• Opozita dhe Europa sot flasin me një gjuhë. E sotmja nuk është ajo që kemi dëshiruar, kemi punuar dhe shpresuar, por do të ishte një gënjeshtër e madhe po t’i thonim që nuk e prisnim. Kush fshihet pas problemeve të BE, paralajmëron dështimin e radhës.

 

  • Nuk prisnim më mirë sesa Bundestagu vendosi para dy javësh. Shqipëria nuk do të merrte një “Po” të prerë siç mund ta merrte Maqedonia sot. Kushtet u shtuan nga 5, në 7, në 9, sepse Shqipëria po shkon prapa me qeverisjen aktuale. Kryeministri vuri pushtetin e tij dhe kriminelëve të tij mbi fatin europian të Shqipërisë.

 

  • Ka një përpjekje për ta shitur të sotmen si një përplasje mes vendesh anëtare të BE dhe jo si një çështje që ka të bëjë me keqqeverisjen në Shqipëri. E vërteta është se Europa nuk t’i hapë dyert, kur sundon si autokrat, larg vlerave europiane, zgjedhjeve të lira dhe barazisë para ligjit.

 

  • Në vendet anëtare mbizotëron prej 3 vjetësh një mosbesim për raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin, që konsiderohen të zbukuruara, që nuk paraqesin realitetin. Këtë tha edhe Hollanda, edhe Franca. Negociatat nuk hapen as me përqafime në Bruksel, as me propagandë, as duke thënë “plaçin fashistët”

 

  • Duke mos i besuar realitetit të KE, Bundestagu ngriti mekanizmin e kontrollit të gjendjes reale në Shqipëri. Këtë propozon të bëjë edhe Franca në një nivel tjetër, për të reformuar mënyrën e vlerësimit të reformave të vendeve që duan të anëtarësohen në BE.

 

  • Presidenti Makron dëshiron të reformojë procesin sesi verifikohen të vërtetat dhe gënjeshtrat e Ballkanit, autokratët që shiten si demokratë, trafikantët e drogës që shiten si politikanë të ndershëm dhe hipin e zbresin avionët për Bruksel me çanta me para, me të cilat mendojnë se mund të blejnë deputetë të falimentuar, por nuk i blejnë dot kurrë të vërtetën. Nuk shkohet në Europë me Toyota Yaris, as me paratë e Toyota Yaris.

 

  • Në raport me popullsinë, numri i të larguarve dhe që kërkojnë azil nga Shqipëria është më i larti në botë, më shumë se sirianët dhe afganët. Megjithë policët e Frontex, prapë emigracionin nuk e ndalin dot, sepse askush nuk do që të rrijë në një vend që nuk është më i tij, ku institucionet nuk janë më të tyret. Për fat të keq, Shqipëria dhe insticionet e saj janë të 10 pashallarëve të Edi Ramës, gjysma kriminelë, gjysma oligarkë.

 

 

  • Ne do të dalim nga kjo krizë e dhimbshme. Ky është edhe fillimi i fundit të kësaj sëmundje të tmerrshme. Rruga për të dalë nga gremina është rikthimi te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, rikthimi të barazia para ligjit. Me ndihmën e Perëndimit, piketat janë hedhur dhe nuk i zhbën dot askush.

 

  • Çfarëdo që të vendosë Europa për vete, asgjë nuk do të ndryshojë, po nuk ndryshuam gjërat ne. Ne kemi vetëm një rrugë për të hapur negociatat dhe ajo rrugë përshkruhet në 9 kushtet e Bundestagut gjerman.

 

  • Edi Rama, po të kishte pasur një fije patriotizmi, po të kishte vendosur interesat e shqiptarëve para interesave të veta politike, duhet të kishte dalë për të dhënë dorëheqjen dhe asgjë më pak.

 

  • Ne nuk presim asgjë prej Ramës. Ne kemi vendosur që të bashkojmë të gjithë shqiptarët për ndryshimin që Shqipëria meriton. Ky ndryshim do të vijë përmes lidershipit të përgjegjshëm që vendos interesat e vendit mbi interesat e veta.

 

  • Ramës i ka mbetur vetëm loja e fajësimit të të tjerëve, fajin e ka BE, fajin e ka Makron, fajin e ka opozita, fajin e ka media, vetëm Edi Rama nuk ka faj. Ne kemi përgjegjësitë e një shumice të madhe dhe jo të heshtur më, që kërkon ndryshim.

 

  • Shqiptarët nuk duan thjesht rotacion, duan ndryshim. Ta këpusim këtë rreth vicioz dhe, me zgjedhje të lira e të ndershme, t’u japim një qeveri që e kanë në dorë njerëzit. Një vend ku ka drejtësi të pavarur dhe barazi para ligjit.

 

  • Nuk dua të zhgënjej askënd, por dua të them se ndryshimi nuk vjen as përmes një akti, as përmes një reforme, as përmes një proteste. Kjo kërkon një vullnet politik për të çuar përpara një vizion europian për vendin.

 

  • Vendit nuk i duhen thjesht ndryshime të Kodit Zgjedhor, por një reformë zgjedhore, që ndan politikën nga krimi. Që i jep fund një sistemi ku 10 persona janë pronarë të Shqipërisë, një refomë me një sistem zgjedhor që garanton përfaqësimin e qytetarëve, si dhe një refomë në drejtësi me fryte për qytetarët.

 

  • Plotësimi i kushteve nga një qeveri e përgjegjshme që vendos fatin e shqiptarëve, fatin e njerëzve, para interesave politike, pasurore, të një grushti pushtetarësh, është rruga përpara, është rruga drejt dritës jeshile, është rruga drejt diellit që lind aty ku perëndon.

 

  • 9 kushtet e Bundestagut është plani i opozitës. Reformë zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zbatim i Reformës në Drejtësi, fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Çuarjen para drejtësisë të çdokujt që ka abuzuar me besimin, pasuritë e shqiptarëve. 9 kushtet e Bundestagut janë rruga përpara, janë plani europian, janë plani i PD dhe I opozitës së bashkuar.

 

  • Ne ndodhemi në fund të një procesi degjenerimi, të nisur nga kjo qeveri dhe në fund të një procesi vetëdijësimi të europianëve dhe shqiptarëve, të nisur nga opozita, se kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë. Çfarë duhet bërë, është fare e qartë. I duhet hapur rrugë insitucioneve demokratike dhe funksionale, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit

 

  • Bundestagu e ndan në dy pjesë reformën zgjedhore, por për pjesën e dytë ka amnezi Edi Rama. Pjesa e parë është miratim i reformës sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR me konsensus të forcave politike, pjesa e dytë është zbatim i reformës zgjedhore. Ai është testi për të hapur negociatat.

 

  • Opozita është e gatshme të shkojë që nesër në zgjedhje të parakohshme. Parakushti për zgjedhje të parakohshme, është që ato të kenë standardet minimale europiane, të garantojnë që të jenë zgjedhjet e njerëzve, që të prodhojnë një qeveri për njerëzit.

 

BASHKËBISEDIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

Mirëmbrëma të dashur bashkëqytetarë,

 

Të nderuar përfaqësues të medias që jeni të pranishëm dhe kolegë që janë rrugës nga konferenca jashtëzakonisht e gjatë në Kryeministri, dua ta nis me shprehjen e keqardhjes time për ditën e sotme, nuk është ajo që kemi dëshiruar, nuk është ajo që kemi shpresuar. Por do të ishte një gënjeshtër e madhe ndaj shqiptarëve po t’i thonim që nuk e prisnim.

 

Që prej vendimit të Bundestagut, dy javë më pare, për vendosjen e 9 kushteve Shqipërisë dhe hapjen negociatave vetëm pas plotësimit të këtyre 9 kushteve, ishte e qartë se në skenarin më të mirë të mundshëm, Këshilli Europian që është organi më i lartë i Bashkimit Europian- përfaqësohen shtetet anëtare në nivel të kryetarit të qeverisë apo kryetarit të shtetit- nuk do të merrte, nuk do të mund të merrte një vendim më pozitiv se ai, por mund të merrte një vendim më negativ se ai.

 

Ju e dini fare mirë se Partia Demokratike dhe unë personalisht, siç e kam ndarë edhe me bashkëqytetarët edhe në raste të tjera, por edhe në bashkëbisedimet tona, kemi punuar fort për të bindur miqtë tanë, kristiandemokratët gjermanë të Angela Merkel në Bundestag, që ta transformonin “Jo”-në e tyre në një proces kushtëzimi, që do të mundësonte reformat dhe “Po”-në për hapjen e negociatave.

 

Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kancelares Merkel, ndaj partisë tonë simotër, kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve gjermanë në Bundestag, në veçanti ndaj doktor Johan David Ëadephul, të cilin pata rastin ta takoj edhe dje në Berlin, për faktin që jo vetëm arritën të siguronim një maxhorancë shumë më të vogël sesa do të dëshironim ne, por përsëri, një maxhorancë Brenda  grupit CDU/CSU, por që së bashku me partnerët e tyre junior në koalicion, socialistët, socialdmekratët gjermanë, partinë simotër të Partisë Socialiste shqiptare,  të rakordonim një dokument që në fakt është udhërrëfyesi për Shqipërinë drejt hapjes së negociatave.

 

Le ta themi, pra, qartë për çdo shqiptar, shpresonim, dëshironim të kishim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë sesa Bundestagu vendosi para dy javësh. Shqipëria nuk do të merrte një “Po” të prerë siç mund ta merrte Maqedonia sot.

 

Arsyet për këtë janë fare të qarta. Unë ftoj këdo që mund t’i ketë harruar se 9 kushtet e Bundestagut ishin 5, u bënë 7, u bënë 9, për shkak të faktit se Shqipëria po shkon prapa me qeverisjen aktuale.

 

Ia vlen këtu të theksoj se dy kushtet e reja që ka shtuar Bundestagu kanë të bëjnë me arrestimin dhe procedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave si dhe me gjykimin e shpejtë të 30 qershorit dhe përsëritjen e zgjedhjeve sipas një kodi dhe reforme zgjedhore të miratuar me konsensus nga forcat politike.

 

Janë dy kushte të cilat tregojnë qartësisht dy dështime të mëdha, dy hapa të mëdhenj prapa që ka bërë Shqipëria, për shkak se kryeministri aktual në të dyja këto raste vuri pushtetin e tij mbi interesat e shqiptarëve. Vuri fatin e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij të kapur në krim, mbi fatin europian të Shqipërisë. Këto janë faktet.

 

Megjithatë, ka një përpjekje për ta shitur të sotmen si një përplasje mes vendesh anëtare të Bashkimit Europian dhe jo si një çështje që ka të bëjë me Shqipërinë, me keqqeverisjen, me problemet e përditshme të shqiptarëve, që nuk kanë nevojë as të kesh studiuar Bashkimin Europian, dhe as të jesh politolog, që në këtë gjendje, asnjë vendi nuk mund t’i hapet drita jeshile për t’u bërë pjesë e Europës. Këtë ta thotë qytetari i parë që takon kur të dalësh këtu nga dera, apo në cilido zonë apo lagje të Tiranës, apo në cilindo fshat apo qytet të Shqipërisë dil e pyeti “A jeni gati?”. Dhe e merr përgjigjen nga shqiptari. Pse?! Sepse vendi jo vetëm nuk po qeveriset, por po sundohet shumë larg standardeve minimale që shqiptarët i njohin, që sundojnë në Europë; standardeve të barazisë para ligjit, standardeve të institucioneve që iu shërbejnë qytetarëve, të standardeve të një vendi që iu takon të gjithëve jo vetëm një grushti njerëzish.  Kjo është e vërteta.

 

Po si lidhet kjo me atë çka ndodhi në Bruksel dhe pse një orë e gjysëm me atë çka kaloi ishte harxhimi më i madh i kohës në jetën e çdokujt që e ndoqi. Unë për fat të mirë nuk kisha nevojë ta ndje, sepse është diçka e dëgjuar dhe stërdëgjuar.

 

E vërteta është fare e thjeshtë. Gjermania dhe Franca nuk mund të mos jenë më dakord se kaq në thelb dhe në fakt edhe në mënyrën sesi i qasen problemit po propozojnë pak a shumë të njëjtën gjë. Dhe tani është rasti t’ia shpjegojmë shqiptarëve tamam siç është, i sapo kthyer nga Berlini me informacionet më të freskëta. Në orën 13:00 kam mbërritur nga Berlini me informacionet më të freskëta nga kryeqendra e Gjermanisë, superfuqisë ekonomike dhe politike të Europës.

 

Është e vërtetë që jo vetëm në këtë mbledhje, por tash tre vjet mbizotëron një mosbesim nga vendet anëtare në raport me raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin. Thënë më qartë, raportet e Komisionit Europian për Zgjerimin konsiderohen nga një pjesë e mirë e vendeve anëtare të zbukuruara, që nuk paraqesin realitetin.

 

Dhe këtë tha edhe Holanda, kur u shpreh se “Nëse në rastin e Maqedonisë ishin dakord, në rastin e Shqipërisë, problemi i krimit, i korrupsionit dhe i ndarjes së pushteteve i ndalonte në mënyrë absolute të merrnin një vendim për hapjen e negociatave”, në kontrast të qartë me raportin e zbukuruar, për herë të tretë, të Komisionit Europian.

 

Këtë tha edhe Franca. Jo vetëm në raport me krimin dhe korrupsionin, por edhe në raport me një problem të cilin Franca e ndjen dhe e sheh përditë, problemin e azilkërkuesve shqiptarë.

 

Kush nga ne shqiptarët nuk e di se çfarë problemi të tmerrshëm emigracioni kemi ne në Shqipëri këto 6 vitet e fundit?!

Kush nga ne nuk e di se është kthyer e njëjta valë largimi nga vendi si në fillim të viteve ’90?!

 

Dhe kush nuk e di, le ta mësojë që, në raport me popullsinë, numri i të larguarve dhe që kërkojnë azil nga Shqipëria është më i larti në botë, viti 2019, jo ’89, as ’79, as ’90, as ’93. Është viti 2019 dhe Shqipëria ka sot në raport me popullsinë numrin më të madh të emigrantëve dhe të azilkërkuesve në planet. Më shumë se sirianët dhe afganët në raport me popullsinë.

 

Këto janë të vërteta, të cilat për fat të keq si shumë të vërteta të tjera që kanë të bëjnë edhe me proceset brenda vendit, nuk kanë gjetur pasqyrimin e duhur në raportet e Komisionit Europian të Zgjerimit, as këtë vit, as vitin e kaluar, as para një viti. Dhe kjo e shtyu Bundestagun gjerman të ndërmerrte atë që ndërmerr gjithmonë, kur nuk i beson Komisionit, të bëjë vlerësimin e vet. E bënë edhe për Serbinë para disa vitesh, i njëjti person e bëri Gunter Krichbaum. Por Presidenti i Serbisë nuk i tha “deputet skutash”, por mori detyrat, iu shtrua punës, plotësoi detyrat e lëna nga Bundestagu dhe hapi negociatat për Serbinë. Të njëjtën gjë bëri edhe Mali i Zi. Kjo ka ndodhur në nëntor të 2016-ës.

 

Në vend që të plotësonim kushtet shtesë të Bundestagut, vazhduam të putheshim dhe të përfaqësoheshim me Komisionerin për Zgjerimin, me  Federica Mogherinin, këta thonin “që ne i kemi bërë detyrat, “Plastë armiku!”, “Plaçin fashistët !”. Nuk hapen negociata me propagandë.

 

Shumë gjëra ka arritur Edi Rama me propagandë në SHqipëri për shkak të standardit tonë të ulët europian si shoqëri, por në Europë nuk shkohet me propagandë. Në Europë shkohet më të vërteta të kontrolluara dhe aty ku ka dyshim për kontrollin e parë, kontrollohet edhe një herë tjetër. Dhe kjo ndodhi.

 

Bundestagu ngriti mekanizmin e kontrollit të gjendjes reale në Shqipëri. Dhe e njeh gjendjen reale, siç u detyrua ta pranojë z. Rama në parlament para dy javësh, më mirë se çdokush tjetër në planet.

 

Bundestagu po kështu propozoi një mekanizëm   cili po ashtu sikurse e ka propozuar dhe mund ta propozojë edhe Komisioni i ri, shpresoj që sëmundja e zbukurimit të raporteve të mos bartet nga komisioni Juncker tek komisioni i ri dhe kam besim se nuk do të bartet, sepse ky është një alarm edhe për Komisionin e ardhshëm Europian, prapë se prapë nuk ia lanë në dorë rastësisë, Bundestagu ka mekanizmin e vet të verifikimit:

 

  • Janë gjërat në Shqipëri ashtu si duhet të jenë për të hapur negociatat apo jo?
  • Po ecet vërtetë përpara apo jo?
  • Po bëhen zgjedhje apo po vidhen zgjedhjet?
  • Po dënohen baballarët që kanë ndërtuar shtëpitë e po shijnë e po grijnë Tom Doshët e Vangjush Dakot me shokë apo e kundërta?
  • A ka ndonjë politikan të dënuar për korrupsion apo nga këta që janë kapur me drogë që kanë shkuar një ditë në burg kur qytetarët shqiptarë plasën burgjeve për 30 mijë lekë faturë të papaguar energjie?

 

Pa pasur barazinë para ligjit nuk ka Europë.

 

Prandaj, Bundestagu ka ngritur mekanizmin e vet të verifikimit dhe këtu nuk ka asnjë fije ndryshimi mes Gjermanisë dhe Francës, të njëjtën gjë po thotë edhe Macroni. Por në Francë Asambleja Nacionale nuk ka të njëjtat kompetenca si Bundestagu.

 

Në këtë republikë gjysmëpresidenciale nuk e kanë gjetur me vend, të paktën deri tani, që duhet që Asambleja Nacionale të kontrollojë apo të autorizojë qeverinë franceze, presidentin francez për procesin e anëtarësimit te vendeve të reja, siç e ka Bundestagu këtë kompetencë. Dhe mesa duket presidenti Macron as që dëshiron të propozojë diçka të tillë, por propozon diçka tjetër. Dëshiron të reformojë procesin sesi verifikohen të vërteta e Ballkanit dhe gënjeshtrat e Ballkanit, demokratët që shiten si autokratë, trafikantët e drogës që shiten si politikanë të ndershëm dhe hipin e zbresin avionët për Bruksel me çanta me para me të cilat mendojnë se mund të blejnë deputetë të falimentuar, por nuk i blejnë dot kurrë të vërtetën. Nuk shkohet në Europë me Toyota Yaris. As me paratë e Toyota Yaris.

 

Pra, Macroni po propozon në esencë mënyrën sesi vlerësohet dhe kontrollohet procesi i reformave të atyre që duan të hyjnë në klubin e vendeve më të pasura, më të përparuara të globit. Si janë bërë të pasura dhe të përparuara? Përmes 2-3 parimeve fare të thjeshta: zgjedhjeve të lira e të ndershme, që mundësojnë që vendi të mos u takojë një grushti pashallarësh, qofshin këta trafikantë droge apo oligarkë, por t’i takojë çdo qytetari, t’u takojë gjithë shqiptarëve në rastin tonë.

 

Dhe së dyti, që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit, pavarësisht nëse është me i pasuri, më i fuqishmi apo më i varfri dhe më I pamunduri. Kjo është Europa. Prandaj ikin shqiptarët edhe pa mësuar frëngjisht, sepse Franca është e të gjithë francezëve, nuk është vetëm 5 oligarkëve dhe 5 kriminelëve. Se në Francë të trajtojnë njësoj dhe të drejtat e njeriut I ke të mbrojtura njësoj, sikur je President i Francës, sikur je azilant, por rezident në Francë, trajtimin para ligjit e kanë të gjithë njësoj.

 

Dhe pa shkuar ne drejt këtyre standardeve, nuk shkon Shqipëria në Europë. Makron po kërkon pikërisht këtë. Të reformojë mënyrën sesi vendet e ardhshme anëtare do të kontrollohen, që të mos kenë dështime apo gjysëmdështime si në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë, apo hapa prapa si në rastin e Vishegradit. Që, prapëseprapë, po t’i marrësh të gjitha bashkë, nuk janë as 1/100 e problemeve që ka sot Shqipëria. Këto janë të vërtetat.

E mora nga pikëpamja europiane, sepse europianët këto simptoma shohin nga trupi i Shqipërisë. Nga trupi ynë shohin azilantë, shohin dhjetëfishin të krimit të organizuar, si në Holandë.

 

Kapin miliona euro cash nëpër apartamente në Amsterdam dhe shohin që bandat shqiptare janë bërë të plotfuqishme. Çfarë ndodh këtu? I çojnë në burg? Jo! Këtu janë bërë biznesmenë, këtu bëjnë kulla në Tiranë. Pastrojnë para, bëhen deputetë, bëhen kryetarë bashkie, nuk i kap më as ligji i dekriminalizmit. Nuk kanë blerë më thjesht polic kufiri a ndonjë shef komisariati. Kanë blerë prokurorinë, kanë blerë parlamentin, qeverinë, kanë blerë proceset politike dhe po blejnë ekonominë.  Atje bëjnë drogë, këtu janë bosa.

 

Franca çfarë ka parë? Në vitin 2010 nisi lëvizja e lirë.  2010-2012 numri i azilantëve në total nuk mbushte kurrë 1 mijë në vit. Prej vitit 2013 filluan të shkojnë nga 1 mijë në muaj, pastaj 1 mijë në javë. Mbani mend 2015-ën? Në 2015-ën ia kaluam sirianëve dhe afganëve bashkë në 8 nga 12 muajt.

 

Çfarë po ndodh? Ne e dimë mirë çfarë po ndodh. Të gjitha këto sëmundje që duken në trupin e Shqipërisë dhe ata thonë “prit, mos e hap derën akoma, se nuk është gati të hyjë”, ne i dimë dhe i njohin shqiptarët.

 

  • 20 % e shqiptarëve ushqehen me lista, sipas të dhënave ndërkombëtare. I patë apo jo 20%?! S’ka nevojë të shihni shifra, shkoni në dyqan lagjeje dhe merrni listën. 2 në 10 familje ushqehen me lista.
  • 47% e shqiptarëve nuk do të ngrohin dot shtëpitë në dimrin që po vjen, nuk kanë para për të ngrohur shtëpitë.
  • 70% e shqiptarëve harxhojnë 90% të të ardhurave për bukë, për t’u ushqyer.

Këto janë nivele afrikane mjerimi.

 

Pse ndodhin të gjitha këto?! Dhe si zgjidhen këto?!

 

Ka njeri që mendon se mund të ndalet emigracioni shqiptar drejt Gjermanisë, Francës, Holandës, Anglisë duke vënë më shumë policë Frontex në kufijtë tanë dhe duke u mburrur me homologët, “ja, sollëm policë tuaj në kufijtë tanë”. Këta që na shiten si patriotë të mëdhenj, na lënë edhe mjekrën si Ismail Qemali, por këtej sovraniteti zero. Pse? Sepse marrin policë të huaj se nuk mbrojnë dot kufijtë. Por prapë emigracionin nuk e ndalin dot. Pse? Sepse askush nuk do që të rrijë në një vend që nuk është më i tij, ku institucionet nuk janë më të tyret.

 

Për fat të keq, Shqipëria nuk është më vendi i shqiptarëve. Institucionet e Shqipërisë nuk janë të shqiptarëve. Janë të një grushti njerëzish, të 10 pashallarëve të Edi Ramës, gjysma kriminelë, gjysma oligarkë.

 

Cila është rruga për të dalë nga kjo krizë? Sepse ne do të dalim nga kjo krizë.

 

Të dashur bashkëqytetarë kjo që shohim sot është shumë e dhimbshme, por është edhe fillimi i fundit të kësaj sëmundje të tmerrshme që për pak sa nuk e shkatërroi shpirtin e kombit tonë. Por nuk e shkatërroi dhe nuk do ta shkatërrojë dot, sepse se bashku ne na pret një e ardhme shumë e mirë. Kjo e ardhme është tashmë vetëm në duart tona!

 

Dhe kjo e ardhme kërkon në radhë të parë, të besojmë se e nesërmja mund dhe do të jetë ndryshe. Do të jetë ndryshe se ky vend I bekuar nga Zoti me një popull të bekuar nga Zoti. një popull I talentuar, të ditur, me një rini të mrekullueshme. në zemër të Europës dhe me talente të jashtëzakonshme. Por e vetmja pengesë për fat të keq, është kapja dhe abuzimi me pushtetin që ju ka nxjerrë të gjithëve jashtë vendit tuaj dhe ju ka bërë të ndjeheni të huaj në shtëpinë tuaj.

 

Historia e vjetër dhe e re e Europës është e mbushur me dy lloj shoqërish – shoqëri që, sado resurse të kenë, nuk ia dalin, nuk kanë sukses, kombe afrikane të pasura me ar, me diamante, me gaz, me naftë, por nuk ia dalin. Dhe vende të tjera që edhe kur janë të varfra, nuk kanë burime natyrore, përsëri shkëlqejnë duke iu dhënë qytetarëve të tyre mundësi, mirëqenie, drejtësi, barazi para ligjit e kështu me radhë.

 

Nuk dua të bëj një leksion të gjatë se pse ka ardhur kjo dhe cili është sekreti i kësaj se me shumë mundësi do të kem mundësi ta bëj në ndonjë universitet, sepse edhe atë e konsideroj si një detyrë në raport me rininë, por dua ta them fort dhe qartë se ka një diferencë të madhe: Institucione gjithëpërfshirëse apo kapje të shtetit?! Apo institucione ekskluzive, të cilat pastaj çojnë drejt dy modeleve të zhvillimit. Pjesëmarrje apo shfrytëzim? Pjesëmarrja apo grabitje?

 

Janë institucionet gjithëpërfshirëse në rradhë të parë që bëjnë të mundur të mos ketë monopole në asgjë. As në politikë, as në ekonomi dhe çdokush të ketë mundësinë, sa e ka talentin, të ketë mundësinë të eci në jetë. Të bëjnë të mundur që gjithë instrumentet e ekonomisë të funksionojnë. Ke një ide të mirë? Një sistem i shëndoshë bankar të jep kapitalin që ta zhvillosh atë ide, ta shndërrosh në ndërmarrje, në mirëqenie për vetën tënde, në punësim e kështu me radhë.

 

Ke një ide të mirë? Sistemi politik të jep mundësinë të garosh, të zgjidhesh, të përfaqësosh dhe ta bësh idenë tënde të punojë për të gjithë njerëzit. Ky është sistemi i pjesëmarrjes.   Ky është sistemi i demokracive europiane.  Për këtë dy janë parakushte:

 

  1. Zgjedhjet e lira e të ndershme.
  2. Barazia para ligjit.

 

Si për pjesëmarrjen ekonomike, si për pjesëmarrjen politike, si për aspektin social, këto të dyja janë shtyllat: Demokracia dhe barazia para ligjit.

 

Ke pastaj vende të tjera, ku institucionet i takojnë një grushti njerëzish. Ku licencat janë vetëm për oligarkët. Ku lejet janë vetëm për oligarkët. Ku aktivitetin ekonomik mund ta bëjnë vetëm kriminelët dhe oligarkët, pashallarët e rinj të një sistemi të vjetër. Vetëm se sunduesit e rinj nuk veshin çallmat dhe tyrbet dhe nuk quhen sulltanë, por janë autokratë. Qeverisin herë si kryeministra, herë si presidentë, por janë autokratë që qeverisin me këtë sistem. Ia dorëzojnë vendin, 10 apo 15 pashallarëve oligarkë dhe kriminelë, të cilët pastaj në mënyrë grabitqare, grabisin resurset e qytetarëve. Detyrojnë njerëzit të mbijetojnë, ndërsa grabisin dhe shkatërrojnë të ardhmen e qytetarëve të vet.

 

Në qoftë se këtu ju duket familjare dhe, padyshim që ju duket familjare, është sepse në këtë stad është vendi sot.

 

Rruga për të dalë nga kjo greminë është fare e qartë: rikthimi te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, rikthimi të barazia para ligjit.

 

Për fat të mirë kemi ndihmën e Zotit dhe të Perëndimit. Piketat janë hedhur, pavarësisht prej vullnetit të mbrapshtë. Piketat janë hedhur dhe nuk i zhbën dot askush.

Reforma në drejtësi, zbatimi i saj sipas Kushtetutës, ka një qëllim, jo të trajtojë ca si të njerkës dhe ca si të nënës, por t’i trajtojë të gjithë njësoj, qofshin gjyqtarë, prokurorë, të pandehur apo qytetarë që kërkojnë pronën, lirinë apo të drejtën e tyre.

 

Dhe reforma zgjedhore ka një qëllim:

 

Tëa bëjë që institucionet t’u takojnë të gjithëve. Parlamenti t’u takojë të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që paguajnë para për vota, jo vetëm grupeve kriminale, por t’u takojë të gjithë shqiptarëve, siç e gjykojnë ata me votën e tyre të lirë e të ndershme.

 

Ja pra pse kthehemi përsëri tek 9 kushtet e Bundestagut.

 

Sepse, pavarësisht nëse do të rikthehemi në dhjetor, në mars apo në maj tek një tjetër mbledhje e Këshillit Europian, pavarësisht nëse do të kemi një sistem të ri të vlerësimit të vendeve anëtare, sipas propozimit të presidentit Macron, që kurrë askush mos ta bëjë të bardhën të zezë e të zezën të bardhë e t’i thotë autokratit, demokrat e drogës çaj apo mos ta shohë fare dhe të pretendojë se vendi po ecën mire, kur të gjithë e dimë se nuk po ecën mire, apo nëse thjesht dhe vetëm, ky proces reformimi vendoset, por nga ana tjetër vendet anëtare e pranojnë propozimin gjerman të Bundestagut si emëruesin e përbashkët, asgjë nuk do të ndryshojë, po nuk ndryshuam gjërat ne.

 

Këto çështje nuk janë në dorën tonë. Mund të zgjidhen në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër. Sido që të zgjidhen, edhe po të jenë kështu siç janë sot, ne kemi vetëm një rrugë për të hapur negociatat dhe ajo rrugë përshkruhet në 9 kushtet e Bundestagut gjerman. Merreni dhe lexojeni. Janë fare të qarta.

 

  • Prioritet absolut mbetet rikthimi i institucioneve shqiptarëve.
  • Prioritet absolut mbetet zbatimi i ligjit, barazia para ligjit.
  • Ndëshkimi i politikanëve të lidhur me krimin dhe të korruptuar.
  • Ndëshkimi i kriminelëve që vodhën zgjedhjet e vitit 2016 dhe vitit 2017.
  • Vlerësimi objektiv i 30 qershorit dhe përsëritja e zgjedhjeve sipas një kodi të ri zgjedhor, nëse një Gjykatë Kushtetuese e formua një orë e më parë, sipas Kushtetutës dhe e pavarur, kështu vendos.

Prandaj, në emër të opozitës dua të konfirmoj edhe njëherë se ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mos e pranuar gjendjen e sotme, që është tërësisht dhe kryekëput përgjegjësi e një njeriu, i cili sot po të kishte pasur një fije patriotizmi, po të kishte vendosur një sekondë interesat e shqiptarëve para interesave të veta politike, duhet të kishte dalë për të dhënë dorëheqjen dhe asgjë më pak.

 

Por sigurisht, as ju, as unë, nuk besoj se ka shqiptar që e priste, përveç ndonjë socialisti idealist akoma që e priste, të tjerët nuk e presin sepse e dinë se Edi Rama ka vendosur gjithmonë interesat e veta, përpara interesave të vendit. Por ne nuk presim më dhe nuk kemi pse të presim më.

 

Rruga është e qartë.

 

Ne kemi vendosur që të bashkojmë të gjithë shqiptarët, të gjithë energjitë tona pozitive, për ndryshimin që Shqipëria meriton. Ky ndryshim do të vijë përmes lidershipit të përgjegjshëm që vendos interesat e vendit mbi interesat e veta.

 

Ky ndryshim do të vijë pikërisht duke i dorëzuar qytetarëve atë që është e qytetarëve, mandatin, të drejtën për të zgjedhur institucionet me votë të lirë e të ndershme, dhe duke i besuar dhe bindur plotësisht vlerësimit dhe votës së qytetarëve shqiptarë.

 

Ndaj, nuk është koha as për të fajësuar Bashkimin Europian, ndonëse ua kam thënë tash gjashtë herë se këtu do të vinim përsëri. Ky është sporti i tetor-dhjetorit i qeverisë dhe kryeministrit: Fajin e ka BE-ja, fajin e ka Macron, fajin e ka opozita, fajin e ka media. Fajin e kanë të gjithë, vetëm Edi Rama nuk ka faj.

 

Por, nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm kjo lojë fajësimi të të tjerëve.

 

Ne kemi përgjegjësi të tjera sot. Ne kemi përgjegjësitë e një shumice të madhe dhe jo të heshtur më, që kërkon ndryshim.

 

Jo thjeshtë rotacion. Ndryshim.  Që të mos vijmë më këtu, ta këpusim këtë rreth vicioz dhe të dalim në një vend tjetër. Në një vend ku e kanë njerëzit qeverinë në dorë dhe jo qeveria në dorë njerëzit. Pra me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një vend ku ka drejtësi të pavarur dhe barazi para ligjit.

Ndaj nuk dua të zhgënjej askënd, por dua t’u them me këto përgjegjësi të reja si kryetar i opozitës së bashkuar, por edhe i kësaj shumice të madhe njerëzish që e duan ndryshimin, se kjo nuk vjen as përmes një akti, as përmes një reforme, as përmes një proteste. Por kjo kërkon një vullnet politik për të çuar përpara një vizion europian për vendin.

 

E para dhe kryesorja, e shkruajtur e zeza mbi të bardhë: një reformë zgjedhore, jo thjesht ndryshime të Kodit Zgjedhor. Një Reformë Zgjedhore që ta ndajë politikën nga krimi. Që t’i japë mundësinë qytetarëve t’i kenë ata në pronë institucionet, jo institucionet të kenë pronë qytetarët. Jo qytetarët bujkrobër të institucioneve të shtetit, por institucionet shërbëtore të qytetarëve. Një reformë zgjedhore e cila t’i japë fund një herë e mirë mundësisë për të parë edhe njëherë sistem si ky, ku 10 njerëz janë pronarët e të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë institucioneve. Ku një njeri dhe 10 lakejtë e tij, oligarkë dhe kriminelë, janë pronarë të qeverisë, parlamentit, prokurorisë, gjykatave, të policisë. Tani edhe të bregdetit. Të mediave.

 

Kjo është reforma zgjedhore që duam.

 

Prioritet absolut të sanksionojmë lirinë e votës, që është çështje e vullnetit politik mbi të gjitha. Prandaj dhe Bundestagu e kërkon të zezë mbi të bardhë arrestimin dhe dënimin e atyre që vodhën votat me krimin e organizuar.

 

Së dyti, një sistem zgjedhor që garanton me të vërtetë përfaqësimin e qytetarëve, përmes një sistemi zgjedhor të gjithë pranuar nga qytetarët dhe ndryshime kushtetuese të cilat bëjnë të mundur ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që për herë të parë një nga vendet anëtare, Hohlanda, e ngriti si një problem skualifikues për Shqipërinë që t’i hapen negociatat.

 

Reforma Zgjedhore është sot urgjencë kombëtare.

 

Jo një reformë sa për t’i hedhur hi syve, se nuk mund t’i hedhësh hi syve Europës, siç tregon edhe mbrëmja e sotme dhe mbrëmja e djeshme, siç tregojnë dhe këto tre vite, por një reformë që më të vërtetë t’ia kthejë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur pushtetin që i qeveris dhe për ta shkarkuar pushtetin që i qeveris, kur i keqqeveris.

 

Ndarja e politikës nga krimi është pjesë e pandashme e një reformë të tillë zgjedhore.

 

Dhe padyshim Reforma në Drejtësi siç e kemi votuar tre vjet më parë, por që ka tre vjet që nuk ka sjellë asnjë kokërr, asnjë frut, sepse është kapur, është abuzuar, është ndalur, është keqtrajtuar.

 

Ndaj dua të deklaroj sot haptazi mbështetjen tonë të plotë për objektivat e shpallur nga Bundestagu gjerman, që janë dhe objektivat kombëtare dhe objektivat e opozitës që janë:

 

  • Krijimi i Gjykatës Kushtetuese, gjykatës supreme.
  • Krijimit të SPAK-ut funksional me burime të mjaftueshme njerëzore dhe buxhet të mjaftueshëm, që të nisë menjëherë hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të bosave të politikës dhe të krimit dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë. Sepse kultura e pandëshkueshmërisë dhe Europa, nuk bashkëjetojnë. O njëra o tjetra!

 

Kush fshihet pas probleme të Bashkimit Europian, paralajmëron dështimin e radhës.

 

Bashkimi Europian si çdo organizatë, ka dhe do të ketë problem. Siç ua shpjegova këto nuk lidhen me fatin e negociatave shqiptare. Këtë fat e kemi ne në dorë. Për fat të keq e ka marrë dikush tjetër në dorë, por e kemi ne në dorë, e kanë qytetarët në dorë. Për këtë mjafton t’ju kujtoj se ka qenë i njëjti Bashkim Europian me të cilin hoqëm vizat. Ka qenë i njëjti Bashkim Europian, plus SHBA, me të cilin u futëm në NATO.

 

Prandaj është e lehtë t’ia hedhësh fajin të tjerë. Kështu nuk arrin asgjë.

Ne si opozitë dhe si përfaqësues të një shumice të re që kërkon ndryshim, sot kemi një mision, kemi një vizion dhe një vendosmëri:  Të dalim nga kjo gjendje, duke i dhënë fund politikave të fajësimit, duke marrë përgjegjësitë dhe duke treguar rrugën përpara.

 

Natyrisht nuk mund të injorojmë faktin se përgjegjësi për këtë gjendje është akoma në krye të qeverisë. Ndaj detyra jonë fillon me propozimin e hapave konkretë, siç kemi bërë në rastin e Reformës Zgjedhore, për të plotësuar detyrat e Bundestagut, por është detyra e çdo shqiptari që me besim të madh tek e nesërmja e këtij vendi, të cilin na e konfirmuan edhe europianët sot, edhe në këtë ditë të vështirë për ne na thanë: mos e humbisni besimin tek Shqipëria, tek vetja juaj, të bashkohemi për të marrë në dorë fatin tonë. Për të vendosur këtu në Shqipëri standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë.

 

Këto kërkon Bundestagu. Këto janë kushtet fillestare që kërkon dhe Komisioni Europian. Plotësimi i kushteve nga një qeveri e përgjegjshme që vendos fatin e shqiptarëve, fatin e njerëzve, para interesave politike, pasurore, të një grushti pushtetarësh, është rruga përpara, është rruga drejt dritës jeshile, është rruga drejt diellit që lind aty ku perëndon.

 

Pyetje:  Pas një “Jo” që morëm ditën e sotme, cili do të jetë vijimi i aksionit opozitar?

 

Lulzim Basha: Mendoj se isha fare i qartë, kur ju thashë se opozita dhe Europa sot flasin me një gjuhë. E sotmja nuk është ajo që shpresonim apo dëshironim, por për çdo njeri që i ka ndjekur zhvillimet, nuk ishte e pa pritshme. Minimumi që do të merrnim sot ishin 9 kushtet e Bundestagut, të cilat në artin e diplomacisë u shitën si një “po” me kushte, por në fakt janë një “jo” derisa të plotësosh kushtet. Prandaj plotësimi këtyre 9 kushteve është rruga përpara, është plani për çdo shqiptar që zgjohet nesër në mëngjes dhe thotë: çfarë duhet të ndryshojmë që të mos përsëritet një ditë si kjo? 9 kushtet është dhe plani i opozitës. Është fare e qartë: Reformë zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zbatim i Reformës në Drejtësi, fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Çuarjen para drejtësisë të çdokujt që ka abuzuar me besimin, pasuritë e shqiptarëve. 9 kushtet e Bundestagut janë rruga përpara, janë plani europian, janë plani shqiptar, janë plani i PD, janë plani i opozitës së bashkuar.

 

Pyetje: A jeni ju i hapur për një platformë bashkëpunimi me kryeministrin Rama nëse do t’ju vijë një propozim nga maxhoranca për një dialog pa parakushte siç deklaroi në Tiranë edhe kryeministri italian me të cilin ju zhvilluat një takim?

 

Lulzim Basha: Mendoj se kësaj pyetje i kemi dhënë përgjigje jo sot, as para një jave, po prej më shumë se një viti dhe me dokumentin gjerman të Bundestagut, në udhërrëfyesin për hapjen e negociatave, unë mendoj se është fare e qartë cila është përgjegjësia e çdokujt. Ne si opozitë e përqafojmë këtë dokument, e vlerësojmë dhe e kreditojmë atë si planin e rrugës së daljes nga kriza. Udhërrëfyesin e daljes nga kriza. Pa lojra, pa hilera, pa mashtrime, pa propagandë. Reformë Zgjedhore të vërtetë që hap rrugën për zgjedhje të lira e të ndershme, jo për trukun e rradhës, as për rotacionin e rradhës, që prapë pashallarët të ngelen në paradhomë, 6 oligarkë e 6 kriminelë dhe disa pronarë mediash, por për një demokraci të vërtetë, ku çdo institucion të burojë nga qytetarët e t’u përkasë qytetarëve. Vetëm kështu Shqipëria do të jetë e shqiptarëve dhe do të ndalim edhe emigracionin. Vetëm kështu do të mundësojmë që çdokush të ketë mundësinë të jetojë këtu sipas talentit të vet, kreativitetit të vet, aftësive të veta dhe jo të shkojë e të bëjë të njëjtën gjë në një vend të huaj. Atje e bën e këtu nuk e bën. Pra, për në është fare e qartë rruga pëpara, sikundër, është fare e qartë për këdo që e do Shqipërinë dhe e vë Shqipërinë para vetës, partisë, pushtetit apo pasurisë së tij.

 

Në këtë kuadër, ajo që mbetet për t’u diskutuar është vetëm vënia në zbatim e këtyre prioriteteve. Sa u përket zgjedhjeve, ne kemi propozuar, nuk kemi pritur propozimin e maxhorancës, siç tha kryeministri Italian, sepse e njohim, e dimë fare mirë. Këta e kanë mendjen ta shtyjnë sa ta shtyjnë dhe atë që u tha prokurorëve, atë, në fakt, e ka në shpirtin e vet “të kap ça të kapi”. Ditën që e kuptoi se nuk kishte më për të bër nxënësin e mirë para Europës, kaloi Koorporatën e Investimeve në parlament. Supervjedhje. Çfarë të presim nga këta? Këta thonë çdo ditë është një ditë qyl për t’i rënë Shqipërisë, për t’u rënë shqiptarëve, për të marrë çfarë të marrim, se nuk i dihet nesër. Prandaj, nuk presim propozim nga këta. Propozimet i ka bërë Bundestagu ne kemi bërë detyrën tonë. Propozimin për reformën zgjedhore e kanë mbi tavolinë. Tani, dy zgjedhje ka: ta zbatojnë, t’i binden verdiktit dhe kërkesës së sovranit, t’I binden edhe kërkesave të Europës ose të hapin krahun!

 

Pyetje: Zoti Basha, ju thoni se opozita ëhstë për një reform të vërtetë elektorale, por a ju duket një reform  e vërtetë elektorale ajo që do të dalë si një produkt I një tryeze apo strukture që ju kërkoni të ngrini, ku do të keni vetëm ju apo PS përfaqsues dhe do të përjashtohen të gjithë faktorët e tjerë politikë?

 

Lulzim Basha:  Kush e ka thënë këtë?

 

Pyetje: PD dhe Opozita e Bashkuar në propozimin që ka bërë me propozimin e një strukture…

 

Lulzim Basha:  Më vjen keq, por duhet ta lexoni mirë. Ne e propozojmë atë si një mekanizëm mbikqyrës të procesit, por, po të lexoni 5 pikat me kujdes, do të shikoni se ne aty shikojmë jo vetëm përfshirjen e çdo faktori poltik, por edhe të faktorëve jopolitikë, edhe të botës akademike, edhe të Aleancës për Teatrin, edhe të studentëve, edhe të shoqatave të gazetarëve. Demokracia ëhstë e të gjithëve. Nuk është vetëm e PS, PD dhe partive të tjera politike. Prandaj, asgjë nuk është më larg të vërtetës sesa ajo që thatë. Natyrisht, ne nuk mund të pranojmë një proces farsë, në një parlament farsë, me një komision farsë. Për këtë, në vend që të themi “nuk e duam”, kemi thënë edhe sesi e propozojmë rrugëdaljen nga ky absurditet. Dhe kemi thënë që mekanizmi mbikqyrës të përfshijë tre faktorë, opozitën e bashkuar, ata që kanë çelësat e qeverisjes së vendit dhe faktorin ndërkombëtar jo si drejtues të procesit, por me ekspertizën që ka ndihmuar çdo process zgjedhor në të kaluarën dhe me vullnetin e mirë për të mbështetur dhe dëshmuar vullnetin e të gjitha palëve për ta çuar përpara procesin. Por në atë tavolinë nuk shohim vetëm veten tonë, nuk shohim as vetëm forcat politike, shohim të gjithë shqiptarët, të përfaqësuar nga të gjithë ata që kanë ngritur zërin dhe kanë kërkuar t’i japin fund demokracisë hibride, të kapshme, të manipulueshme, të bleshme nga kriminelët dhe oligarkët dhe të hedhim bazat e një demokracie europiane, që i përket çdo qytetari dhe parakusht është që edhe reforma t’i takojë çdo qytetari. Madje ju e dini fare mirë që pozicioni im është që çfarëdo që të arrihet, t’i nënshtrohet edhe një referendum popullor.

 

Pyetje: A po zhvillohen negociata me maxhorancën zoti Basha?

 

Lulzim Basha:  Nuk ka negociata me maxhorancën për reformën zgjedhore, sepse nuk ka mekanizëm. Sepse mekanizimi që ne kemi propozuar ka dy javë që është pa përgjigje, pulë pa kokë.

 

Pyetje: Zoti Basha çfarë do të bëjë opozita tani? Të gjithë shqiptarët I kanë drejtuar sytë nga ju, nga PD. Si do të arrini ju t’I pltësonikëto kushte, sepse jemi me të njëjtën qeveridhe është e njëjta situatë. A do të ketë protesta? Çfarë do të ndodhë?

 

Lulzim Basha:  Dua ta them fare qartë që nuk ka filluar gjë. Ne ndodhemi në fund të një procesi degjenerimi, të nisur nga kjo qeveri dhe në fund të një procesi vetëdijësimi të europianëve, por pse jo edhe të shqiptarëve, të nisur nga kjo opozitë, që “kështu nuk shtyhet më”, kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë, kjo nuk ëhstë rruga për të ndërtuar mirëqenie në Shqipëri, kjo nuk është rruga për të ndërtuar demokraci në Shqipëri. Në këtë kuptim, është një stacion i rëndësishëm, është një moment thelbësor ndryshimi i situatës politike në Shqipëri. Çfarë duhet bërë, është fare e qartë. I duhet hapur rrugë insitucioneve demokratike dhe funksionale, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit. Si duhet bërë, është fare e qartë: zgjedhje të lira e të ndershme. Nëqoftëse doni të dini taktikën opozitare, si çdo opozitë, ruaj privilegjin që taktikën ta shfaqim sipas përfitimit që ka formacioni politik.

 

Pyetje: Zoti Basha, duket se zoti Rama nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ju si opozitë çfarë do të bëni?

 

Lulzim Basha:  Asnjë autokrat nuk e dorëzon pushttein me dëshirë. Por mun dtë them se e sotmja, nëse mun dtë klasifikohet në histori, është dështimi më spektakolar I ndonjë kryeministri në 30 vjet. Ky ëhstë dështimi I Edi Ramës. Këto janë kushtet “Rama”. 9 kushtet e Bundestagut janë kushtet “Rama”. Çfarë mund të thuhet me siguri ëhstë që për herë të parë kemi një ndarje me thikë. Qëllimi i një gjenerate të tërë shqiptarësh, ka qenë Bashkimi Europian, ka qenë Perëndimi, ka qenë NATO. Dhe në funksion të kësaj, janë bërë sakrifica të mëdha. Për herë të parë kemi një njeri që e ka pushtetin, e ka marrë si e ka marrë, të gjithë e dimë si e ka marrë, ka mundësi të bëjë diçka, por bën të kundërtën. Prandaj, për mua dhe mendoj për shumicën e shqiptarëve, është fare e qartë, xhesti ivetëm patriotik që mund të bënte një njeri në pozitat e Edi Ramës sot, do të ishte dorëheqja. Do të ishte hapja rrugë e një procesi poltik, ku vendimarrja t’u kalonte njerëzve, le të shprehen njerëzit dhe, nëse njerëzit mendojnë se ky e paska mirë dhe ne e paskemi patur apo e kemi gabim, që ky di t’I bëjë punët dhe ne nuk dimë, le të vendosin njerëzit me votë. Kjo është demokracia. Shikoni Kosovën! Shikoni sa palë zgjedhje të parakohshme janë bërë që nga 30 Qershori e deri më sot nga Austria në Izrael, në Kosovë. Shikoni sa haptazi flasin edhe politikanët e Maqedonisë së Veriut për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Vetëm ky i konsideron zgjedhjet armik. Padyshim, nuk mund të shpikim rrotën. Një sistem njeh Europa- pushtet përmes votës, legjitimim përmes qytetarëve. Kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin dhe ka vetëm një rrugë për ta rithyer këtë legjitimitet përmes votës – le të vendosin qytetarët me votë të lirë e të ndershme. Natyrisht, Bundestagu është fare i qartë, nuk mund të ketë një proces farsë, nuk mund të ketë prapë një palë zgjedhje të tjera me avdylaj e me ymerlalë. Prandaj, ka vendosur 2 nga 7 kushtet- ata në burg dhe reformë zgjedhore, jo thjesht reformë zgjedhore shkruaj ti 2 nene të tjera, merr Oerdin dhe kë kanë ata eskpert – eksperti iI tyre hyn tek një nga pikat e tjera të Bundestagut, nuk hyn tek pika e zgjedhjeve. Nuk është punë të shkruari, është punë të bëri. Këtë e ka thënë fare qartë ODIHR, “edhe kështu siç janë ligjet, po të kishte vullnet politik, mund të siguronit zgjedhje demokratike. Prandaj reforma zgjedhore është më shumë sesa ndryshime ligjore. Prandaj, Bundestagu e ndan në dy pjesë. Për pjesën e dytë ka amnezi Edi Rama, nuk e kujton. Pjesa e parë thotë- miratoni reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR me konsensus të forcave politike, pjesa e dytë thotë zbatim i reformës zgjedhore. Ai është testi për të hapur negociatat, se për të shkruar ligje jemi bërë më të mirët në Europë, se edhe i ndryshojmë shpesh ligjet. Për të zbatuar ligje, jemi më të këqinjtë.

 

Pyetje: A do të ishte opozita e gatshme të shkonte në zgjedhje, nëse do të kishim zgjedhje të parakoshme?

 

Lulzim Basha: Opozita ka një vit që lufton për zgjedhje të parakohshme. Padyshim që është e gatshme. Pa diskutim. Opozita është e gatshme të shkojë që nesër në zgjedhje të parakohshme, por, siç e keni parë, parakushti për zgjedhje të parakohshme, siç e kemi kërkuar, është që ato zgjedhje të kenë standardet minimale europiane, të garantojnë që të jenë zgjedhjet e njerëzve dhe për njerëzit që të prodhojnë një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Dhe jo zgjedhjet e Vangjushit, Tomës dhe Kajmakut dhe të prodhojmë pastaj qeveri dhe bashki e Vangjushit, Tomës dhe Kajmakut.

 

Pyetje: Z. Basha, disa javë më parë vendosët qe të mos shkonit në protestë per te mos i dhënë shkak qeverisë per t’ju fajësuar ju nëse do të ishte një “jo” nga Europa. Po ashtu ka qenë edhe mosprishja le të themi e dialogut që ishte krijuar për Reformën Zgjedhore, ndërkohë që sot Reforma Zgjedhore ka mbetur, a do të rikthehet opozita në shesh?

 

Lulzim Basha: Më vjen keq qe i ktheheni një pyetje që jua kanë rrëzuar shqiptarët dhe realiteti sa herë e bëni. Të dielën e kaluar ne ishim ne protestë. Katër ditë me rradhë keni mbuluar të arrestuarit nga protesta. Protestat nuk kanë ndaluar në asnjë çast. Mundohuni të dilni mbi këtë pyetje, më falni ta them, dembele. Nuk kanë ndaluar ndonjëherë protestat. Nuk është pyetje kjo. Protesta ka patur, protesta ka, protesta do të ketë, s’ka diskutim që po. Protestat nuk janë tregues i prapambetjes së një shoqërie, është mungesa e protestave qe tregon një shoqëri të prapambetur.

 

Pyetje: Mendoni se opozita ka edhe ajo përgjegjësinë e vetë për “jo-në” e negociatave?

 

Lulzim Basha: Më lejoni t’i përgjigjem me një pyetje. Çfarë përjegjësie ka opozita në demokraci? Ka përgjegjësinë të mos bëhet pjesë e së keqes, ka pergjegjësinë ta kundërshtojë të keqen, ka përgjegjësinë të propozojë alternativën për të ikur nga e keqja. Le t’i marrim me rradhe këto tre detyra themelore të opozitës.

 

E keqja e madhe që na ka ndaluar, krimi, droga, oligarkia grabitqare. Jo vetëm që nuk jemi bërë keq e së keqes por e kemi luftuar edhe me kosto politike dhe elektorale. Ne e dinim që në 2015-ën të dilje kundër kanabisit do të thoshte të humbje vota në shumë zona të Shqipërisë, e dini ju apo jo? E dinë të gjithë shqiptarët. Por e bëmë për Shqipërinë se opozitë dhe pjesë e së keqes nuk shkojnë bashkë. Nuk është më opozitë pastaj.

 

Ne e denoncuam që në momentin e parë, kur na tallnin, na përqeshnin, pastaj na sulmonin, “mushkonjat”, “i nxitë faqen”, etj, derisa doli e vërteta se Shqipëria sot aktivitetin kryesor ka drogën, e nisi me kanabisin e vazhdoi me kokainën dhe pastrimin e parave të krimit që bën këtu kulla e që shiten nga 4 mijë – 5 mijë euro. Me çfarë shiten? Me paratë e babait tim apo babait tënd? Me paratë e drogës shiten. E denoncuam.

 

E treta, kemi dhënë rrugën e daljes nga kjo krizë.

 

Sigurisht, ka vend për t’i zhvilluar shumë më shumë dhe jemi gati dhe ky do të jetë një nga hapat që do të hedhim së shpejti, por bazat politike të daljes nga kriza janë hedhur dhe tashmë nuk janë thjesht dokumente të PD, janë dokumente të Europës, janë dokumente të Bundestag-ut.

 

Zgjedhje të lira dhe të ndershme, barazi para ligjit. Pa këto asgjë nuk ka sukses. Me këto çdo parti mund të paraqesë vizionin e saj.

 

Ne kemi vizionin tonë.

 

  • Lirinë e individit,
  • Taksat e ulëta,
  • Qeverisjen e vogël,
  • Investimet publike,
  • Subvencionet për fermerët,
  • Stimulimin e konsumit.

 

Një parti tjetër mund të vijë me të tjera propozime, rritjen e taksave, rishperndarjen e te ardhurave, por të gjitha këto duhej të zhvilloheshin në kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndeshme, barazisë para ligjit.

 

Pyetje: Ju bëtë përgjegjës për moshapjen e negociatave për herë te katërt me Shqipërinë, Kryeministrin Rama, por unë, në fakt, nuk ju dëgjova që të kërkoni largimin e tij. A do të thotë kjo se opozita po kërkon më parë miratimin e Kodit të Ri Zgjedhor dhe me pas të shkojë në zgjedhje në vitin 2021?

 

Lulzim Basha: Jo, nuk do të thotë aspak. Kjo pyetje, më fal se nuk është dita për të bërë humor, kjo pyetje do t’i shkonte vetëm një gazetari të akredituar nga Arktiku sot për herë të parë në Shqipëri. Ju e dini, kemi një vit që kërkojmë ditë për ditë largimin e Edi Ramës. E kanë marrë vesh edhe fëmijët nëpër rrugë. Këto jane sofizma. Në vend se të them, mirëmëngjes Jolldiz, mund të them Rama Ik Jolldiz. Kanë shumë që e kanë bërë, edhe në torta e kanë shkruar, por kjo nuk do të thotë që PD apo opozita kanë hequr dorë nga një pozicion tashmë i konsoliduar politik. Qeveri tranzitore. Zgjedhje te parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.

 

Pyetje: Pa dashur të zbulojmë taktikën tuaj që do të shkoni në zgjedhje të parakohshme, të paktën mund të kemi një informacion se kur do të ndodhin këto zgjedhje sipas kësaj taktike?

 

Lulzim Basha: E para nuk ka asgjë për të zbuluar, sepse taktika e ka suksesin, kur ne, përmes medias, e bëjme publike. Por mendoj se sot nuk jemi në nje sesion të taktikës opozitare, jemi në një ditë të rëndëishme për vendin. Sa ç’e ka lajmin e hidhur Brenda, aq e ka diellin pas resë. Prandaj, të jeni të sigurt që në funksion të këtyre synimeve dhe misionit dhe përgjegjësisë sonë përpara shqiptarëve ne do të bëjmë gjithçka që ka në dorë një opozitë politike për të arritur qëllimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një rotacion politik që diktohet nga qytetarët, një qeveri që vjen nga qytetarët, për qytetarët.