Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me europarlamentarët  raportues për Shqipërinë Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein,  zyrtarë të lartë të Komisionit dhe institucioneve të tjera europiane  si dhe ishte i pranishëm në seancën e posaçme dëgjimore për zgjedhjet vendore te organizuar nga Komisioni  i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në Bruksel. Pas raportimit të kryesueses së misionit të vëzhguesve Audrey Glover, eurodeputët  konkluduan se zgjedhjet e 21 Qershori nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se kjo është hera e parë pas 13 vjetësh që Shqipëria shënohet si vendi që nuk garanton votën e lirë të qytetarëve. Zgjedhjet e 21 Qershorit, tha Basha, përballën qytetarët  dhe opozitën me forcën e plotë të një makinerie shtetërore të fortifikuar me ndihmën e krimit, bandave dhe parave të drogës e korrupsionit.

“Është një skaner i plotë i gjendjes në Shqipëri që ka kulmuar me kapjen dhe rrëzimin e zgjedhjeve të 21 Qershorit, standardeve zgjedhore. Për herë të parë në 13 vite Shqipëria shënohet si një vend ku nuk garantohet vota e lirë e qytetarëve, vota pa frikë nga ndërshkimi qeveritar. Zgjedhjet e 21 Qershorit nuk u rrëzuan dhe nuk u kapën sepse nuk kishte ligje por u rrëzuan dhe u kapën nga sepse qeveria kishte vullnetin për të kapur pushtetin me çdo çmim, edhe duke rrrëzuar standardet zgjedhore që Shqipëria i kishte plotësuar në të kaluarën. Ky është një konkluzion jashtëzakonisht damkosës për vendin dhe kjo damkë e rëndë e prapakthehut demokratik të vendit është vepër e Edi Ramës dhe Ilir Metës të cilët në vend të një gare të ndershme mes partive politike, me 21 Qershor përballën qytetarët dhe opozitën me forcën e plotë të një makinerie shtetërore të fortifikuar me ndihmën e krimit, bandave dhe parave të drogës e korrupsionit. Jo më kot, edhe konkluzioni i parë dhe dominues i sesionit të sotëm parlamentar është dekriminalizimi” ,- theksoi zoti Basha.

Ndonese seanca ishte thirrur për të diskutuar raportin e OSBE-ODHIR për zgjedhjet, dekriminalizimi është shndërruar në çështjen kryesore pasi sipas kryetarit të demokratëve Lulzim Basha, pa zgjidhjen e këtij problemi, pa dekriminalizimin, as që mund të bëhet fjalë për të adresuar problemet e tjera të zgjedhjeve në Shqipëri.

“Ne këtu ishim mbledhur për të diskutuar raportin për zgjedhjet e 21 Qershorit por gjysmën e kohës e kaluam duke folur për dekriminalizimin. Pse?! Sepse kriminalizimi i politikës, kandidimi i personave me rekorde kriminale për kryetar bashkie dhe për këshilltarë, përdorimi i bandave kriminale për të terrorizuar qytetarët dhe votuesit ishin problemet kryesore të zgjedhjeve të 21 Qershorit krah për krah me blerjen e votës dhe keqpërdorimin e administratës, fondeve dhe aseteve shtetërore. Pa zgjidhjen e këtij problemi, pa dekriminalizimin, as që mund të bëhet fjalë për të adresuar problemet e tjera të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndaj dekriminalizimi është nevojë urgjente në vetvete por edhe në funksion të një procesi të mundimshëm, siç tha zonja Glover, të rikthimit të beismit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur që duke nisur me procesin e dekriminalizimit  të çojmë deri në fund  përjashtimin nga çdo funksion drejtues çdo person të zgjedhur apo të emëruar me rekorde kriminale nga qeveria aktuale dhe ne këtë mënyrë  të hapim një kapitull të ri edhe për zgjedhjet si testi kryesor i funksionimit të një demokracie” ,- theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Zoti Basha ka ndarë shqetësimin me eurodeputetët për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të nisur procesin e dekriminalizimit, por nga ana tjetër ka shprehur vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të bërë dekriminalizimin.  Pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk mund të ecë përpara, tha zoti Basha.

“Përfaqësuesit e qeverisë në Komisionin e Dekriminalizimit janë përpjekur të bllokojnë procesin e adoptimit të ligjit për dekriminalizimin sipas draftit që opozita ka çuar në Kuvend, draft i cili bazohet tërësisht nga rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Kjo është një dëshmi tjetër e mungesës së vullnetit për dekriminalizimin nga Edi Rama i cili është shënuar si arkitekti i kriminalizimit të politikës dhe administratës së lartë. Tashmë po shënohet si personi që po bën gjithçka për ta bllokuar dekriminalizimin. Sot nga Brukseli kam një mesazh për qytetarët shqiptarë;  beteja për dekriminalizimin duhet të fitohet sepse është nyja gordiane ku lidhen të gjitha problemet e tjera të Shqipërisë si vota e lirë, ekonomia, varfëria dhe lufta kundër saj, papunësia, mirëqënia. Pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, u shpreh Basha.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Shtator 2015