• Shqiptarët e bashkuar kanë nisur rrugëtimin e shpresës, që do të vazhdojë pa ndërprerë deri në largimin e qeverisë së krimit, për krimin dhe me krimin.

 

  • Unë jam Lulzim Basha, qytetar i Tiranës, në krahun tuaj dhe me ju deri në fitoren totale të kësaj beteje.

 

  • Le ta dëgjoë gjithë bota thirrjen “Rama Ik”. Ne kërkojmë për vendin tonë, për Shqipërinë tonë atë që na takon.

 

  • Sytë e Europës dhe SHBA janë sot tek ky shesh. Nga ky shesh u them: ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ju keni për popullin tuaj.

 

  • Miqve tanë u them se ne nuk jemi populli i dhunës. Ne jemi populli i lirisë, i demokracisë. Ne jemi e ardhmja europiane e vendit!

 

  • Ne nuk do të pranojmë kurrë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me mafiozët.

 

  • Për Edi Ramën dorëheqja është vetëm fillimi. Ai do të shkojë para drejtësisë, aty ku e meriton sipas ligjit.

 

  • Miqvë tanë u them se njeriu që u shitet si Kryeministër, është Maduro i Ballkanit, por me një ndryshim. Kjo nuk është Venezuelë, por është Shqipëria në mes të Europës.

 

  • Miqtë mund të më kërkojnë gjithçka që unë mund t’u jap si lider i opozitës, por mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim, atë që s’do ta pranonit kurrë për popullin tuaj!

 

  • Sot është arritur fitorja e parë e popullit të bashkuar. Ndërtea e rrethuar me tela me gjemba është prova se prej ditës së sotme, vendi nuk ka më një parlament legjitim.

 

  • Le ta nisim bashkë sot këtë rrugëtim shprese drejt të ardhmes sonë europiane. Dera e saj e mbyllur duhet të hapet me çdo kusht. Të vetmit që mund ta hapim atë derë, jemi ne, populli europian i Shqipërisë.

 

  • Së bashku të dorëzojmë në mënyrë finale dhe të pakthyeshme mandatet e deputetëve, për t’i dhënë fund fasadës së rregjimit kriminal, për të marrë në dorë fatet tona si njerëz të Europës.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË PROTESTËN PARA PARLAMENTIT

 

 

Zonja dhe zotërinj

Vëllezër dhe motra

Të rinj dhe të reja

Bashkëqytetarë dhe bashkëkombës

 

Unë jam Lulzim Basha, qytetar i Tiranës, në krahun tuaj dhe me ju deri në fitoren totale të kësaj beteje.

 

Zoti e ka nisur rrugëtimin e pranverës herët dhe me ndihmën e Zotit shqiptarët e bashkuar kanë nisur rrugëtimin e shpresës. Ky rrugëtim që nisi me bashkimin më të madh të shqiptarëve në 29 vite liri dhe pluralizëm, do të vazhdojë pa ndërprerë deri në largimin e qeverisë së krimit, për krimin dhe me krimin.

 

Rama ik! Rama ik!

 

T’ju dëgjojë bota.

 

Ne kërkojmë për vendin tonë, për Shqipërinë tonë atë që na takon.

 

Sytë e Europës dhe të SHBA janë sot tek ky shesh. Dhe nga ky shesh u them: ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ju keni për popullin tuaj.

 

Lulzim Basha do të qëndrojë në krahun tuaj në këtë betejë. Sepse unë besoj tek demokracia europiane.

 

Unë besoj tek demokracia amerikane.

 

Unë besoj tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

 

Unë besoj tek shteti i së drejtës që mbron qytetarët njësoj para ligjit dhe çon politikanët e korruptuar dhe kriminelët para burgut.

 

Unë besoj tek ndarja dhe balancimi i pushtetit.

 

Unë besoj tek liria dhe demokracia, tek mundësia për çdo shqiptar.

 

Dhe unë e di që njësoj si unë, qytetari Lulzim Basha, besojnë të gjithë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë.

 

Ndaj, dua këtë mesazh të parë t’ua them miqve tanë: Ne nuk jemi populli i dhunës!

Ne jemi populli i lirisë!

Ne jemi populli i demokracisë, ne jemi populli i Shqipërisë!

Ne jemi e ardhmja europiane e vendit!

 

Por ne nuk do të pranojmë kurrë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre dhe foshnjet e tyre.

 

Për Edi Ramën dorëheqja është vetëm fillimi.

 

Ai do të shkojë para drejtësisë, aty ku e meriton sipas ligjit. Ndaj, i bëj thirrje policisë së shtetit të mos lejojë daljen nga kufijtë e Shqipërisë e të pandehurit të popullit, Edi Rama.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Ligji dhe Kushtetuta janë produkt i sovranit, zbatimi i tyre është detyrë e shtetit.

 

Kur shteti nuk e zbaton, do ta zbatojë sovrani!

 

Dua t’ju them fare qartë, se këtu jemi bashkuar me përfaqësuesit dhe njerëzit e lirë të këtij vendi.

 

Dua t’u them miqve të mi, të gjithë atyre që, për arsye të ndryshme, akoma nuk e dinë se këtu nuk ka demokraci, nuk ka Parlament, nuk ka drejtësi dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju del përpara dhe ju shitet si Kryeministër është Maduro i Ballkanit, por me një ndryshim, kjo nuk është Venezuelë, por është Shqipëria në mes të Europës.

 

Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë, ndaj ju them miqtë e mi, kërkomëni gjithçka që unë mund t’ju jap, dhe do t’jua jap, si lider i opozitës dhe në emër të popullit të bashkuar, por mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim, atë që s’do ta pranonit kurrë për popullin tuaj!

 

  • Unë nuk do të pranoj kurrë që Kushtetuta të kthehet në letër higjienike nga një kriminel, i cili përfaqëson më të zezën, llumin e shoqërisë.
  • Unë nuk do të pranoj kurrë kapjen e pushteteve për të pasuruar një grusht njerëzish teksa varfërohen dhe arratisen shqiptarët nga shtëpitë e tyre.
  • Unë nuk do të pranoj kurrë zgjedhjet e blera me ndihmën e krimit të organizuar.
  • Unë nuk do të pranoj kurrë, që qindra miliona euro nga xhepat e shqiptarëve, popullit më të varfër të Europës të vidhen nga një grusht pasanikësh të korruptuar dhe politikanët e lidhur me ta.
  • Kurrë nuk do ta pranoj narko-shtetin, narko-qeverinë, narko-parlamentin.

 

Ne jemi njerëzit e demokracisë, ne jemi njerëzit e vlerave dhe jam i bindur se shumica prej nesh këtu jemi njerëz të besimit në Zot!

 

Në zemrat tona prej ditës së shtunë, në zemrat e çdo shqiptari nuk ka më vend për frikë, përveç frikës ndaj Perëndisë.

 

Asnjë frikë tjetër!

 

Zemrat tona janë të mbushura me shpresë, zemrat tona janë të mbushura me kurajo dhe, sot, prej shpresës që buron nga zemrat e një populli të bashkuar, është arritur fitorja e parë.

 

Shikojeni këtë ndërtesë të rrethuar me tela me gjemba, të mbyllur në kundërshtim me Kushtetutën.

Kjo është prova se prej ditës së sotme, vendi nuk ka më një parlament legjitim.

 

Shikojeni kapobandën që ka shkuar përsëri në arrati! Kjo është prova që vendi nuk ka më një qeveri legjitime.

 

Kjo është fitorja e parë e popullit të bashkuar.

 

Vëllezër dhe motra, mos i prekni vëllezërit dhe motrat tanë policë se janë të nënpaguar, janë të torturuar dhe se 70% prej tyre janë me ne, kundër kësaj qeverie. Ata që duhet të ishin përballë popullit, ai që duhet të ishte përballë popullit, është zhdukur, është zhdukur në vrimën e miut dhe ky është vetëm fillimi.

 

Ndaj, vëllezër dhe motra, le ta nisim bashkë sot këtë rrugëtim shprese drejt të ardhmes sonë europiane.

 

Shpresa jonë është Europa. Dera e saj e mbyllur duhet të hapet me çdo kusht.

 

Të vetmit që mund ta hapim atë derë, jemi ne: populli i demokracisë, populli i lirisë, populli europian i Shqipërisë.

 

Le ta nisim pra udhëtimin tonë tani.

 

Më dëgjoni të gjithë apo jo?

Populli: Poooo

Edhe atje në fund apo jo?

Populli: Poooo

 

Ndiqmëni, bashkë me të gjithë anëtarët, deri edhe për pak minuta, të opozitës në parlament, asnjëri mos të mungojë. Ejani bashkë pas nesh në këtë drejtim për të dorëzuar në mënyrë finale dhe të pakthyeshme mandatet e deputetëve, për t’i dhënë fund fasadës së këtij regjimi kriminal. Për të marrë në dorë fatet tona si njerëz të lirisë, të demokracisë dhe Europës.

 

Të gjithë pas meje, për të finalizuar këtë akt historik, patriotik, kombëtar dhe europian.

 

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe miqtë e tij!

 

Fitore!