Deputetët e opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë kundërshtuan propozimet e qeverisë për ndryshime në Ligjin për Procedurat Tatimore duke theksuar se ky ndryshim ligjor vjen si rezultat i evazionit dhe korrupsionit në dogana dhe tek administrimi i dobët, duke treguar panik të qeverisë për mosrealizimin e të ardhurave. Gjatë diskutimeve, opozita ngriti shqetësimin se gjatë 8 mujorit ka një deficit në të ardhura i cili po thellohet në minus 270 milionë dolllarë ku sektorët më problematikë janë akciza me minus 13.2%, tatimi mbi të ardhurat minus 9.9%, taksat kombëtare minus 16.7 % dhe taksat doganore minus 13.5 %.
Deputetët e opozitës u shprehën se ky ligj është një show i qeverisë që i hedh fajin biznesit të vogël në një kohë kur gropa financiare po shkaktohet nga bizneset e mëdha. Ata theksuan se janë pro luftës ndaj informalitetit dhe pro marrjes së masave për të sjellë formalizimin, por u shprehën kundër dhunës ndaj biznesit, kundër 400 spiunëve fiskale dhe kundër masave represive. Sipas opozitës, rritja progesive e taksave ka rritur informalitetin dhe e ka bërë me kompleks sistemin tatimor çka ka detyruar qeverinë të rrisë masat represive ndaj biznesit. Njëkohësisht masat që propozohen janë në disproporcion, krahasuar me krime të tjera apo abuzime të tjera.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shtator 2015