- Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politik. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore.
- Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale.
- Do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile.
DEKLARATA PËR MEDIA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Pyetje: z. Basha çfarë diskutuat në selinë e LSI?
Lulzim Basha: Rëndësi nuk ka vendi, rëndësi ka Kuvendi, apo jo?! Me zonjën Kryemadhi dhe me të gjithë aleatët po konkordojmë hapat që opozita do të hedhë në përshkallëzimin e aksionit opozitar.
Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale. Dhe siç u bë e qartë edhe 24 orët e fundit në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, atë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies demokratike të qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë.
Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensifikisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike për ofertën tonë për shqiptarët; jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, liritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjitha.
Pyetje: Z.Basha nëse do të ketë një tryezë me disa parti politike, do të pranoni të uleni në këtë tryezë ku të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, qoftë edhe si kryetar i PS?
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politikë, koalicionit më të madh, maxhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit : Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore. Detyrat e së cilës, në veçanti sa i përket organzimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i shpalosim nesër publikisht në orën 11:00 në Tiranë në praninë e medias, përfaqësuesve më të lartë të koalicionit dhe një numri të madh të ftuarish.
Pyetje: Z. Basha por ju thatë që propozimi i partive të vogla që kërkojnë pikërisht thirrjen e kësaj tryeze ishte në harmoni me Partinë Demokratike, çfarë ka ndryshuar që i riktheheni qëndrimit tuaj?
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tim. Rivizitoni qëndrimet tuaja. Falemnderit, ditë të mbarë.