Projekti i ndarjes së Kosovës, tregues se fatet e kombit janë në duart e një grupi njerëzish të papërgjegjshëm

 

 

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE, ALDO BUMÇI

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pohon edhe një herë që projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë, dhe ndryshe nga çfarë është përpjekur ta paraqesë Edi Rama si projekt i Perëndimit, në fakt ky është një projekt serb, që u shërben interesave serbe dhe ruse, si dhe qarqeve të caktuara që janë të interesuara për çdo lloj skenari ogurzi duke cenuar rëndë interesat e Kosovës.

 

Kjo është tradhti e lartë ndaj interesave kombëtare dhe mosdistancimi për asnjë moment i Edi Ramës nga ky projekt, dhe me keq akoma vazhdimi i mbështetjes së këtij projekti me deklarata dhe forma të tjera, edhe pas Samitit të Berlinit, tregon që Rama dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë me këmbëngulje në këtë drejtim.

 

Ky është një lajm ogurzi për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në rajon, që tregon se fatet e kombit janë në duart e një grupi njerëzish të papërgjegjshëm që për interesat dhe pushtetin e tyre personal janë gati të tregtojnë dhe të zhbëjnë arritjet historike që kanë ardhur nga sakrifica sublime.

 

Partia Demokratike u bën thirrje shqiptarëve dhe partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE që të mos lejojnë zbatimin e këtij projekti anti-europian dhe anti-NATO që është kundër paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe më gjerë.