Nën modelin Rama që pushteti jo vetëm merret por dhe mbahet me njerëz të inkriminuar, ka ri-rilindur tashmë edhe Bashkia e Tiranës me kryetar, Erjon Veliajn.

Një nga emerimët e para të Veliajt në drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, specifikisht në pozicionin e Drejtorit të Parkut të Ujësjellësit Tiranë, është graduar Eqrem Braçe, i cili në maj 2014, edhe pse zv-kryetar i Komunës Levan, plagosi me armë pa leje 2 qytetarë në mes të dites në rrugën nacionale Fier – Levan.

Sikur të mos mjaftonte inkriminimi i administratës shtetërore, inkriminimi i parlamentit shqiptar, kriminalizimi i zgjedhjeve vendore me kandidatë të lidhur me bandat e trafikun e drogës, edhe Erjon Veliaj po jep kontributin e tij në projektin e Rilindjes së administratës shtetërore me shkarkimin e punonjësve të Bashkisë Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kriminelë të afirmuar.

Mesa duket Veliaj nuk ka kohë që për emërimet e tij të bëjë të paktën një kërkim të thjeshtë në google ku rezulton se drejtori i tij Eqrem Braçe ka probleme të forta me ligjin.

Nuk ka kohë  Veliaj se është i zënë me shkatërrimin përfundimtar të administratës së Bashkisë duke shkarkuar përditë dhjetra nëpunës që prej vitesh janë pjesë e administratës publike.

Dje Veliaj ka shkarkuar në mënyrë krejt abuzive nga puna nënën e 4 fëmijëve zonjën Vjoleta Geca , e cila në përpjekje për ta takuar punëdhënësin e saj është konfrontuar fizikisht me Erjon Veliajn dhe shefen e kabinetit të Veliajt.

I bëjmë thirrje Veliajt të ndërpresë valën e shkarkimeve abuzive nga puna të nëpunesve të ndershëm dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të inkriminuar, sepse numri i shpullave që Veliaj do marrë nga padrejtësitë që shkakton, shumë shpejt mund tia kalojë numrit të shpullave që ai përdor për propagandë.


Deklaratë për shtyp e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Fabian Topollaj, 26 Shtator 2015