Partia Demokratike dhe aleatët e Opozitës së Bashkuar prezantuan sot Platformën për Zgjedhjet e Lira e të Ndershme, si detyrë kryesore e qeverisë tranzitore.

Anëtari i kryesisë së PD Oerd Bylykbashi, duke prezantuar Platformën, e vuri theksin tek problemet kryesore që kanë pasur proceset zgjedhore në Shqipëri, procese që kanë ardhur duke u përkeqësuar, që nga zgjedhjet e vitit 2013, veçanërisht në zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017.

Ai theksoi se procesi zgjedhor kaloi nga vlerësimi prej ODIHR-it në procesin e 2009, se ai arriti shumicën dërrmuese të angazhimeve të OSBE-së, në raportimin e 2017-s, ku ODIHR-i flet për korrupsion dhe shitblerje të zgjedhjeve, duke e renditur rekomandimin për shitblerjen e votës në krye të rekomandimeve të tij.

Duke evidentuar faktin se qeveria dhe Edi Rama s’kanë asnjë vullnet politik për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë e të ndershëm, Oerd Bylykbashi theksoi se vetëm një qeveri tranzitore do ta marrë përsipër një mision të tillë.

Në platformë evidentohen 10 detyra për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke nisur nga goditja me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, tek ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë e deri tek shkëputja e lidhjes së policisë me krimin.

Bashkëngjitur, platforma e plotë e prezantuar nga Oerd Bylykbashi.

 

PLATFORMA PËR ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDERSHME:

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE

 

LEGJITIMITETI & STABILITETI DEMOKRATIK

 

  • Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i legjitimitetit të Parlamentit, Qeverisë dhe Pushtetit Vendor.
  • Zgjedhjet pa standarde dhe të manipuluara hedhin në erë bashkëjetesën demokratike dhe stabilitetin.

 

ZGJEDHJET E LIRA, THEMEL I STABILITETIT DEMOKRATIK

 

  • Pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci, shtet të së drejtës, integrim europian.
  • Përmirësimi i zgjedhjeve mundësoi dy rotacione paqësore politike. (2005 & 2013)
  • ODIHR (2009): Zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të Angazhimeve të OSBE-së.

 

ZGJEDHJET E LIRA, THEMEL I INTEGRIMIT EUROPIAN

 

  • Progresi në standardet zgjedhore në vitet 2002-2013 kontribuoi për progresin e integrimit europian.
  • Përkeqësimi i standardeve zgjedhore në vitet 2015 dhe 2017 riktheu si kusht të BE-së zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

VULLNETI POLITIK

 

  • Vullneti politik është parakusht për zgjedhje të lira e të ndershme.
  • Legjislacioni nuk mund të zëvendësojë vullnetin e munguar politik.
  • Vullneti politik është rekomandimi i parë i çdo raporti të ODIHR-it.
  • Një qeveri që nuk ka vullnet për zgjedhje të lira, përbën rrezik për stabilitetin demokratik.

 

 

ZBATIMI I LIGJIT VS. REFORMA ZGJEDHORE

 

  • Pavarësisht nevojës për reformë zgjedhore, problemet më madhore në mbarëvajtjen e zgjedhjeve nuk kanë nevojë për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
  • Këto probleme janë çështje të qeverisjes së përditshme, pra, kërkojnë vetëm vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë e Qeverisë.
  • Në rast nevoje për legjislacion, nevojitet vetëm shumicë e thjeshtë, akte të Këshillit të Ministrave apo të ministrave përgjegjës.

 

PROBLEMET MADHORE TË ZGJEDHJEVE

 

  1. Përfshirja e krimit të organizuar në bashkëpunim me qeverinë në shitblerjen e votës dhe presioni mbi zgjedhësit.
  2. Presioni mbi administratën dhe abuzimi me burimet shtetërore.
  3. Identifikimi i besueshëm i zgjedhësve.
  4. Lista e zgjedhësve dhe sistemi i adresave.
  5. Votimi fiktiv i emigrantëve.
  6. Roli i policisë në zgjedhje

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE KRIMI I ORGANIZUAR & SHITBLERJA E VOTËS

 

  • Shitblerja e votës përbën korrupsion zgjedhor. (krim i rëndë – Kodi Penal 2017) Ky fenomen kriminal cënon lirinë e votës.
  • Në 2015-2017 përfshirja e krimit në marrëveshje me qeverinë u kthye në problem akut zgjedhor.
  • Zgjedhjet e Korçës në tetor 2013 provuan shitblerjen e organizuar të votës nga PS. Amnistia nga PS e këtij krimi zgjedhor konfirmoi se shitblerja e votës u bë me mbështetje të qëllimshme politike.
  • Për herë të parë, ODIHR-i bëri rekomandim për shitblerjen e votës në zgjedhjet 2015. (rekomandimi 14)
  • Zgjedhjet e pjesshme të Dibrës në shtator 2016 vërtetuan përdorimin sistematik dhe të organizuar të krimit të organizuar me përfshirjen e niveleve më të larta politike (Dosja 184).

 

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE SHITBLERJA E VOTËS

 

  • Fushata e kanabizimit në 2015-2017, kontrolli i territorit nga rrjetet kriminale me mbështetje policore, sasia e madhe e parasë kriminale, bashkëpunimi i krimit me politikën dhe mbulimi prej saj diktuan rezultatet në zgjedhjet 2017. (Dosja 339/2017)
  • Në 2017-ën, ODIHR-i konstatoi rritje dramatike të problemit dhe e renditi shitblerjen e votës në rekomandimin prioritar nr. 2.
  • Një sondazh i financuar nga Bashkimi Europian gjeti se 20% e zgjedhësve në Shqipëri pranuan se janë prekur nga shitblerja e votës.
  • Korniza ligjore në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal është e mjaftueshme për të goditur shitblerjen e votës. Përfshirja direkte e Ramës me pushtetin e kryeministrit siguron pandëshkueshmëri.
  • Zgjidhja e duarve të drejtësisë për të realizuar hetim, gjykim dhe dënim të krimeve zgjedhore pa ndërhyrje politike. (Dosja 184/2016 & Dosja 339/2017)
  • Parakusht themelor mbetet vullneti i qeverisë kundër korrupsionit zgjedhor.
  • Edi Rama është nxitësi dhe mbështetësi kryesor i këtij fenomeni. Ai nuk mund të garantojë sukses të luftës kundër shitblerjes së votës.

 

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE PRESION MBI ADMINISTRATËN & ZGJEDHËSIT

 

  • Qeveria ushtroi presion mbi punonjësit e administratës publike.
  • Punonjësit u detyruan të marrin pjesë në fushatë dhe të votojnë për kandidatët e Qeverisë, duke u kërcënuar me largim nga puna.
  • Zgjedhësit u kërcënuan me largim nga puna edhe në kompani private që kanë marrë tendera dhe favore shtetërore.
  • Kryeministri urdhëroi policinë të mbledhë vota në fushatë për Partinë Socialiste.
  • ODIHR: Cënimi i mundësisë së zgjedhësve të hedhin votën pa frikën e ndëshkimit (pg. 7.7 i Dokumentit të Kopenhagenit – OSBE, 1990)
  • Rekomandim prioritar 3 (2017): Qeveria të luftojë presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.
  • Rekomandim prioritar 8 (2017): Shteti duhet të garantojë zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Duhet të parandalohet çdo formë presioni.

 

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE ABUZIMI I BURIMEVE SHTETËRORE

 

  • Zyrtarë të lartë shpërndanë çertifikata për legalizimin e pronës në fushatë.
  • Kandidatë të qeverisë përdorën aktivitete dhe burime shtetërore për fushatë.
  • Qeveria bëri punësime për qëllime zgjedhore.
  • Qeveria përdori ndihmën ekonomike, banesat sociale dhe skemat e tjera të ndihmës.
  • Qeveria lejoi përfitime fiskale dhe pronësore në zgjedhje.
  • ODIHR: Pati shkelje të parimit të ndarjes së qartë të shtetit nga partitë politike.

(pg 5.4 i Dokumentit të Kopenhagenit, OSBE 1990)

  • ODIHR, rekomandim prioritar 3: Qeveria të luftojë abuzimin me burimet shtetërore.

 

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE IDENTIFIKIMI I ZGJEDHËSVE

 

  • Në 2007-ën identifikimi i zgjedhësve shkaktoi krizë politike dhe shtyrje të zgjedhjeve vendore. (Certifikatat)
  • Aktualisht, 1.4 milion letërnjoftime të 2009-ës skadojnë më 30 qershor 2019. Kjo prek 90% të zgjedhësve aktivë.
  • Qeveria nuk ka marrë masa për pajisjen e 1.4 milion zgjedhësve me letërnjoftime të reja.
  • Çmimi i rritur i letërnjoftimeve pengon zgjedhësit e varfër dhe mundëson blerjen masive të votës. Për shtresat në nevojë nuk ka asnjë subvencionim.
  • Selektivitet politik duke vonuar letërnjoftimet e zgjedhësve të opozitës.
  • Zgjatja e afatit pa ndryshuar datën mbi letërnjoftim, mundëson blerje masive të votës duke u marrë votuesve letërnjoftimin që skadon.
  • Pamundësia e verifikimit të letërnjoftimeve me afat të zgjatur mundëson përdorim masiv të letërnjoftimeve të fallsifikuara me 1 përdorim.
  • Nevojitet një fushatë rinovimi, masa lehtësuese dhe sistem i besueshëm verifikimi i letërnjoftimeve në qendrat e votimit.

 

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE LISTA E ZGJEDHËSVE & SISTEMI I ADRESAVE

 

  • Në zgjedhjet 2000-2003, listat shkaktuan krizë politike, protesta dhe bojkot të opozitës.
  • Në vitin 2000 rezultuan 600 mijë dublime, në 2013-ën rezultuan 2 mijë dublime në listat e zgjedhësve.
  • Reformat 2004-2013 modernizuan listat dhe zgjidhën problemin.
  • Listat nxirreshin automatikisht nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Ndërhyrja manuale është e ndaluar me ligj.
  • Regjistri Kombëtar nuk mirëmbahet prej më shumë se 1 viti për shkak të tenderimit korruptiv. Rrezikohet infrastruktura dhe shërbimet.
  • Sistemi modern i adresave është themelor për saktësinë afatgjatë të listave. Sistemi i 2004-ës është vjetëruar.
  • Tenderi i OSSHEE-së në 2016-ën për adresat është korruptiv dhe i përdorur politikisht. U shpenzuan pa rezultat mbi 5 milion euro.
  • U përdorën militantë socialistë për verifikim derë më derë. Rrezik për regjistrim selektiv dhe përdorim partiak.
  • Nuk janë regjistruar adresat e të gjithë shtetasve. Baza e të dhënave nuk përdoret nga Gjendja Civile për listat.
  • Nuk ka transparencë për databazën e adresave dhe përdorimin e saj. PS zotëronte dhe përdori kopje të paligjshme të saj në fushatën e 2017-ës.
  • Zgjedhësit transferohen fiktivisht në qarqe apo bashki me synim manipulimin e rezultatit zgjedhor. (Durrës, Kavajë 2015 – Tiranë 2017)
  • Auditët e KQZ-së kanë konstatuar shkelje të rënda dhe manipulime me listat.
  • Listat nuk nxirren nga databaza kombëtare, por, në kundërshtim me ligjin, manipulohen manualisht.
  • Në dhjetor 2018 listat kishin 270 mijë zgjedhës pa adresë. (me kod “999”)
  • Brenda 2 muajsh këta zgjedhës janë “spastruar” në mënyrë të paligjshme me urdhër verbal të Ministrit të Brendshëm.
  • Nuk ka asnjë akt nënligjor që ka përcaktuar kriteret, procedurat, afatet dhe organet përgjegjëse.
  • Saktësimi i adresës bëhet vetëm derë më derë. Ministria e Brendshme i ka spastruar pa dalë në terren. Kjo përbën manipulim.
  • Regjistrimi i zgjedhësve në QV të ndryshme nga vendbanimi faktik i bën listat të paligjshme.
  • Paligjshmëria e përpunimit të listave, pasaktësia e adresave, mungesa e transparencës dhe aksesit, sjell si rezultat lista të manipuluara.
  • Nevojitet regjistrim i popullsisë derë më derë dhe caktim i adresës zyrtarisht.
  • Listat duhet të përpunohen automatikisht dhe në mënyrë transparente.
  • Zgjedhësit duhet të regjistrohen vetëm aty ku banojnë faktikisht, siç kërkon
    Kodi Zgjedhor.

 

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE VOTIMI FIKTIV I EMIGRANTËVE

 

  • Janë mbi 1 milionë emigrantë në listat e zgjedhësve. Shumica e tyre nuk vjen të votojë.
  • Rekordet e zgjedhësve emigrantë abuzohen nga PS për manipulim të zgjedhjeve.
  • Shumë emigrantë rezultojnë të kenë votuar pa ardhur fare në Shqipëri.
  • Skema me letërnjoftime të fallsifikuara apo korruptimi i komisionerëve përdoren për të mbushur kutitë.
  • Sistemi TIMS manipulohet për të përputhur hyrje-daljet në kufi me firmat e fallsifikuara në QV.
  • Nevojiten sisteme verifikimi të identitetit në QV dhe hetime para dhe pas zgjedhjeve në sistemin TIMS.

 

PROBLEMET E ZGJEDHJEVE ROLI I POLICISË

 

  • Segmente të politizuar dhe të inkriminuar të Policisë bashkëpunojnë me bandat në zgjedhje.
  • Policia mbron, shoqëron dhe mbulon strukturat kriminale që blejnë vota për llogari të PS. Nuk hetohen rastet, hetimet zvarriten ose mbyllen.
  • Presionet mbi zgjedhësit në fushatë apo në ditën e votimit nuk hetohen dhe nuk parandalohen.
  • Drejtues dhe efektivë të tjerë të policisë marrin pjesë në fushatë.
  • Është shfuqizuar baza ligjore që disiplinonte policinë në zgjedhje.
  • Politizimi i rekrutimeve në polici e ka kthyer atë në instrument politik zgjedhor.
  • Nevojitet një sistem efektiv masash për të pamundësuar përdorimin e policisë dhe për të goditur krimin zgjedhor.
  • Vullneti i qeverisë për zgjedhje të lira duhet të përçohet në mënyrë efektive në polici.

 

FAKT

 

Edi Rama dhe qeveria e tij nuk mund të garantojnë zgjidhjen e problemeve që pamundësojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si shkaktari i këtyre problemeve, Edi Rama nuk mund të jetë zgjidhja.

Vetëm një qeveri tranzitore, jashtë konfliktit të interesit, me vullnet dhe mbështetje politike, mund të zbatojë detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Qeveria tranzitore do të ketë këto detyra:

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE

 

  1. Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
  2. Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
  3. Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.
  4. Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
  5. Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
  6. Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të

letërnjoftimeve.

  1. Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
  2. Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
  3. Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
  4. Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për   opozitën.

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE LUFTA KUNDËR SHITBLERJES SË VOTËS

 

  • Ashpërsimi i goditjes së krimit të organizuar nga policia.
  • Goditja me tolerancë zero e shitblerjes së votës.
  • Kërkesë ndaj prokurorisë dhe SHISH për të hetuar me prioritet krimin zgjedhor, veçanërisht dosjet 184 dhe 339.
  • Vendosja e institucioneve ligjzbatuese qeveritare (Policia, Drejtoria e Pastrimit të Parave etj) në funksion të goditjes së krimit zgjedhor.

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE ABUZIMI ME BURIMET SHTETËRORE

 

  • Ndalim i menjëhershëm i përdorimit të burimeve materiale dhe financiare me ndikim në zgjedhje.
  • Moratorium i punësimeve deri në datën e zgjedhjeve.
  • Monitorim i rreptë i penalizimeve dhe përfitimeve sociale (ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, banesat sociale) dhe vënie para ligjit e shkelësve.
  • Ndalim i aktiviteteve promovuese qeveritare në fushatë zgjedhore.
  • Moratorium i akteve qeveritare që krijojnë përfitime në periudhë zgjedhore.

(lehtësi fiskale, pronësore, ekonomike)

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE PRESIONI MBI ADMINISTRATËN DHE ZGJEDHËSIT

 

  • Ngritja e strukturave për mbikqyrjen, denoncimin, regjistrimin dhe ndjekjen e rasteve të presionit mbi zgjedhësit, sidomos atyre në administratë.
  • Prioritet dhe tolerancë zero në hetimin dhe ndëshkimin e presioneve mbi administratën dhe zgjedhësit.
  • Koordinim institucional me prokurorinë për të hetuar presionin mbi zgjedhësit.

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE

IDENTIFIKIMI I BESUESHËM I ZGJEDHËSVE

 

  • Fuqizim dhe financim i menjëhershëm i infrastrukturës për pajisje me letërnjoftime.
  • Skema subvencionimi të çmimit të letërnjoftimit për personat në nevojë.
  • Monitorim dhe ndëshkim të rasteve penguese për zgjedhësit.
  • Fushatë proaktive ndërgjegjësimi dhe njoftimi.
  • Ngritja e një sistemi për verifikimin e letërnjoftimeve në çdo QV dhe goditja penale e fallsifikimeve.

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE
LISTAT E ZGJEDHËSVE & SISTEMI I ADRESAVE

 

  • Regjistrim derë më derë i shtetasve dhe identifikim i adresës së çdo shtetasi.
  • Integrimi i adresave me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
  • Regjistrim i zgjedhësit vetëm në listën e QV që i korrespondon vendbanimit faktik.
  • Përditësim i hartave zgjedhore.
  • Masa për caktimin e adresës së zgjedhësve emigrantë dhe caktimin e QV përkatëse.
  • Hartim i listave të zgjedhësve drejtpërdrejt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE
VOTIMI FIKTIV I EMIGRANTËVE

 

  • Ngritja e një sistemi kontrolli dhe monitorimi të hyrje-daljeve në kufi dhe në sistemin TIMS.
  • Sigurimi i aksesit të plotë në TIMS për KQZ-në për të hetuar ankesat për votim fiktiv të emigrantëve.
  • Ndjekje penale me tolerancë zero të shkeljeve.

 

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE
ROLI I POLICISË NË ZGJEDHJE

 

  • Monitorim institucional i veprimtarisë së policisë në proces zgjedhor.

Raportim dhe ndëshkim i shkeljeve.

  • Largim i menjëhershëm i drejtuesve dhe policëve të lidhur me krimin.
  • Prioritet në goditjen e krimeve zgjedhore.
  • Garantim i sigurisë në zgjedhje dhe goditja e bandave.
  • Nxjerrje e akteve ligjore që disiplinojnë rolin e policisë në zgjedhje.
  • Raportim transparent i veprimtarisë së policisë.