• “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa” është mesazhi, misioni, aspirata që i ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim të pashembullt, për të mos pranuar asgjë më pak se vlerat, standardet dhe parimet e Evropës.

 

  • Zëri juaj po dëgjohet. Nuk ka dhe nuk do ketë asnjë fund tjetër për këtë betejë, përveç largimit të qeverisë së krimit. Mjerë ai që nuk ka veshë e nuk dëgjon. Zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë.

 

  • Vetëm për pushtetin dhe pasurimin e tij, Edi Rama do që ta çojë vendin drejt një përplasje të pashmangshme civile, të grabisë të gjitha pushtetet, të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipëri.

 

  • Mirënjohje për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar t’i jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën e t’i hapë rrugë zgjidhjes politike.

 

  • Zgjidhja politike kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit, pengmarrësit të demokracisë, përdhunuesit të zgjedhjeve. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare.

 

  • Në këtë betëjë ne nuk u futëm për të marrë pushtet. Ne u futëm në këtë betejë duke dorëzuar mandatet, duke u rreshtuar në krahun e popullit dhe fitorja do t’i takojë çdo shqiptari.

 

  • As nuk duam, as nuk kërkojmë, as nuk do të pranojmë kurrë pushtet në tavolinë me Edi Ramën. Ne jemi të gjithë bashkë. Nuk na përçan dot Edi Rama dhe krimi. Fundi i tiranisë po afron. Asnjë hap pas!

 

  • Prania në këtë shesh të tejmbushur, protestat e tejzgjatura, qëndresa në shi e në diell janë paralajmërimi se ne nuk lodhemi, ne nuk tërhiqemi, ne nuk dorëzohemi. Demokracinë nuk e japim.

 

  • Rruga e Shqipërisë kalon vetëm përmes standardeve dhe zgjidhjeve europiane. Ato diktojnë largimin e shkaktarit të kësaj krize si hapi, që çel dialogun për të mundësuar “Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

  • Ky mesazh, ështe mesazhi i popullit europian të Shqipërisë. Ky mesazh është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie! Kurrë nuk kemi qenë më të fortë! Kurrë më të vendosur!

 

  • Le të jetë kjo mbrëmje preludi fatlum i zgjidhjes së kësaj krize përmes diktatit të normave dhe parimeve të Europës. Pa asnjë kompromis për parimet dhe normat euroatlantike, europiane, gjermane, amerikane e britanike.

 

  • T’i lutemi Zotit se arsyeja e njerëzve të arsyeshëm, edhe në kampin kundërshtar, do t’i mbivendoset verbimit të syve të atij që është kapur peng nga krimi dhe sundon me krimin në sofrën e qeverisë.

 

  • Çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor popullin perëndimor të Shqipërisë, çdo ëndërr për të imponuar me krimin zgjedhje moniste, do të marrë përgjigjen e merituar.

 

  • Betejën e nisëm për Shqipërinë si gjithë Europa. Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

  • Ne nuk do të pranojmë kurrë më paligjshmërinë e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e faktuara ilegjitime. Nuk do të pranojmë më zgjedhje kriminale antikushtetuese të kryeministrit të kapur në krim.

 

  • Ne jemi gati që, së bashku, me të gjithë faktorët e përgjegjshëm politikë të vendit të hapim rrugën e zgjidhjes politike, duke bërë të mundur largimin e shkaktarit dhe të pengmarrësit të demokracisë shqiptare.

 

  • Orët dhe ditët në vijim qofshin ditë të reflektimit të thellë për ata që u shkon në mendje se me 30 qershor do t’ua shtrëngojnë litarin në qafë shqiptarëve dhe do ta mbysin demokracinë shqiptare.

 

  • Ne jemi gati të çojmë këtë betejë deri në fund. Kush mendon se me dhunën e krimit dhe paligjshmërisë do ta thyejë vendosmërinë popullore, gabohet rëndë! E pret vetëm përmbysja popullore.

 

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË PROTESTËN KOMBËTARE TEK KRYEMINISTRIA

 

 

 

Mirëmbrëma vëllezër dhe motra!

Zonja dhe zotërinj!

Të rinj e të reja!

Bashkëqytetarët e mi nga Tirana dhe nga mbarë Shqipëria!

 

Mirë se keni ardhur në këtë miting madhështor e të paprecedentë, në këtë bashkim historik zemrash dhe mendjesh, në këtë garanci kombëtare për fitoren e betejës sonë për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Këtë shesh e ka pushtuar, si asnjëherë tjetër, oqeani i pandalshëm i sovranit. Janë bashkuar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj në zërin tuaj, unë dhe Shqipëria, Europa dhe gjithë bota shohim dhe dëgjojmë shpresën e  një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur më kurrë.

 

Është mbushur ky shesh me kurajo, është mbushur me vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Ky është mesazhi, ky është misioni, kjo është aspirata që i ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim të pashembullt, për herë të gjashtë në këtë shesh, dhjetëra herë në këto 3 muaj, zgjimin kombëtar të kësaj kryengritjeje madhështore demokratike, për të mos pranuar asgjë më pak se vlerat e Evropës, standardet e Evropës, parimet e Evropës, për ne, për fëmijët tanë.

 

Nuk ka në Evropë kryeministër që kapet duke vjedhur zgjedhjet e mos të shporret një orë e më parë e të çohet para drejtësisë.

Nuk ka në Evropë politikan që ta mbushë partinë e tij, grupin e tij parlamentar me 19 përdhunues, vrasës e trafikantë të vajzave e të grave shqiptare, me trafikantë droge e të mos shporret e të shkojë para drejtësisë.

 

Standardet e Evropës, vlerat e Evropës, normat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi Ramës e të bandës së tij të grupimeve kriminale. Në këto 6 vite e gjysëm, vetëm krim, korrupsion, hajdutëri, babëzi dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë.

 

Ndaj sot e derisa të bëhet realitet, e shumë shpejt do të bëhet, ka vetëm një mesazh nga populli: Rama ik.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Ky është mesazhi i sovranit, tash 3 muaj qëndresë, pjesëmarrje, bashkim, ky është mesazhi i sovranit, ky është mesazhi i qytetarëve të bashkuar, përtej dallimeve partiake, përtej dallimeve krahinore, të gjithë bashkë, për të larguar shkaktarin e krizës më të thellë, kolapsit të demokracisë shqiptare, njeriut që për pushtetin e tij futi krimin në parlament, njeriu që për pushtetin e tij shkatërroi, asgjësoi Gjykaten Kushtetuese dhe të Lartë, kapi prokurorinë, paralizoi shëndetësinë, njeriu që e ktheu Shqipërinë në bazë të krimit te organizuar. Rama ik.

 

Njeriu që vodhi taksat e popullit më të varfër dhe ia dha ato nje grushti oligarkësh grabitqarë, një grushti kriminelësh, me koncesione, tendera e prokurime, duke u hequr bukën e gojës fëmijëve tanë, vogëlushëve të shqiptarëve, duke i shpunësuar me qindra-mijëra, duke i përzënë nga shtëpitë e tyre edhe me dhunë, edhe me gjoba, edhe me çmime të larta të naftës e të energjisë, edhe me gaz lotsjellës, si një kriminel, xhelat i vërtetë ndaj popullit të vet. Rama ik.

 

Ky mesazh buron kudo nga goja, nga kraharorët e shqiptarëve ngrihen në terr si lantanët që keni sot me vete. Ky mesazh eshte mesazhi i çlirimit të qeverisë nga krimi, është mesazhi i çlirimit të ekonomisë nga oligarkët, është mesazhi i shkëputjes së Shqipërisë nga kthetrat e nje grushti horrash dhe zuzarësh që kanë marrë peng Shqipërinë tonë, vendin tonë, vogëlushët tanë, dinjitetin tonë, të ardhmen tonë. Rama ik.

 

Më lejoni në emrin e te gjithëve këtu, në një moment tani, në një moment të bekuar, teksa vjen momenti i thyerjes së agjërimit për vëllezërit dhe motrat tanë në agjërim, t’u urojmë nga zemra “Zoti jua shpërbleftë sakrificën”! Vëllezer e motra agjërues në këtë protestë e anembanë Shqiperisë kudo që jeni, Zoti e shndërroftë këtë bekim hynor për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë sakrificën tuaj, dhe t’ju ftoj të falemi e të lutemi bashkë me ta për 1 minutë, teksa thyejnë agjërimin në një akt hynor të sakrificës dhe të bindjes ndaj të madhit Zot, si autoriteti suprem mbi të gjitha qeniet e tjera mbi tokë.

 

Zoti e bekofte Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Dritë e bekim u bëftë sakrifica e agjëruesve dhe besimtareve te Zotit, të krishterë e myslimanë anembanë Shqiperisë dhe gjithë botës.

 

Vëllezer dhe motra!

 

Zëri juaj kumboi fort në këto 3 muaj, të bashkuar si asnjëherë më parë, ai mundi propagandën e shëmtuar të Edi Ramës, çori perden makabre të propagandës, ndali përpjekjen tinzare dhe mafioze për t’ia fshehur realitetin e Shqipërisë syve të Europës, syve të botës. Vetëm falë jush, bashkimit tuaj, qendresës suaj, pjesëmarrjes tuaj, kjo u bë e mundur dhe sot jemi bashkë më të vendosur se kurrë, por, për herë të parë, që nga nisja e kësaj beteje me më shumë shpresë dhe besim se zëri juaj u dëgjua, se zëri juaj po dëgjohet, se nuk ka dhe nuk do ketë asnjë fund tjetër për këtë betejë, përveç largimit të qeverisë së krimit. Rama ik!

 

Mjerë ai që nuk ka veshë e nuk dëgjon.

 

E dëgjoi gjithë Shqipëria, e dëgjoi gjithë bota. Zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk do të ketë. Rama ik!

 

Në një javë Evropa tregoi standardin e saj të vërtetë në dy vende fisnike e demokratike. Nga Londra e Tereza May tek Vjena e Sebastian Kurz, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen menjëherë dhe i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Ky është standardi i politikës evropiane. Këto janë parimet dhe vlerat me të cilat ndërtojnë shoqëritë e tyre të drejta, ku zot është qytetari dhe shërbëtor politikani.

 

Sot, në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër ndihen politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin, një grusht horrash dhe zuzarësh, që kanë marrë për fyti partinë e tyre, një grup njerëzish, që u janë vërsulur pasurive tuaja, një grup njerëzish që i ka verbuar pushteti. Ata ndihen zotër dhe e shohin të gjithë popullin si shërbëtor.

 

Edi Rama nuk mendoi asnjë çast për ju, ai sakrifikoi gjithçka tuajën, rrogat, pensionet, shëndetësinë, arsimin e vogëlushëve tuaj. Ai sakrifikoi demokracinë, shkatërroi institucionet, vodhi zgjedhjet për një dhe një qëllim, pushtetin e tij, pasurimin e tij dhe të një grushti njerëzish.

 

Për këtë arsye do që ta çojë vendin drejt një përplasje të pashmangshme civile, do që të diktojë më 30 qershor kapjen përfundimtare të të gjitha pushteteve, duke çuar, për herë të parë në 29 vite, pa kandidatë realë përballë, pa opozitën përballë, të njëjtët trafikantë droge si Artur Bushi, të njëjtët banditë si Tërmet Peçi, figura të krimit apo shërbëtorë të krimit, që, nëse drejtësia do të punonte, nëse drejtësia nuk do të ishte e kapur, do t’i hetonte, do t’i çonte para gjykatës, do t’i dënonte për shitblerjen e votave, në dosjen 184 të Dibrës, ku Pjerin Ndreu, Dionis Imeraj, Valbona Sako janë drejtpërdrejt të përfshirë, janë drejtpërdrejt pjesëmarrës në skemën e shitblerjes së votave, siç është Agron Malaj në Burrel, siç është Arbana i Shijakut, pjesëtar i bandës së Avdylajve. Ja pra, për pushtetin e tij, për pasurinë  e tij, jo vetëm që i ka mbrojtur hajdutët e kriminelët, por do që me 30 qershor t’i gradojë, bashkë me bashkëpunëtorët e tyre, me Damian Gjiknurin, me Taulant Ballën me shokë, dhe përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipëri.

 

Kjo është alternativa e Edi Ramës. Dhe para kësaj, më fton mua, na fton ne të kapitullojmë. Jepjani përgjigjen: (protestuesit thërrasin Rama ik). Ta dëgjojë në Surrel (protestuesit thërrasin edhe më fort Rama ik). Ta dëgjojë në çdo bunker ku futet, jepjani përgjigjen: (protestuesit vijojnë thirrjen Rama ik).

 

Mirënjohjen më të thellë kam sot për kurajon tuaj që zgjoi dhe vetëdijësoi botën demokratike, se ne jemi Populli i Evropës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu, besojmë tek liria, besojmë tek demokracia, besojmë tek Zoti i Plotfuqishëm. Ndaj kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, sot bëhet për Evropën.  Ndaj në orën vendimtare kur qytetarët e Evropës i drejtohen kutive të votimit, le t’i shtrijnë sytë në këtë shesh, le të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores.

 

Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë, për të gjithë miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar t’i jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet t’i thërrasë mendjes dhe të zbatojë e të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para popullit, që ka para kushtetutës e para ligjit e t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh dhe kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit, pengmarrësit të demokracisë, njeriut që shkatërroi ndarjen dhe balancimin e pushteteve, përdhunuesit të zgjedhjeve.

 

Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare.

 

Ja ku është bashkimi ynë, ja ku është mesazhi ynë: Rama ik!

 

Gati jemi, sepse në këtë betëjë ne nuk u futëm për të marrë pushtet. Opozita e bashkuar, si asnjëherë më parë dhe e bashkuar do të jetë, drejt fitores, drejt transformimit të vendit, për t’i dhënë fund tranzicionit, për të hapur kapitullin e demokracisë së vërtetë europiane.

 

Ne jemi të vendosur dhe të gatshëm t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve. Prandaj u futëm në këtë betejë, duke dorëzuar gjithçka, duke dorëzuar mandatet tona, duke u rreshtuar në krahun e popullit, sepse kjo është një betejë e gjithë popullit. Fitorja do t’i takojë çdo shqiptari.

 

Ndaj, as nuk duam dhe as nuk kërkojmë, as kurrë nuk do të pranojmë pushtet në tavolinë me Edi Ramën. Ne jemi të gjithë bashkë, nga i pari tek i fundit, nga partia më e madhe deri tek zemra më e fundit e qytetarit që vjen e bashkohet në këtë betejë.

 

Nuk na përçan dot Edi Rama dhe krimi. Fundi i tiranisë po afron.

 

Por ne jemi, po kështu, të vendosur, për ta bërë këtë fund të pakthyeshëm, njësoj si lantanët drejt qiellit për të përcjellë kudo kumtin: Rama ik. Dhe bashkë me Ramën, do të përcjellim njëherë e përgjithmonë mundësinë që tirania t’i mbivendoset sovranit, që një tiran tjetër apo një grup tjetër horrash dhe kriminelësh të zaptojnë pushtetin.

 

Ndaj, vëllezër dhe motra, dialogu kombëtar që do të përfshijë gjithësecilin prej jush, duhet dhe do t’i japë fund, jo vetëm kësaj krize, por edhe tranzicionit të tejzgjatur. Propozimet tona do të diskutohen dhe do të debatohen kudo nëpër Shqipëri.

o   Një parlament të fortë që buron nga vota juaj, që merret peng vetëm nga ju dhe nga vota juaj, që kontrollon qeverisjen me një apo dy dhoma dhe me deputetë të zgjedhur drejtëpërdrejtë apo me propocional me lista të hapura.

o   Një president me kompetenca të plota kushtetuese.

o   Ndarje dhe balancim të pushteteve.

o   Drejtësi të vërtetë, drejtësi të pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin.

o   Referendumin popullor, si e drejtë e patjetërsueshme për të vendosur ju dhe askush tjetër, në nivel kombëtar dhe në nivel vendor, për çështje që ju takojnë për shëndetin, të lirisë, të sigurisë, të vetes tuaj.

o   Financimi i partive politike, transparenca dhe organizimi i tyre, për të dekriminalizuar njëherë e mirë politikën, për të bërë të mundur që kurrë më as partitë dhe as zgjedhjet të mos jenë preja e rradhës së krimit të organizuar dhe oligarkisë së babëzitur.

o   Dhe një paketë masash për t’i dhënë fund sundimit të krimit në Shqipëri, për ta çuar atë aty ku e ka vendin, bashkë me politikanët që vodhën zgjedhjet.

Këto vendime, duhet t’i marrim bashkë, siç i merr bashkë çdo popull i qytetëruar dhe europian.

 

Vëllezër e motra!

 

Unë e ndjej shpresën e re që ka lindur në zemrat tuaja dhe anembanë Shqipërisë. Unë e di dhe ju e dini se vullneti dhe zëri juaj është dëgjuar, ndaj po ndizen këta lantanë, jo vetëm me flakë, por me zjarrin e shpresës në zemrën tuaj që ngrihet lart e më lart, drejt shpirtit të një kombi të tërë, të vendosur për të mos lejuar më kurrë tiraninë e krimit.

 

Asnjë hap pas!

Rama ik!

 

Por beteja nuk ka mbaruar dhe ne jemi të vendosur dhe të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë për të mos lejuar atë orë ogurzezë, kur monizmi kriminal shtriu kthetrat mbi gjithë vendin tonë dhe institucionet tona.

 

Prania jonë sonte në këtë shesh të tejmbushur, protestat e tejzgjatura, qëndresa në shi e në diell janë paralajmërimi se:

 

Ne nuk lodhemi

Ne nuk tërhiqemi.

Ne nuk dorëzohemi.

 

Rama ik!

 

Se demokracinë nuk e japim,

Se të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë.

Se beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Dhe beteja me të keqen, është mënyra më e sigurtë për fisnikërimin e shoqërisë dhe kombit tonë. Rama ik!

 

Tani e shoh se mijëra mesazhe po i dërgoni në ajër, shumë më shpejt seç kishin paramenduar organizatorët. Le të jetë kjo shprehje e një padurimi fisnik, për ta shporrur të keqen një orë e më parë dhe për t’i hapur vend të mirës, drejtësisë, zgjedhjeve të lira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Rama ik!

 

Vëllezër dhe motra! Ditët e ardhshme, javët e ardhshme, do të jenë vendimtare, përcaktuese për secilin prej jush, përcaktuese për fatin e Shqipërisë sonë, përcaktuese për 10 apo 15 vitet e ardhshme, për vogëlushët e këtij vendi, për fëmijët e këtij vendi, për lirinë e këtij vendi. Ndaj, duke ju shprehur mirënjohjen time më të thellë për qëndresën tuaj, që është bekim hyjnor për demokracinë dhe për çdo shqiptar, ju kërkoj të vazhdojmë të jemi të gatshëm ne çdo minutë, në çdo ditë, në çdo orë.

Në ditët dhe javët e ardhshme për të qëndruar te gatshëm, të vetedijshëm dhe shpresëplotë qe zëri juaj është dëgjuar.

 

Mirënjohes per partnerët tane ndërkombëtare që e dine se rruga e Shqipërisë kalon vetëm përmes normave, parimeve, standardeve dhe zgjidhjeve europiane.

 

Zgjidhjet europiane diktojnë largimin e shkaktarit të kësaj krize si hapi, i cili hap dialogun dhe dhe i mundëson këtij vendi të përqafojë ëndrrën e tij shekullore “Për Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

Ky mesazh, ështe mesazhi i popullit europian të Shqipërisë.

Ky mesazh është shansi për zgjidhjen politike të krizës.

Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie!

 

Kurrë nuk kemi qenë më të fortë!

 

Kurrë më të vendosur!

 

Liri a vdekje! Demokraci a vdekje!

 

Le të jetë kjo mbrëmje preludi fatlum i zgjidhjes së kësaj krize përmes diktatit të normave dhe parimeve të Europës. Pa asnjë kompromis për parimet dhe normat euroatlantike, europiane, gjermane, amerikane e britanike.

 

Le të jetë preludi i zgjidhjes së kësaj krize politike, për t’i hapur rrugë “Shqipërisë si gjithë Europa” dhe t’i lutemi Zotit se arsyeja e njerëzve të arsyeshëm, edhe në kampin kundërshtar, do t’i mbivendoset verbimit të syve të atij që është kapur peng nga krimi në sofrën e qeverisë dhe sundon me krimin në sofrën e qeverisë.

 

Por le t’i themi, po kështu, se ora po troket tik-tak, tik-tak dhe se çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor popullin perëndimor të Shqipërisë, çdo ëndërr për të imponuar me krimin zgjedhje moniste, çdo urim për të mos marrë përgjegjësitë dhe për të mos u larguar një orë e më pare për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike, do të marrë përgjigjen e merituar nga ky shesh, nga të gjitha sheshet e Shqipërisë, nga qytetet dhe fshatrat tona.

 

Teksa lëshoni këto mesazhe dhe mbushni qiellin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, ju ftoj tani të më ndiqni me dritat e celularëve ndezur të gjithë, në nje marshim me një mesazh, pa ndërprerje, të gjithë me dritat e celularëve, dritën e shpresës për Shqipërinë europiane ndizni dritat, mposhteni errësirrën.

 

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Është madhështore kjo pamje, është madhështor mesazhi i këtij populli: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Protestuesit: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Asnjë hap pas. Më ndiqni në marshim me dritat ndezur drejt Kuvendit që së shpejti do të çlirohet dhe do t’ia kthejmë popullit sovran.

 

Zoti ju bekoftë ju!

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

 

FJALA E KRYETARIT TË OPOZITËS, LULZIM BASHA, PARA SELISË SË PATISË DEMOKRATKIKE

 

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj

 

Me këtë thirrje e kemi nisur qëndresën tonë dhe bashkimin tonë më 16 shkurt, i cili ka kulmuar sot me pjesëmarrjen më masive popullore në këto 29  vite. Mesazhi më i qartë i shpresës që ka lindur e që nuk do të fiket derisa beteja me të keqen të fitohet plotësisht.

 

Zoti ju bekoftë ju!

 

Çdo ditë e më shumë protestat tona bëhen më të mëdha. Çdo ditë e më shumë bashkimi i shqiptarëve bëhet më i vendosur. Mesazhi i sotëm është mesazhi i qartë dhe i prerë, ndaj miqve, aleatëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, se ne jemi populli i Europës dhe nuk do të pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një qeverie banditësh dhe kriminelësh të cilët kanë marrë peng vendin, kanë shkatërruar sistemin e garancive kushtetuese, kanë kapur drejtësinë, kanë asgjesuar garancitë themelore për të drejtat e njeriut dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Europës.

 

Ne sot i japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Europa. Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për t’i dhënë fund parlamentit të krimit, për të rikthyer sovranitetin tek qytetarët, e vetmja rrugë për të hapur  dyert e mbyllura të Europës.

 

Ky bashkim i jashtëzakonshëm ka forcën, vendosmërinë për ta çuar këtë betejë deri në fund.

 

Ne nuk do të pranojmë kurrë më dhunën e krimit të organizuar në kutitë e votimit, në kutitë e plaçkitjes së shqiptarëve.

 

Ne nuk do të pranojmë kurrë më paligjshmërinë e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e faktuara ilegjitime, votime të manipuluara nga krimi dhe, natyrisht, nuk do të pranojmë më zgjedhje antikushettuese, kriminale të kësaj qeverie ilegjitime dhe të këtij kryeministrit të kapur në krim.

 

Ne jemi gati që, së bashku, me të gjithë faktorët e përgjegjshëm politikë të vendit të hapim rrugën e zgjidhjes politike, duke bërë të mundur, së pari, largimin e shkaktarit dhe të pengmarrësit të demokracisë shqiptare, të shtetit të së drejtës, të drejtësisë, të ardhmes sonë europiane dhe, përmes një qeverie tranzitore, garantimin e ndarjes dhe funksionimit të pushteteve, hapjes rrugë të reformës kushtetuese, zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe një qeverie të dalë nga vota e popullit, për popullin dhe e popullit.

 

Kjo është beteja jonë.

 

Ky kushtrim është dëgjuar dhe është mbështetur nga miqtë tanë strategjikë. Tani jemi të gjithë bashkë dhe ai është i vetëm i pashans përballë bashkimit tonë popullor, kombëtar dhe europian.

 

Ndaj, orët dhe ditët në vijim, qofshin ditë të reflektimit të thellë për ata që mendojnë se mund ta marrin peng këtë popull, për ata që mendojnë se mund të vazhdojnë të mbajnë peng  qeverisjen e këtij vendi me banditë e kryebanditë, për ata që u shkon në mendje se me 30 qershor do t’ua shtrëngojnë kularin në qafë shqiptarëve dhe do ta mbysin demokracinë shqiptare.

 

Kjo nuk për të ndodhur. Forca jonë është bashkimi, forca jonë është demokracia, foca jonë është qendresa, forca jonë është përballja  dhe përballje do të ketë deri në fitoren e kësaj beteje.

 

Por sot, në këtë mbrëmje të mbushur me shpresë, të mbushur me optimizëm, të mbushur me mesazhet pozitive të shkrirë në një të vullneteve tuaja, të vullnetit të gjithsecilit prej jush, të vullnetit të përgjithshëm të popullit shqiptar për liri dhe demokraci, vetë vullneti i Europës dhe miqve tanë euroatlantikë  për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura e krimit, le të ndalemi me një mesazh të qartë dhe të prerë shprese dhe vendosmërie se ne jemi gati të çojmë këtë betejë deri në fund, por, po kështu,  paralajmërimi se kush mendon se me dhunën e krimit dhe paligjshmërisë, do ta thyejë këtë vendosmëri popullore, gabohet rëndë dhe e pret vetëm përmbysja popullore.

Shkaktari do të largohet. Vetëm kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike.

 

Tani këtë nuk e di vetëm unë, nuk e dini vetëm ju, nuk e dinë vetëm gjithë shqiptarët, demokratë e socialist, tani këtë e di dhe Europa, e di gjithë bota.

 

Rama ik! Hapi rrugë zgjidhjes politike!

 

Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombet që nuk e pranojnë të keqen. Beteja jonë po shkon drejt konkluzionit, që ju premtova që ditën e parë, se do të ishte as stacioni ynë përfundimtar, kur ndërmorëm sakrificën e djegies së mandateve. Beteja jonë po shkon drejt çlirimit të Shqipërisë nga krimi, banditëria dhe hajnia. Beteja jonë po shkon drejt horizontit tonë, horizontit europian, për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Por, teksa zëri ynë u dëgjua dhe bota hapi sytë, kuptoi se peshorja e të vërtetës dhe e të drejtës është me shumicën dërmuese të shqiptarëve dhe jo me një grusht kriminelësh, të cilët u mbajtën në pushtet sa me ndihmën e kriminelëve të tjerë me katër klasë shkollë, aq edhe me lobistët e fëlliqur faqekuq, paguar me miliona euro, të grabitura popullit shqiptar, teksa e vërteta dhe e drejta, si dhe peshorja europiane e botërore të kësaj, e peshon rëndë dhe bindshëm sakrificën dhe bashkimin tonë, kërkesa ime është; të qëndrojmë në këmbë dhe gati për ta çuar misionin tonë deri në fund.