Kemi dëgjuar këto ditë, pa fund, propagandën e re të qeverisë, e cila po shet aksonin e saj të fundit si një aksion që paskërka mbi dy vite që hartohet e zhvillohet, e që analiza të tëra risku, plane pune e përgatitje qenkan mbas kësaj vepre të re të qeverisë. U përpoqa të gjeja në diskutime mediatike të kolegëve të kohëve të fundit për të parë dhe unë se ku ishte ky plan strategjik për informalitetin, se çfarë kish bërë qeveria këto dy vite por nuk gjeta asjgë. 300 ditët e dyta thoshte kryeministri lufta ndaj korrupsionit! Nga prilli i këtij vitit thoshin ka nisur asioni më i madh ndonjëherë i dëgjuar në historinë e vendit për luftën ndaj abuzimeve me karburantet! Asgjë tjetër! Përveç këtyre deklaratave, asgjë tjetër, asnjë infoamcion, asnjë plan pune, asnjë rezultat as dhe i këtyre dy të fundit të lancuara! Asnjë për be!
Nga gushti, kur gropa e tatimeve thellohej gjithnjë e më shumë, kur të ardhurat nga taksa e rritur e qarkullimit nuk po mblidheshin dot, kur trau i doganave ishte ngritur për maunet e kontrabandës qeveria u kujtua të bëjë shtet, duke filluar me biznesin e vogël! Dhe aq i planifikuar ishte ky aksion sa u shty dy javë njëra pas tjetrës sepse nuk ishin gati, e sot ky ligj është futur për t’u diskutuar me procedurë të përshpejtuar!
Ky ligj që gjoja do të ndihmojë betejën me mullinjtë e erës së formalitetit nuk është gjë tjetër vetëm se një rrekje për të mbuluar një gropë të shkaktuar nga paaftësia e papërballueshme e të bërit politika fiskale dhe ekonomike konkurruese. Prandaj, arsyetimi qeveritar se rishikimi i ligjit për Procedurat Tatimore për të ndihmuar po të njëjtët tatimorë që këto 3 vjet kanë qenë në pushtet dhe nuk e kanë zbatuar ligjin, është vetëm një reflektim i qeverisë së aksioneve propagandistike.
E njëjta qeveri që jo më larg se 4 muaj më parë nisi aksionin e famshëm për hidrokarburet që si rezultat, sipas qeverisë, do të sillte uljen e çmimit të naftës në treg. Rezultatet, sot pas katër muajve janë; ministri i ekonomisë, turizmit e kështu me radhë doli katër herë në televizor, ministri i financave doli tre herë në televizor, kryeministri e përmendi mbi dhjetë herë dhe çmimi i naftës në treg vazhdon të mbetet mbi 180 lek/litër kurse në bursa ai vazhdon të bjerë. Është çështje propagande, jo ekonomie të kuptohemi.
Sot, morali që mazhoranca po shtron si në apologjinë ndaj këtij ligji të rishikuar edhe në betejën kundër informalitetit të drejtuar ndaj biznese të vogla lidhet me konkurueshmërinë e ndershme mes bizneseve. Pra, përdoret një parim i drejtë dhe aplikohet tek njerëzit më të pafuqishëm, a thua se konkurrueshmëria e pandershme dhe abuzimi me ligjin fillon dhe mbaron tek këto biznese.
Megjithëse e vërteta është se evazionin dhe abuzimet më të mëdha fiskale në këtë vend nuk shtrihet tek ato 36 mijë biznese të vogla që çojnë apo nuk çojnë 5-10% të ardhurave në buxhetin e shtetit. Problemi i vërtetë, në të ardhurat e këtij vendi nuk është as tek ato mbjellësit e duhanit tradicional në fushat e Shkodrës, siç edhe agjentët e huaj që i falët një kontratë ua specifikuan. Problemi real janë ato mamuthët e mëdhenj të ekonomisë që sjellin karburantet, duhanin, që duhet të paguajnë akcizat etj etj.
Këtij problemi si do t’i gjendet zgjidhja?! A ka ndonjëri nga ju guximin për tu marrë me problemin real të buxhetit?Duket se kjo qeveri përgjigjen për gropën prej 2.8 miliardë lekësh mendon ta gjejë tek masat e mësipërme, edhe sikur 17 mijë bizneset e reja që kaq fort propagandohen nga qeveria të paguajnë tatimet e tyre ato sjellin në buxhetin e shtetit një rritje prej 0.3%, që në fakt është një hap kërmilli për buxhetin e shtetit por një hap i madh për propagandën qeveritare që dështimin e saj në mbledhjen e TVSH-së (që në gusht rezulton 2,7 miliardë lekë nga plani) duhet ta justifikojë me 12 mijë biznese të mbyllura vetëm nga ky aksion anti-informalitet.
E që të kuptohemi, e kam thënë dhe e përsëris që ne jemi kundër informalitetit. Që ne kurrë si ju nuk kemi për të dalë e për të mbështetur informalitetin. Kam këtu me vete procesverbale të mbledhjeve të komisionit të ekonomisë të zhvilluara në shtator 2010, e seancave plenare të tetor të 2010 ku ju të gjithë njëri pas tjetrit jeni ngritur e keni folur të gjithë për faktin se nuk e mbështesni vendosjen e kasave, të gjithë një nga një keni qenë dhe kundër që t’i rimbursojë buxheti i shtetit, se që të kuptohemi ato që filluan të vihen në 2010 rimbursoheshin nga buxheti i shtetit, këto sot që po detyroni ambulantet e rrugës të gjithë paguhen vetë nga bizneset!
Po çfarë po prodhon ky aksion?! Ky aksion nuk po prodhon asnjë të ardhur shtesë në buxhetitn e shtetit dhe këtë e konfimuan të ardhurat e gushtit, dhe mbi të gjitha po prodhon rritjen e papunësisë. Një aksion i nisur pa asnjë plan, i pabazuar aspak në një analizë serioze risku, sikur minimalisht ministritë përkatëse që bëjnë shoë nëpër emisione e konferenca të kishin lexuar të dhënat e INSTAT. Do të kuptonin se janë pikërisht këto biznese të vogla informale që në këtë kohë krize dhe stanjacioni janë burimi kryesor i punësimit për shumicën e shqiptarëve.
Për pasojë edhe ato pak shqiptarë që kanë mbetur në këtë vend duke mbijetuar me të gjitha mundësitë, janë të detyruar të mbyllin bizneset e tyre sepse qeveria ka vendosur të bëjë shtetin me to dhe jo me të tjerët. Qeveria ka vendosur të tregojë dhëmbët me ato që janë të dobët sot dhe të tregohet e pafuqishme përballë atyre që e kanë kapur nga brirët këtë mazhorancë të korruptuar.
Janë të dhëna nga ministria e financave që flasin se problemi nuk janë bizneset e vogla por tatimet dhe doganat, janë të dhëna nga KLSH që tregojnë se një administratë doganore që përdor paratë për të bërë kurse anglishteje dhe për të blerë biçikleta nuk mundet të jetë aq e ndershme sa të mos hapë krahun sa herë që ka një ofertë më të mirë.
Sot një fakt interesant u shfaq në media. E kam fjalën për atë abuzimin prej 20 milion eurosh që duhet të prodhonte një sistem e-taxation të përkorë dhe që në fakt u fali përdoruesve një sistem të çalë. Faktet dhe provat edhe kësaj here dëshmuar se megjithse drejtoria e tatimeve në 2013 trashëgoi një kontratë të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe asaj austriake për një sistem e-taxation me vlerën e 10 milion eurove, që do të paguhej nga qeveria austriake. Vendosi që për të njëjtat shërbime të kësaj kontrate, drejtoria e tatmieve të kryente jo një, jo dy por 6 tendera të dyshimtë duke çuar vlerën e këtij projekti në 20 milionë euro të tjera. Ja ku janë të gjitha të ardhurat që pretedoni që do të mblidhni shtesë nga ky aksion ndaj bizneseve të vogla! Me një tender të vetëm jua hedh në erë drejtoresha e tatimeve! Drejtoresha që si shumica e kësaj qeverie la një punë më të mirëpaguar për një ideal dhe se ky vend bëhet!
Nuk mund të shpëtojë ekonomia e vendit duke u marrë me biznesin e vogël që mezi siguron të ardhurat dhe një punësim familjar. Nuk mund të shpëtojë ekonomia e vendit dhe as buxheti i shtetit nga cikërrimat që administrata tatimore do t’i marrë me hir apo me pahir këtyre bizneseve. Nuk mund të kemi rritje ekonomike nëse nuk rregullohet problemi i korrupsionit që nuk është vetëm në shtresat e ulëta të administratës tatimore, por të një korrupsioni që ka kapur prej fyti këtë qeveri.
Pikërisht, kjo është frika që juve përpiqeni ta mbuloni me këto aksione që godasin pambarimisht një popull që në tre vjet e keni rraskapitur me taksa, me tarifa, me çmime të larta që e keni ushqyer me propagandë, gënjeshtra dhe art. Por, sërishmi ekonomia po rrotullohet drejt humnerës të një krize që ka lëshuar sinjale të forta.
Përballë dështimit që keni hasur me investitorët e huaj që largohen e shkojnë në vendet fqinjë me taksa më të ulëta, përballë dështimit të mbledhjes së të ardhurave dhe të vendosjes së një shteti ligjor. Nuk keni vendosur të reflektoni e të ndryshoni dicka, por keni vendosur që të abuzoni me pushtetin që qytetarët ua dhanë, keni vendosur të sulmoni biznesin e vogël për të justifikuar dështimet tuaja me kokëfortësi dhe arrogancë.
Të dyja këto nuk do të shpëtojnë as anijen në të cilën keni hipur dhe as nuk do të shpëtojnë qytetarët nga kjo dallgë dëshpërimi që u keni injektuar. Aq më pak nuk do të nxjerrin në selamet një ekonomi që e keni drobitur përgjatë këtyre tre viteve. Shteti juaj, është ai i gangsterëve që ose shkojnë nëpër dyqane e biznese për t’i gjobitur apo janë asi gangsterësh që i keni graduar me tituj honorifik.
Kjo lloj qeverie nuk mund të shpëtojë gropën e TVSH-së që edhe pas rishikimit të buxhetit sërisht i mungojnë 1.2 miliardë lekë, as nuk mund të shpëtojë gropën e 220 milionë lekësh që vjen nga zëri i tatim fitimit dhe as nga mosrealizimi i 316 milionë lekësh që vjen nga tatimi mbi të ardhurat personale. Të mos flasim për gropën e akcizës së qeverisë që në korrik ishte 6.5 milionë lekë më pak se sa plani, që taksat kombëtare ishin 15% më pak se sa plani. Para që duhet të ishin në arkën e shtetit por që keni vendosur t’i hidhni në arkat tuaja të kursimit.
Nuk mundet ta shpëtojë ekonominë kjo lloj beteje ndaj bizneseve më vulnerabël të cilët të gjendur përballë edhe një ligji të tillë alogjik do të mbyllin qepenat e tyre. E shifra e para disa ditëve prej 7200 bizneseve të mbyllura, që ka minimalisht po aq vende pune të humbura, do të katërfishohet shumë shpejt. Ndërkohë që recensioni ekonomik i vazhdueshëm do të godasë akoma më fort këto shtresa duke zhytur akoma më thellë të varfrit në mizerje. E duke e shndërruar, ironikisht, qeverinë e socialistëve në qeverinë e feudalëve të pasur dhe një populli të shtypur.
Në qershor të vitit 2013, kryeministri Rama u qante hallin biznesmenëve të vegjël nga një qeveri katile dhe i premtonte uljen e taksave. Sot është i njëjti person që jo vetëm u ka rritur taksat për gjithçka këtij biznesi por edhe i ka shpallur luftë duke i sulmuar anë e kënd duke harrur premtimin për heqjen e taksës ndaj Biznesit të Vogël, heqjen e taksave për ushqim bazë, uljen e faturës së energjisë elektrike. të gjitha sa më sipër ishin karremi të cilët qytetarët duhet të ziheshin në grep, kështu që kryeministri artist të pikturonte i qetë në zyrën e tij.
Kjo është e vërteta e hidhur e një qeverie të korruptuar që ka vendosur të bëjë kurban të dobëtin me qëllim që hajdutët të ushqehen me to. Kjo është qeveria e kriminalizuar që ka vendosur të dekorojë të fortët dhe t’i mbrojë ato me ç’do kusht edhe të dënojë e të ndjek këmba këmbës biznesin e vogël pa kupon tatimor.
Kjo është qeveria që ka vendosur të hapë ekspozitë atje ku shqiptarët kanë vendosur të shkojnë për strehim politik. Kjo është qeveria që shkarravit mbi shkresat e dështimeve ekonomike dhe fshikullon shqiptarin që ç’do ditë përpiqet të sigurojë bukën e gojës.
Kjo padyshim është qeveria e të fortëve, hajdutëve, të korruptuarve të cilët i strehoni ku të mundeni ndërsa rrisni pabarazinë dhe mpakni revoltën e qytetarëve që ndjehen të fyer dhe të poshtëruar.
Fjala në Kuvend e deputetes së PD, Jorida Tabaku, 23 Shtator 2015