• Sheshi i protestës është Asambleja e vërtetë për shqiptarët. Orët e bandës që ka marrë peng vendin me në krye Edi Ramën, simbolin e krizës ekonomike dhe politike, po numërohen mbrapsht.
  • Protesta tona të pakthyeshme janë jo vetëm për t’i dhënë fund regjimit mafioz të Ramës dhe për ta çuar atë para drejtësisë por për t’u dhënë shqiptarëve një sinjal të qartë shprese.
  • Mesazhi për studentët, sipërmarrjen, fermerët, profesionistët është se vendimet kriminale të kësaj qeverie kundër jush, do të zhbëhen nga PD. Paratë që sot i vjedh Edi Rama dhe oligarkët, do t’u kthehen shqiptarëve.
  • Në antimitingun e tij, Edi Rama kërcënoi me luftë, por në atë karrige ai i ka orët e numëruara. Me këto kërcënime ai duhet të dijë se populli do t’i përgjigjet sy për sy e dhëmbë për dhëmbë!
  • Nëse nuk ka zgjidhje politike, monopoli i parë që do të shembet është monopoli i dhunës shtetërore. Bashkë me këtë monopol do t’i vijë fundi monopoleve në shëndetësi, miniera, naftë, ndërtime, tendera publikë.
  • Kush nuk e ka dëgjuar nga hipokritët e kojtur me paratë e narkokryeministrit, le ta dëgjojë, kush nuk e ka kuptuar, le ta kuptojë mire: zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë! Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë!
  • Askush në këtë kryengritje demokratike popullore nuk është për karrige, për pushtet apo për pazare, por për t’i dhënë fund njëherë e mirë pazareve në kurriz të qytetarëve, pazareve në kurriz të demokracisë.
  • I paralajmëroj prerë dhe qartë bashkëpunëtorët e regjimit kriminal të Edi Ramës me kostum, me kollare, me atlete, me gojën e dhënë me qera se populli as nuk i harron, as nuk ua fal shërbimet ndaj klikës mafioze në pushtet.
  • Do ta vazhdojmë betejën deri në çlirimin e Shqipërisë nga grushti i shtetit që i ka asgjësuar demokracinë, ka blerë ekranet kryesore të mediave, të cilat për faqen e tyre të zezë, kanë braktisur interesin publik.
  • Mirënjohje për gazetarët, turp për pronarët oligarkë të mediave dhe ndjesë në emër të PD për ata që u bënë milionerë në pushtetin tonë, mbi djersën, gjakun dhe sakrificën tuaj dhe shqiptarëve të ndershëm.
  • Ne jemi shpirti i Shqipërisë europiane. Përballë kemi atë që u ngrit kundër Shqipërisë në NATO apo atë që sulmon presidentin e SHBA me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit. Ai e di mirë se orët e tij janë të numëruara.
  • Ne jemi ushtria e njerëzve të lirë. Bashkimi dhe kurajo janë armët tona. Lufta për të drejtat, lirinë dhe demokracinë është mburoja jonë. Besimi tek Shqipëria si gjithë Europa është frymëzimi ynë.
  • Shqipëria do të ketë një të ardhme. Kjo e ardhme nuk do të jetë e Edi Ramës, e narko-trafikantëve, e oligarkëve grabitqarë dhe mashtrues, do të jetë e ardhmja e shqiptarëve e të ndershëm, e Shqipërisë Europiane.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMORKATIKE, LULZIM BASHA, NË PROTESTËN PARA PARLAMENTIT

Zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra, qytetare e qytetarë,

Mirë se keni ardhur në këtë Asamble të vërtetë të Kushtetutës, të Ligjit, të së drejtës, në Parlamentin e vetëm që njoh unë, në Parlamentin e vetëm që njeh opozita e bashkuar, në Parlamentin e popullit të bashkuar për ndryshim.

Përballë nesh dhe pas radhëve të policisë ndodhet banda më famëkeqe e hajdutëve që ka parë dhe ka njohur ndonjëherë Evropa e pasluftës, e kryesuar nga kryehajduti, arkitekti i Shqipërisë Kolumbiane, Maduro i Ballkanit, Edi Rama dhe skota e tij kriminale.

Për 6 vite me radhë, kjo bandë kriminale vodhi dhe varfëroi shqiptarët, i gjobiti dhe u rriti çmimet e kostos bazë të jetës.

6 vite me radhë rriti taksat, rriti energjinë, çoi në burg dhe drejt vetëvrasjes dhjetëra kryefamiljarë që nuk paguanin dot faturat e kripura të bandës së hajdutëve në pushtet.

Rriti çmimin e ujit, rriti çmimin e naftës, shkatërroi dhjetëra mijëra biznese, i nxori njerëzit në mes të rrugës, qindra mijëra i drejtoi drejt dëshpërimit të kurbetit, shkatërroi shëndetësinë, shkatërroi dhe mbylli qindra shkolla, detyroi vogëlushët e pangrënë të shqiptarëve të varfër të ecin edhe njëherë me kilometra të tërë për të shkuar drejt klasave të pangrohura, me kushte çnjerëzore.

Ky është njeriu i cili u bë simboli i krizës ekonomike që ka pllakosur, i papunësisë, i varfërisë, i mungesës së shpresës dhe mundësive për çdo shqiptar.

Arma e tij gjatë këtyre viteve ka qenë mashtrimi, arma e tij gjatë këtyre viteve ka qenë propaganda e shpifur, propaganda e ndyrë që e bënte përdhunuesin hero, narkotrafikantin kryebashkiak e kryebazhibozuk, e bënte anëtar të kuvendit, duke zhbërë ditë pas dite besimin e shqiptarëve tek demokracia, si një amanet nga babai i tij politik Enver Hoxha.

Por njësoj sa ç’mund të ngjallet kufoma e Enver Hoxhës aq mund të ngjallet kufoma politike e Edi Ramës dhe e “Rilindjes”.

Unë e di, se gjithësecili prej jush këtu ka ardhur jo vetëm me vendosmërinë e pathyeshme për t’i dhënë fund regjimit mafioz të Edi Ramës dhe për ta përcjellë Maduron e Ballkanit para drejtësisë ose në azil politik, por, mbi të gjitha, për t’i dhënë një sinjal të qartë shprese çdo shqiptari e çdo shqiptareje kudo ku ndodhet.

Këtu, në këtë protestë, si në çdo protestë tjetër të opozitës, janë bashkuar hallet e panumërta të shqiptarëve. Sot, nga ky shesh ju them, se nuk janë bashkuar vetëm hallet, por edhe zgjidhjet, edhe shpresa për të nesërmen që po vjen.

Studentë shqiptarë, dritës së syrit të çdo prindi, dritës së syrit të demokracisë, themeluesve të Partisë Demokratike dhe të pluralizmit politik, dua t’ju them sot, se ai që ju mashtroi, ai që përbuzi lëvizjen tuaj fisnike, është tashmë i larguar; se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar, do t’i zgjidhin problemet tuaja, se dita kur universitetet shqiptare trajtohen si kazerma të Maduros së Ballkanit  po merr fund, se një ditë e re e universiteteve evropiane, e arsimit evropian po agon për ju studentë shqiptarë, rini shqiptare, që jeni në ballë të protestës, në ballë të përballjes, në ballë të rezistencës, në ballë të fitores.

Rama ik!

Nuk ka gardh, nuk ka tel me gjemba që e mban vrullin popullor për ndryshim. Ndryshimi ka nisur, ai nuk do të kthehet mbrapsht.

Rama ik!

Ju them fermerëve shqiptarë se kohët tuaja të dëshpërimit do të marrin fund, se me Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar, paratë që sot jua vjedhin Edi Rama dhe oligarkët do t’ju rikthehen ju, do t’ju rikthehen si subvencione, si investime, se skema korruptive e tvsh-së do të anullohet dhe përgjegjësit do të shkojnë në burg dhe pasuritë e tyre. 

Dua t’i them sipërmarrjes së vogël se kushtet e mbijetesës të cilat ju ka vendosur kjo qeveri kriminale dhe hajdute do të zhbëhen që ditën tonë të parë. Ditën e parë të demokracisë së rivendosur me forcën e shqiptarëve të bashkuar dhe me votën e tyre të lirë. Se askush, absolutisht askush, nuk do të ketë mundësinë t’ju dhunojë, t’ju gjobisë, t’ju godasë, t’ju poshtëroje dhe t’ju marrë bukën e fëmijëve nga goja. Kjo  kohë do të marrë fund! Rama ik!

Mjekët dhe inxhinierët tanë nuk do të duhet më të kërkojnë fatin rrugëve të botës.

Taksa e sheshtë, subvencionet që do të hapin vende  punës dhe do të mundësojnë qëndrimin e rinisë me dinjitet, kushte dinjitoze dhe paga të larta në Shqipëri, janë prapa derës që do të hapim bashkë. Atë derë do ta hapim me çdo kusht e çdo çmim.

Rama ik!

Vëllezër dhe motra,

Ne jemi këtu jo vetëm për të konfirmuar verdiktin e pakthyeshëm popullor të 16 Shkurtit e 16 Marsit, largimin pa kushte të kryehajdutit Edi Rama, por jemi për të nisur së bashku një rrugëtim, në fund të të cilit kurrë më nuk do të ketë rrethana që t’ju vjedhin votën, t’ju vjedhin parlamentin, t’ju vjedhin qeverinë e me qeverinë e vjedhur nga krimi dhe nga oligarkët dhe banditët, t’ju vjedhin bukën  e fëmijëve tuaj, të ardhmen tuaj, dinjitetin tuaj.  Kjo do të marrë fund njëherë e mirë.

Ndaj së bashku me protestat që nuk do të ndalen deri në rrëzimin  e qeverisë kusare të Edi Ramës dhe largimin e kryehajdutit, ne kemi nisur së bashku, në të gjithë Shqipërinë një bashkëbisedim kombëtar që do të çojë drejt hedhjes së themeleve të një demokracie të standardeve, vlerave dhe parimeve europiane dhe amerikane.

Qytetarët ( Rama ik, Rama ik, Rama ik…)

Ndarja dhe balancimi i pushtetit, një parlament që t’i takojë popullit dhe të mos jetë oturak i kryeminitrit, një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, janë themelet e ndryshimit që ne, së bashku, do të sjellim.

Liria  e medias, respekti për liritë  themelore të qytetarëve, të jetës, të pronës, së fjalës së lirë, ne do t’u japim fund dhunimit të këtyre të drejtave, ne do të çlirojmë edhe vëllezërit tanë, heronjtë e arrestuar vetëm sepse protestonin kundër diktaturës, të cilët i përshëndes, edhe në emrin tuaj, të gjithë të arrestuarit e protestave tona, heronjtë e demokracisë dhe të lirisë.

Ora e padrejtësisë do të marrë fund shumë shpejt. Por ne do të jemi këtu për të garantuar që kurrë më, oligarkët dhe trafikantët me Edi Ramën në krah, mos shembin shtëpitë tuaja, mos t’ju nxjerrin prej tyre pa të drejtë, pa ligj dhe pa shpronësim, të mos vjedhin pronat tuaja dhe të ndalin dorën e zezë të hajdutërisë që sot shtrihet nga Tirana në Vlorë, nga Shkodra në Korçë e anembanëShqipërisë.

Po, ora e ndryshimit po vjen, e një shteti që do t’u takojë qytetarëve, nga qytetarët dhe për qytetarët. Për këtë, misioni më i madh, të cilin do ta çojmë deri në fund, është shembja dhe rrëzimi i qeverisë së krimit e cila sot nuk është legjitime në sytë e shumivës dërrmuese të shqiptarëve, por përfaqëson mbeturinat e fundit të ëndrrëës më të keqe në këto 30 vite.

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Edi Rama, pak ditë më parë, në antimitingun më të turpshëm që nga koha e Ramiz Alisë, kërcënoi popullin e vet, e kërcënoi me luftë. Kërcënoi artistët me shembjen e teatrit, me shembjen e monumenteve të tjera të kulturës.

Edi Rama thirri mendjes se ti në atë karrige i ke orët e numëruara, por me këto kërcënime ta dish se populli do të të përgjigjet sy për sy e dhëmbë për dhëmbë!

Ne nuk trembemi, ne nuk tërhiqemi. Beteja jonë do të vazhdojë deri në fund. Liri a vdekje, demokraci a vdekje.

Nuk ka asnjë shans që populli i bashkuar të lodhet të përçahet e te kthehet në rracën e deleve që ke mbyllur në atë kotec, i cili nuk  përfaqëson më vullnetin  e popullit. Ne jemi të bashkuar, ne jemi të vendosur, ne jemi të frymëzuar me frymën e lirisë dhe demokracisë, me frymën e Zotit për të mbrojtur shtëpitë tona, liritë tona demokracinë tonë.

Qytetarët: (Rama ik, Rama ik, Rama ik….)

Ndaj dhe orës, kur monopolin e dhunës e ka vetëm shteti, po i vjen fundi. Nëse nuk ka zgjidhje politike, monopoli i parë që do të shembet është monopoli i dhunës shtetërore, i cili sot dhunon qytetarët e pafajshëm, dhunon protestuesit dhe mbron kriminelët  dhe horrat, trafikantët e drogës, hajdutët të cilët e kanë vendin përpara drejtësisë.

Bashkë me këtë monopol do t’i vijë fundi të gjithë monopoleve të tjera në shëndetësi, në miniera, në naftë, në ndërtime dhe tendera publikë.

Ndaj  mjerë ata oligarkë, mjerë ata  shërbëtorë të Edi Ramës, që i kanë bërë llogaritë gabim.

Ora  e hakmarrjes popullore po afron.

Kurrë më nuk do të pranojmë një demokraci fasadë, siç nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë një parlament fasadë. Zgjidhja politike kërkon bashkimin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm, edhe të socialistëve të ndershëm që janë braktisur, tradhëtuar dhe vjedhur nga Edi Rama, njësoj si pjesa tjetër e shqiptarëve.

Sot u shtrij dorën të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të gjithë socialistëve të ndershëm, për këtë pakt të madh kombëtar, për këtë ndryshim të madh që po vjen, ndryshimin e pandalshëm të Shqipërisë si gjithë Europa.

Sikundër i paralajmëroj prerë dhe qartë të gjithë bashkëpunëtorët  e këtij regjimi kriminal  me kostum, me kollare, me atlete, me miliarda të vjedhura,  me gojën e dhënë me qera se populli as nuk ju harron as nuk jua fal shërbimet ndaj klikës mafioze në pushtet.

Ne jemi shpirti i Shqipërisë europiane.

Vlerat për të cilat ne luftojmë janë vlerat e Europës, vlerat e Amerikës, ndaj përballë kemi armiqtë  e betuar të Shqipërisë europiane, ata që u ngritën kundër Shqipërisë në NATO,  ata dhe ai që sulmoi presidentin e SHBA dhe vazhdon ta sulmojë me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit me artikuj të paguar.  Ai që çoi faqen e zezë, ministrin e narkotrafikut në Shtëpinë  e Bardhë, ai e di mirë se orët e tij janë të numëruara, ora e Shqipërisë europiane nuk do të ndalet.

Në këtë betejë jemi të gjithë bashkë, jemi të gjithë të vendosur. Në këtë betejë kemi me vete të gjithë miqtë tanë, aleatët, njerëzit që janë investuar për Shqipërinë europiane, për Ballkanin europian, për Kosovën europiane, që i kanë thënë ndal copëtimit të Kosovës për axhendat e Edi Ramës dhe armiqve të kombit shqiptar.

Vëllezër dhe motra!

Përballë kemi kriminelët që fshihen pas një grushti efektivësh të policisë, por ne jemi ushtria e njerëzve të lirë. Ju jeni ushtria më e madhe e lirisë që ka parë ndonjëherë ky vend. Bashkimi dhe kurajo janë armët tona.

Lufta për të drejtat e fëmijëve tanë dhe për demokracinë dhe lirinë, është mburoja jonë. Besimi tek Shqipëria se do të bëhet si gjithë Europa dhe do të zërë vend që i takon, zonjë në mes kombeve europiane është frymëzimi ynë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë demokracinë!

Zoti e bekoftë këtë ushtri kombëtare të lirisë, paqes shpresës dhe demokracisë!

Fitore, fitore!     

FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA PARA SELISË SË PARTISË DEMOKRATIKE

Mirënjohje për ju vëllezër e motra, qytetarë të lirë në shpirt e në mendje, pararendës të lirisë dhe demokracisë evropiane që po vjen.  Sot në këtë protestë, me pjesëmarrjen tuaj, me qëndresën tuaj dhe me zërin tuaj, keni bërë të dëgjohet zëri i shumicës absolute të shqiptarëve, që kanë një mesazh të qartë, të prerë e të parevokueshëm: Rama ik.

Qëndresa dhe beteja jonë po hap një horizont të ri shprese për çdo shqiptar, për çdo burrë dhe grua, që do të ndërtojë këtu të ardhmen e tij e të saj, do të ndërtojë dhe të projektojë këtu një të ardhme evropiane për vogëlushët shqiptarë, për fëmijët e shqiptarëve, për shpresën e të ardhmes, për të cilën sakrifica e një jete të tërë nuk mund e nuk duhet të shkojë dëm, për shkak të një bande hajdutësh që ka marrë peng vendin. E pra, orët e kësaj bande po numërohen mbrapsht, me çdo bashkim të jashtëzakonshëm proteste, si ky i sotmi.

Kush nuk e ka dëgjuar, nga hipokritët e kojtur me paratë e narkokryeministrit, le ta dëgjojë. Kush nuk e ka kuptuar, le ta kuptojë mirë dhe qartë: Zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë, pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë.

Kjo betejë ka nisur për çdo shqiptar, ka nisur për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit dhe e korrupsionit më të thellë që ka njohur Shqipëria në 30 vite. Kjo qëndresë ka nisur për t’i kthyer qeverisjen çdo shqiptari dhe nuk do të ndalet derisa ta bëjë realitet.

Askush në këtë protestë, askush në këtë kryengritje demokratike popullore, nuk është këtu për karrige, për pushtet dhe aq më pak për pazare, por për t’i dhënë fund njëherë e mirë pazareve në kurriz të popullit, Pazareve në kurriz të qytetarëve, pazareve në kurriz të demokracisë, pazareve në kurriz të lirisë.

I vetmi Pazar që ka mbetur në Tiranë është pazari i gjësë së gjallë, kopja më e shëmtuar e pazarit të Milotit që po e merr përpara vala e papërmbajtshme e revoltës së shqiptarëve të bashkuar. Shpresa i ka hapur krahët e saj dhe po mbulon anekënd vendin tonë. Shpresa për një ndryshim të vërtetë fillon me largimin e bandës së hajdutëve dhe kryehajdutit Edi Rama, por nuk mbaron aty. Të gjithë ne i kemi një borxh të madh Shqipërisë, të gjithë i kemi borxh ta çlirojmë nga të gjitha të këqijat që e kanë marrë peng shpeshherë këtë vend në 30 vite.

Ndaj zotohem sot para jush, bashkëqytetarë të mi, vëllezër dhe motra të sakrificës, njerëz që ngriheni herët në mëngjes për t’iu bashkuar protestës, e largoheni shpeshherë me buzë të thara dhe të pangrënë, por me zemrën plot me shpresë dhe vendosmëri  dhe nuk ka forcë mbi tokë t’ju tradhtojë ju, ta tradhtojë këtë lëvizje për liri dhe demokraci të standardeve europiane, se do të bëhet realitet verdikti juaj për Shqipërinë si gjithë Europa.

Me ju në shi e në diell, me ju në mëngjes, në agim, në muzg e në darkë, në këmbë, në marshim, në përballje, në përplasje, do të jem gjithmonë unë dhe Partia Demokratike, opozita e bashkuar.

Në betejat tona jetike për demokracinë nuk do t’ju braktisim në ëndrrën tuaj më të bukur, që fëmijët e shqiptarëve të gëzojnë demokracinë europiane, mirëqenien europiane, lirinë europiane, këtu në Shqipëri dhe jo si refugjat të larguar nga vendi. Kjo është beteja për të cilën luftojmë.

Kjo është beteja për të cilën çohemi çdo mëngjes dhe do ta vazhdojmë betejën deri në fitore, deri në çlirimin e Shqipërisë nga grushti i shtetit që i ka dhënë fund institucioneve demokratike, ka shkatërruar Parlamentin, ka asgjësuar demokracinë, ka kapur dhe ka blerë ekranet kryesore të mediave të cilat për faqen e tyre të zezë, me paratë e narko-trafikut kanë braktisur interesin publik. Mirënjohje për gazetarët, turp për pronarët oligarkë të mediave dhe ndjesë në emër të Partisë Demokratike, për ata që u bënë milionerë në pushtetin tonë, mbi djersën, gjakun dhe sakrificën tuaj dhe shqiptarëve të ndershëm.

Ora e drejtësisë po afron dhe në këtë orë ne e dimë se betejën që bashkë kemi nisur, bashkë do ta përfundojmë, por bregu i lirisë dhe i demokracisë, ku do të dalë kjo anije kombëtare e shpresës, nuk mund të pranojë më kurrë gabimet e së kaluarës. dua t’i kthej në mësim ato pësime. Për këtë zotohem përpara Zotit dhe përpara jush, misionarëve të lirisë dhe demokracisë.

I gjithë populli, të gjithë shqiptarët e bashkuar për një qëllim, Shqipërinë si gjithë Europa.

Opozitarë, mbështetës të partive të opozitës, Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, socialistë të zhgënjyer, të tradhëtuar, ngrijeni kokën, bashkohuni në këtë lum drite dhe shprese.

Një ditë e re po agon për Shqipërinë.

Shqipëria do të ketë një të ardhme. Kjo e ardhme nuk do të jetë e Edi Ramës, nuk do të jetë e narko-trafikantëve përdhunues, nuk do të jetë e oligarkëve grabitqarë dhe mashtrues, do të jetë e ardhmja e shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm, do të jetë e ardhmja juaj e Shqipërisë Europiane.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë betejën tonë të drejtë, për liri, për demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa!