Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Gjirokastër dhe Delvinë: Ne nuk mund të flemë mbi dafina se kundërshtari po diskrititohet çdo ditë, duhet të bëhemi gati për ringritjen tonë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Gjirokastër dhe në Delvinë. Ndërsa vetëm pak ditë na ndajnë nga 300 ditët e para të qeverisjes Rama-Meta, zoti Basha ka theksuar se përkeqësimi është evident kudo. Sipas tij, qeveria jo vetëm ka dështuar në çdo premtim të bërë por ka përkeqësuar ndjeshëm jetën e qytetarëve krahasuar me një vit më parë. Kryetari i PD shtoi se papunësia është rritur, shëndetësia është përkeqësuar, ndërsa rendi dhe siguria janë në nivele alarmante.
“Një qeverisje e cila po zvarritet drejt 300 ditëshit të parë por që shqiptarëve po u duket si 3 shekuj. Vende pune nuk kanë hapur, vende pune janë mbyllur. Aështë përmirësuar shëndetësia ?! A paguajnë më pak shqiptarët për shëndetësinë ?! A ndihen më të sigurtë shqiptarët 300 ditë pas premtimit absurd për të rikthyer diçka që e gjetën që ishte rendi public ?! Ky premtim i marrë po i ndjek si hakmarrje në çdo fushë duke filluar me statistikat e vrasjeve që janë më keq se para një viti, të grabitjeve, të daljes përsëri të maskave të vjedhjeve, kërcënimeve ndaj pronës ndaj personit”, tha Basha.
Pavarësisht rënies së menjëhershme të besimit të qytetarëve tek kjo mazhorancë, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka kërkuar nga demokratët që mos ta konsiderojnë këtë si të mjaftueshme për ardhjen e tyre në pushtet. Çelësi i suksesit për të sotmen dhe të nesërmen e PD-së, sipas Bashës, është ngritja, ribashkimidhe zgjedhja në poste drejtueseve e njerëzve më të mirë.
“Ne nuk mund të flemë mbi dafina se kundërshtari po diskrititohet nga dita në ditë se mund ta marrim këtë si shkallaren e ardhjes tonë në pushtet. Ne nuk mund të fërkojmë duart e të bëjmë llogaritë me dështimet e kundërshtarit por duhet të bëhemi gati për ngritjen dhe ringritjen tonë. Përmes votës së lirë do të merrni përgjegjësinë tuaj si njerëz të lirë për të zgjedhur ekipin që ju mendoni se do t’ju udhëhequr drejt fitores, dhe do të keni drejtuesin që zgjidhni vetë”, tha Basha.