re po agon për gjithsecilin prej jush dhe për këtë vend.

 

Një ditë e re do të agojë dhe meritën për këtë , meritën që do t’i nxirrni fëmijët tuaj në një diell që ngroh me vende pune, me ndihmë ekonomike dinjitoze, me pensione dhe rroga të mjaftueshme, për të garantuar mirëqenie, meritën për këtë do ta keni ju.

 

Sepse, siç ju thashë në fjalën time të parë dhe kështu dua ta mbyll, mos e harroni:

 

Fatin tuaj e keni në dorë vetëm ju!

Të gjithë bashkë me datë 16!

Zoti e bekoftë Matin!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Zoti e bekoftë Dibrën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!