Një Gjykatë Kushtetuese e formuar sipas tekave të qeverisë nuk ka legjitimitet. Duhet drejtësi e pavarur me një Gjykatë Kushtetuese të formuar sipas Kushtetutës dhe jo që falet në “Surrel”.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha nga Saranda teksa vijon turin “Rrugëtim për Shqipërinë”, vuri theksin tek Reforma në Drejtësi, kapja e së cilës është jetike për qeverinë e Edi Ramës, për t’i shpëtuar aferave të rënda korruptive.
Basha theksoi se nevojitet një reformë në drejtësi me prokurorë të cilët nuk falen në “Surrel”, por siç e parashikon Kushtetuta me prokurorë të kualifikuar të pavarur nga politika.
“Një Gjykatë Kushtetuese që nuk falet natën në Surrel, një Gjykatë Kushtetuese që nuk bëhet tenderim me përcaktim nga Ardian Dvorani do të vendosë në mënyrë të pavarur, dhe do të tregojë atë që treguan shqiptarët se 30 qershori ishte një proces fal”, tha Basha.
Nga Saranda Basha theksoi se kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht i pastër institucional.
“Është një grusht kushtetues i cili ka për qëllim që në vend që qytetarët të kenë Gjykatën Kushtetuese të kenë një kukull të regjimit”.
Në takimin me biznesin në qytetin bregdetar Basha theksoi se bllokimi i qëllimshëm i Edi Ramës për Gjykatën Kushtetuese ka ndikuar edhe tek biznesi i cili e ndjen në lëkurë barrën e mungesës së drejtësisë duke favorizuar në mënyrë të padrejtë qeverinë nën presionin e vetingut.
“Një qeveri e kapur në afera korruptive, një qeveri që do të grabisë pronat e qytetarëve, siç po bën në Himarë, në Sarandë, kudo në bregdet me koorporatën e investimeve, nuk do Gjykatën Kushtetuese të pavarur. Sepse një Gjykatë Kushtetues e pavarur i thotë “Ndal, këtyre veprimeve”. Një Prokurori e pavarur e merr të pandehur kryeministrin, kabinetin, të gjithë pushtetin në qoftë se shkelin të drejtat themelore të qytetarëve, biznesit”.
Grabitja e pronave në bregdet, Basha: Vepër e Edi Ramës. Grabitja e bregdetit dhe e tokave në jug është arsyeja kryesore e krijimit të koorporatës së hajdutërisë. Çdo hap i hedhur në kundërshtim me vendimet e formës së prerë të gjykatave është i paligjshëm dhe do të shfuqizohet.
Kryetari i Partisë Demokratike Basha gjatë bashkëbisedimit me sipërmarrës dhe pronarë të tokave në jug, theksoi se hajdutëria me tokat nga Edi Rama, Alket Hyseni, Damian Gjiknuri, do të përbëjnë shkak për nisjen e procedimit penal ndaj kujtdo që ka vënë dorë mbi pronën private apo publike për afera dhe pasurimin e tyre dhe të mercenarëve të tyre.
“Alket Hyseni dhe Damian Gjiknuri në këtë zonë i kanë dhënë vetes një emër që në çdo shtëpi sarandioti, himarioti, dhe vlonjati kanë një dhe vetëm një qëllim, grabitjen e pronave, tjetërsimin e pronave. Në Tiranë është vetë kryeministri që ka krijuar edhe instrumentin për të grabitur këto prona, të ashtuquajturën Korporatën e Investimeve, nga këtu deri në Llogara. Një Gjykatë Kushtetuese e pavarur ka për qëllim ndaljen e babëzisë së qeverisë për të grabitur pronën.
· “Së pari, duke dorëzuar kompetencat që i takojnë pushtetit vendor, në kufijtë që i shërbejnë qytetarit. Në bashkëpunim me ju, me komunitetin do t’i rikthehemi Reformës së ndarjes Territoriale që pushteti lokal të jetë sa më afër qyetarit dhe jo të centralizohet shërbimi në pak njerëz, siç ka bërë kjo qeveri. Do të pyeteni ju dhe do të vendosim së bashku ndarjen më të mirë, duke ndjekur praktikat më të mira europiane.
· Së dyti, duke mbështetur pushtetin vendor me fonde të mjaftueshme për të kryer detyrat e tij dhe jo investime fasadë të cilat përmbyten nga ujërat e zeza.
· Së treti, duke investuar në infrastrukturë primare, për pikat kryesore turistike. 110 milionë euro që marrin 10 oligarkë, sikur të bënim 10 milionë euro në 10 qarqe imagjinoni sa punë dhe projekte mund të kryhen. E gjitha është çështje prioritetesh, që paratë të shkojnë tek uji, tek ujësjellësit, rrugët. E gjitha kjo kërkon që të bashkërendojmë zgjidhjet së bashku” tha Basha.
Vendi ka nevojë për një qeveri që dëgjon biznesin, e kupton dhe e mbështet, e ndihmon për të krijuar vende të reja pune, për të sjellë më shumë turistë, për të rritur të ardhurat, për të rritur mirëqenien.
Gjatë bashkëbisedimin, pronari i një fabrike, Odhise Arragu denoncoi represionin që i bëhet biznesit të tij nga shteti në rastin flagrant ku ai duhet të paguajë taksa për një investim që ende nuk është bërë nga qeveria në Vrion.
“Në ndërmarrjen time për herë të parë në jetë më zbriti i gjithë shteti. Ekzistoka në Shqipëri një institucion i cili vjen dhe të mat lartësinë e objekteve që ti ke ngitur se mund të përplasen avionët, mqse ndonjëherë në Vrion do të bëhet ndonjëherë zonë avionësh, do vendoset aerodromi. Dhe unë paguaj taksë për aerodromin që do të bëhet dhe më kanë vendosur një sinjalistikë në majë të makinerive dhe paguaj për atë aerodromin që do bëhet… 18 institucione marrin lek nga taksat e mia që duhet të paguaj unë. Si mund t’i ushqej unë këto 18 institucione, çfarë duhët të prodhoj dhe të shes? Në muajin korrik më ka ardhur OSSHE 7 herë, kam 7 procesverbale duke më terrorizuar punonjësin që një më ka mbetur dhe më ka thënë se do të të fusin në burg nëse nuk vjen brenda një ore. Miqtë e mi investuan qindra mijëra euro duke sjellë bagëti të racave spanjolle, franceze me prodhueshmëri të lartë, të gjitha investimet i hodhën në det dhe fatkeqësisht janë larguar përsëri. Familje të cilat kanë punuar me djersë dhe mund, u groposën përfundimisht”, tha z. Arragu.
Kryetari Basha ritheksoi se me marrjen e besimit të shqiptarëve për drejtimin e vendit, pranë bizneseve nuk do të ketë më taksidarë që mbijnë nga mëngjesi deri në darkë për t’i gjobitur dhe për t’i terrorizuar.
“Politikat ndaj biznesit janë dështim spektakolar. Qeveria privilegjin ia ka dhuruar kalçetos së oligarkëve. Në zemer të vizionit të Partisë Demokratike për ndryshimin e gjendjes ekonomike, rikthimin e shpresës, është çlirimi, fuqizimi, mëkëmbja e biznesit dhe sipërmarrjes.
Hapat të cilat do të ndiqen:
1. Fuqizimi i arsimit profesional dhe të lartë, ndërkohë që po shkon drejt mbylljes universiteti i Sarandës.
2. Fuqizimi i degëve për të cilat ka nevojë ekonomia e Sarandës dhe e rajonit.
3. Fuqizimi i aksesit në turizëm me infrastrukturë të plotë dhe jo shkel e shko. Bëhen fasadat, s’bëhen kanalizimet. Përmbytet Himara ka një stuhi në det. Mbrojtjet që janë ndërtuar para 50 vitesh i kanë prishur për dukje, por dukja nuk të çon gjatë, fasada nuk të mbron nga deti 9 ballësh. Nqse nuk bën kanalin e ujërave të zeza, të të rrojnë pllakat e bukura në Bulevard sepse dalin ujërat e zeza sipër. Me një shi përmbytet Saranda qytet i vendosur në shpat mali” tha Basha.