1. Në rrugëtimin 30 vjeçar të shqiptarëve drejt Europës është rradha jonë të bëjmë një sakrificë. Në e bëjmë këtë sakrificë, sepse qëndrojmë dhe luftojmë për vlerat e Europës.

 

  1. Rrugën drejt Europës e pengon krimi dhe korrupsioni, ortakëria me krimin e organizuar. Sakrifica e opozitës është për të rikthyer demokracinë e vërtetë, për të mos qene fasadë e një parlamenti prodhim i krimit.

 

  1. Rrugëtimi që kemi nisur është rrugëtim europian. Ai do të ketë vetëm një përfundim, çuarjen para drejtësisë të atyre që vodhën zgjedhjet, qeveri tranzitore pa Edi Ramën, zgjedhje të parakohshme të lira e të ndershme.

 

  1. Në Shqipëri nuk ka parlament legjitim. Kuvendi i Shqipërisë ka një bandë ku 1 më 3 deputetë është bashkëpunim i Edi Ramës me krimin e organizuar. Detyra jonë është ta shpalosim me durim këtë të vërtetë para botës.

 

  1. Ne do të gërshetojmë protestat, mosbindjen civile dhe të gjithë aktet e tjera të revoltës dhe zemërimit qytetar kundër bandës që ka marrë peng Shqipërinë me turin tonë të shpresës, të alternativës që kemi për njerëzit.

 

  1. Protestë dhe shpresë për të nesërmen. Ky është elementi i dytë dhe shumë i rëndësishëm i aksionit tonë politik. E ardhmja e Shqipërisë nuk do t’i takojë niçeve dhe bajrëve, por shqiptarëve të ndershëm e punëtorë.

 

  1. Që nga Skandinavia deri në vendet anëtare të BE në Mesdhe, nuk pranojnë për vendin e tyre një kryeministër që qeveris dhe vjedh me krimin, sepse ata kanë zgjedhje të lira e të ndershme.

 

  1. Në vendet e tyre, kur qeveria kapet duke vjedhur, ikën qeveria, jo populli. Asgjë më pak nuk mjafton më për shqiptarët, asgjë më pak nuk meritojnë shqiptarët.

 

 

  1. Mos më kërkoni asgjë që nuk do të pranoni për popujt tuaj. Me qytetarët e ndershëm, jemi të vendosur të sjellim standardet dhe vlerat europiane në Shqipëri. Ne do ta fitojmë këtë betejë.

 

PRONONCIMI I KRYETARIT LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME STRUKTUART E PD NË SHKODËR.

 

Pyetje: Eurodeputetët ishin në Tiranë dhe dhanë një deklaratë që djegia e mandateve të opozitës është rruga e gabuar dhe quajtën legjitim këtë parlament.

 

Basha: E para, unë nuk komentoj kurrë deklaratat e miqve të huaj. Unë sot jam në Shkodër, në qytetin që i ka prirë rrugëtimit prej tre dekadash të Shqipërisë drejt Europës. Kemi tre dekada që udhëtojmë drejt Europës dhe shkodranët e filluan këtë rrugëtim, i prinë këtij udhëtimi për të gjithë shqiptarët. Ky është një rrugëtim i mbushur me sakrifica, është një rrugëtim i dhimbshëm por është, po kështu, rruga e vetme që do ta çojë Shqipërinë drejt shpëtimit, drejt çlirimit të saj nga e keqja që e ka kapur për fyti.

 

Rruga drejt Europës është rruga e vetme që do ta çojë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt mirëqenies, drejt zhvillimit, drejt dinjitetit.

 

Në këtë rrugëtim është radha jonë të bëjmë një sakrificë. Ne e bëjmë këtë sakrificë sepse ne qëndrojmë për vlerat e Europës dhe luftojmë për vlerat e Europës. Ne e bëjmë këtë sakrificë sepse kjo sakrificë është e domosdoshme për të zhbllokuar rrugën Europës nga pengesat, që i janë vënë asaj, në veçanti në këto 5 vite, dhe, akoma më shumë, në këto 2 vite të fundit.

 

Rrugën drejt Europës e pengon krimi dhe korrupsioni, e pengon hajdutëria qeveritare dhe ortakëria me krimin e organizuar. Të gjithë në Shqipëri e dinë këtë dhe të gjithë në botë po e dëgjojnë këtë. Detyra jonë është që me durim dhe me vendosmëri të shpalosim të vërtetën dhe faktet që, për një kohë kaq të gjatë, janë helmuar nga propaganda e Edi Ramës. E vërteta dhe faktet na çojnë drejt Europës. Nuk shkohet në Europë me gënjeshtra, me hilera. Në Europë shkohet më të vërteta dhe me vlera. Dhe në këtë rrugëtim e nisim pikërisht në emër të vlerave.

Vlera kryesore e Europës është demokracia dhe sakrifica e opozitës është për të rikthyer demokracinë e vërtetë duke mos qenë fasadë e një Parlamenti, prodhim i krimi, siç është faktuar, tashmë, dhe çdo shqiptar i di dhe që të huajt dhe bota po i dëgjojnë.

 

  • Pengesa kryesore për integrimin e vendit në Europë, është Shqipëria si Kolumbia.
  • Pengesa kryesore për integrimin e vendit në Europë, është vjedhja me qindra milionë euro e lekë, të taksave të shqiptarëve duke i futur në xhepat e oligarkëve dhe politikanëve të korruptuar.
  • Pengesa kryesore për të shkuar në Europë, është kapja e të gjithë pushteteve në duart e një njeriu duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet.
  • Pengesa kryesore për të shkuar në Europa, është qeveria e lidhur me krimin.
  • Pengesa kryesore për të shkuar në Europë, janë zgjedhjet e vjedhura në bashkëpunim me krimin.

 

Kështu nuk shkohet në Europë. Kështu nuk vazhdohet më!

 

Në Europë shkohet me vlera! Në Europë shkohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme!

 

Në cilin vend të Europës kapet qeveria duke vjedhur zgjedhjet dhe ikën  populli në emigracion? Në Europë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ikën qeveria, shkojnë fajtorët përpara drejtësisë, nuk ndëshkohet populli.

 

Prandaj, rrugëtimi që kemi nisur, është rrugëtim europian.

 

Fajtorët të shkojnë përpara drejtësisë. Nuk shkohet në Europë me pandëshkueshmëri. Në Europë shkohet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë, duke zgjidhur duart e drejtësisë dhe duke çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që janë kapur duke vjedhur vullnetin e popullit, zgjedhjet e popullit dhe demokracinë, në bashkëpunim me krimin e organizuar.

 

Jam me shumë besim dhe zemërplot, si gjithmonë kur jam në Shkodër, edhe kur nisëm këtë rrugëtim pak javë më pare. Shkodranët i kanë prirë për tre dekada rrugës së Shqipërisë europiane dhe do t’i prijë edhe këtij rrugëtimi final, i cili ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, çuarjen përpara drejtësisë të atyre që vodhën zgjedhjet e shqiptarëve, qeveri tranzitore pa Edi Ramën, zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme për një Parlament të popullit, nga populli dhe për popullin!

 

Qytetarët (Poshtë Edi Rama)

 

Pyetje: Është legjitim Parlamenti?

 

Basha: Nuk ka Parlament Republika e Shqipërisë, ka një bandë e cila është faktuar përpara syve të shqiptarëve dhe po faktohet para syve të botës, ku 1 në 3 deputetë, është produkt i bashkëpunimit të Edi Ramës me krimin e organizuar. Parlamenti jo vetëm që nuk është legjitim, por nuk ka Parlament Shqipëria sot, ka një bandë, ku 1 në 3 deputetë, nuk përfaqëson votën e qytetarëve shqiptarë, atyre që kanë mbetur, por përfaqëson niçet, najrët, shullazët me shokë.

 

Pyetje: Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të opozitës mqse janë djegur mandatet?

 

Basha: Hapat e mëtejshëm të opozitës janë me qytetarët dhe për qytetarët. Mbështetja e jashtëzakonshme e qytetarëve diktoi vendimin për djegien e mandateve. Ne iu bindëm urdhrit të sovranit dhe ne do të vazhdojmë, bashkë me sovranin, i cili nuk do të jenë më kurrë bajrat dhe bandat e tjera kriminale të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë, por do të jenë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Me ta do ta vazhdojmë rrugëtimin!

 

Ne do të gërshetojmë protestat, mosbindjen civile dhe gjithë aktet e tjera të revoltës dhe të zemërimit qytetar kundër një bande që ka marrë peng Shqipërinë, me turin tonë të shpresës, të alternativës që kemi për njerëzit.

 

Kjo është një betejë që ne e bëjmë për vlerat europiane. Kjo është një betejë që e bëjmë për njerëzit, ndaj e bëjmë me njerëzit, jo të izoluar nga ata siç është klika kriminale në pushtet. Me njerëzit ne do të vazhdojmë të shpalosim vizionin tonë sesi do të duket e nesërmja e Shqipërisë, që Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo e ardhme nuk do t’i takojë as bajrajve, as niçeve, as shullazëve, por do t’i takojë shkodranëve të ndershëm dhe punëtorë, shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë. Dhe ky është elementi i dytë dhe shumë i rëndësishëm i aksionit tonë politik: protestë dhe shpresë për të nesërmen.

Pyetje: Zoti Basha, eurodeputetët theksuan se nuk mund të thuash tani pas dy vitesh që zgjedhjet e vitit 2017-të parregullta. Pse ky aksion nuk është bërë më përpara, në momentin kur ju keni konstatuar që ishin vjedhur votat?

 

Basha: Ne kemi folur qartë që prej ditës së parë dhe ju i keni në arkivat tuaja se çfarë kemi thënë, por thelbi është ky: Kenedi pat thënë dikur “Mos pyesni çfarë do bëjë vendi juaj për ju, po pyesni çfarë do bëni ju për vendin tuaj”. Dhe unë dua që për gjithësecilin prej jush që është akoma në dilemë midis realitetit të mjerë tuajin, të fqinjëve tuaj, të familjarëve tuaj, fëmijëve shqiptarë dhe  deklaratave pa lidhje me realitetin, t’i bëni të njëjtën pyetje çdokujt, çdo miku që  do të mirën e Shqipërisë:

 

  • A do të pranonit për vendin tuaj, këtë që i kërkoni shqiptarëve të pranojnë për veten e tyre?
  • A do të pranonit një kryeministër që vjen me krimin, qeveris për krimin në vend që t’i shërbejë popullit?
  • A do të pranonit vjedhjen masive të parave të shqiptarëve me PPP korruptive, me tendera korruptivë të demaskuar edhe nga mediat ndërkombëtare?
  • A do të pranonit bashkëqeverisjen në çdo nivel, me bandiët që terrorizojnë qytetarët?
  • A do të pranonit mjerimin ekonomik, varfërinë, mungesën e shpresës dhe emigracionit që kjo ka mbjellur?

 

Sepse përgjigja e tyre do të ishte e thjeshtë dhe e qartë: Askush nuk e pranon këtë për veten e tyre, nga Skandinavia deri në vendet anëtare të BE-së në Mesdhe. Pse? Sepse ata kanë zgjedhje të lira e të ndershme, kanë ndarjen dhe funksionimin e pushteteve dhe sepse, kur qeveria kapet duke vjedhur në Europë, ikën qeveria, hajdutët shkojnë në burg, nuk ikën populli.

 

Prandaj, përgjigja ime është dhe mbetet: Mos më kërkoni asgjë që nuk do të pranonit për popujt tuaj.

 

Partia Demokratike, unë Lulzim Basha dhe, jam i bindur, çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, jemi të vendosur që, përmes këtij rrugëtimi, të sjellim standartet dhe vlerat europiane në Shqipëri. Asgjë më pak nuk mjafton më për shqiptarët. Asgjë më pak nuk meritojnë shqiptarët.

 

Prandaj ju them se ky është një rrugëtim drejt vlerave europiane. E kemi nisur me Shkodrën dhe shkodranët para 30 viteve dhe me ndihëm e Zotit me Shkodrën në ballë dhe me gjithë shqiptarët e bashkuar, do ta çojmë drejt fitores.

 

Faleminderit!