- Falenderoj nga zemra qytetarët protestues që u bënë pjesë e bashkimit më të madh popullor në Shqipëri për të mbështetur zgjidhjen politike të ofruar nga opozita.
- Mesazhi i 16 shkurtit, që mori përmasat e një referendumi, ishte i qartë: qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme për një parlament dhe qeveri që del nga vota juaj dhe jo nga bandat dhe paratë e korrupsionit.
- Gjermanët, francezët, britanikët, italianët, amerikanët nuk pranojnë kurrë t’i qeverisë dikush që është kapur duke blerë votat e tyre, bashkë me krimin. Për fat të mirë, prej 16 Shkurtit, këtë nuk e pranojnë më as shqiptarët!
- Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë mesazhin e sovranit të bashkuar, por unë e kam dëgjuar dhe e kam kuptuar shumë qartë: Kështu nuk vazhdohet më! Thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar.
- Qytetarët kërkojnë zgjidhje, rrugëdalje, ndryshim. Kërkojnë që ne t’i prijmë ndryshimit, ndaj, ne nuk do të vazhdojnë të jemi më fasadë e një Parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi i organizuar.
- Kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve të PD djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës sonë të pandalshme europiane.
- Nuk ka kthim mbrapa për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Shqipërinë si gjithë Europa, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit.
DEKLARATAË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Të dashur bashkëqytetarë të mi,
Dua ta nis sot me një falenderim nga zemra për secilin prej qytetarëve protestues që u bënë pjesë e bashkimit më të madh popullor në Shqipëri. Këta protestues janë shpresa për ndryshim! Janë drita në fund të tunelit për të gjithë shqiptarët që ëndërrojnë Shqipërinë si gjithë Europa!
Në emër të Partisë Demokratike dua të falenderoj për bashkimin, për protestën, për qytetarinë që dëshmuan në protestën më të madhe, të dëshmuar në historinë e Shqipërisë.
Dua t’i falenderoj, sepse sakrifikuan nga vetja e tyre për t’i shërbyer një misioni madhor, përtej vetes së tyre e të familjeve të tyre: çlirimit të qeverisjes nga një grusht hajdutësh, oligarkësh dhe kriminelësh, që ka marrë peng vendin.
Unë e di që njerëzit që u mblodhën aty përjetojnë qindra probleme dhe halle, njësoj si të gjithë ata që nuk patën mundësinë të vijnë, probleme që kanë burim paligjshmërinë, arrogancën, padrejtësitë, tradhtimin, mashtrimin, dhunën dhe vjedhjen nga qeveria.
Me këta mijëra shqiptarë kam ndarë të njëjtën vendosmëri se nuk mund të ketë më kthim mbrapa nga misioni që kemi nisur: çlirimi i Shqipërisë nga qeveria e kapur ne vjedhje, vjedhje te zgjedhjeve, vjedhje të parasë publike, vjedhje të së sotmes, vjedhje të së ardhmes europiane të Shqipërisë.
Përgjimet e prokurorisë faktuan që ky parlament është produkt i krimit.
Zgjedhjet e 25 Qershorit nuk përfaqësojnë vullnetin e lirë të qytetarëve. Ndaj, edhe qeveria e dalë nga ky parlament i krimit është një qeveri e krimit dhe e oligarkëve, jo e qytetarëve.
Unë dua t’ju falenderoj nga zemra, sepse ju ju përgjigjët thirrjes që unë dhe opozita ju drejtuam, me mesazhin më të qartë, pjesëmarrjen më të lartë që ka parë ndonjëherë vendi:
Mbështetjen me pjesëmarrjen dhe qëndresën e tuaj për zgjidhjen politike, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme për:
- Një parlament dhe qeveri që del nga vota juaj dhe jo nga bandat dhe paratë e korrupsionit.
- Një parlament dhe qeveri, ku ju ndjeheni të përfaqësuar, që ju përfaqëson ju mbron ju, familjet tuaja, punën tuaj, fëmijët tuaj.
- Një qeveri dhe një parlament që bën gjithçka për t’ju lehtësuar barrën e jetës, duke nisur nga më të pamundurit.
- Që ju jep dorën dhe nuk ju vjedh, që i shpenzon paratë publike që vijnë nga taksat tuaja për ju dhe jo për një grusht oligarkësh dhe politikanësh të korruptuar.
- Që ju përmirëson jetën, në vend që t’jua rëndojë atë, që jua lehtëson barrën e së sotmes dhe ju siguron perspektivën për nesër.
- Që ju ndihmon që sipërmarrjet të rriten, të punësojnë e të garantojnë punësim me paga dhe kushte dinjitoze.
- Që fusin në punë shqiptarët, rrisin mirëqenien e tyre e nuk vjedhin lekët me afera të tmerrshme korruptive, bashkë me një grusht oligarkësh, duke paguar nga xhepat tuaj për luksin e tyre të shfenuar qeveritar.
Unë besoj fort, dhe ju e dëshmuat dje, se kjo është e vetmja rrugë për të shkuar në Europë:
- Me zgjedhje të lira e të ndershme,
- Me një qeveri që u shërben qytetarëve,
- Me ligjin e barabartë për të gjithë
Ju erdhët, të dashur bashkëqytetarë, me dinjitet qytetar, të vendosur.
Qeveria dhe kryeministri të kapur në vjedhje iu pergjigj bashkimit më të madh të shqiptarëve të dëshmuar ndonjëherë, me skenarë konfrontimi dhe dhune. Me gaz helmues iu përgjigjën luleve dhe civilizimit tuaj europian.
Ai urdhëroi dhunimin e të drejtave tuaja, të drejtat e protestusve dhe, më pas, terror mbi protestuesit. Dhuna kundër qytetarëve protestues provon degradimin e këtij shteti të kalbur, inkriminimin e policisë që mbron hajdutin në krye të bandës qeverisëse.
Dhuna, rrahja dhe helmimi i qytetarëve të vjedhur dhe të tradhëtuar ka vetëm një motiv. Ajo bëhet në emër të Edi Ramës, për llogari të mbrojtjes së pushtetit të tij të kalbur e të degraduar nga korrupsioni, vjedhja dhe krimi.
Por, siç e dëshmuat dje dhe, jam i bindur do ta dëshmoni çdo ditë këtej e tutje, asgjë nuk e ndal një popull të tradhëtuar dhe të braktisur, kur lufton për të drejtat e tij legjitime dhe sovrane!
Në asnjë vend të Europës nuk pranohet një qeveri që është kapur duke vjedhur! Në çdo vend ku funksionon demokracia, kryeministri dhe qeveria që është kapur duke vjedhur qytetarët, jep dorëheqjen dhe shkon para drejtësisë.
Gjermanët, francezët, britanikët, italianët, amerikanët nuk pranojnë kurrë t’i qeverisë dikush që është kapur duke blerë votat e tyre, bashkë me krimin.
Për fat të mirë, prej 16 Shkurtit, këtë nuk e pranojnë më as shqiptarët!
Protesta më e madhe, që pas pluralizmit dhe, pra, më e madhja ndonjëherë, i tregoi mbarë botës dje se ne, shqiptarët, jemi popull europian, jo thjesht në gjeografi, por në vlera dhe besim tek demokracia dhe shteti i së drejtës
Ne Europë, pra, ku qeveria kapet duke vjedhur, nuk rrihet populli, nuk helmohet populli, por ikën qeveria, ndëshkohen hajdutët!
Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë këtë mesazh, mesazhin e sovranit të bashkuar si asnjëherë më parë në protestën e djeshme.
Qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë rrugëdalje, kërkojnë ndryshim.
- Ju kërkoni një Qeveri të zgjedhur nga vullneti juaj dhe vota juaj dhe jo një Qeveri të diktuar nga Krimi dhe hajdutët e oligarkisë.
- Ju kërkoni një Parlament që zgjidh hallet e tyre dhe jo një Parlament të dalë nga votat e blera me paratë e krimit të organizuar dhe që noterizon vjedhjet e një kryeministri të kapur në flagrancë.
- Ju kërkoni një Qeveri legjitime, që i jep llogari qytetarëve, në vend që t’i fyejë e t’i poshtërojë, pasi i ka vjedhur dhe dhunuar.
- Ju kërkoni dhe prisni që ne t’i prijmë ndryshimit.
Ne kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur interesin e qytetarëve. Por, përballë, nuk kemi një parti politike. Nuk kemi një Kryeministër dhe Qeveri Politike, të zgjedhur nga Qytetarët. Përballë kemi një bandë, që ka ardhur në pushtet nga bashkëpunimi me bandat dhe qeveris për llogari të bandave.
Duke ju falenderuar per besimin e demonstruar dje, ju siguroj se e unë e kam dëgjuar dhe kuptuar shumë qartë mesazhin tuaj me pjesëmarrjen dhe bashkimin ne protesten më të madhe që ka patur ndonjëherë vendi.
Mesazhi juaj është i qartë: Kështu nuk vazhdohet më! Kupa është mbushur dhe është derdhur. Thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar.
Ne nuk do të vazhdojnë të jemi më fasadë e një Parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi i organizuar.
Mbështetja juaj, e dëshmuar dje, mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen politike, të ofruar nga opozita.
Ndaj, une jam sot këtu per t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj.
Ndaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimarrëse të PD djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme:
Mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Shqipërinë si gjithë Europa!
Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme
Parlament të popullit dhe jo të krimit.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar!
Ju faleminderit!