• Dibra dhe dibranët janë në këmbë. Ata e kanë vrarë frikën të parët, kanë ndezur shpresën dhe kanë vendosur t’i prijnë marshimit tonë të pandalshëm për rrëzimin e qeverisë së krimit dhe kryehajdutit Edi Rama.

 

  • Dibrës i takon të jetë në krye të kësaj beteje, sepse ishte kurbani i parë i bashkimit të Edi Ramës me krimin. Fundi i kriminelëve, fundi i hajdutëve po afron. Po afron dita e lirisë dhe e dinjitetit për çdo shqiptar.

 

  • Dosja”184” është fundi politik i Edi Ramës dhe bandës së tij të hajdutëve. Në këtë dosje janë kapur gafil Rama, Gjiknuri, Ahmetaj, Manja, Abazi, Ndreu, Sterkaj duke bërë pazare me Ymer Lalën dhe krimin e organizuar për të blerë vota.

 

  • Prokuroria e mban të fshehur këtë dosje, por ajo nuk do të fshihet përgjithmonë. Kur kjo dosje të zbardhet, Edi Rama dhe Ymer Lala, do të rrinë bashkë në qelitë e burgut 313, ku e kanë vendin ata që vodhën votat.

 

  • Dibranët, si gjithë shqiptarët e ndershëm, duan një Shqipëri si gjithë Evropa. Ne nuk jemi një vend i varfër. Shqipëria është e vjedhur. Qeveria dhe Parlamenti i krimit janë shërbëtorë të hajdutëve, oligarkëve dhe kriminelëve.

 

  • Parlamenti i takon popullit, jo kriminelëve. Gjeneza e të keqes është një qeveri dhe një kryeministër që e ka lidhur fatin jo me qytetarët, por me kriminelët dhe sot është peng Ymer Lalës, Avdylajve, Shullazëve.

 

  • Ne do t’i japim fund qeverisë dhe kryeministrit peng të krimit. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë si gjithë Europa. Ajo nuk mundet të jetë kurrë si Europa me parlament që vjedh me ligj qytetarët.

 

  • Ne do të marrim masa të menjëhershme për të ndalur këtë krizë. Ne do të heqim menjëherë taksën “Rama” për naftën. 300 lekë më lirë do të jetë karburanti për shqiptarët ditën e parë kur qeveria të mos jetë më peng i krimit.

 

  • Qeveria, e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do të jetë peng i kriminelëve dhe oligarkëve. Qeveria e ardhshme do të jetë peng i qytetarëvë të ndershëm dhe punëtorë dhe e premtimeve të mbajtura.

 

  • Rruga që kemi nisur nuk është për pushtet, por është për një ndryshim të madh për ju dhe familjet tuaja. Më 16 mars populli do të bashkohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, një qeverie që nuk e dhunon dhe vjedh.

 

  • Me protestën e 16 Shkurtit, me pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë, gjërat ndryshuan. Në ia dorëzuam mandatet popullit. E gjithë Shqipëria vrau frikën dhe sot është plot shpresë dhe besim për ndryshimin.

 

  • Beteja duhet të shkojë deri në fund! Që të jeni zotër të fateve tuaja dhe qeverisë suaj të ardhshme, përmes votës së lirë dhe të ndershme, ka vetëm një rrugë për këtë ndryshim: Bashkim! Pjesëmarrje! Protestë! Përballje! Fitore!

 

FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA NË DIBËR

 

 

Vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj, nëna dhe baballarë, të rinj e të reja të Dibrës!

 

Mirënjohje nga zemra për këtë mikpritje të jashtëzakonshme.

 

Dibra dhe dibranët janë në këmbë. Dibra dhe dibranët e kanë vrarë frikën të parët. Dibra dhe dibranët kanë ndezur shpresën dhe kanë vendosur t’i prijnë marshimit tonë të pandalshëm për rrëzimin e qeverisë së krimit dhe kryehajdutit Edi Rama. Fundi i kriminelëve, fundi i hajdutëve po afron. Po afron dita e lirisë dhe e dinjitetit për çdo dibrane e çdo dibran dhe për mbarë Shqipërinë.

 

Dibrës i takon të jetë në krye të kësaj beteje, sepse Dibra ishte kurbani i parë i bashkimit të Edi Ramës me kriminelët, me trafikantët e drogës, me trafikantët e vajzave dhe grave. Këtu në Dibër, në shtator të 2016-s, u bë eksperimenti i parë i Edi Ramës në aleancë me krimin, këtu në Dibër për herë të parë në dekada e shekuj, vendosi t’ju sillte në krye të vendit jo njerëz që e kanë udhëhequr Dibrën me mençurinë e fjalës, me forcën e karakterit, me patriotizmin dhe atdhedashurinë për Dibrën dhe mbarë Shqipërinë, siç ka ndodhur në dekada e shekuj me Dibrën dhe dibranët, por vendosi t’ju sjellë në krye të vendit kriminelët, trafikantët, për të nënshtruar demokratët dhe për të poshtëruar socialistët e Dibrës.

 

Tash dy vjet e gjysëm, masakra e 11 shtatorit 2016 po i jep pasojat e veta në çdo vatër dibrane. Kudo, ku sot takova familjarë, të rinj, gjimnazistë, fermerë dhe pensionistë, lexohen qartë vuajtjet e shtuara, pasiguria për të nesërmen, tradhtia e madhe e Edi Ramës ndaj socialistëve të ndershëm, dhuna dhe poshtërimi ndaj opozitarëve dhe qytetarëve që nuk e ulën kokën para pushtetit të tij kriminal, por për herë të parë pashë po kështu, lexova dhe dëgjova vendosmërinë e Dibrës për ta shprehur zemërimin dhe papajtueshmërinë me krimin në pushtet, vendimin e madh të Dibrës për t’i prirë lëvizjes popullore për largimin e qeverisë së krimit, për ta zbuar këtë turp të madh kombëtar dhe për të marrë në dorë fatin tuaj.

 

Tash 2 vjet e gjysëm dibranët e dinë se zot në shtëpinë e tyre nuk janë vetë ata, se zot në shtëpitë e tyre, në shkollat e tyre, se zot në bizneset e tyre dhe në arat e tyre, është Edi Rama dhe Ymer Lala, janë horrat dhe kriminelët. Burrat dhe gratë e ndershme dhe punëtore nuk kanë asnjë mundësi që të jetojnë me dinjitet dhe me djersën e ballit. Edi Rama do ta kthejë Dibrën në një kotec të krimit, ku njerëz kokulur e pa dinjitet t’i shtrijnë dorën për kotheren e bukës.

Kjo nuk është Dibra që meritojnë dibranët, kjo nuk është Dibra që duan dibranët, kjo nuk mund të jetë kurrë e sotmja dhe e nesërmja e Dibrës dhe e gjithë Shqipërisë. Dibra dhe dibranët, njësoj si gjithë shqiptarët e ndershëm, duan një Shqipëri si e gjithë Evropa. Shqipëria nuk është një vend i varfër, Dibra nuk është një trevë e varfër, Dibra është e vjedhur dhe jo e varfër, Shqipëria është e vjedhur dhe jo e varfër. Ndaj Parlamenti i krimit, njësoj si bashkia e krimit këtu në Dibër, dhe kudo tjetër në Shqipëri, kanë braktisur fatin e qytetarëve të thjeshtë, janë kthyer në shërbëtorë të hajdutëve grabitqarë, oligarkëve dhe kriminelëve.

 

Për një vit e gjysëm ne u përpoqëm ta ndryshonim nga brenda, çuam amendamente për të ulur çmimin e naftës, i hodhi poshtë, çuam amendamente për të ulur çmimin e energjisë, i hodhi poshtë, çuam amendamente për të ulur taksat, i hodhi poshtë, çuam amendamente për të rritur pensionet, i hodhi poshtë, prezantuam planin për studentët, për uljen e tarifave, për ndihmën ekonomike, për uljen e taksave, i hodhi poshtë. Çuam ligjin për vetingun e politikanëve, që t’i nxirrnim jashtë miqtë e Ymer Lalës dhe kriminelëve të tjerë nga parlamenti, e hodhi poshtë.

 

Parlamenti i takon popullit, jo kriminelëve. Gjeneza e të keqes është një qeveri dhe një kryeministër që e ka lidhur fatin jo me qytetarët, por me kriminelët. Kur e lidh fatin me kriminelët, je peng i kriminelëve. Kur e lidh fatin me Ymer Lalën je peng i Ymer Lalës. Kur e lidh fatin me Avdylajt je peng i Avlyjave, i Shullazëve. Ne do t’i japim fund qeverisë peng të krimit dhe kryeministrit peng të kriminelëve. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë si gjithë Europa. Shqipëria si gjithë Europa nuk mundet të jetë kurrë me kryeministër të lidhur me krimin. Shqipëria si gjithë Europa nuk mundet të jetë kurrë me parlament që vjedh në vend që të mbrojë qytetarët, që i varfëron në vend që t’i japë mundësi, liri, vlera, mirëqenie, punësim, dinjitet.

 

Kjo nuk është rruga drejt Europës. Dyert e Europës janë mbyllur tash 6 vjet nga Edi Rama e do të vazhdojnë të mbyllura deri ditën kur ta shporrim kryehajdutin dhe bandën e tij. Sepse Europë do të thotë vlera.

 

Unë e di fare mirë, siç e dinë të edhe shumë prej bijve tuaj dhe bijave tuaja, që kanë patur rastin të studiojnë apo të jetojnë në Europë, siç ma tha një qytetar para disa orësh, dje faktikisht në Berat, kur e pyeta, emigrant në Belgjikë, kur i ndodhi një skandal qeverisë belge, sigurisht jo nga këto skandalet e qeverisë shqiptare, se këto do të kishin rrëzuar qindra qeveri: çfarë ndodhi a ikën belgët azilantë apo iku qeveria?! Sigurisht që iku qeveria. Kjo është Europa.

 

Në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur ikën qeveria dhe nuk ikën populli refugjat. Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë kapur duke vjedhur; duke vjedhur taksat e shqiptarëve, duke vjedhur lekët e xhepave tuaj, bukën e fëmijëve tuaj, për t’ia dhënë një grushti njerëzish. Nuk rriten pensionet, nuk rriten rrogat, mbyllen bizneset, nafta më e larta në Europë, energjia më e larta në Rajon dhe paratë që dali nga xhepat tuaj i ndajnë 5 hajdutë me Edi Ramën dhe një grusht kriminelësh.

 

Ne do të marrim masa të menjëhershme për të ndalur këtë krizë. Ne menjëherë do të heqim taksën “Rama” për naftën, 300 lekë më e lirë do të jetë nafta dhe karburanti për shqiptarët ditën e parë kur qeveria të mos jetë më peng i krimit.

 

Sepse qeveria e ardhshme e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të jetë peng i kriminelëve. Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë peng i Ymer Lalëve. Qeveria e ardhshme nuk do të jetë peng i oligarkëve. Qeveria e ardhshme do të jetë peng i qytetarëvë të ndershëm dhe i dibranëve dhe dibraneve të ndershëm dhe punëtor, i fjalës së dhënë, i premtimit të dhënë dhe i votës së marrë në këmbim të atij premtimi.

 

Kjo është demokracia, për këtë po luftojmë, për këtë i dogjëm mandatet. Ne nuk mund të rrimë në krah të kriminelëve në atë parlament. Ne jemi në krahun tuaj dhe së bashku do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fund, këtë betejë për një Shqipëri të lirive dhe mundësive për të gjithë. Këtë Shqipëri do ta ndërtojmë së bashku duke bërë të mundur që ligji të jetë i barabartë për të gjithë, jo të godasë të pamundurin, të varfrin, njeriun e pambrojtur dhe të mbrojë kriminelin, të mbrojë politikanin e korruptuar, të mbrojë hajdutin. Kjo nuk është Shqipëria europiane, ky është çifligu i Edi Ramës që do të marrë fund përmes protestës së vendosur qytetare dhe aksionit tonë të përbashkët.

 

Vëllezër dhe motra, dosja”184” është fundi politik i Edi Ramës dhe bandës së tij të hajdutëve. Në këtë dosje janë kapur gafil Edi Rama, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Ulsi Manja, Sadri Abazi, Pjerin Ndreu, Paulin Sterkaj dhe dhjetëra hierarkë socialistë duke bërë pazare me Ymer Lalën dhe krimin e organizuar për të blerë vota, për të shantazhuar dibranët dhe për të mbushur kutitë e votimit për të kapur me çdo kusht e me çdo çmim Bashkinë e Dibrës dhe për të bërë eksperimentin këtu në Dibër në vitin 2017 e shtrinë në gjithë Shqipërinë.

 

Prokuroria kriminale e Arta Markut dhe Donika Prelës e mban të fshehur këtë dosje, por kjo dosje nuk do të fshihet përgjithmonë. Edi Rama dhe Ymer Lala kanë shumë qejf të rrinë bashkë. Kur kjo dosje të zbardhet, bashkë do të rrinë në qelitë e burgut 313, aty ku e kanë vendin të gjithë ata që kryen krimin e të gjithë krimeve, vjedhjen e votave dhe instalimin e pushtetit kriminal.

 

Prandaj, vëllezër e motra rruga që kemi nisur nuk është thjesht për pushtet, por është për një ndryshim të madh për ju dhe familjet tuaja. Të gjithë dibranëve, edhe socialistëve të ndershëm që ua ka ulur kokën poshtë aleanca e Edi Ramës më krimin. Më datë 16 mars populli do të bashkohet në një tjetër protestë vendimtare për largimin e pushtetit të krimit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, për t’i rrugë një qeverie që nuk ju dhunon, nuk ju vjedh, nuk ju mashtron, një kryeministri që nuk ju trajton si rrugaç, si klloun, si bastard, por që ka respekt dhe përkulet para jush, punon për ju që të realizojë të gjitha planet dhe premtimet që do të zgjidhin hallet dhe problemet e shqiptarit të thjeshtë.

 

Ju e meritoni dhe do të keni një qeveri në krahun tuaj.

 

  • Ne duhet të heqim duart e qeverisë kriminale nga fyti i sipërmarrjes.
  • Ne duhet të heqim duart e qeverisë kriminale nga fyti i fermerëve.
  • Ne duhet të çlirojmë fatin e rinisë dibrane dhe rinisë të gjithë Shqipërisë, duke u siguruar arsim cilësor universitar dhe vende pune.
  • Ne duhet t’i hapim dyert e Shqipërisë, jo për drogën, por për investimet e huaja që hapin vende pune me paga dinjitoze.

 

Të gjitha këto janë të mundura:

 

  • kur ta çlirojmë qeverisjen nga krimi.
  • Kur ta presim lidhjen midis politikanëve dhe krimit.
  • Kur ta hedhim në Lanë parlamentin e krimit.

 

Kjo është thirrja, kjo është beteja.

 

Pengesa e vetme për të gjitha këto masa, të cilat do ta bëjnë më të lehtë jetën tuaj, do të ulim koston, do të mbushin xhepat tuaja me para’, do të rrisin qarkullimin e ekonomisë, do të çelin motorin e rritjes ekonomike, do të hapin vende pune dhe do të çlirojnë njerëzit nga depresioni ekonomik, social dhe psikologjik, e vetmja pengesë për këtë është një qeveri që e ka lidhur fatin me kriminelët, është një kryeministër që e ka lidhur fatin me Ymer Lalën.

 

Ju ftoj me 16 Mars t’i japim fund, të bashkohemi në bashkimin më të madh të forcës dhe të shpresës për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Masivisht u derdhët ju në protestën e 16 Shkurtit dhe gjërat ndryshuan. E gjithë Shqipëria vrau frikën. Sot Shqipëria është plot shpresë dhe plotë besim se gjërat do të ndryshojnë.

 

Por beteja duhet të shkojë deri në fund që çdo shqiptare e çdo shqiptar, geg ose toskë, musliman ose i krishterë, demokrat ose socialist, të çlirohet nga frika e kriminelëve dhe bandave. Të çlirohet nga hajdutët oligarkë, që mos të jenë më kurrë në vartrat tuaja, në shtëpitë tuaja, në shkollat e fëmijëve tuaj, në arat që ju punoni, në sipërmarrjet tuaja zotër Edi Rama dhe Ymer Lala, por që dibranët të jenë zotër në shtëpinë e vetë.

 

Që të jeni zotër të fateve tuaja, ju dhe shqiptarët kudo ku janë, të jeni zotër të fatit tuaj dhe zotër të qeverisë tuaj të ardhshme përmes votës së lirë he të ndershme, ka vetëm një rrugë për këtë ndryshim:

 

  • Bashkim!
  • Pjesëmarrje!
  • Protestë!
  • Përballje!
  • Fitore!

Të shumtë keni qenë më 16 shkurt dhe arritët një hap të madh. I dhamë fund parlamentit të krimit, ia kthyem mandatet popullit, Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Zgjidhjen tani në dorë e ka populli, por ju ftoj që me 16 mars të jeni edhe më shumë.

 

Merrni miqtë, bashkëshortet dhe bashkëshortët, djemtë dhe vajzat e Dibrës, prindërit tuaj dhe ejani me 16 mars në betejën tonë për ta çliruar Shqipërinë nga krimi, për ta çliruar Dibrën nga frika dhe nga krimi dhe për t’ju rikthyer ju dinjitetin, mundësinë dhe lirinë që, së bashku, ta çelim derën për Shqipërinë si gjithë Europa, që në Europë të mos shkojmë me kokën ulur si refugjatë, por me kokën lart si dibranë krenarë, si shqiptarë krenarë.

 

Ju pres të shtunën në protestën më të mnadhe, në takimin me historinë. Shqipëria si gjithë Europa na thërret. Mirëse të vini dibrane dhe dibranë. Mirëse të vini gegë e toskë, demokratë e socialistë në takimin tonë me historinë të shtunën në orën 11.00.

 

Zoti e bekoftë Dibrën dhe dibranët!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Fitore!