- Bashkimi më i madh i shqiptarëve ka vulosur, në mënyrë të pakapërcyeshme, largimin e Edi Ramës, si një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
- Sot është zhvilluar një betejë e jashtëzakonshme. Ata nuk ia dolën të na shpërndanin me propagandë dhe terror. Ia dolëm të mbanim të demonstronim vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fitore.
- Asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit, nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran.
- Sovrani foli sot. Shqipëria e shumicës së përjashtuar, shumicës së vjedhur, të gjobitur, të poshtëruar, do të jetë nesër shumica e njerëzve me dinjitet, që do të ndërtojnë këtu jetën e tyre, me punë dhe paga dinjitoze.
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PARA PROTESTUESVE NË SELINË E PD
Mirënjohjen më të thellë për ju, qytetare e qytetarë të Tiranës e të të gjithë Shqipërisë për këtë protestë të pashoqe në historinë e pluralizmit, në historinë e Shqipërisë moderne.
Mirënjohje për këtë qëndresë monumentale për orë të tëra, në këtë natë, në këtë muzg të tiranisë e të bandës kriminale në pushtet dhe në këtë lindje të lirisë së re, demokracisë evropiane për çdo shqiptare e çdo shqiptar.
Vëllezër e motra!
Ju morët me vete dhe bashkuat në këtë protestë, më të madhen e historisë tonë kombëtare, dritën e shpirtit tuaj dhe e ndriçuat kësisoj rrugën, shtegun, horizontin e shpresës, i cili do të kalojë vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, që do t’i rikthejnë vendit parlamentin legjitim dhe qeverinë legjitime që votojnë qytetarët e lirë shqiptarë.
Por vëllezër dhe motra, sot, në të nëntën protestë në 8 javë, të tretën kombëtare, ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e Edi Ramës si një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Vëllezër e motra!
Një betejë e jashtëzakonshme është zhvilluar sot. Ata u munduan ta shpërndanin këtë protestë akoma pa filluar, me lajme të rreme, me terror, me shoqërime dhe, mbi të gjitha, me makinerinë e poshtër të propagandës, që punon natë e ditë e që ushqehet me paratë që u grabiten qytetarëve shqiptarë, ushqehet me paratë e bukës së fëmijëve të shqiptarëve. Nuk ia doli dot. Dhe megjithë sfidën e motit, ne ia dolëm të mbanim sot, më 13 prill 2019, protestën më të madhe që ka njohur kombi shqiptar dhe të demonstronim vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund, deri në fitore.
Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Edi Ramës, e cila mbahet me forcën dhe paratë e krimit dhe të oligarkëve, armiqve publikë të popullit shqiptar, sot u sollën edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, ndaj fëmijëve e të rinjve, ndaj qytetarëve protestues. E pra, le ta dijë, se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran. Tik-tak, tik-tak, tik-tak…
Por përgjigjja e sotme, përmes bashkimit më të madh që ndonjëherë shqiptarët kanë bërë dhe bashkimit më fisnik, për një kauzë jetike, si liria, demokracia dhe drejtësia e vërtetë; ky bashkim i madh dhe ky leksion i madh do të vazhdojë ditë e natë. Sjellja prej pushtuesi ndaj popullit të tij, Edi Rama dhe klika e tij kriminale do të marrë përgjigjen e merituar çdo ditë, çdo natë, kudo ku të ndodhen shqiptarët e lirë, duke e trajtuar si pushtuesin e institucioneve demokratike që është.
Ndaj, le ta vazhdojmë këtë betejë, sepse jemi në rrugën e sigurtë të çlirimit të vendit nga klika kriminale. Jemi sot shumica morale, shumica politike dhe shumica fizike e shqiptarëve të bashkuar “për Shqipërinë si e gjithë Evropa”.
Nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me zotimin e madh për të ndërtuar mbi gërmadhat e diktaturës së krimit dhe tiranisë së korrupsionit të Edi Ramës, vlerat e vërteta të Demokracisë. Të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve dhe të respektit për lirinë, pronën, shëndetin, jetën, mirëqenien e çdo shqiptari dhe çdo shqiptarje, pavarësisht prej bindjeve politike, origjinës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Ne do të bëjmë të mundur që çdo sakrificë e këtyre betejave, çdo sakrificë e gjithësecilit secilit prej jush, e çdo qytetari shqiptar, të kujtohet me krenari dhe mirënjohje të thellë si themeli i shqipërisë së vërtetë europiane.
Ndaj le t’i marrim me vete gjithçka që përjetuam sot, për ta rritur dhe forcuar vendosmërinë dhe përgatitjen tonë për t’i shkuar betejës deri në fund dhe për t’u treguar sot fëmijëve tanë e nesër brezave që do të vijnë; se natën kur vendosej fati i Shqipërisë, nëse do të zhytej në errësirën e krimit dhe të korrupsionit për shkak të indiferencës, për shkak të korrupsionit të mediave, për shkak të rënies së shoqërisë civile, për shkak të një grushti oligarkësh armiq të popullit që grabitën gjithçka dhe se do t’ia dilte po ajo natë t’i ulte kokën popullit apo nëse do të ishte nata e fundit e tiranisë. Ne nuk e ulëm kokën, ne nuk heshtëm, nuk pushuam, ne u bashkuam, protestuam dhe fituam.
Le të kumbojë ky mesazh besimi total në fitoren e betejës tonë dhe të kauzës tonë. Le të bëhemi gati për çlirimin e Shqipërisë në çdo cep të saj nga klika kriminale e Edi Ramës.
Sovrani foli sot, sovrani vendosi se Shqipëria e shumicës, shumicës së përjashtuar, shumicës së vjedhur, shumicës së torturuar, shumicës së gjobitur, shumicës së burgosur, së poshtëruar, së shantazhuar, do të jetë nesër shumica e njerëzve me dinjitet, të njerëzve me krenari, të njerëzve që do të ndërtojnë këtu jetën e tyre, përmes vendeve të punës me rroga e kushte dinjitoze. Dhe mbi të gjitha me liri, me dinjitet, me dashuri për njëri-tjetrin, këtu në Shqipërinë tonë dhe jo në emigracion. Ndërsa Shqipëria e vogël e kriminelëve, e oligarkëve, e Edi Ramës dhe e politikanëve të korruptuar, do të varroset në arkivat e zeza të kombit.
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!