Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm në Parlament, përfaqësuesit e opozitës kritikuan qeverinë për mungesën e rezultateve në Samitin e Vjenës dhe për qëndrimet e tjera në politikën e jashtme.
Deputeti Aldo Bumci, i tha Ministrit të Jashtëm se Samiti i Vjenës ishte një dështim për qeverinë, pasi nuk u arrit miratimi i asnjë projekti strategjik që lidh Shqipërinë me Kosovën.
“Në Samitin e Vjenës doli në pah mungesa totale e koordinimit të Tiranës me Prishtinen.  Edhe pse kryeministri Rama deklaroi në Samitin e Berlinit një vit më parë se kishte rolin koordinues të të gjithë projekteve, një vit më pas, në Sumitin e Vjenës nuk u miratua asnjë projekt strategjik i përbashket ndërmjet Shqiperise dhe Kosovës. Për më teper, çfarë nxjerr në pah paaftësinë e skajshme të qeverisë shqiptare, Shqipëria rezultoi të ishte humbësja e madhe e Samitit të Vjenës, ku të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë marrë më shume projekte se Shqipëria”, tha Bumci.
Bumci gjithashtu shtoi se qeveria shqiptare nuk mund të ketë trajtim mbi baza preferenciale të aktorëve politik në Kosove dhe Maqedoni.  Nuk e zgjedhim ne se kush e drejton Kosoven dhe duhet te ruajme balancat. Gjatë këtyre dy viteve qeveria Shqiptare ka dhënë shembuj të shumtë për të kundërtën. Bumci përmendi disa raste si eklipsimi i kryeministrit të Kosovës në takimet dypalëshe, apo braktisja e fjalës së Presidentes së Kosovës në Kuvendin e Shqiperisë.
“Shqipëria nuk duhet të humbë autoritetin dhe ndikimin te Shqiptaret e Kosoves dhe Maqedonise. Te detyrohet zv-kryeministri Thaçi të dalë dhe të hedhë poshtë sjelljen e Ramës në Vjenë, nuk është aspak normale. Menjehere mbas takimit Rama-Vucic, Thaci deklaroi se normalizimi dhe pajtimi arrihet vetem ndërmjet Prishtines. Duket se Prishtina perceptoi një devijim të parimit se Shqiperia nuk negocion me Serbine për Kosoven. Në takimin Rama–Vuçiç, Rama krijoi përshtypjen e gjërë që dialogu kryesor është mes Tiranës dhe Beogradit  dhe jo Prishtinës dhe Beogradit”, tha Aldo Bumçi.
Deputeti Bumçi u ndal edhe tek vota në OKB.
“Në rastin e votimit pro Palestinës në OKB, Shqipëria devijoi nga boshti kryesor i politikës sonë të jashtme, që është aleanca me SHBA-në dhe partneret kryesorë Europianë. Shqipëria jo vetëm nuk iu bashkangjit qendrimit të SHBA-së, të cilët janë faktori kryesor i sigurisë së shqiptareve në rajon, por nuk iu bashkangjiten as Berlinit, lokomotiva ekonomike e Europes, dhe shumices dërrmuese të vendeve Europiane që abstenuan. Nuk avancohet interesi kombëtar duke devijuar nga qendrimet e partnereve tane strategjike”, tha Bumçi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shtator 2015