• Buxheti nuk ka rritje pagash, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka rritje të investimeve publike, por rritje të PPP-ve duke pasuruar akoma më shumë oligarkët e qeverisë së Edi Ramës.

 

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DREJTORI I KABINETIT TË PD, DORIAN TELITI

 

Buxheti 2020 i qeverisë së Edi Ramës nuk është buxheti që rrit mirëqenien e qytetarëve, por është buxheti që pasuron akoma më shumë oligarkët dhe klientët e qeverisë së Edi Ramës.

 

Buxheti nuk ka rritje pagash, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka rritje të investimeve publike. Bashkë me paketën fiskale, ky është buxheti që rëndon shqiptarët me taksa të larta, me të cilat do të paguhen miqtë, klientët, financuesit dhe oligarkët e Edi Ramës.

 

Propaganda e qeverisë me buxhetin nuk mund ta fshehë kolapsin ekonomik. Buxheti 2020 është pasqyra e paaftësisë së kësaj qeverie, e krizës ku e ka zhytur ekonominë e shumicës së familjeve dhe e mungesës së vullnetit për të punuar për qytetarët.

 

Mund te quhet buxheti i mashtrimit, pasi nga njëra ane  pretendohet rritje ekonomike prej 4.1%, por nga ana tjetër të ardhurat nga TVSH, që është treguesi kryesor i konsumit të popullatës, parashikohet me rënie reale.

 

  1. Pa asnjë dyshim, ky buxhet mund të quhet buxheti i varfërimit, pasi asnjë qindarkë nuk parashikohet për rritje rrogash për mjekët, infermierët, arsimtarët dhe punonjësit e administratës publike.
  2. Asnjë qindarkë për shpërblimin e pensionistëve dhe familjeve në nevojë.
  3. Ulen me 10% fondet për dëmshperblimin e ish pronarëve.
  4. Ulen fondet për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, duke e çuar në 3 dekada afatin kohor të shlyerjes së plotë të faturës financiare për këtë shtresë të përvuajtur të shoqërisë.

 

Me rënie planifikohen edhe investimet publike, ku rënien më të madhe e kanë projektet në rrugë dhe ujësjellësa.

 

E ndërsa nuk ka asnjë qindarkë për rritje pagash, si lum vërshojnë fondet buxhetore për të paguar PPP e klientëve të qeverisë.

 

120 milionë euro apo 30 milione euro më shumë sesa viti aktual, do të shkojnë për të paguar 12 kontrata PPP – të gjithë këta miq dhe klientë të Kryeministrit.

 

Është hera e parë në 30 vjet, madje rast unik në histori, që një projekt-buxhet ndërtohet duke patur prioritet absolut vetëm një grusht oligarkësh.

 

Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto, këtë vit nuk kemi as edhe një paketë të duhur fiskale.

 

Politika fiskale është në shërbim të një koncesioni të vetëm, atë të fiskalizimit, i cili ka kosto të fshehura prej të paktën 500 euro në vit për 120 000 bizneset e vogla e të mesme.

 

I bindur se ky është buxheti i tij i fundit, Edi Rama  e ka shndërruar këtë në buxhetin KÇK- (Kap Ça t’Kapësh) nga taksat e rritura të shqiptarëve, nga mundi dhe djersa e tyre.

 

Për të kapërcyer këtë gjendje ku është zhytur vendi, nevojitet vizion, gjithëpërfshirje dhe menaxhim me dorë të hekurt ndaj çdo abuzimi.

 

PD e ka programin e saj të nxjerrjes së vendit nga kolapsi, të rikthimit të shpresës në vend, ku secili të ketë mundësi të barabarta. Bashkë me shqiptarët, pasi të kemi siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, ne do ta zbatojmë këtë plan që rimëkëmb dhe zhvillom ekonominë dhe prodhon mirëqenie për shqiptarët.