Vendimi i Presidentit i shërben interesit publik. E mbështes atë, por pa largimin e Edi Ramës nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme as më 30 Qershor, as më 30 Korrik, as më 30 Gusht.
DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.
Të dashur bashkëqytetarë,
Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese për njerëzit, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime.
Dua të them që në fillim dy të vërteta:
Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor.
Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.
Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë:
Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike.
Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj.
Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbjet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët, për aferën 250 milionë të Milot-Balldren dhe aferën e Teatrit Kombëtar.
Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit.
Ky, është fakti më i rëndësishëm politik i gjashtë viteve të fundit: fakti që provoi shkrirjen në një të krimit, Partisë Socialiste dhe qeverisjes socialiste.
Të dashur bashkëqytetarë,
Unë do të kisha dashur që në opozitë të isha marrë më shumë me politikat publike, të isha marrë me programe dhe ligje, me vendime që ndihmojnë ekonominë dhe njerëzit sesa me betejën e përditshme kundër krimit, drogës, dhe shtetit të bërë njësh me krimin.
Por këmbëngulja dhe beteja ime e vazhdueshme kundër krimit dhe drogës janë përpjekje për të zgjuar shoqërinë tonë nga shpërfillja/ ndaj rrezikut që krimi i organizuar dhe droga kanë sjellë për të gjithë ne dhe të ardhmen tonë.
Sepse kur droga dhe krimi futen në politikë, në të nuk ka më vend për politikanë që punojnë për popullin.
Sepse kur droga dhe krimi futen në ekonomi në të nuk ka më vend për sipërmarrës dhe njerëz të ndershëm.
Në një vend ku sundojnë kriminelët, nuk ka të ardhme për fëmijët.
Beteja ime dhe e Partisë Demokratike është betejë për ju, betejë për të ardhmen e fëmijëve të Shqipërisë.
Drogën nuk e kam sjellë unë në Shqipëri, paratë e drogës nuk i kam futur unë në zgjedhje, krimin nuk e futa unë në parlament dhe në cdo qelizë të shtetit.
Nuk jam unë ai që është ulur me kriminelët, që ka bërë pazare me kriminelët, që ka pastruar paratë e kriminelëve.
Krimin, drogën dhe të keqen e krimit në politikë e ka futur Edi Rama.
Meqë disa socialistë sot kanë dëshirë të flasin për shkarkimin e Presidentit, kam një pyetje për ta?
Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala?!
Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milonë euro për llogari të Edi Ramës, duke fallsifikuar edhe dokumentat zyrtare të qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris?!
Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht.
Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje.
Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik.
Përtej cdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese.
Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet.
Të dashur bashkqytetarë,
Në demokraci, zgjedhjet janë instrumenti se si njerëzit zgjedhin qeverinë dhe qeverisjen që duan. Zgjedhjet janë mekanizmi se si vullneti i njerëzve përkthehet në institucionet qeverisëse.
Por ama, është e qartë për këdo, se në kushtet e sotme nuk ka asnjë mundësi që vullneti i popullit të diktojë parlamentin dhe qeverisjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht.
Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik.
Përpjekjet e mia, përpjekjet e Partisë Demokratike nuk janë përpjekje për pazare tavolinash apo negociata datash. Beteja jonë është betejë për lirinë e votës.
Ajo që unë dhe, bashkë me mua, qindra mijëra qytetarë po kërkojmë nga vendi ynë, nga shoqëria jonë, është standardi më minimal, por i pazëvendësueshëm i çdo shoqërie demokratike: të drejtën që shqiptarët me vullnetin e tyre të lirë të vendosin se kush do t’i qeverisë.
Unë nuk do të pushoj së luftuari, deri sa kjo të arrihet, dhe nuk do të bëj asnjë kompromis, me askënd, as sot, as nesër, derisa kjo të arrihet.
E di që për shumë qytetarë është e lodhshme të bëhen dëshmitarë të kësaj gjendje të rëndë. Më vjen keq për këtë. Por dua t’u them atyre se gjithçka bëhet për një ditë më të mirë.
Mjedisi i vetëm, ku fatet dhe jetët e njerëzve të jenë të mira, është një shoqëri ku politika është e lirë nga krimi dhe korrupsioni, dhe ku vullneti i lirë i njerëzve përcakton qeverisjen.
Kjo është ajo që unë besoj, kjo është ajo për të cilën kam luftuar çdo ditë, çdo çast këto 6 vjet: Vullneti i lirë i njerëzve dhe politika në shërbim të këtij vullneti.
Për këto, jam i gatshëm të flas, të diskutoj, të punoj. Për asgjë tjetër.
Të dashur bashkqytetarë,
Përveçse ndaj çdo shqiptari, unë kam personalisht një detyrim të madh ndaj mijëra e mijëra qytetarëve dhe demokratëve që kanë protestuar këto muaj pa u shkurajuar nga dhuna, nga gazi helmues, nga arrestimet, nga terrori dhe nga propaganda.
Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe jam i frymëzuar nga kurajo juaj. Sikurse e çdo shqiptari që na ka mbështetur, në çdo mënyrë që ka mundur.
Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Europa vazhdon me vendosmëri. Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin.
Shumëkush është në ankthin e asaj që do të vijë, shumë të tjerë të ndarë padrejtësisht në “ne” dhe “ata” presin se çfarë do të ndodhë.
Ajo që dua t’ju garantoj sot, është se në fund të kësaj beteje, do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë dhe përfitojnë shqiptarët, do të triumfojë e drejta, liria, demokracia.
Të flasim hapur, do të ketë edhe të humbur, por ata janë vetëm një grusht i vogël pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh dhe kriminelësh që sot vendosin për gjithçka dhe marrin gjithçka.
Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!
Faleminderit!