- Studentët dhe rinia në krah të betejës sonë për të larguar një qeveri të dalë nga blerja e votave me krimin dhe, me zgjedhje të lira, të votojë një qeveri që ka prioritet punësimin dhe arsmin cilësor.
- Pa lirinë e votës nuk ka asnjë liri tjetër, nuk ka mundësi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka Europë. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen, pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë, gënjen.
- Modeli i Edi Ramës për rininë është krimineli. Trafikantët nuk i fut në burg, por i promovon, i bën biznesmenë, deputetë, kryetarë bashkie. të talentuarit, të aftët, të zgjuarit, Rama i largon në emigracion.
- Për të sunduar, Edi Rama investon tek injoranca. ka rrethuar veten me kriminelë, me të pashkollë, milionerë me katër klasë, për një arsye të thjeshtë. Rama ka frikë nga të shkolluarit.
- Potenciali më i madh për rritjen e vendeve të punës është turizmi. Qeveria nuk ka asnjë investim. Ka mbyllur degët e turizmit në Pogradec dhe Sarandë. Asnjë qindrakë e shpenzuar për trajnimin.
- Trajnimi është jetik. Ose trajnohet forca punëtore, ose vdes ekonomia. Synimi ynë numër 1 për të rritur punësimin, është trajnimi i forcës punëtore në fushat me potencial si turizmi, inxhinieria, IT, mjekësia.
- PD do të zbatojë sistemin gjerman të trajnimit dual. Studentët mësojnë 50% të kohës në auditor, 50% të kohës në praktikë. Për t’u futur në tregun e punës, një vit praktikë me 300 mijë lek të vjetra në muaj.
- Kjo qeveri ka shpenzuar 0 lekë për trajnimin profesional të rinisë. PD do të hapë shkollat e mbyllura profesionale. Plani ynë është dyfishim i buxhetit të arsimit, sepse arsimi është prioritet kombëtar.
- Beteja u nis nga studentët në dhjetor, kundër shkatërrimit të arsimit të lartë, tarifave më të larta, çmimeve më të larta për arsim me cilësinë më të dobët në Europë
- Plani i PD dyfishon buxhetin e arsimit të lartë me 74 milionë usd më shumë, që Edi Rama i shpenzon për luksin e zyrave të tij, për udhëtime me avion dhe për automjete të shtrenjta.
- Studentët nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj, përfitojnë subvencion 100% të tarifës univeristare. Ata me mbi 640 mijë lek, paguajnë vetëm gjysmën e tarifës.
- 5 milionë usd mbulojnë me bursë studentët e varfër. Me planin tonë për arsimin e lartë, pamundësia ekonomike e familjes, nuk do të jetë pengesë për asnjë të ri që të shkojë në universitet.
- 27 milionë USD do të përdorët për infrastrukturën universitare, konvikte, auditorë, laboratorë, IT. T’i japim fund nivelit primitiv ku ndodhet universiteti dhe për të financuar degët prodhuese për ekonominë.
- Vizioni ynë është i qartë. Universiteti do të menaxhohet me sistem europian jo me sistem sovjetik. Do të matet performanca. Do të renditen universitetet për cilësinë, të orientuara nga nevojat e tregut.
- Kusht për modernizimin e arsimit dhe mirëpërgatitjen e nxënësve do të jetë anglishtja gjuhë bazë e detyrueshme për të gjithë fëmijët. Ata do ta kenë gjyhën e dytë, pas gjuhës së nënës, do ta kenë gjuhë pune.
- Ky vizioni realizohet vetëm me një qeveri të zgjedhur me votë dhe jo të diktuar nga interesat e krimit dhe të oligarkëve. Pa fituar betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, asnjë betejë tjetër nuk mund të fitojmë.
- Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka ide. Miqtë e tij, që vijnë për qokat e fundit para se t’u mbarojë mandati, nuk e shpëtojnë dot nga ky realitet. Është Edi Rama pengesa kryesore për Shqipërinë europiane.
- Beteja e vetme për Europën është beteja që zhvillojmë ne së bashku. Shansi i vetëm për Shqipërinë europiane është fitorja e kësaj beteje. Më 11 Maj dhe javët më pas përcaktohet fati i Shqipërisë për 5, 10, 15 vitet e ardhshme.
BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME TË RINJ DHE QYTETARË TË POGRADECIT
Faleminderit të rinjve dhe të rejave të Pogradecit për këtë pritje të jashtëzakonshme në qytetin tuaj sot, këtë perlë të bukurisë së natyrës, ku, padyshim, ka një bukuri të falur nga Zoti që është liqeni, gjoli, por ka edhe një bukuri që e bën të bukur liqenin, qytetin dhe gjithë qytetarinë e Pogradecit, rinia e Pogradecit, të rinjtë e të rejat e Pogradecit.
Faleminderit që keni qenë në krahun e vëllezërve dhe motrave tuaja më të rritur, në krahun e prindërve tuaj në betejën që kemi nisur së bashku.
Në fakt betejën e keni nisur ju. E nisën studentët në dhjetor kundër padrejtësisë më të madhe që i është bërë ndonjëherë rinisë, shkatërrimit të arsimit të lartë, tarifave më të larta, çmimeve më të larta për arsim me cilësinë më të dobët në Europë. Dhe, pastaj, së bashku me ju u ngrit gjithë Shqipëria. Më 16 shkurt, 11 javë më parë nisi kjo lëvizje dhe kryengritje demokratike për të mposhtur tiraninë më të rrezikshme që vendi dhe Ballkani kanë njohur në 30 vite, tiraninë e politikës të lidhur me krimin, që ka asgjesuar votën, ka asgjesuar qeverisjen, ka kapur dhe paralizuar drejtësinë, ka kapur ekonominë, ka kapur universitetet dhe arsimin e lartë, ka shkatërruar shëndetësinë dhe, mbi të gjitha, i ka vënë kazmën mundësive të rinisë për të ndërtuar jetën e saj këtu në Shqipëri.
Kjo kryengritje demokratike ka një qëllim: ta çlirojë Shqipërinë nga qeverisja e lidhur me krimin, ta çlirojë ekonominë nga oligarkët dhe korrupsioni galopant, përmes kthimit të lirisë numër 1, pa të cilën nuk mund të ketë as liri, as mundësi të tjera: Pa lirinë e votës nuk ka asnjë liri tjetër, nuk ka mundësi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka Europë.
Kushdo që thotë të kundërtën gënjen, pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë, gënjen. Dhe shqiptarët janë të zgjuar, nuk i pranojnë, as nuk i hanë gënjeshtrat. Ka 6 vite që na mbyllet dera e Europës dhe ne e dimë të gjithë se pse. Sepse në vend që ta luftojë krimin, qeveria lidhet me krimin. lidhet me krimin që të mbajë pushtetin edhe kur populli do që ta largojë me votë. Lidhet me krimin dhe oligarkët që të kapë ekonominë dhe të pasurohet në kurriz të njerëzve të ndershëm, madje modelin e krimit e ka sjellë edhe në universitete.
Të gjithë e mbani mend se si Emiljano Shullazi, një nga kokat e krimit të organizuar u fut për të ndikuar garën në Universitetin e Tiranës apo jo?! Atë që nuk e arriti dot Emiljano Shullazi e bëri Edi Ramën me mashën e tij në Ministrinë e Arsimit. S’ka rëndësi emri, se janë anonim të gjithë, janë mashat e Edi Ramës. Por ti ke të drejtë, ministri i vërtetë i Arsimit është Emiljano Shullazi. Atë nisi në fillim për të larguar Mynyr Konin nga gara, nuk i eci, pastaj e bëri me këtë mashën tjetër. Ja pra, ku e kemi shembullin e Edi Ramës. Këtë shembull ka ai për rininë. Je trafikant? Nuk të fut në burg, jo, bëhesh biznesmen, bëhesh edhe deputet, edhe kryetar bashkie. Je shkencëtar, je mirë me notat, je i zgjuar, ke talent? Ik në emigracion, se këtu nuk ke vend. E di pse nuk ke vend këtu? Sepse përbën kërcënim, përbën kërcënim për një njëri të paaftë si kryeministri dhe gjithë shpura e tij.
Dështakët kanë frikë nga suksesi dhe nga të suksesshmit. Nuk është rastësi që Edi Rama e ka rrethuar veten me kriminelë, me të pashkollë, milionerë me katër klasë. Vetëm në Shqipëri bën vaki. Për një arsye të thjeshtë, sepse ka frikë nga të shkolluarit, ka frikë nga të aftit, ka frikë nga talentet Prandaj ka shkatërruar edhe sistemin arsimor. I shërben injoranca. Një njeriu të paaftë, të dështuar, që 6 vite nuk vendosi një tullë në ekonominë, në demokracinë e në shtetin ligjor shqiptar, por shkatërroi shumë investime 29 vjeçarë, një njeriu të tillë i bëjnë hije të rinjtë e kualifikuar, të rinjtë e arsimuar.
Si është më lehtë ta sundosh dhe ta shtypësh një popull, kur është injorant apo kur është i arsimuar? E pra, pyetja është e qartë, edhe përgjigja e Edi Ramës është e qartë. Investon tek injoranca, investon tek injorantët. Do që ta mbajë rininë injorante dhe të paditur. Por nuk ka për t’ia dalë dot.
Ne kemi një plan për universitetet, të cilën unë pata kënaqësinë ta shpalos në shoqërinë e një personaliteti të shquar europian, ish kryetares së komisionit të arsimit në Parlamentin Europian, znj.Doris Pack dhe mbi 100 pedagogëve ditën e shtunë në Tiranë. Dua ta shpalos edhe sot para jush. Por para se të bëj këtë nuk dua thjesht të dëgjoj pyetjet tuaja, dua të dëgjoj edhe hallet problemet tuaja, ato që ju shqetësojnë. Të dëgjosh është vlerë, të kuptosh është vlerë dhe pa dëgjuar e pa kuptuar nuk mund të marrësh vendimet e duhura.
Ndaj kam ardhur në radhë të parë t’ju dëgjoj, t’ju them se i kuptoj këto halle, e ndjej shqetësimin tuaj, e ndjej ankthin tuaj. Në qoftë se jeni studentë, ankthin tuaj se çfarë do të bëni, ku do të shkoni, pasi të bëni studimet. Në qoftë se jeni maturantë, sepse, mesa shoh, paska edhe maturantë këtu, apo gjimnazistë, nëse do të keni mundësi të shkoni për studime të larta dhe çfarë studimesh do të ndiqni dhe çfarë garancie keni për jetën pastaj, në qoftë se jeni pedagogë po kështu. Pra, së pari dua t’ju dëgjoj.
Megjithatë edhe një gjë të fundit para se t’ju jap mikrofonin. Sot me të vërtetë jemi këtu në praninë e të rinjve të Pogradecit, jo vetëm të rinjve, jemi këtu në praninë e Kryetarit të Bashkisë Edi Kaprit, që ka bërë shumë në kushte shumë të vështira për rininë. Jemi këtu në praninë e një tjetër Kryetari Bashkie që nuk është i Pogradecit, është e një bashkie fqinje, Bledion Nallbatit, i cili është një nga figurat e reja të PD, ka bërë një hap të madh dhe domethënës me mbështetjen e rinisë së Devollit, nga Kryetar i Forumit Rinor të PD është propozuar për kandidat dhe është zgjedhur kryetari më i ri i bashkive në Shqipëri. Jemi në praninë e një tjetër të riu që është vënë në shënjestrën e klikës kriminale që është Ervin Salianji.
Na mungon dikush sot, na mungon, sepse Edi Rama ka vendosur të kthejë burgun politik. Na mungon Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik vetëm e vetëm, sepse qëndroi në kah të qytetarëv,e që po i dhunonte policia. Unë jam krenar për Klevis Balliun, e di që edhe ju jeni krenar për Klevis Balliun. Dhe mesazhi që ju çon është që të qëndrojmë edhe më fort, edhe më të bashkuar në krah të njerëzve, në krah të kauzës tonë për liri dhe demokraci. ta tregojmë veten. Ky është mesazh për të gjithë ju e në veçanti për rininë e Pogradecit, ta tregojmë veten fuqimisht të shtunën më 11 maj në Tiranë.
Tani le ta nisim pa vonesë bashkëbisedimin.
Studente – Unë jam studente në Master Gjuhë Letërsi dhe për momentin po zhvilloj një praktikë punësimi në Bashkinë e Pogradecit. Si gjithë studentët frika ime është ku do të shkojmë ne pasi mbarojmë shkollën? Pasi kemi kolegë që kanë nga 10 vite që kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë mundur të gjejnë një vend pune?
Genti Çela – Jam jurist dhe Koordinator për Qarkun e Korçës të një fondacioni. Kjo e fundit është arsyeja përse mora fjalën. Para tre vitesh një grup të rinj nga Pogradeci dhe në fakt jo rastësisht të gjithë ishin nga PD, kemi ndërmarrë një nisëm për të qenë në mënyrë të vazhdueshme, të përjavshme pranë familjeve në varfëri ekstreme. Çdo javë jemi pranë tyre me ç’të mundemi, vlera materiale, por më e rëndësishmja përpiqemi të qëndrojmë pranë tyre dhe ti kuptojmë shpirtërisht. Ajo çka vërejmë është se gjithmonë e më tepër herë pas herë pas vizitave tona me ta, ata bëhen më të pashpresë, bëhen më të varfër dhe kanë humbur realisht besimin tek çdokush. Pyetja ime për ju është se cila është projekti i PD, i juaji për këtë shtresë? Mbase dikush mund të thotë se kjo është politikë e majtë, por unë e refuzoj dhe them se mund të jetë politikë e drejtë dhe jo e majtë. Sepse politikat e mira janë të drejta dhe jo të majta. Jam kurioz të di programin e PD në një të ardhme në të cilën unë uroj të jetë sa më e afërt për të qeverisur Shqipërinë. Faleminderit!
Romina Gjona: Unë jam studente. Arsyeja përse unë mora fjalën është se doja të dija programin e PD për arsimin e lartë në Shqipëri. Sepse arsimi i lartë në Shqipëri ka degraduar, ka mbaruar.
Indrin Nafsllari: Kam studiuar në Fakultetin e Ekonomisë, dega Menaxhim. Doja të thoja se në qytetin e Pogradecit para disa vitesh ka patur një degë të Universitetit të Korçës për Menaxhim Turizëm, ne kjo degë na ndihmonte shumë. Na ndihmonte shumë për arsyen se Pogradeci është vend turistik, dhe çdo e ardhur në këtë qytet varet nga turizmi. Kjo gjë na ndihmonte ne edhe për të rritur turizmin familjar. Si shumica e fshatrave, kemi fshatin Tushemisht dhe fshatin Lin. E mira është që në këto fshatra, pjesëtarët dhe studentët e këtyre fshatrave të kenë koston ekonominë sa më të ulëta dhe jo të studiojnë nëpër qytete të tjera dhe të bëhen pagesë për universitete të tjera, duke shtuar koston në familje. Ne vijmë nga familje të varfra dhe jo të pasura për të pasur shpenzime luksi.
Lulzim Basha: Tani unë nuk do t’i marr pyetjet me radh,ë siç i shtruan Romina, Genti dhe Indrini, por do të mundohem t’i lidh bashkë’ sepse ka një fill që i lidh të gjitha bashkë. Ta nisim me mënyrën se si ka vepruar ky kryeministër me arsimin e lartë. Çfarë mbani mend ju që ka bërë ky me arsimin e lartë? Ka mbyllur degët nëpër qytete si Pogradeci, Saranda, Peshkopia, Kukësi. Ka rritur tarifat për Bachelor dhe për Master. Më thoni një gjë të mirë që ka bërë, jo vetëm të këqijat? S’ka asgjë të mirë. Asgjë fare.
Çfarë pasojash ka sjellë tek rinia mbyllja e degëve të universiteteve? Çfarë pasojash ka sjellë tek vendi trajtimi i universiteteve publike nga kjo qeveri si një tjetër lopë për t’u mjelë, si një tjetër bastion politik për t’u urdhëruar i pari i qeverisë? Ka sjellë arsimin me cilësinë më të dobët. Ka sjellë largimin masiv të pedagogëve më të mirë, ose drejt sektorit privat, ose jashtë shtetit. Ka sjellë rënien më drastike të numrit të studentëve, plot 45 mijë studentë më pak kanë sot universitetet shqiptare.
E gjitha kjo ndodh në kontekstin e një ekonomie që po falimenton. Si funksionon ekonomia, krijimi i vendeve të reja të punës? Duke shfrytëzuar potencialet e një vendi, çon në rritje ekonomike. Dhe cilat janë këto potenciale në rastin e Shqipërisë? Potenciali më i madh është turizmi. Çfarë shohim ne në rastin e turizmit? Jo vetëm që nuk ka asnjë investim cilësor për rritjen e turizmit, por mbyllja e degëve të Pogradecit dhe të Sarandës tregon që kjo qeveri nuk shpenzon asnjë kacidhe për të trajnuar personelin në fushën e turizmit, në veçanti në fushën e menaxhimit të turizmit. Tani, si do të rritet turizmi kur ne nuk kemi menaxherë të zotë për turizmin?
Nuk mjafton vetëm të ndërtojmë, duhet të kemi njerëz që dinë të shërbejnë. Në turizmin bregdetar, në hotelet e reja që janë ndërtuar në jug të Shqipërisë, turizmi zhvillohet vetëm për tre muaj dhe 90% e personelit sillet nga Tirana. Sepse rinia dhe krahu i lirë i punës vendas janë i patrajnuar.
Pa trajnuar krahun e punës rinia nuk bën dot përpara. Kjo është një e vërtetë, dhjetëra, të mos themi qindra vjeçare. Sot, kur në të gjithë botën është ajo që quhet ekonomia e dijes, trajnimi është jetik. Ose trajnohet rinia, forca punëtore ose vdes ekonomia. Prandaj synimi jonë numër një për të rritur punësimin është trajnimi i forcës punëtore. Si bëhet kjo? Kjo bëhet duke vendosur prioritet të qarta.
Prioriteti numër një është trajnimi i rinisë në ato fusha ekonomike që kanë potencial, ku turizmi është kryesori, ku inxhinieritë mekanike, minerare, elektronike, energjetike të ndërtimit janë kryesoret, ku mjekësia dhe arsimi janë kryesoret. Prandaj ne do të investojmë fuqishëm në këto fusha. Kjo është arsyeja dhe jo thjesht premtim elektoral, kjo është arsyeja përse ne do t’i rihapim të gjithë ato degë të mbyllura, jo me qëllimin për të thënë se kemi universitet, por për të pasur një shkollë të lartë të trajnimit profesional në Pogradec, me pedagogë të kualifikuar, me sistemin gjerman të trajnimit dual, është modeli gjerman që do të përdorim. Që do të thotë se 50% të kohës në auditor, 50% të kohës në praktikë, dhe në fund të procesit, pas tre vjet bachelor apo pas master, do të ketë, për secilin nga ata studentë që plotëson kushtet, një vit praktikë apo stazh, të paguar nga shteti, me një pagë minimale 300 mijë lek të vjetra në muaj për një vit, për t’ju futur në tregun e punës dhe për t’u integruar në tregun e punës. Një vit kohë për të mësuar se si funskionon zanati juaj në praktikë. Çfarë tregojnë statistikat? 70-90% e atyre që kryejnë këto stazhe, pra 7 në 10 persona që bëjnë stazhin e punës minimalisht, deri në 9 në disa degë të veçanta, marrin ofertë pune aty ku kanë bërë stazhin. Kështu funksionon dhe kështu do të funksionojë në momentin që ne do t’i kthejmë sytë nga trajnimi profesional dhe jo do të kthejmë sytë, por do të kthejmë vullnetin politik.
Vullneti politik nuk është fjalë, qeveria flet me buxhet. Sa para ka rezervuar kjo qeveri për trajnimin profesional të rinisë shqiptare? Zero. I ka mbyllur shkollat profesionale. Ne do t’i hapim ato. Dhe për këtë na nevojitet një rritje e madhe e buxhetit të arsimit. Plani ynë për buxhetin e arsimit me pak fjalë është ky. Dyfishim i buxhetit të arsimit, sepse arsimi është prioritet kombëtar. Kur them prioritet kombëtar, që ta kuptoni ndryshimin midis dërdëllitjeve politike dhe çfarë do të thotë, kur Partia Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike shpalli prioritete kombëtare.
- Kur thamë, rrugët janë prioritet kombëtar, ndërtuam 80% të rrugëve në të gjithë vendin, jeni të gjithë dëshmitarë.
- Kur thamë energjia dhe energjitika është prioritet kombëtar, i dhamë fund epokës së gjeneratorëve, i mbani mend gjeneratorët apo jo?
- Kur thamë dixhitalizimi është prioritet kombëtar, bëmë regjistrin e gjendjes civile digjitale, bëmë pasaportat biometrike, bëmë kartat e indetitetit dhe falë këtyre hoqëm vizat për shqiptarët.
- Bëmë regjistrin kombëtar të biznesit, Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKR.
Sot po ju deklaroj se prioriteti kombëtar i qeverisë së ardhshme të Partisë Demokratike do të jetë arsimi dhe në veçanti arsimi i lartë. Dhe kjo do të thotë, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Plot 74 milionë dollarë më shumë, të cilat sot Edi Rama i shpenzon për të rindërtuar zyrat e tij, duke blerë objekte luksi, për të ndryshuar flotën e automjeteve të luksit, ku ulen qeveritarët, për të shkuar me 18 milionë dollarë në vit udhëtimet, hotelet, biletat. Të gjitha këto shpenzime, vjedhje do të marrin fund. 74 milionë dollarë në vit më shumë do të shkojnë për arsimin e lartë.
Si do të shpenzohen?
Gjysma e e këtij fondi do të shkojë drejtpërdrejt për të ndihmuar familjet që duan të çojnë fëmijët në universitet. Do të dedikojmë gjysmën e kësaj shume për të paguar tarifën e çdo studenti dhe çdo studenteje që vjen nga familje me më pak se 640 mijë lek të vjetra në muaj.
Nga statistikat zyrtare 90% e studentëve shqiptarë, 9 në 10 prej tyre, kanë më pak se 640 mijë lek të vjetra në muaj të ardhura. Të gjithë studentët që vijnë nga këto familje do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës, që do të thotë, nuk do të paguajnë asgjë, as për tarifën e Bachelor, as për tarifën e Master në universitetet publike.
Ata që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lek të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës, edhe për ata do të ketë përgjysmim të tarifës, gjysmën tjetër do ta subvencionojë shteti.
Mbetet një shumë prej 32 milionë dollarësh në vit e cila do të ndahet si vijon. 5 milion në vit do të përdoren për familjet që, edhe po t’ua paguash tarifën, prapë se prapë nuk i çojnë dot fëmijët në shkollë, nuk i çojnë dot fëmijët në universitete, nuk kanë para t’u blejnë asgjë. As këpucë, as libra, as ushqimin, as abonenë e autobusit, as biletën interurban, që do të duhet të vijnë, nëse jetojnë në një qytet tjetër, as qeranë. Për rreth 5 mijë studentë buxheti i shtetit do të mundësojë një bursë. Pamundësia ekonomike e familjes nuk do të jetë pengesë për asnjë të ri shqiptar që të shkojë në universitet me planin tonë për arsimin e lartë.
Pjesa tjetër e buxhetit do të përdoret për konviktet dhe për infrastrukturën universitare, auditorët, laboratorët, teknologjinë e informacionit, që t’i japim fund nivelit primitiv ku ndodhet universiteti sot dhe në veçanti për të financuar ato degë që janë prodhuese për ekonominë.
Që turizmi shqiptar të rritet ka nevojë për personel të kualifikuar. Sot gjysma e tyre kanë ardhur, sepse e mësojnë zanatin në Greqi, apo në Itali. Po pse kështu do të vazhdojë turizmi shqiptar? Çoji të rinjtë në kurbet të mësojnë se si të bëjnë pizza dhe prit pastaj që të kthehen e të bëjnë pizza në Shqipëri? Jo kështu nuk mund të vazhdohet.
Ne do të financojmë kapacitete trajnuese për turizmin në vendin tonë.
Që do të thotë, ne do të paguajmë për pedagogët më të mirë dhe do ta bëjmë anglishten gjuhë të detyrueshme në të gjitha degët të cilat kanë potencial zhvillimi, duke nisur me turizmin dhe do të bëjmë të mundur financimin që këtu në Pogradec të trajnohet jo vetëm rinia e Pogradecit dhe të shpalosë potencialin e turizmit në këtë zonë të mrekullueshme, por të vijnë të trajnohen edhe të tjerët. E njëjta gjë edhe me Sarandën. Vetëm me personel të kualifikuar do të mundemi të zhvillojmë degën e turizmit, që është një nga degët më fitimprurëse për ekonomitë e vendeve që promovojnë turizmin. Kriza më e thellë ekonomike e Greqisë u kalua përmes turizmit.
Potencialet tona të turizmit, jo thjesht do të ndalin krizën ekonomike, por do të bëhët të mundur që ky liqen, kjo bukuri natyrore dhe mikpritja e Pogradecit, të kthehet në një bekim ekonomik për çdo familje të Pogradecit drejtpërdrejt dhe indirekt nëpërmjet industrisë së turizmit.
Ky është investimi më i mirë, Gent, për të vrarë dëshpërimin e atyre familjeve. E di përse janë të dëshpëruar? Se nëqoftëse ju ia shuani urinë me një bukë që u çoni apo një pako ushqime, ju nuk ia hiqni dot dëshpërimin se çfarë do të ndodhë nesër. Këtë nuk e mbulon dot ndihma ekonomike. Pa dyshim që duhet të ketë një skemë të ndihmës ekonomike për ata që nuk hyjnë dot në treg, por për fëmijët e tyre ne duhet të sigurojmë punësim, shanse për punësim me paga dinjitoze me kushte dinjitoze. Edhe me një pasuri të tillë përrallore si Liqeni i Pogradecit, dhe zona përreth me agroturizëm, ky vend e ka të mundur jo thjesht të nxjerrë nga mjerimi familjet me ndihmë ekonomike, por të ofrojë shanse për punësim, të kthehet në një pikë emigracioni, por jo ku ikin, por ku vijnë emigrantë për të punuar e për të kërkuar vende pune.
Prandaj përgjigjia jonë ndaj këtyre familjeve është, të kenë shpresë se Shqipëria do të ketë një të ardhme, familjet e tyre do të kenë një të ardhme dhe kjo është më shumë se kurrë sot në dorën tonë, është në duart tuaja, është në dorën e këtij bashkimi të madh që ka nisur që më 16 shkurt e që duhet të vazhdojë derisa të realizojmë stacionin tonë të parë të fitores, largimin e Edi Ramës, një qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Po marr një sektor tjetër që është e ardhmja e ekonomisë, sektori i teknologjisë dhe informacionit. Ajo që do të ndodhë në vitet e ardhshme do të jetë një transformim që do t’u duken filmat fantastiko – shkencor si të prapambetur. Të nxjerrë një nga ju një telefon smart. (Komunikon me një të ri) Ma jep të lutem. Apple, iphone, me të gjitha aplikacionet e mundshme. Kush e mban mend makinën e shkrimit? Makina që vendosje letrën, me kopjativ brenda edhe kur s’kishte kompiuter. Krahasoheni makinën e shkrimit me këtë që kam unë në dorë. Këtu, në këtë telefon, që ma dha një i ri këtu në Pogradec, ka më shumë memorie dhe më shumë shpejtësi proçesimi se e gjithë komanda strategjike e forcave ajrore amerikane në vitet ’60. Shiko çfarë teknologjie ke ti në xhep. Kjo në krahasim me atë që do të vijë pas disa vitesh do të të duket njësoj si ky telefon me makinën e shkrimit.
Jemi në prag të një revolucioni… Ndërpret fjalën dhe i drejtohet një të riu…
Besi një sekondë se është në takim… mund të tregojmë një sekret, që Besi ishte me një ikonë me sytë me zemra. (të qeshura)
Qyteti i dashurisë ky. Nuk e them kot. T’ju them edhe diçka personale se sot kam 15 vjetorin e martesës…. (duartrokitje) Lidhjen me Aurelën e kam pagëzuar këtu ne Pogradec. Tek Hotel Turizmi. Tani, meqënëse të ekzpozova diçka personalem të dhashë edhe diçka personale, dakort? Ok.
Ky revolucion teknologjik do të jetë shumë më i madh se çdo gjë tjetër që kemi parë dhe kemi përjetuar në këto 20 vite.
Nëse trajnojmë rininë shqiptare nëpërmjet teknologjisë së informacionit sot, nesër do të jenë gati për të punuar këtu në Pogradec, për kompani gjermane, austriake, italiane franceze, britanike, amerikane, po për këtë duhet një qeveri që ta quajë këtë një oportunitet, të mos e zërë gjumi kryeministrin për të trajnuar të rinjtë, për ta bërë të mundur këtë. Nuk është rrobaqepësi, por nuk është as mësim violine. Mjafton që të kemi fakultete të përgatitura me profesorë të përgatitur dhe ne do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi kësaj. Nuk është sfidë, është oportunitet i jashtëzakonshëm.
Kjo kërkon një reformë të thellë të sistemit aktual arsimor. Kërkon fonde, kërkon demokratizim, modernizim, kërkon vizion.
Unë jam sot këtu për t’ju thënë që nuk na mungon asnjë prej këtyre. Fondet janë, nuk do të shkojnë më për oligarkët, nuk do të shkojnë më për hajdutët, nuk do të shkojnë më për luksin qeveritar. Do të shkojnë, në rradhë të parë tek prioriteti mbarëkombëtar, që është arsimi i lartë.
Vizioni ynë është i qartë. Universiteti do të menaxhohet me sistem europian jo me sistem sovjetik.
Me demokratizim, me decentralizim, ku do të ketë edhe studentët edhe pedagogët rolin e tyre në menaxhimin e Universitetit më një kusht që do të performojnë. Do të matet performanca. Do të renditen universitetet për cilësinë, jo si Rama, që premtoi renditje të cilësisë 6 vjet më parë dhe nuk e bëri. Dhe, mbi të gjitha, të orientuara nga tregu, nga nevojat e tregur në bashkëpunim me sipërmarrjen shqiptare. Jam këtu për t’ju thënë se kemi vendosmërinë për ta bërë realitet, që ditën e parë që shqiptarët do të na besojnë qeverisjen e vendit.
Natyrisht, në këto kushte mbështetje do të kërkojë edhe sektori publik. Por që studenti të jetë sa më i përgatitur, duhet që arsimi 9 vjeçar dhe arsimi i mesëm të mos jetë në këtë gjendje të mjerueshme që është sot.
Një nga arsyet përse është në këtë gjendje, është sepse nuk ka mësues të përgatitur për shkak të korrupsionit të emërimit me të ashtuquajturin portal, që portali është një mashtrim, është një fasadë, pas së cilës fshihet fakti që Edi Rama i emëron të gjithë nga zyra e vet, mësuesit, mjekët, infermierët, gardianët e burgut, të gjithë pushohen nga puna nga paradhoma e Edi Ramës dhe emërohen në punë nga paradhoma e Edi Ramës, jo në bazë të aftësive të tyre, por në bazë të tekave politike apo të ndërhyrjeve të krimit apo të oligarkëve.
Kësaj ne do t’i japim fund dhe kjo është garancia që t’i Rudina dhe të tjerët si ty që trajnohen, të jenë mësues dhe që dhe që kanë aftësinë dhe pasionin që të jenë mësues, të keni mundësinë që ta bëni këtë me një mision të madh, që rininë universitare, ta përgatisni përmes duarve tuaja, t’i sillni nga shkollat 9-vjeçare, nga shkollat e mesme, nga shkolla e lartë me përgatitjen më të lartë
Një nga kushtet për modernizimin e arsimit dhe mirëpërgatitjes së nxënësve, do të jetë anglishtja gjuhë bazë e detyrueshme për të gjithë fëmijët shqiptarë. Të gjithë fëmijët shqiptarë që do të shkojnë në universitet, do ta kenë anglishten gjuhë pune. Ky është një program kombëtar që do të zhvillohet në çdo shkollë të vendit. Pavarësisht sa larg, në fshatin më të thellë dhe në qytetin më të vogël të vendit, fëmijët shqiptarë do të mësojnë anglishten, do ta kenë gjyhën e dytë pas gjuhës së nënës, do ta kenë gjuhë pune.
Këto janë miqtë e mi zgjidhjet që ne do të vëmë në jetë, do të zbatojmë dhe për këto vullneti politik i munguar do të marrë fund me qeverinë e ardhshme të Partisë Demokratike.
Vizioni që kam, plani që kemi do të marrë jetë vetëm kur ne të kemi mundësinë të zgjedhim një qeveri të qytetarëve, me votë dhe jo të diktuar nga interesat e krimit dhe të oligarkëve. Prandaj beteja e parë që do të fitojmë është beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po nuk e fituam këtë betejë, asnjë betejë tjetër nuk mund të fitojmë.
Është e qartë që me Edi Ramën nuk ka asnjë lloj zhvillimi, asnjë lloj përparimi, asnjë lloj ideje. Miqtë e tij, që vijnë për qokat e fundit para se t’u mbarojë mandati, nuk e shpëtojnë dot nga ky realitet. Është Edi Rama pengesa kryesore për Shqipërinë europiane.
Është Edi Rama pengesa kryesore për hapjen e negociatave. Përse? Sepse është kryeministri i lidhur me krimin, është kryeministër i kapur në vjedhje. Në cilin vend të Europës kapet kryeministri duke vjedhur votat dhe largohet populli? Jo, në Europë, kur kapet qeveria duke vjedhur, ikën qeveria, shkojnë fajtorët në burg, nuk largohet populli emigrant.
Ndaj, lufta e vetme për Europën, beteja e vetme për Europën është beteja që zhvillojmë ne të gjithë së bashku. Dhe shansi i vetëm për Shqipërinë europiane është fitorja e kësaj beteje.
Prandaj ju them se më 11 Maj, të shtunën në Tiranë dhe në javët pas 11 majit do të përcaktohet fati i Shqipërisë për 5, 10, 15 vitet e ardhshme. Prandaj është e rëndësishme të jeni të gjithë bashkë, të gjithë në këmbë, më shumë se në çdo betejë tjetër që kemi zhvilluar këto 12 javë, më të vendosur, më të bashkuar. Më 11 Maj, ditën e shtunë, rinia e Pogradecit në ballë të gjithë qytetarëve të Pogradecit, bashkë me qytetarët e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë.
Mirëse të vini në Tiranë, për Shqipërinë Europiane, për Shqipërinë e ëndrrave tuaja.
Faleminderit për këtë mundësi të jashtëzakonshme.
Mirë u takofshim në Tiranë dhe mirupafshim në bisedën tonë të ardhshme për platformën tonë, për vizionin tonë për Shqipërinë europiane.
Falemnderit!