- Prokuroria ka nisur një procedurë të nxitur dhe të organizuar politikisht. Nuk ekziston asnjë provë dhe asnjë dokument.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË ARBEN RISTANI, PAS PARAQITJES NË PROKURORINË E TIRANËS PËR ÇËSHTJEN E LOBIMIT TË PD NË SHBA.
Pyetje: Ju komunikua sot akuzë?
Arben Ristani: Akuza sipas tyre është pastrim parash dhe falsifikim dokumentacioni, por po jua them edhe një herë, është akuzë e organizuar dhe e nxitur politikisht, sepse unë si ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nuk kam asnjë dokument që të ketë të bëjë me dhënie apo marrje financash me çdo lloj organi qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit me individë qoftë brenda, qoftë jashtë vendit.
Nuk ka një dokumentacion që unë të jem marrë me financa, me dhënie-marrje pagesash.
Së dyti nuk kam asnjë bisedë formale ose joformale me askënd, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit që të ketë të bëjë me dhënie apo marrje pagesash.
Dhe së treti nuk kam pasur as kuriozitet që të di për këtë gjë dhe nuk kam pasur asnjë lloj dijenie.
Duke qenë kështu mund t’ju konfirmoj me plotë gojën, se akuza është e nxitur dhe e organizuar politikisht.
Por me sa duket fundi po i vjen kësaj qeverie të lidhur me bandat e krimit dhe me sa duket unë kam shpresë që në këtë vend do të ketë, qoftë prokurorë, qoftë njerëz të drejtësisë që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që ky vend mund të bëhet dhe kanë kurajo profesionale dhe që janë profesionistë të zotë dhe që kanë integritet se vetëm kështu Shqipëria mund të dalë nga ky batak ku ka njerëz të lidhur me bandat e krimit.
Pyetje: Dhatë deklaratë pasi qëndruar rreth një orë?
Arben Ristani: Sigurisht dhash deklaratën time dhe është pak a shumë kjo që po ju them. Po e përsëris edhe një herë. Unë si Arben Ristani nuk kam asnjë lidhje me këtë histori. Është e ndjekur dhe e përkrahur politikisht dhe e organizuar në mënyrë politike.
Pyetje: Përse nuk u paraqitët dje z. Ristani?
Arben Ristani: U paraqita, s’u paraqita këto janë teknikalitete që s’kanë të bëjnë me thelbin e çështjes. Nuk ka prova, sepse s’ka asnjë dokument. Çfarë provash mund të ketë kur s’ka asnjë dokument?
U paraqita me ftesë të prokurorisë në bazë të një hetimi që këta kanë nisur duke më marrë në pozicionin e të pandehurit. Nga komunikimi që pata me ta i këkrova që të më njohin me provat e dosjes dhe ju konfirmoj që nuk ka asnjë provë që të implikojë ish-Sekretarin e Përgjithshëm në këtë histori.
Unë nuk kam asnjë dokumentacion të nxjerrë me firmën time nga zyrat e PD-së dhe zyra ime si Sekretar i përgjithshëm që të ketë të bëjë me dhënie apo marrje pagesash, brenda apo jashtë vendit, me institucione apo individë.