• Bashkimi me ne i 110 të rinjve në Elbasan është mesazhi më i qartë se shqiptarët kanë tejkaluar ndasitë partiake dhe janë të vendosur për fitoren e kauzës për Shqipërinë si Europa.

 

  • Çdo ditë që kalon e bën më të madh bashkimin dhe bindjen tonë se nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës dhe bandës që ka marrë peng vendin.

 

  • Korrupsioni i Edi Ramës ka dimensione çnjerëzore. U ka grabitur shqiptarëve qindra milionë euro nëpërmjet kontratave të shpallura sekret shtetëror.

 

  • Shteti bandit i Edi Ramës ka asgjësuar drejtësinë që të mos japë llogari, ka kapur mediat dhe ekonominë, por ka popullin kundër me mesazhin Rama ik.

 

  • Të gjithë e dinë se Edi Rama erdhi në pushtet me krimin dhe se ky është një pushtet ilegjitim. Në Elbasan të gjithë e dinë se krimi diktoi mandatet e deputetëve.

 

  • Zotimi im si kryetar i PD dhe i opozitës së bashkuar është se nuk do të ketë pazar me të keqen, se beteja për Shqipërinë si e gjithë Evropa do të shkojë deri në fund, deri në fitore.

 

  • Njësoj si minjtë e zënë në çark, Edi Rama dhe banda e tij kanë nisur të lëvrijnë nër anijen që po mbytet, duke përhapur thashetheme për qeveri të përbashkët Basha-Rama.

 

  • Në këtë betejë nuk jemi për të marrë pushtet në tavolinë. Pushteti në tavolinë, është pushteti i krimit dhe i oligarkisë, jo i qytetarëve. Po e them qartë dhe prerë:  Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë.

 

  • Jemi investuar që kriza të zgjidhet vetëm në interes të qytetarëve. Dhënie fund e qeverisë ilegjitime, largim i Edi Ramës qeveri tranzitore për zgjedhje të lira e të ndershme, dialog kombëtar për reformim të sistemit.

 

  • Miqve perëndimore u kemi komunikuar gatishmërinë tonë për të qënë pjesë e zgjidhjes politike që ndjek vetëm një rrugë: rrugën e parimeve, standardeve dhe normave europiane.

 

  • Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak se standartet, parimet dhe normat europiane. Vetëm kështu parandalojmë kalimin nga kriza në krizë. Nuk ka rrugë tjetër

 

  • Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. Shqipëria ka nevojë, që këtë betejë ta çojmë para deri në fund. Përmes pjesëmarrjes në protestën madhështore të 2 Qershorit, ta bëjmë edhe më të madh bashkimin tonë.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PATISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN E ELBASANIT

 

 

 

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra!

 

Më plot se kurrë, më e bukur se kurrë, më e vendosur se kurrë, më e qartë se kurrë kjo sallë i flet nga Elbasani gjithë Shqipërisë.

 

Mirënjohje për këtë mesazh të vendosur që ushton nga zemra gjeografike e Shqipërisë, ajo që e duam të jetë edhe zemra ekonomike e Shqipërisë, nga Elbasani, që ushton nga qytetarët, nga të rinjtë dhe të rejat, e nisët me një mirënjohje të jashtëzakonshme, ju falënderoj.

 

E nisët me mikpritjen tuaj në Bradashesh, mirënjohje rinisë së Elbasanit, mirënjohje për pritjen madhështore. Ja ku kemi të rinjtë e tjerë këtu në këtë sallë, 110 të tjerë i bashkohen familjes tonë, shtëpisë së lirisë, betejës tonë për liri, për demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Nuk ka mesazh më të qartë se ky, betejës së shqiptarëve për liri sa vijnë e i shtohen radhët. Çdo ditë që kalon e bën më të madh bashkimin tonë, e bën më të thekur bindjen tonë se nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës, pa largimin e bandës që ka marrë peng vendin dhe se, në funksion të kësaj, shqiptarët e bashkuar kanë vendosur gjithçka. Shpirtrat tanë, mendjet tona, vullnetet tona rrahin e punojnë si një vullnet i vetëm.

 

Ne e dimë se nuk ka dhe nuk mund të ketë as liri dhe të drejta njerëzore, as zgjedhje të lira, as çlirim nga oligarkia që ka kapur për fyti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë, as shporrjet e bandës kriminale që sundon këtë qytete kaq gjashtë vite, pa larguar shkaktarin numër një të kësaj krize, përrfituesin dhe arkitektin e aleancës me krimin, njeriun që bën projektin e Shqipërisë hambar droge, njeriun që e varfëroi dhe vodhi financat e shtetit, u vuri shqiptarëve kularin në fyt, rriti çmimet, rriti çmimet e naftës dhe të energjisë, rriti taksat, shpunësoi shqiptarët, fërkon duart tek i sheh se largohen në kurbet. Dhe tani bëhet gati të çimentojë pushtetin e krimit, bëhet gati ta kthejë Shqipërinë ne monizëm, bëhet gati të nxjerrë kamzhikun e diktaturës për t’i ulur kokën shqiptarëve.

 

A do ta pranojmë ne këtë?

Jooooo (salla)

A e pranon Elbasani këtë?

Jooooo (salla)

Natyrisht që jo, nuk e pranon Elbasani dhe as Tirana këtë, as Durrësi, as Korça, as Shkodra, as Vlora. Ndaj të dielën të bashkohemi të gjithë në Tiranë me një mesazh, me një vendosmëri.

 

Ditë për ditë shqiptarët dhe mbarë bota lemeriten me përmasat e korrupsionit dhe hajdutërisë së Edi Ramës. Ne e dimë se korrupsioni nuk është një problem i ri në Shqipëri. Ne e dimë që nuk është as një problem që i takon vetëm një partie politike, por kurrë më parë, aferat korruptive nuk kanë marrë këto dimensione çnjerëzore, shtazarake.

 

E patë lajmin e fundit që u botua nga rrjeti i gazetarëve investigativë, BIRN. 216 kontrata sekrete, qindra milionë euro, paratë që jua marrin ju, ia marrin vogëlushëve të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, ua heqin nga goja e fëmijëve, prindërve e të moshuarve. Para që vidhen dhe shpërdorohen nga listat e barnave që kurrë nuk rimbursohen, nga spitalet që janë në kolaps, paratë që vidhen nga pensionet lëmoshë që nuk mjaftojnë pas faturës së kripur që është lëmoshë, pas faturës së ilaçeve, as për bukë e djathë.

 

Me këto qindra milionë euro që grabit, Edi Rama ushqen një grusht hajdutësh që tani vjedhjen e bëjnë me kontratat sekrete, kontrata që as nuk publikohen më. Kjo bandë hajdutësh sipas të dhënave zyrtare të shtetit shqiptar, ka vjedhur vetëm 4 vitet e fundit 4.6 mld euro, pra, sa gjithë buxheti, sa gjithë shpenzimet e shtetit. Por ndërkohë këto para, këto qindra milionë euro që merren  me taksa dhe tarifa e me çmime të lartë nuk u kthehen kurrë njerëzve.

 

A mbaroi Rruga e Elbasanit? Ja ku jemi, e nisëm ne atë rrugë, e shpuam tunelin, e bëmë siç thamë Elbasanin dhe Tiranën, një metropol. Ka avancuar rruga?! Asnjë metër.

Ka investime në Elbasan?

Qytetarët: Jooooo

Ka rritje rrogash?

Qytetarët: Jooooo

Rritje pensionesh?

Qytetarët: Jooooo

Ka vende pune?

Qytetarët: Jooooo

Ka shëndetësi falas?

Qytetarët: Jooooo

Legalizime falas?

Qytetarët: Jooooo

A ka shkolla më të mira?

Qytetarët: Jooooo

 

Sigurisht që jo, sepse paratë banda i ka për vete, për luksin e vet, për pushtetin e vet. E lidhi paktin me krimin. Për pushtetin e vet dhe të Qazim Sejdinit i bëri bandat kriminale të Elbasanit, madje u dha krah, i trimëroi, goditën policinë banditët dhe asgjë nuk i gjen. Sepse ky është shteti i Edi Ramës, shteti i bandës, shteti i hajdutëve, shteti i kriminelëve që shkel Kushtetutë e ligj, nga mëngjesi deri në darkë. Që ka asgjësuar drejtësinë që të mos ketë asnjë vend ku të japë llogari. Që ka kapur mediat. Por i ka bërë hesapet pa popullin. I kapi të gjitha. Por sot e ka gjithë popullin kundër me një mesazh, me një mesazh: Rama ik!

 

Sot, i gjithë populli është i bashkuar dhe është i vendosur.

 

Në krye të kësaj beteje është Partia Demokratike e Shqipërisë, partia që lindi me misionin për të shkatërruar diktaturën e përgjakshme, e cila u përdhosi dinjitetin shqiptarëve, i varfëroi deri në palcë  dhe i ktheu ata në qëniet më të përçudnuara në kontinentin evropian. Ne e rrëzuam diktaturën më të përgjakshme komuniste, ne i rikthyem dinjitetin shqiptarëve, ne jemi forca që kurrë s’kemi bërë llogari politike, kurrë s’kemi bërë kalkulime të vogla elektorale, kur ka qenë fjala për interesin kombëtar, kur ka qenë fjala për interesin publik, kur ka qenë fjala për interesin e njerëzve të thjeshtë, kemi braktisur gjithçka dhe jemi rreshtuar në betejë. Në betejë jemi edhe sot.

 

Betejës do t’i prijmë deri në fitoren e saj.

 

Është ngritur bota mbarë dhe e ka dëgjuar apelin e një populli të bashkuar si rrallë ndonjëherë, një bashkim që i tejkalon kufijtë ideologjikë, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Është çuar bota në këmbë dhe ka dëgjuar apelin dhe i thotë: “mos u ngjit pas karriges, hapi rrugë zgjidhjes politike. Largohu”. Është dëgjuar zëri i shqiptarëve në çdo cep të botës perëndimore, dhe tani të gjithë e dinë se beteja jonë është e vetmja betejë për vlerat e Perëndimit, se nuk ka vlera evropiane e nuk ka demokraci evropiane, nuk ka vlera euroatlantike pa zgjedhje të lira, pa votën e lirë, pa ndarjen dhe balancimin e pushteteve, pa garantimin e rendit kushtetues, pa çuar para drejtësisë politikanët e kapur duke vjedhur votat me krimin e organizuar.

 

Të gjithë e dinë se Edi Rama erdhi në pushtet me krimin, këtu në Elbasan të gjithë e dinë se krimi diktoi mandatet e deputetëve në Kuvend, se ata nuk janë deputetë, por janë deputetë të bandave kriminale të Elbasanit, bandave të trafikut të heroinës dhe të kokainës, bandave që dhunojnë, plaçkisin dhe çnderojnë nga mëngjesi deri në darkë qytetin e Elbasanit, shkelin dhe përdhosin mbi dinjitetin e qytetarëve të Elbasanit dhe kudo tjetër në Shqipëri.

 

Të gjithë e dinë se ky është një pushtet ilegjitim, i bazuar tek bashkëpunimi me krimin.

 

Hodhi poshtë kërkesën për hetime, ndërroji e kapi prokurorinë, nuk pranoi ligji për vetingun e politikanëve dhe mendoi se do ta kalonte lumin. Po ne bëmë atë që diktuat ju me bashkimin tuaj me 16 shkurt. Ne u larguam nga parlamenti i krimit, ne nuk jemi më fasadë e këtij parlamenti, ne jemi në krahun tuaj. Dhe ky parlament ka pushuar së ekzistuari për opozitën, për shqiptarët e bashkuar. Çdo akt i tij është ilegjitim, nuk e njohim dhe do ta zhbëjmë. Nuk i njohim aktet e një parlamenti kukull të krimit, që vetëm sa e shtrëngon gjithmonë e më shumë kularin e varfërisë ekonomike e të papunësisë në qafën e shqiptarëve, prej 6 vjetësh plaçkitje të “Rilindjes”, një parlament që bëhet gati të instalojë diktaturën në çdo nivel. Edhe kjo që po bëjnë me Ligjin për Akademinë e Shkencave është instalim i diktaturës. Po bëjnë gati kamzhikun për t’u mbyllur gojën intelektualëve, për t’u mbyllur gojën akademikëve, për t’i mbyllur gojën elitës së vendit.

 

Këtu nga Elbasani i Normales, nga Elbasani i dijes dhe i kulturës, dua t’i siguroj të gjithë intelektualët e ndershëm e dinjitozë shqiptarë se nuk njohim asnjë akt të këtij parlamenti ilegjitim, se kamzhikun me të cilin duan t’ju mbyllin gojën do t’ua marrim nga dora, se kuislingët e krimit që bëhen gati të asgjësojnë liritë tuaja, shumë shpejt do të gjenden para drejtësisë dhe prapa hekurave.

 

Një orë e re ka trokitur për Shqipërinë, një orë e re fatlume, e cila po na bashkon në dimensione dhe në emocione që tash 30 vjet nuk i kemi përjetuar. Tash 30 vjet përparimin tonë drejt Evropës sa herë e ka ndalur e keqja, sa herë e ka ndalur krimi dhe oligarkia.

 

Ndaj, zotimi im si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës së bashkuar, para jush vëllezër dhe motra, dhe përmes jush, para çdo shqiptari të ndershëm, është se nuk do të ketë pazar me të keqen, se beteja për Shqipërinë si e gjithë Evropa do të shkojë deri në fund, deri në fitore.

 

Njësoj si minjtë e zënë në çark, në çarkun e paudhësive të tyre, Edi Rama dhe banda e tij kanë nisur të lëvrijnë nëpër anijen që po mbytet. Me siguri i keni dëgjuar thashethemet që përhapin. Minjtë e ndjejnë ankthin, e ndjejnë frikën, kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza: qeveri e përbashkët Basha-Rama. Le t’ia kujtojmë gjithësecilit që e ka kujtesen e shkurtër:

 

  • Këtë betejë nuk e nisëm për pushtetin tone. Atë e dorëzuam.
  • Këtë betejë nuk e nisëm për karriget tona, se ato nuk janë tonat, por janë të popullit, qytetarëve, janë të shqiptarëve.
  • Në këtë betejë nuk jemi për të marrë pushtet në tavolinë, sepse pushteti në tavolinë, është pushteti i krimit, është pushteti i oligarkisë. Nuk është kurrë pushteti i qytetarëve, është plaçkitja e qytetarëve.

 

Ndaj, le ta them qartë dhe prerë:  Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë.

 

Si gjithë shqiptarët e ndershëm, të gjithë ne jemi të investuar që kjo krizë të zgjidhet vetëm në interes të qytetarit shqiptar. Kjo do të thotë për ne, jo thjesht dhe vetëm dhënia fund e një qeverie ilegjitime dhe të një parlamenti ilegjitim, përmes largimit të Edi Ramës, qeverisë tranzitore dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku të diktojë vullneti i qytetarëve shqiptarë. Por kjo do të thotë një reformë e thellë politike dhe kushtetuese, që kurrë më, asnjë njeri i vetëm, asnjë grusht njerëzish, asnjë grusht horrash, asnjë parti politike të mos jetë në gjendje të marrë peng institucionet e vendit, të marrë peng dhe të mbajë peng proceset politike, duke nisur me zgjedhjet e duke vazhduar me reformat e rëndësishme, të mbajë peng popullin shqiptar, vogëlushët tanë, të ardhmen tonë dhe Europën si destinin tonë në këtë betejë.

 

Prandaj, me një dialog të vërtetë kombëtar, kemi ftuar dhe do të ftojmë për kontribut, të gjithë ata që duan që, përmes përmbylljes së këtij kapitulli të tmerrshëm dhe të fundit të tranzicionit 30-vjeçar, të hapim së bashku kapitullin e Shqipërisë si gjithë Europa! Kapitullin e Shqipërisë me demokraci dhe zgjedhje vërtet të lira, me shtet të së drejtës, me drejtësi me një standard, me ndarje dhe balancim pushtetesh. Sepse vetëm kështu do të parandalojmë marrjen peng të vendit nga një grusht kusarësh, nga një grusht hajdutësh dhe një grusht kriminelësh.

 

Vëllezër dhe motra!

 

Nga Elbasani dua ta them fare qartë, se ne miqve tanë perëndimore u kemi komunikuar gatishmërinë tonë për të qënë pjesë e kësaj zgjidhje politike për vendin. Se kjo zgjidhje politike, në mënyrën më të qartë dhe më të vendosur, duhet të ndjekë vetëm një rrugë: rrugën e parimeve, standardeve dhe normave europiane.

 

  • Në cilin vend të Europës do të kapej kryeministri duke futur 19 përdhunues e trafikantë dhe nuk do të jepte dorëheqjen?
  • Në cilin vend të Europës do ta shëndronte vendin në magazinë të drogës dhe nuk do jepte dorëheqjen?
  • Në cilin vend të Europës i kapim, jo një, por dy ministra të brendshëm të lidhur me krimin, dhe kryeministri nuk jep dorëheqjen?
  • Në cilin vend kapesh në afera të tmerrshme korruptive, gati për të vjedhur 30 milion euro me një kompani falso si tek Unaza e Re dhe nuk e jep dorëheqjen?

 

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak se standartet europiane, praimet europiane, normat europiane. Vetëm kështu do të mund të parandalojmë kalimin nga kriza në krizë.

 

Nuk ka rrugë tjetër, largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.

 

Vëllezër dhe motra,

 

Kemi përshkuar kaq shumë rrugë në këto katër muaj, të bashkuar në një ideal “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, me vendosmëri dhe besim të madh te kauza që, para se të jetë kauzë politike, është kauza e fëmijëve tanë, por rruga që kemi përpara duhet çuar deri në fund.

 

Shqipëria ka nevojë për zgjidhje dhe ne jemi gati t’ia ofrojmë zgjidhjet europiane, të një qeverie të zgjedhur nga ju, që ju shërben ju, ju dëgjon ju, ju bindet ju dhe shkarkohet po nga ju, për të zgjedhur një qeveri po nga ju. Një qeverie që nuk iu bëhet barrë për t’ua vështirësuar jetën me taksa të shtuara dhe çmime të rritura, por që ju ndihmon dhe ju shtrin dorën, që edhe këtu, njësoj si në çdo vend tjetër normal, të keni mundësi të jetoni dhe të punoni me dinjitet, ta keni qeverisjen në krah, jo përballë si kundërshtare. Por unë kam nevojë, vendi ka nevojë, Shqipëria ka nevojë, vogëlushët tanë kanë nevojë, që këtë betejë ta çojmë para deri në fund.

 

Ndaj dua t’ju ftoj që këtë të diel, më 2 qershor, në orën 19.00, ta bëni bashkimin tonë, vendosmërinë tonë, fuqinë tonë edhe më të madhe, edhe më të papërballueshme, përmes pjesëmarrjes në protestën madhështore të 2 qershorit.

Kurrë më parë nuk ka qënë kaq i qartë kontrasti midis shumicës dërmuese të shqiptarëve të bashkuar dhe një pakice horrash, kriminelësh dhe hajdutësh të frikësuar deri në palcë.

Kurrë më parë nuk ka qënë kaq e qartë drejtësia e një kauze.

 

Të luftoni për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për Shqipërinë e drejtësisë, për Shqipërinë e shpresës, për Shqipërinë e mundësive, kundër një grushti njerëzish që për pushtetin dhe pasurinë e tyre, sakrifikuan gjithçka; punët tuaja, shtëpitë tuaja, të ardhmen tuaj e të fëmijëve tuaj, shëndetësinë tuaj, arsimin tuaj dhe tani duan t’ju marrin dhe lirinë tuaj.

 

A do ta pranojë Elbasani këtë?

Qytetarët: Joooo

A mund ta pranojë Shqipëria këtë?

Qytetarët: Joooo

 

Ju ftoj të gjithë bashkë, të frymëzuar nga ky bashkim i jashtëzakonshëm, të bindur në drejtësinë e kauzës tonë para Zotit, para flamurit kuqezi, para fëmijëve tanë, të frymëzuar nga ky bashkim, që sa vjen e bëhet më i madh dhe më i bukur, gjej rastin të falendëroj 110 të rinjtë e të rejat e Elbasanit që i bashkohen shtëpisë së lirisë.

 

Të gjithë bashkë, ditën e dielë, në orën 19.00, në bashkimin popullor për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

Zoti e bekoftë Elbasanin!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!