Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Mat, kreu i opozitës Lulzim Basha pohoi se largimi i Edi Ramës është mënyra e vetme për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimit politik dhe zhvillimit ekonomik.
“Do të vazhdojmë me denoncimet dhe me protestat, si mjet për një nga qëllimet e pandryshuara të opozitës: zgjedhje të parakohshme parlamentare me qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër dhe zgjedhje lokale legjitime në një ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.”- u shpreh kreu i opozitës në Mat.
Zoti Basha tha se për këto është e nevojshme një reformë elektorale, që do t’i shërbejë qytetarëve, jo partive apo kryetarëve të partive. “Reforma do të përmbushë zotimin që kemi marrë para njerëzve që parlamenti i ardhshëm të burojë nga qytetarët dhe t’u shërbejë qytetarëve, jo të jetë shërbëtor i oligarkisë dhe krimit që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë. Vjedhin buxhetin, vjedhin taksat, vjedhin pasuritë, vjedhin me koncensione, vjedhin bregdetin, vjedhin minierat, vjedhin naftën, vjedhin trojet publike siç është afera e Teatrit Kombëtar. Pastrojnë paratë e pista të krimit.- tha zoti Basha. -Prandaj, na duhet një parlament që buron nga vota e qytetarëve dhe që mban përgjegjëse qeverinë për zbatimin e ligjit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.”- theksoi kreu i opozitës.
Basha tha se Shqipëria e ka jetik ndryshimin, pasi me këtë qeveri që vetem grabit dhe vjedh, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk përfiton nga mundësitë e jashtëzakonshme të krijuara nga revolucioni teknologjik dhe turizmi, dy fusha që mund të hapin me mijëra vende pune në Shqipëri dhe të kontribuojnë në ngritjen ekonomike te vendit.
“Rrugën e zhvillimit po e pengon dhe e po e bllokon Edi Rama. Hajdutëria e tij, babëzia e tij, pakti me oligarkët, janë arsyet se pse vendi është varfëruar, pse buxheti i shtetit nuk shkon në shërbim të qytetarëve, por vidhet për t’i shërbyer Edi Ramës dhe klikës së tij, pse pasuritë e pafundme të Shqipërisë, në vend që të shërbejnë për mirëqenien e njerëzve, pasurojnë një grusht oligarkësh dhe varfërojnë pjesën tjetër të vendit.” – argumentoi kreu i opozitës.
Zoti Basha theksoi se largimi i Ramës është urgjent dhe varrosja përfundimtare e këtij modeli, është detyra e PD si forcë politike. “Tek Partia Demokratike shqiptarët kanë jo vetëm një opozitë të fuqishme, të rreshtuar në krahun e interesit qytetar, por edhe një alternativë qeverisëse për njerëzit dhe jo oligarkët e kriminelët.”- u shpreh zoti Basha.