• Papunësia 11.5% është mashtrim i Edi Ramës. Investimet e huaja, fuqia bLerëse, besimi tek ekonomia janë në rënie.

 

 DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, INES NURJA

 

Me Edi Ramën në krye të qeverisë ka dy realitete. Nga njëra anë është realiteti i shumicës së shqiptarëve, që mendojnë se ekonomia e tyre po përkeqësohet, e vendit më të varfër në Europë me rreth 300 mijë shqiptarë që largohen nga vendi se nuk gjejnë punë dhe siguri. Nga ana tjetër, është realiteti i Edi Ramës, i cili na thotë se në tremujorin e dytë të këtij viti papunësia ka kapur nivelin më të ulët historik, 11.5 përqind.

 

 

Realiteti i Edi Ramës na nxjerr vendin me papunësinë më të ulët në Ballkan, jo vetëm duke ia kaluar vendeve si Turqia, Spanja dhe Greqia, por duke na barazuar pothuajse me vendet e G7-ës, që janë vendet më të industrializuara në botë.

 

 

Realiteti i punësimit për Edi Ramën është njësoj si ai i zgjedhjeve që organizon, një realitet mashtrimi, ku kapet duke vjedhur dhe manipuluar.

 

 

Edi Rama pretendon se në 3 muajt e dytë të këtij viti janë punësuar mbi 21 mijë persona në shërbime dhe bujqësi, por askush nuk ka parë dhe përjetuar ndonjë boom ekonomik në bujqësi. Çmimi i naftës me të cilën fermerët punojnë vazhdon të jetë i shtrenjtë, subvencionet për fermerët vazhdojnë të mungojnë e të vidhen, investimet e qeverisë janë zero, investimet e huaja janë zero. Asnjë tregues domethënës nuk justifikon realitetin e manipuluar të Edi Ramës me papunësinë.

 

 

 

Ulja e papunësisë në nivelet e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian rrëzohet edhe nga të dhënat e vetë INSTAT-it apo të institucioneve të tjera të specializuara, të cilat pohojnë se çdo tregues i rëndësishëm i ekonomisë është në rënie.

 

 

Së pari, është anketa e publikuar nga Banka e Shqipërisë në lidhje me treguesin e besimit tek bizneset dhe konsumatorëve. Treguesi i ndjesise ekonomike ra me 0.7 pikë përqindje dhe ai i besimit të konsumatorit ra me 2.2.

 

 

Së dyti, sipas një publikimi tjetër nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e dytë, që pohon se investimet e huaja direkte patën rënie me 13.2 %.

 

 

Së treti, treguesit e inflacionit, që kanë direkt lidhje me fuqinë blerëse të qytetarëve, janë në rënie. Në tremujorin e rritjes fallco të punësimit inflacioni ishte 1.3 deri ne 1.5, që tregon se fuqia blerëse e njerëzve ka rënë dhe shkaku kryesor për këtë është papunësia.

 

 

Së katërti, numri i bizneseve të falimentuar në këtë 3 mujor të artë sipas Edi Ramës, është rritur ndjeshëm. Në muajt Prrill, Maj, Qershor më shumë se 2 mijë biznese mbyllën aktivitetin e tyre.

 

 

Vetëm në realitetin mashtrues të Edi Ramës ndodh që të deklarohet punësimi i një numri rekord njerezish, kur rekordi i vërtetë është falimentimi i bizneseve, braktisja e ekonomisë nga investitoret e huaj, rënia e fuqisë blerese të qytetarëve.

 

 

Ky realitet duhet ndryshuar sa më parë dhe mënyrë e vetme për ta ndryshuar atë janë zgjedhjet e lira e të ndershme! Vetëm një qeveri e dalë nga vullneti i lirë i qytetarëve do të bëjë të mundur që ajo të punojë në interesin e tyre, duke hapur vendin për investimet e huaja, duke siguruar konkuremcë të ndershme, duke hapur vende të vërteta pune! Alternativa më e mirë për vendin është Partia Demokratike dhe programi i saj i zhvillimit me platformën antioligarki dhe platformën antimafia!