• Edi Rama po përpiqet të lajë duart me shpejtësi nga rasti “Pjetri”, por ai e promovoi Valdrin Pjetrin, duke ditur të kaluarën e tij kriminale.

 

  • Rasti “Pjetri” nuk është i shkëputur. Një pjesë e mirë e kryebashkiakëve të imponuar me dhunë nga Rama, janë me të shkuar kriminale ose me lidhje aktuale kriminale.

 

  • Janë të paktën 16 kryebashkiakë dhe deputetë të Ramës të përfshirë në trafiqe, të lidhur me krimin, përfaqësues të krimit ose bashkëpunëtorë me krimin për të vjedhur vota.

 

  • Edi Rama mbrojti trafikantët e kokainës së Xibrakës për të mbrojtur vëllanë e tij Olsi Ramën, i përfshirë direkt me protagonistët e fabrikës së kokainës.

 

  • Lidhja e Edi Ramës me krimin është lidhje e përhershme. Krimi është jetik për pushtetin e tij. Pa paranë e pisët të krimit, Edi Rama nuk vjedh dot zgjedhjet. Pa paranë e pisët të krimit, Edi Rama falimenton.

 

  • Regjimi i Edi Ramës është një regjim i ardhur në pushtet dhe vazhdon të mbetet në pushtet në bashkëpunim e krimin. Vetëm largimi i Edi Ramës hap rrugën për shkëputjen e politikës nga krimi dhe shpëtimin e ekonomisë nga krimi.

 

  • Rasti “Pjetri” tregon falimentimin e drejtësisë dhe të të gjitha institucioneve ligjzbatuese. Policia, SHISH, prokuroria janë vënë në shërbimin personal të Edi Ramës.

 

  • Opozita është sot i vetmi institucion që lufton krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, i vetmi institucion, që po i bën qendresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi.

 

  • Rasti “Pjetri” rikonfirmon se nëse politika nuk ndahet nga krimi, e ardhmja e Shqipërisë është në rrezik. Megjithë arritjet, ligji i dekriminalizimit nuk mjafton.

 

  • Shqipëria ka nevojë për ndarje totale me krimin, duke prerë të gjitha llojet e krimit me politikën, përfshi financimin e partive politike dhe politikanëve nga krimi.

 

  • Përpjekjet tona për ekonominë, për punësimin, për përparimin do të japin rezultat vetëm kur të zgjidhim problemin e madh politik: Çlirimin e politikës nga krimi dhe oligarkët.

 

  • Kush mendon se Edi Rama mund të kufizohet, të reformohet apo të korrigjohet, në rastin më të mirë, është naiv i rrezikshëm. Mbijetesa e tij politike është e lidhur me krimin. Edi Rama duhet të ikë! Rrugë tjetër nuk ka!

 

  • Pastrimi i sistemit politik, largimi përfundimtar i drejtimit kriminal të qeverisje, është shpresa dhe rruga e sigurtë për një Shqipëri që i takon të gjithë qytetarëve të saj.

 

 

 

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

 

Të dashur bashkëqytetarë!

 

Zgjidhja që Edi Rama kishte për Shkodrën ishte të bënte qytetar të parë të Shkodrës një trafikant droge, një kryebashkiak të krimit. T’u vinte në krye shkodranëve një 6 përqindësh, kryebashkiak të pakicës së pakicës.

 

Sot ka një përpjekje të shfrenuar për ta shitur Valdrin Pjetrin.

 

Rama, i pari, e shiti menjëherë dhe sot ka lëshuar mercenarët në media që ta sulmojnë. Janë, pikërisht, ata që i bënë propagandë Shkodrës me muaj, ata që i hynë me dhunë Shkodrës për t’i imponuar Valdrin Pjetrin, sot, befas, kanë zbuluar se Valdrini nuk qenka më i denjë për Shkodrën.

 

E gjithë propaganda e Edi Ramës po përpiqet ta trajtojë këtë një problem individual, si mungesë inteligjence të një njeriu që deshte t’ia hidhte Ramës dhe popullit.

 

Në fakt, i padenjë për Shkodrën dhe për të gjithë Shqipërinë është Edi Rama. Ai që po përpiqet t’ia hedhë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, është Edi Rama.

 

Valdrinin e çoi në Shkodër Edi Rama, duke e ditur shumë mirë se kush ishte dhe vëllai i tij, me të cilët, bashkarisht, inauguruan hotelin e drogës në Tiranë dhe me qëllimin që ai të garantonte trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore në rrugën e Ballkanit, e cila kalon përmes Shkodrës, e mbështetur nga klanet kriminale të Rilindjes.

 

Për Valdrinin, Edi Rama hyri në Shkodër i armatosur me forca speciale.

Për Valdrinin, Edi Rama ishte i gatshëm ta çonte Shkdorën në përplasje civile.

Për Valdrinin, Edi Rama e provokoi Shkdorën me një 2 prill të dytë.

 

Edi Rama e dinte shumë mirë kush ishte Valdrini, por atij i duhej pikërisht Valdrini në Shkodër, siç edhe ua tha me zë dhe me figurë pak ditë më parë, si kryetar bashkie dhe si kryetari politik i grupit të Rilindjes në Shkodër.

 

Kjo i dështoi dhe tani Rama po përpiqet me shpejtësi të lajë duart.

 

Në të vërtetë, Valdrin Pjetri dhe rasti i tij do të ishte relativisht i parëndësishëm, nëse e vërteta do të ishte siç thonë Edi Rama dhe mercenarët e tij.

 

Por e vërteta është ndryshe.

 

E para, rasti i Valdrinit nuk është rast i shkëputur. Sot, një pjesë e mirë e të gjithë kryebashkiakëve, që Edi Rama ua imponoi me dhunë shqiptarëve janë me të shkuar kriminale ose me lidhje aktuale kriminale.

 

  • Pjerin Ndreu në Lezhë, një njeri i nxjerrë nga lista e zezë e ambasadës amerikane për përfshirje në trafiqe, kur punonte në Policinë e Shtetit, i larguar nga Policia e Shtetit, për shkak të listës së zezë të ambasadës amerikane, në qeverinë socialiste të Fatos Nanos, u rikthye deputet me Edi Ramën. U kap në dosjen 184. Keni dëgjuar përgjimet sesi i bën presion për largimin e drejtprëve dhe mësuesve nëqofëse nuk votojnë haptazi për PS në Dibër. Për këtë u kandidua për Bashkinë e Lezhës.

 

  • Valbona Sako në Durrës, është, po kështu, e përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim me krimin dhe është përfaqësuese e bandës Dako-Avdylaj, me familjarë eksponentë të rëndësishëm të drogës.

 

  • Artur Bushi në Krujë është i dënuar për trafik droge, njësoj si Valdrin Pjetri, dhe nuk duhet të jetë kryebashkiak e jo më të rikandidohej.

 

  • Agim Kajmaku në Vorë, një person me, të paktën, dy identitete dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Greqi.

 

  • Dionis Ymeraj në Dibër, gjithashtu, një njeri me të shkuar kriminale, i pushuar për korrupsion, nën hetim për korrupsion, i përfshirë në vjedhjen e votave në Dibër, përfaqësues i bandës së Ymer Lalës.

 

  • Rakip Suli duhet të ishte përjashtuar dhe ndjekur penalisht për konfliktin e pastër të interesit, kur, si deputet përfitoi miliona euro të parave të taksapaguesve me qera e me kontrata. Në fakt, nuk u përjashtua, por u kandidua për Kryetar Bashkie në Kamëz.

 

  • Tërmet Peçi dhe Klement Ndoni në Tepelenë,, të arrestuar në falgarncë nga policia dhe të ndjekur nga prokuroria për posedim të qindra kilogramëve kanabis.

 

Në krye të pushtetit lokal Edi Rama po mundohet të imponojë sot përfaqësues të krimit dhe të pakicës së pakicës kudo në Shqipëri

 

  • Edi Rama dhe mercenarët e tij në media dhe kudo, që sot po përpiqen t’i bëjnë dalje Valdrin Pjetrit duke larë duart, nuk patën dhe nuk kanë asnjë fjalë për të thënë akoma për Vangjush Dakon. E ndaluan edhe SHBA-të që të hyjë në Amerikë për korrupsion, por Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë asnjë fjalë, nuk shkruajnë asnjë rresht.

 

  • Për Damian Gjiknuri, të kapur në korrupsion dhe në tentativë për të pastruar para në SHBA, të kapur në dosjen nr.184 si koka e operacionit për shitblerjen e votave, në bashkëpunim me bandën e Ymer Lalës dhe bandave të tjera kriminale në Dibër. Për këtë, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë asnjë koment.

 

  • Për Jurgis Çyrbjen, përfaqësuesin e bandës së Emiljano Shullazit në Kuvend, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk thonë e nuk shkruajnë asnjë fjalë, asnjë rresht.

 

  • Nuk kanë thënë e shkruar asgjë as për Ilir Ndrazhin, përfaqësuesin politik në Kuvend të bandës së Avdylajve.

 

  • As për Rrahman Rrajën, as për Taulant Yaris, as për Ulsi Manjën, Xhemal Qefaliajn, Paulin Sterkajn, të kapur dhe të evidentuar në bashkëpunim me bandat për vjedhjen e votave në Dibër, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë.

 

  • As për bandën e Xibrakës, bandën e fabrikës së kokainës, ku kanë dalë nga burgu autorët kryesorë. Pse kanë dalë? Askush nuk e mban mend më Estref Halilin, 22 vjeçarin nga Kolonja e Lushnjës, që u shty drejt vetëvrasjes në qelitë e paraburgimit të stërzgjatur për një cigare hashash, ndërkohë që krerët e bandës së kokainës, në fabrikën e kokainës në Xibrakë, u shoqëruan nga policia drejt arratisë dhe ata që u kapën, tashmë janë liruar. E vërteta është se të gjithë këta i mbrojti Edi Rama, sepse kështu mbrojti vëllanë e tij Olsin Ramën, të pëtrfshirë drejtpërdrejt me protagonistët e fabrikës së kokainës në Xibrakë.

 

E vërteta është se lidhja e Edi Ramës me krimin është një lidhje e përhershme.

 

Valdrin Pjetri nuk është pa inteligjencë apo budalla, siç thotë Rama dhe mercenarët e tij. Valdrin Pjetri iu fut politikës me inteligjencën rilindase, sepse ishte i sigurtë se në Shqipërinë e Edi Ramës jo vetëm që nuk do ta gjente asgjë, por ishte ishte i bindur se karriera e tij me Edi Ramën ishte e sigurtë, për shkak të lidhjeve të tij kriminale dhe të kaluarës së tij kriminale.

 

Në fakt, kështu po ndodhte, po të mos ishte për Partinë Demokratike dhe opozitën, e vetmja pengesë që i doli përpara.

 

Në të vërtetë, rasti Pjetri tregon se Shqipëria nën Edi Ramën, siç e thonë edhe raportet ndërkombëtare, është kthyer në parajsë dhe strehë e sigurt për ata që kryejnë krime në Evropë, kthehen në Shqipëri, pastrojnë para, bëjnë biznese të partrazuar, madje, merren edhe me politikë.

 

  • Valdrin Pjetri nuk bëri asgjë ndryshe nga ajo që bënë të tjerët para tij, Mark Frroku, i cili u mbrojt nga Edi Rama duke mos ekzekutuar thirrjen e Interpolit për kapjen e tij.
  • Valdrin Pjetri bëri atë që bëri Elvis Roshi, që Edi Rama e mbrojti deri në fund dhe vazhdon ende ta mbrojë.
  • Valdin Pjetri bëri atë që ka bërë Pjerin Ndreu, që Edi Rama e mbron dhe e promovon.
  • Valdrin Pjetri bëri atë që bën Tom Doshi, një nga aleatët më të mëdhenj, strategjik, për të përdorur fjalët e Edi Ramës, që e solli kur ishte në opozitë.
  • Valdrin Pjetri bëri atë që bëjnë të gjithë biznesmenët e drogës, që sot janë kthyer në biznesmenë të rilindjes.

 

Regjimi i Edi Ramës është një regjim i ardhur në pushtet në bashkëpunim me krimin, një regjim që vazhdon të mbetet në pushtet prej bashkëpunimit me krimin.

 

Krimi sot është jetik për pushtetin e Edi Ramës.

 

  • Pa paranë e pisët të krimit Edi Rama nuk vjedh dot zgjedhjet.
  • Pa paranë e pisët të krimit Edi Rama falimenton në të gjitha kuptimet.

 

Ndaj vetëm largimi i Edi Ramës hap rrugën për shkëputjen e politikës nga krimi dhe shpëtimin e ekonomisë nga krimi.

 

Por Rasti i Valdrin Pjetrit tregon edhe disa gjëra të tjera.

 

Ai tregon falimentin e drejtësisë dhe kapjen e saj totale nga Edi Rama. Të gjitha institucionete ligj-zbatuese në Shqipëri kanë falimentuar, duke u vënë në shërbim personal të Edi Ramës.

 

Opozita është sot i vetmi institucion që lufton krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, është i vetmi institucion, që po i bën qendresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi. Po të mos ishte për denoncimin e PD dhe të opozitës, Valdrin Pjetri sot do ishte me dhunën e Edi Ramës kryebashkiak, siç do të ishte Elvis Roshi, siç do të ishte Vangjush Dako, siç do të ishte Qazim Sejdini, siç do të ishin shumë të tjerë sot deputetë dhe drejtues të lartë në qeveri.

 

Prokuroria, policia, SHISH dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit e kanë fare të thjeshtë: të verifikojnë të shkuarën, të tashmen dhe veprat e tjera kriminale të çdokujt. E kanë fare të thjeshtë të hetojnë përfshirjen në krime dhe korrupsion të çdokujt. Por nuk e bëjnë. Sepse janë nën kontrollin e Edi Ramës, i cili qendron në pushtet për hir të krimit dhe korrupsionit, me anë të krimit dhe korrupsionit.

 

  • Prokuroria dhe organet ligjzbatuese nuk e bënë për Valdrin Pjetrin. Nuk po e bëjnë për Vangjush Dakon. SHBA-të kanë të dhëna për korrupsionin e Dakos, por jo prokuroria dhe shteti i Edi Ramës.
  • Prokuroria dhe organet ligjzbatuese nuk e bënë për Habilajt deri sa ishte opozita që bëri presion.
  • Prokuroria dhe organet ligjzbatuese nuk e bënë për drogën derisa e mori vesh e gjithë bota për shkak të presioni të opozitës.
  • Prokuroria dhe organet ligjzbatuese nuk po bëjnë asgjë për krimin dhe korrupsionin, sepse janë në shërbim të Edi Ramës.

 

Së dyti, rasti “Pjetri” rikonfirmon se krimi synon gjithmonë politikën dhe, nëse nuk ndahet politika nga krimi, e ardhmja e Shqipërisë është në rrezik.

 

Ligji i dekriminalizimit është një arritje e madhe për Shqipërinë. Për këtë Partia Demokratike dhe unë jemi krenarë. Ky ligj ka mbajtur larg politikës shumë kriminelë.

 

Sot krimi dëgon në Kuvend dhe në politikë eksponentët e tij dhe kap indirekt politikën, por nuk mund të mohohet ndikimi i jashtëzakonshëm i ligjit të dekriminalizimit.

 

Por ky ligj nuk mjafton.

 

Shqipëria ka nevojë për ndarje totale me krimin, jo vetëm duke penguar kriminelët të hyjnë në Kuvend dhe në krye të bashkive, por duke prerë të gjitha llojet e krimit me politikën, përfshi financimin e partive politike dhe politikanëve nga krimi.

 

Kjo është prioriteti ynë i madh.

 

Unë e di që problemi kryesor, që ndjejnë shqiptarët është ekonomia, është varfëria, është papunësia, të cilat godasin direkt jetët e shqiptarëve. Shqipëria ka shumë mundësi për të gjithë. Shqipëria ka mundësi të mos ketë papunësi, të mos ketë varfëri, por kjo kërkon që qeveria të punojë për njerëzit, që ekonomia të ofrojë mundësi për të gjithë.

 

Kjo nuk mund të arrihet me një politikë të kapur nga krimi dhe nga një grusht oligarkësh grabitqarë dhe hajdutë.

 

  • Një qeveri e pakicës punon për pasurimin e pakicës.
  • Një qeveri që vjen në pushtet nga krimi dhe mbahet në pushtet nga krimi do t’i shërbejë krimit.
  • Një qeveri që vjen në pushtet me paratë dhe mbështetjen e oligarkëve, do t’u shërbejë oligarkëve.

 

Shikoni bumin e ndërtimit në Tiranë. Shikoni koncesionet kriminale me kosto të fryra në mënyrë marramëndëse, 5-10 fish më të shtrenjta të çmimit europian për të njëjtat shërbime, për të njëjtat ndërtime. Janë të gjitha shërbimet dhe favoret që Edi Rama i bën krimit dhe oligarkëve. Këto janë shkaqet e varfërimit të shqiptarëve të thjeshtë.

 

Edi Rama nuk u ka shërbyer kurrë njerëzve dhe nuk do t’u shërbejë kurrë njerëzve. Ai është kryeministri i krimit, kyeministri i oligarkëve dhe do të  jetë i tillë deri ditën e fundit në pushtet.

 

Vetëm një qeveri qe vjen me votën e lirë të njerëzve, të popullit, punon për popullin.

 

Ndaj, përpjekjet tona për ekonominë, për punësimin, për përparimin do të japin rezultat vetëm kur të zgjidhim problemin e madh politik: Çlirimin e politikës nga krimi dhe oligarkët.

 

Ata që mendojnë se Edi Rama mund të kufizohet, mund të reformohet apo mund të korrigjohet, janë, në rastin më të mirë, naivë të rrezikshëm. Edi Rama është i zhytur në krim dhe mbijetesa e tij politike është e lidhur me krimin.

 

Edi Rama duhet të ikë!

 

Edhe pas ikjes së tij vendit do t’i duhen përpjekje titanike për të çrrënjosur modelin kriminal që ka instaluar në Shqipëri dhe për të kuruar plagët e korrupsionit gjigand dhe vjedhje me oligarkët e babëzitur grabitqarë. Por rrugë tjetër nuk ka.

 

Pastrimi i sistemit tonë politik, largimi njëherë e mirë i drejtimit kriminal të qeverisje, është shpresa dhe rruga e sigurtë për një Shqipëri që i takon të gjithë qytetarëve të saj.

 

Ju faleminderit!