• Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha viziton në Spitalin e Traumës të plagosurit nga gazi dhe dhuna e ushtruar nga policia në “Unazën e Re”: Skenar i planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm për një projekt vjedhjeje prej 40 milionë eurosh me një kompani fantazëm.

 

  • Edi Rama dhe Erjon Veliaj, janë ekzekutorët dhe do të  mbajnë përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do të vonojë.

 

  • Me ardhjen e PD në pushtet çdo centimetër katror i pronës së banorëve të “Unazë së Re” do të kompensohet me vlerën e tregut.

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË SPITALIN E TRAUMËS

 

Pyetje: Z. Basha si është gjendja e të lënduarve?

Lulzim Basha: Gjendja e të plagosurve vazhdon të mbetet e rëndë, janë dhunuar në mënyrën më barbare. Kam parë disa të moshuar në moshën mbi 70 vjeç, të gjakosur nga dhuna me shkopinj dhe me grushta. Gra të alivanosura nga përdorimi genocidal i gazit lotsjellës. Pra, janë një numër i madh banorësh të lënduar, të traumatizuar. Një pjesë prej tyre ndodhen të shtruar, një pjesë prej tyre nuk janë të shtruar në spital. Dhe ne po marrim të gjitha masat për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.  Janë plagosur sipas raportimeve, janë lënduar edhe 5 efektivë të policisë të cilët janë larguar më pas nga Spitali Ushtarak pasi kanë marrë ndihmën e parë.

Ky është një bilanc i një goditje të planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe të pambrojtur që mbronin shtëpitë e tyre. Ky është një skenar i përgatitur me kujdes dhe ka një qëllim dhe vetëm një qëllim; të çonte drejt gjakosjes së qytetarëve, drejt përçarjes së qytetarëve, të çonte drejt konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që Edi Rama, Erjon Veliaj dhe të tjerët që kanë planifikuar tek i ashtuquajturi projekti i Unazës së Re.

Është e rëndësishme që gjithë qytetarët ta kuptojnë sot se nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi; qytetarët e Tiranës e dinë, shumë qytetarë të tjerë që nuk jetojnë në Tiranë e dinë se ky projekt nuk ka të bëjë me një rrugë të re. Është një rrugë ekzistuese që përdorej në mënyrë normale për transportin. Ishte një projekt vjedhje i denoncuar nga Partia Demokratike, i denoncuar nga qytetarë, i faktuar më vonë nga mediat prestigjioze botërore, siç është Zëri i Amerikës. Një projekt vjedhjeje me një kompani fantazëm dhe Edi Rama është i vendosur ta çojë këtë vjedhje deri në fund. Për ta çuar këtë vjedhje deri në fund, për të mbushur xhepat e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij nuk kursen as jetët e qytetarëve, as shtëpitë e tyre, as fëmijët e tyre, as shëndetin e tyre. Prandaj ky është një akt kriminal, është një krim i rëndë kundër jetës së qytetarëve, kundër jetës së tyre, krim i rëndë kundër banesave të tyre.

Kështu, që së pari duke e thënë mjaft qartë se duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje kriminale paralajmëroi gjithsecilin përgjegjës për këtë nga urdhëruesit që qartësisht është Edi Rama, është Erjon Veliaj, janë ekzekutorët dhe do të  mbajnë përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do të vonojë dhe ju jap fjalën që nuk do të mungojë kur ata të përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare mbi qytetarët, mbi nënat, mbi baballarët, mbi fëmijët e tyre, me të vetmin qëllim për të mbushur xhepat e tyre me 40 milionë eurot e korrupsionit.

Së dyti, po i bëj thirrje çdo qytetari dhe punonjësi të ndershëm të policisë që mos bien pre e këtij skenari që synon që ta zhvendosë lajmin nga vjedhja e 40 milionë eurove nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij tek dhuna që ka planifikuar kundër banorëve të Unazës.

 

Jeta është e çmuar dhe do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetën e banorëve.

 

Së tretim, ne kemi një zotim politik me shkrim, e zezë mbi të bardhë.

 

Çdo centimetër katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut, me ardhjen e PD në pushtet.

 

Asnjë qindarkë nuk do të humbasë, çdo cm katror i shtëpive, banesave dhe objekteve të tyre edhe atyre të përjashtuara në mënyrë kriminale nga kompensimi, do të kompensohen me vlerën e tregut.

 

Sikundër garantoj, të gjithë ata të përfshirë në këtë akt kriminal, shtazarak kundër qytetarëve, garantoj se do të mbajnë përgjegjësi para ligjit, nga i pari tek i fundit dhe nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë nga 40 milionë eurot që po vjedhin bashkë me Edi Ramën për Edi Ramën, nuk do gëzojnë asnjë qindarkë të kësaj grabitje, por do të japin përgjegjësi para ligjit.

 

Dita nuk do të vonojë kur ata të jenë para ligjit dhe të marrin dënimin e merituar nga ligji.

 

Pyetje: Z.Basha, ju do të shkoni t’i ndiqni nga afër banorët e “Astirit” pas kësaj vizite që bëtë në spotal?

 

Lulzim Basha: Opozita ka qenë dhe është në krah të qytetarëve të “Astirit”. Kemi ndjekur gjatë gjithë kohës, mbrëmë, që në orët e para të mëngjesit sot ndodhemi në krahun e tyre, opozita ka qenë dhe është me ta, njësoj si ata, pa asnjë privilegj, pa asnjë imunitet, pa asnjë mandat.

 

Shumë prej anëtarëve të opozitës janë burgosur, shumë të tjerë janë dhunuar.

 

Opozita është njish me qytetarët për të mbrojtur jo thjesht dhe vetëm shtëpitë e tyre, por për të mbrohjtur ligjin dhe kushtetutën, për të mbrojtur interesin publik, dhe për të bërë gjithçka që është e mundur për të vënë përgjegjësit përpara ligjit.

 

Pyetje: Ju kanë penguar për të takuar të plagosurit?

 

Lulzim Basha: Fillimisht mora informacion se mund të ishte i vështirë takimi i tyre dhe vetëm pasi dërguan paralajmërime të qarta se nuk mund të pengojnë askënd dhe aq më pak përfaqësuesit politik të opozitës, kryetarin e opozitës, erdha dhe i takova lirisht.

 

Pyetje: Sa të plagosur takuat? Sa janë momentalisht?

 

Lulzim Basha: Brenda po marrin trajtim tetë të plagosur, tre prej të cilëve ndodhen akoma në rapartin e emergjencës.

 

Pyetje: I takuat të gjithë?

 

Lulzim Basha: Takova tre persona në repartin e emergjencës.

 

Pyetje: Në çfarë gjendje ishin?

 

Lulzim Basha: Me plagë, trauma të marra nga goditjet dhe nga gazi.