• Skandaleve të KQZ i shtohet skandali i Vaut të Dejës, ku është votuar me fletë të fallsfikuara votimi.
  • Dokumenti i doganës tregon se fletët e votimit kanë qenë në Doganë në orën 7.58 të së dielës, ndërsa votimet kanë nisur në orën 7.00.
  • Votimet e Vaut të Dejës, të pavlefshme. Shumica për vendimmarrje u sigurua në shkelje të ligjit nga kandidatja për Këshill Bashkiak, punonjësja e kandidatit të PS, njëkohësisht anëtare e KZAZ.

 

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

 

Votimet moniste të 30 Qershorit ishin prova e rradhës se me Edi Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Komisioni Qëndror i Vjedhjeve , nen urdhrat e Ramës, është përfshirë nga skandali në skandal.

3 skandalet me te medha, ku është kapur ne flagrance dhe janë denoncuar në mënyrë të vijueshme nga Partia Demokratike, ku i pari ishte ai i fallsifikimit dhe i manipulimit të pjesëmarrjes në votime, për llogari të propagandës së Edi Ramës, më pas, falsifikoi rezultatin e votimeve në Bashkinë Elbasan sipas urdhrave të Taulant Ballës për të fshehur se për Elbasanin kishte më shume vota sesa fletë votimi në kuti.

Por skandali që duam të denoncojmë sot ka të bëjë me votimet e paligjshme në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Konkretisht, me angazhimin personal të anëtarëve të KQZ-së, është lejuar kryerja e votimit në Bashkinë e Vaut të Dejes me fletë votimi të fallsifikuara dhe që nuk i dihet origjina e tyre.

Ky është skandali i tretë të cilin ne do ta dëshmojmë sot me dokumenta zyrtare përpara opinionit publik.

Çdo qytetar kujton se materialet zgjedhore në KZAZ e bashkisë së Vaut të Dejës u dogjën në rrethana të panjohura, sipas një skenari të parapërgatitur nga Edi Rama dhe banda e tij në zonë dhe për pasojë, KQZ me vendimin me nr. 925 të datës 28 qershor, nxori jashtë përdorimit rreth 40 mijë fletë votimi dhe të gjitha materialet zgjedhore, përfshirë, lista apo vulat.

Më tej në orën 07:00 të mëngjesit të datës 30 qershor, nga KQZ u raportua se edhe me angazhimin personal të deputetit Tom Doshi, person në listën e zezë të SHBA, gjithcka ishte ne rregull, fletët e votimit kishin ardhur, materialet zgjedhore gjithashtu, ishin shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit në Bashkinë e Vaut të Dejës dhe proçesi i votimit kishte nisur në të gjitha QV e kësaj Bashkie, me përjashtim të kësaj qendre.

E gjitha është një gënjeshtër. Është mashtrim publik, kriminal i KQZ.

Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se Fletët e Votimit në orën 07:58 min të datës 30 Qershor kanë qenë ende në Doganën e Hanit të Hotit.

Ky është dokumenti zyrtar, i nxjerrë nga sistemi i zhdoganimit të mallrave në Doganën e Hanit të Hotit ku siç rezulton, në orën 8 të mëngjesit, makina që transportonte fletët e votimit ndodhej ende në Doganën e Hanit të Hotit.

Pra, dokumenti provon se në 8 të mëngjesit jo vetëm nuk kishte në dispozicion KZAZ flerë votimi, por ato ndodheshin në doganë dhe do të duhej që pas zhdoganimit të ndiqnin proçesin normal të transportimit të tyre drejt Tiranës, magazinimit pranë KQZ-së, nxjerrjesnhga magazina nga KQZ dhe transportimi i tyre drejt KZAZ së Vaut të Dejës, më pas shpërndarja e materialeve me vendim të KZAZ-së në të gjitha qendrat e votimit, një proçes që do të duhej të merrte gjithë ditën e datës 30.

Ndaj çdo shqiptar pyet katër anëtarët e paligjshëm që janë përfshirë në një proçes të rëndë kriminal, se;

Nëse në orën 8 të mëngjesit Fletët e Votimit ishin ende në Doganën e Hanit të Hotit, me çfarë fletësh votimi nisi procesi i votimit në orën 7.00?

Sa zgjati procedura e dërgimit të tyre në KQZ, marrjes së tyre në dorëzim nga KQZ, nisjes për në KZAZ e Vaut të Dejës, shpërndarjes në çdo Qendër Votimi?

I gjithë dokumentacioni zyrtar mbi këtë çështje, fakton një skandal të jashtëzakonshëm kriminal, një proces privat dhe kriminal të kryer nga katër anëtarët e KQZ në bashkëpunim me katër anëtarët e KZAZ së Vaut të Dejës, për të cilët, nëse do të kishim një drejtësi të pavarur, në krye të detyrës, për të zbatuar përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore do të duhej të  kishte nisur menjëherë hetimi penal dhe vënia përpara përgjegjësisë penale të gjithë autorëve të këtij krimi të rëdë penal.

Në fakt e gjithë farsa e votimeve moniste të 30 Qershorit në Bashkinë e Vaut të Dejës, është e provuar te këtë qenë e shoqëruar në çdo fazë me paligjshmëri.

Një tjetër shkelje flagrante e ligjit është vetë përbërja e KZAZ.

Sipas të dhënave zyrtare anëtare e KZAZ e Bashkisë së Vaut të Dejës, ka qenë edhe znj. Listinë Ndoja, e cila rezulton të jetë e punësuar si arkëtare zyre pranë shoqërisë “MARE ADRIATIK” shpk, që sipas dokumentave zyrtare të QKB-së ka si ortak të vetëm, kandidatin e PS Mark Babani.

Prezenca e Listinë Ndojës si një nga katër anëtarët e KZAZ-së bie ndesh me nenin 32 të Kodit Zgjedhor që për të shpangur konfliktin e interesit, nuk lejon që një anëtar i KZAZ-së të jetë në një marrëdhënie pune me ndonjë prej kandidatëve.

Por akoma më shumë, zonja Lestinë Ndoji, ka qenë edhe vetë, kandidate për Këshillin Bashkiak të Bahskisë së Vaut të Dejës.

Një kandidat për Këshillin Bashkiak, nj i punësuar i kandidatit për Kryetar Bashkie, ka menaxhuar proçesin e votimit si anëtar i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Ligji në këtë pikë është i qartë.

Gjyqtarët do të duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe Ligjit.

Vendimet e marra nga KZAZ nr.6 e Bashkisë së Vaut të Dejës, përfshirë votën e katërt të këtij anëtari, në konflikt të hapur interesi, e bëjnë të gjithë proçesin e votimit tërësisht të paligjshëm dhe çdo vendimmarrje të KZAZ-së nr. 6 si absolutisht të pavlefshme.

Por kjo nuk do të mjaftonte.

E gjithë kjo paligjshmëri do të duhet të ndëshkohet, të gjithë personat përgjegjës do të duhet të vihen menjëherë përpara përgjegjësisë penale.

Pandëshkueshmëria e krimeve zgjedhore të vitit 2016 dhe 2017, i ka dhënë kurajo të njëjtëve njerëz, që edhe kur vetë kandidojnë, vetë votojnë dhe vetë numurojnë, përsëri të kryejnë paligjshmëri, përsëri të manipulojnë, përsëri të kryejnë krime, sepse ata e dinë shumë mirë sesa kohë Edi Rama është Kryeministër, drejtësia i ka duart e lidhura për të ndëshkuar bandën e organizuar që dhunon themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.