Opozita është e angazhuar për të dhënë kontribut konkret për reformën zgjedhore për të përmbushur kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave. 

 

· Në zgjedhje marrin pjesë partitë politike dhe duhet të jenë partitë politike që, me konsensus, të përcaktojnë rregullat e lojës për zgjedhjet.

 

· Propozimi i opozitës për strukturën e posaçme është një mekanizëm konkret për një produkt të përbashkët të të gjitha palëve për reformën zgjedhore.

 

· Reforma duhet të garantojë që qytetarët të përcaktojnë qeverisjen me vullnet dhe votë të lirë, duke i dhënë fund zgjedhjeve që diktohen nga krimi.

 

 

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI, PAS MBLEDHJES SË GRUPIT TË PUNËS TË OPOZITËS PËR REFORMËN ZGJEDHORE

 

 

Gazment Bardhi: Në mbledhjen e grupit të punës të opozitës mbi reformën zgjedhore janë diskutuar dy tema kyçe që lidhen me reformën zgjedhore. Dua të informoj opinionin publik që mbledhja e grupit të punës dhe e ekspertëve të opozitës është një tregues i qartë i angazhimit të opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore. Ashtu siç kemi bërë të ditur që nga momenti kur reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe me kontribut të të gjithë partive politike, u shndërrua në një kërkesë të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave, opozita mori angazhimin për të dhënë kontributin e vet të sinqertë në këtë reformë. Madje kemi propozuar edhe një mekanizëm për të patur një produkt të përbashkët edhe me palën tjetër. Reforma zgjedhore nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e Parlamentit të Shqipërisë. Reforma Zgjedhore dhe çështjet që lidhen me të, janë përcaktim i rregullave të lojës për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje. Siç ju e dini, në zgjedhje nuk merr pjesë Parlamenti i Shqipërisë, në zgjedhje marrin pjesë partitë politike dhe do të duhet të jenë partitë politike që, me konsensus, të përcaktojnë rregullat e lojës për pjesëmarrjen e subjekteve zgjedhore në zgjedhje. Prandaj, dhe opozita ka qenë e angazhuar tërësisht jo vetëm në angazhime konkrete që lidhen me reformën zgjedhore, por edhe për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontribut të përbashkët me palën tjetër, pra me Kuvendin monist i cili vazhdon punën me një komision të quajtur komisioni për reformën zgjedhore. Produkti i sotëm i opozitës për të dyja çështjet është dakordësuar me konsensus të plotë të të gjitha partive të koalicionit. Mbledhja e ardhshme e grupit të punës do të jetë të hënën në orën 18:00. Pra, është përcaktuar edhe një axhendë pune e grupit të punës dhe besoj se do të kemi edhe informime të tjera që lidhen me çështje konkrete që janë diskutuar sot dhe që do të diskutohen edhe në mbledhjet e ardhshme.

 

Pyetje: Zoti Bardhi çfarë keni përmbyllur në mbledhjen e sotme?

 

Gazment Bardhi: Sot kemi përmbyllur dy çështje kryesore të reformës zgjedhore që lidhen me financimin e fushatave dhe të partive politike, si dhe çështje që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor.

 

Pyetje: Zoti Bardhi, mekanizmi që keni propozuar mbetet i njëjtë me atë të tryezës së OSBE-së, pra të një strukture të posaçme me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve?

 

Gazment Bardhi: Ne i kemi propozuar palës tjetër një mekanizëm për t’u angazhuar bashkarisht në përmbushjen me sukses të një nga kushteve për hapjen e negociatave, reformën zgjedhore. Por jo thjesht reformë zgjedhore e miratuar në letër, por një reformë e vërtetë zgjedhore është kusht për hapjen e negociatave. Për këtë arsye ne kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër, ku në fakt do të duhet të ishte qeveria, që do të duhej t’i shtrinte dorën dhe të kërkonte bashkëpunimin e opozitës në realizimin e këtij kushti. Bundestagu e ka bërë të qartë, nuk kërkon vetëm realizimin e reformës zgjedhore apo miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por kërkon një reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Ky është kushti që ka vënë Bundestagu. Shqipëria duhet të përmbushë për të marrë datën e fillimit të bisedimeve me BE.

 

Pyetje: Është struktura e posaçme që keni propozuar në shtator në tryezën e OSBE-së apo tjetër?

 

Gazment Bardhi: Është i njëjti propozim. Sigurisht që në presim përgjigje nga pala tjetër mbi propozimin konkret dhe të sinqertë që ne kemi bërë. E ritheksoj, është detyrë, siç e tha dhe kryeministri italian gjatë vizitës në Shqipëri, është detyrë e qeverisë, nëse do të kishim një qeveri të përgjegjshme, që të bënte opozitën pjesë të këtij procesi. Meqënëse kemi përballë një qeveri dhe një maxhorancë të papërgjegjshme, opozita e bashkuar është në rolin e vet, në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe me përgjegjshmëri të plotë ka propozuar një mekanizëm sesi duhet të bëhemi bashkë për të realizuar këtë kusht të Bundestagut gjerman, që do të ishte edhe kusht zyrtar i Këshillit Europian për hapjen e negociatave. E rëndësishme për opozitën është që të tregojë përkushtim në përmbushjen e këtij kriteri për hapjen e negociatave. Ne po e tregojmë, jemi në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive tona. Do të duhet që edhe pala tjetër të përmbushë përgjegjësitë e veta.

 

Pyetje: Këto propozime si do t’i diskutoni me shumicën, do t’i diskutoni në nivel teknik, çfarë mekanizmi do të përdorni nëse nuk bini dakord me strukturën e posaçme?

 

Gazment Bardhi: Ne kemi propozuar një mekanizëm sesi e mendojmë ne bashkëpunimin e kërkuar në kuadër të realizimit të reformës zgjedhore. Sa kohë nuk ka një refuzim të arsyetuar të palës tjetër mbi këtë propozim, tregon se nga pala tjetër ka mungesë vullneti për të bashkëpunuar me opozitën në realizimin e reformës zgjedhore. Detyra jonë është që të kemi gati kontributin e opozitës në këtë reformë. Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve, të mendojë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, të tregojë përgjegjshmëri përpara kushteve dhe kritereve të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë dhe të pranojë atë mekanizëm bashkëpunimi që ne kemi propozuar për të pasur një produkt të përbashkët të Reformës Zgjedhore. E kundërta do të ishte, jo vetëm thellim i krizës, jo vetëm tregues i lartë papërgjegjshmërie nga ana e qeverisë, por, mbi të gjitha, do të ishte prova e fundit që tregon se Edi Rama nuk është i interesuar që Shqipëria të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Europian dhe do të ishte prova e fundit që tregon se Edi Rama është pengesa e vetme për integrimin europian të Shqipërisë.

 

Pyetje: Produkt i përbashkët përfshin edhe ndarjen e reformës në dy faza?

 

Gazment Bardhi: Produkti i përbashkët përfshin realizimin e reformës zgjedhore që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë kërkojnë që nga reforma zgjedhore t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pastaj fazat dhe ndarja me dy, tre apo pesë nuk ka asnjë rëndësi për qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë duan që të jetë vullneti i tyre që përcakton qeverisjen e nesërme të vendit dhe jo siç ka qenë deri tani, që qeverisjen e vendit e kanë përcaktuar paratë e pista të krimit dhe bashkëpunimi apo përfshirja në zgjedhje e krimit të organizuar.