Të nderuar deputetë,

Megaskandali i vjedhjeve, shpërdorimeve, abuzimeve dhe korrupsionit kolosal në një prej pasurive më të mëdha kombëtare, atë të energjisë elektrike i cili ka tronditur këto ditë mbarë qytetarët shqiptarë ka vulosur rënien de-fakto të qeverisë Rama-Meta, të cilës për shkak të dështimeve, mashtrimeve dhe skandaleve të njëpasnjëshme i kishte ardhur fundi edhe pa të.

600 milonë euro të thata është shuma që Shqipëria, qytetarët shqiptarë, i madh dhe i vogël, u kanë paguar skemave të zhvatjes dhe rryshfeteve në një anë, dhe marrëveshjes kriminale të qeverisë Rama-Meta me kompaninë CEZ nga ana tjetër.

Kjo është vjedhja e shekullit, ky është pazari i ndyrë, ky është korrupsioni i padëgjuar i ndonjë qeverie me pasuritë e popullit të vet.

Nuk e themi sot që ujërat e zeza kanë plasur nga gjirizet e këtij skandali shokues. E kemi thënë, e kemi denoncuar me zë të lartë përpara seancës parlamentare  famëkeqe të 31 korrikut 2014, kur shumica e kartonave anonimë e shurdhmemevcë apo me rekorde kriminale votuan marreveshjen që kish për qëllim t’i vinte kapakun, aferës së megakorrupsionit që kishte bërë bashkë hijenat e njohura e të panjohura të  kësaj pasurie publike.

Shqiptarët duhet ta dinë: nga kjo pasuri e tyre e zhvatur, 350 milionë Euro janë fatura të papaguara dhe të njohura pra të pranuara nga CEZ ndaj KESH dhe OST; 15 milionë euro janë detyrime tatimore me vendime gjyqësore të formës së prerë. Të gjitha këto të vërtetuara dhe të pranuara me faturë.

Qeveria Rama-Meta i fali, ia fali CEZ-it në tavolinë, i fali si mall skarco, gjatë të ashtuquajturave bisedime “shumë të sukseshme”, siç njoftoi asokohe ministri i Ramës. Kur e dëgjon duket si tallje. Në fakt është dramë.

Por nuk mbaron këtu. Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare mori përsipër  në marrëveshjen e turpit me CEZ edhe vlerën 135 milionë Euro, të padisë që kishte ngritur DIA kundër CEZ.

Shqiptarët duhet ta dinë se pas një pune të gjatë dhe voluminoze, ku ishin mbledhur mijëra dokumente dhe prova, avokati ndërkombetar i Shqipërisë dhe  institucione financiare me rëndësi botërore që ndiqnin procesin, këshilluan se qeveria shqiptare  i kishte të gjitha letrat në rregull për të fituar 2 miliard euro në arbitrazhin kundër CEZ.

Shqiptarët duket ta dinë se qeveria Rama-Meta jo vetëm hoqi dorë të kërkonte çfarë i takonte, por vendosi të kënaqte orekset e kompanisë debitore që kishte ikur pa paguar, duke e dorovitur edhe me 95,5 milion euro të tjera nga taksapaguesit shqiptarë. Kur e dëgjon duket e pabesueshme, në fakt eshtë drama, tragjedia e zezë me paratë e popullit.

Shqiptarët duhet ta dinë se në marrëveshjen e negociuar në fshehtësi të plotë dyshja, Rama-Meta jo vetëm hoqi dorë nga të gjitha gjyqet civile, të cilat rezultonin të fituara nga shteti; por mori përsipër fshehjen dhe ndalimin e ndjekjes penale ndaj Hesjek me kompani, pavarësisht se këto kallëzime ishin regjistruar nga qeveria Berisha.

Opozita i ka akuzuar dhe i akuzon, unë si kryetar i PD-së i kam akuzuar dhe i akuzoj dyshen Rama-Meta, ideuesit dhe autorët e kësaj marrëveshje si dëmtues  të interesit publik, si shpërdorues dhe humbës të të paktën 600 milion eurove, pasuri e qyetarëve shqiptarë, si bashkndarës plaçke dhe hajdutë të kësaj shume kolosale.

Ka njerëz që mendojnë se marrëveshja kriminale e 31 korrikut 2014 me CEZ dhe skandali i pagesave fiktive dhe rryshfeteve CEZ-DIA që ka plasur këto ditë janë dy gjera të ndryshme.

Të ndryshme janë padyshim. Por ato janë të lidhura dhe pjesë e një skandali të vetëm.

Lidhja, prova e zjarit që i bën bashkë është klauzola famëkeqe e ndalimit të çdo kallzimi në proces, e çdo hetimi dhe e çdo padie të re për çfarë ka ndodhur gjatë operimit të CEZ në Shqipëri.

Kjo klauzolë dhe kushti për ta kaluar marrëveshjen pa zhurmë e pa debat padisin  njohjen dhe vetëdijen e Ramës dhe Metës për shkeljet, abuzimet, shpërdorimet, batakçillëqët, vjedhjet dhe pisllëqet e bëra. Prandaj shpikën këtë klauzolë, për  varrosjen e një krimi  të stërmadh financiar.

Por të vërtetat si këto nuk ka kapak t’i mbyllë. Haku i qytetarëve nuk mund të varroset. Pjesa më e errët e kësaj historie që ka të bëjë me pagesat fiktive dhe rryshfetet nga mbledhja e borxhit të keq, po del në dritë duke bërë të munduar daljen e të gjithë djajve nga shishja.

Në përpjekjen e tyre të lavdërueshme për të rrëzuar në arbitrazh padinë dhe  pretendimin e DIA-s për shumën 135 milion euro, që në skenarin eventual të mosrrëzimit do të duhet ta paguajë buxheti i shtetit, pra shqiptarët nga xhepat e tyre, avokatët e qeverisë shqiptare kanë ngritur dyshime dhe akuza në adresë të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, si personi që ka lobuar e rekomanduar pranë çekëve presidentin aktualisht në hetim të shoqërisë DIA, dhe si përfitues  rryshfetesh  në shuma të mëdha  nga kjo kompani.

Për shkak të këtyre akuzave të rënda, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe që ky të vihet në dispozicion të hetimit si një deputet i zakonshëm.

Nuk e nxorrëm ne Ilir Metën nga strofkulla e tij, siç i pëlqen të mendojë e të thotë  për të rritur rëndësinë e tij apo për  të relativizuar akuzat që i bëhen.

Nuk marrin merita që nuk i kemi.

E nxorrën avokatët e qeverisë shqiptare pranë arbitrazhit ndërkombëtar, e nxorrën publikimet e rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor, BIRN, e nxorën, në piknisje, njerëzit e qeverisë në Tiranë që janë marrë e merren  me ndërtimin e strategjisë për të shpëtuar 135 milion euro të pretenduara nga miku i Ilir Metës në arbitrazhin ndërkombëtar.

Si opozitë dhe si qytetarë ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për të rrëzuar  pretendimet e kusarëve dhe dallaverexhinjve me damkë për tu marrë qytetarëve shqiptarë në  arbitrazhin ndërkombëtar shuma të tjera marramendëse pas atyre që u kanë marrë tashmë dhe që janë subjekt i hetimit penal.

Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund, me gjithë çfarë varet nga ne,  zbardhjes së megaskandalit dhe rekuperimit maksimal të dëmit që i është  shkaktuar financave të  vendit, financave  të qytetarëve.

Njëherësh me kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, kemi paditur në Gjykatën Kushtetuese klauzolën që ndalon hetimin për aferat e CEZ dhe ortakëve  e bashkëpunëtorëve të saj; kemi dorëzuar dje në Kuvendin e Shqipërisë  projekligjin për hetimin ndërkombëtar të akuzave nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë; kemi kërkuar dhe kërkojmë zbardhjen  nga prokuroria të të gjitha padive që qeveria Berisha ka depozituar në organin e akuzës kundër ish-zyrtarëve të lartë të CEZ dhe firmave të kontraktuara apo të sajuara nga CEZ për mbledhjen e borxheve të këqija.

Jemi në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët për informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për këtë gjëmë të madhe; u kemi bërë thirrje të shmangin me mençuri zhurmimin e skandalit nga altoparlantët e qeverisë, të thonë fjalën e tyre për paratë e vjedhura e t’u dalin zot sepse janë paratë e tyre. Askush, asnjë forcë politike, asnjë institucion politik nuk është aktive si opozita, si Partia Demokratike për të sjellë transparencë dhe drejtësi për megaaferën e CEZ-it.

Presim dhe kërkojmë nga Kuvendi një votë konsensuale për projektligjin tonë të hetimit ndërkombëtar, presim nga Prokuroria veprime të shpejta, profesionale  dhe kurajoze për hetimin dhe çuarjen para drejtësisë të personave përgjegjës. Ne i garantojmë mbështetjen tonë të plotë.

Asgjë nuk na ndal në këtë betejë. As diversioni i trashë, as diversioni i hollë, as manovrat e trasha, as manovrat e holla të Ramës dhe Metës.

As puthjet dhe as të pështyrat që shkëmbëjnë me njëri tjetrin, natën dhe ditën,  teksa luajnë kukafshehtasi me njëri- tjetrin në fushën e minuar të megaskandalit, me qëllim që edhe plaçkën miliona euro ta gëzojnë, edhe njëri- tjetrit tIa fusin, edhe lopën e pushtetit ta mbajnë në këmbë edhe njerëzit  ti mashtrojnë.

Kjo është një histori batakçinjsh, tipike për klanet e malavitës që ia kanë me të pabesë njëri-tjetrit, por bashkohen rreth presë së përbashkët që në rastin e dyshes Rama-Meta është pushteti.

Prandaj Ilir Meta ka heshtur për faljen e mbi 500 milionë eurove  nga  Edi Rama dhe negociatorët e tij. Për këtë arsye Ilir Meta me deputetët e tij kanë votuar pa fjalë marrëveshjen kriminale  të 31 korrikut 2014.

Përveç klauzolës që ndalonte hetimet dhe paditë, Rama ka ofruar në këtë pazar me ortakun e tij edhe angazhimin e qeverisë për t’i paguar DIA-s 135 milionë eurot e vendimit eventual të arbitrazhit. Kjo i ka bërë të fërkojnë duart të gjithë kumbarët.

Sekush pjesën e vet dhe të gjithë të fituar- ky ka qenë pazari.

Por, me dashje apo vetvetiu pazaret kanë marrë erë.

Tani nuk është më plaçka dhe pazaret, por rryma e vrullshme e zbulimeve dhe akuzave ajo që po përcakton drejtimin e ngjarjeve, ku personazhet e implikuar i mbajnë duart njëri-tjetrit sikur po i shtrëngojnë, në fakt për të mos u goditur pas shpine.

Ilir Meta nga një anë akuzon kryeministrin e qeverisë ku bën pjesë, nga ana tjetër i garanton atij poltronën e kryeministrit.

Qëndrimi i Edi Ramës është akoma më absurd, akoma më fyes për standardet më minimale të politikës dhe për inteligjencën e shqiptarëve.

Gjithë Shqipëria flet, gjithë Shqipëria zien për skandalin më të madh, vetëm Rama  nuk flet, vetëm Rama bën sikur nuk kupton për kë e kanë fjalën avokatët e qeverisë së tij.

Nga njëra anë nuk përgenjështron asgjë, bilez duket i kënaqur që ndokush e tregon si njeriun që qëndron prapa evidentimit të rryshfetit që ka dhënë DIA. Nga ana tjetër, nuk bën detyrën elementare të kryeministrit: të dalë në skenë, të  kërkojë hetim të plotë të akzuave, kombëtar e ndërkombëtar.

Edi Rama sillet sikur nuk është kryeministër. Nuk është rasti i parë, nuk është skandali i parë. Ai ka kohë që ka humbur ndjenjën e detyrës. Eshtë rob i politikës së cicmiceve dhe intrigës. Edhe kur përmasat e skandaleve janë të tilla që kërkojnë përballje, ai fshihet. Më e shumta që bën, hedh gurin e fsheh dorën.

Pse e bën këtë? Sepse ka hallin e marrëveshjes kriminale të 31 korrikut. Hedhja e saj në erë do ta qelbte vendin me të panjohurat që përmban. Nuk janë 6 milionë, as 60 milionë, por 600 milionë Euro.

Ankthi i daljes në shesh të të palarave po e ndjek pas kokoshin 200 milionësh në çdo përçapje. Sepse nuk ka shqiptar t’i besojë dënglat e tij dhe zarave apo kopacëve që mbledh andej këndej, se 600 milionë Euro para të thata paskësh qenë gjoba çeke për të mos vënë veton për statusin kandidat.

Jo jo. Kjo është gjoba Rama-Meta, pazari i 1 prillit dhe aleancës që prodhoi ai.

Si mund të vazhdojë qeverisja e vendit kështu, kur të dy protagonistët e saj kanë kapur njëri tjetrin në skandale të ndërsjellta, që i përdorin për t’i bërë presion njëri tjetrit, për t’i vënë kushte njëri-tjetrit, për t’i mbyllur gojën njëri tjetrit, për të rritur pazaret me njëri tjetrit?

Si mund të vazhdojë qeveria kështu? Kush mund të tregojë një shembull nga  gjithë historia e demokracive ku një qeveri të zhytet kaq thellë në batak dhe të vazhdojë  të bëjë sikur është në punë?Qeveria Rama-Meta nuk ekziston më. Ajo mund të kacavirret si turmë kartonash, si mbledhje mekanike numrash,  por jo si shumicë politike. Krerët e saj janë të zënë me gjetjen e alibive për akuzat që ju kanë plasur, me gjetjen e mekanizmave për t’i shpëtuar drejtësisë, me gjetjen e rrugëve për të fshehur e siguruar pasuritë  e paligjshme që akuzohen se  kanë vënë e po vënë.

Pushteti është në ditën me të keqe. Ligji ka vdekur. Sundon arbitrariteti. Njerëzit janë lënë vetëm përsa i përket mbrojtjes së qeverisë dhe institucioneve që duhet të garantojnë liritë dhe të drejtat e individit. Por janë nën thundrën e përditshme të kërbaçit dhe lakut në fyt si të vetmet instrumenta që ka vërtitur e vërtisin mbi kokat e shqiptarëve kjo qeveri e dështuar në çdo rrafsh.

Me qeverinë që kemi do të kishte vdekur edhe demokracia, po të mos ishte opozita, në mbështetje të medias së lirë aq sa është, dhe me mbështetjen opionionit të shëndoshë publik dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Si opozitë kemi qenë, jemi e do të jemi zëri i standardeve më të përparuara të demokracisë perendimore, kemi qenë, jemi e do të jemi në përballje dhe në luftë  të pakompromis  me kriminalizmin dhe korrupsionin në qeverisje dhe kudo, kemi  qenë, jemi e do të jemi zëri i të vërtetës që jetojnë qytetarët shqiptarë në familjet e tyre, në punën  e tyre,  në lagjen, qytetin dhe fshatin e tyre, një realitet krejt tjetër nga ai që vazhdon të  paraqesë propaganda  e Edi Ramës.

Mburren në propagandën e tyre për faturat e energjisë elektike dhe harrojnë qindra mijëra shqiptarë në errësirë, që nuk paguajnë dot sepse nuk kanë, sepse nuk i rimburson njeri, sepse nuk i llogarit njeri, sepse i kanë hequr nga defteri si njerëz; harrojnë se sot në epokën dixhitale kanë kthyer kandilin për qindra mijëra familje; harrojnë përmendoret e pashpirtësisë së tyre, vetëvrasjet në seri të njerëzve të poshtëruar nga faturat dhe gjobat e papërballueshme të energjisë, harrojnë çmimet e rritura që e kanë shtërnguar ku nuk mban më lakun në qafën e shqiptarëve të thjeshtë.

Harrojnë se kanë vjedhur 200 milionë dollarë në dogana e tatime gjatë tetë muajve, harrojnë se kanë kthyer kontrabandën e duhanit dhe naftës si në kohërat më të zeza, harrojnë se kanë çuar në vdekje ekonominë e vendit me taksat e larta dhe me mentalitetin e tatimeve të jashtzakonshme, harrojnë se kanë mbjellë epideminë e mjerimit anembanë vendit, harrojnë  se kanë kthyer eksodin masiv të shqiptarëve, harrojnë se kanë ngritur krimin në sistem. Ata harrojnë, por nuk harrojmë ne për asnjë çast.

Përveçse zëri i të vertëtës së qytetarëve, ne jemi çdo ditë e më bindshëm shpresa, arsyeja pse duhet shpresuar, arsyeja pse duhet ëndërruar përsëri për një Shqipëri të drejtë në kursin e ligjit, lirive, mundësive dhe meritës; për një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri pa krim në pushtet, pa pushtet të krimit.

Kjo është alternativa e Partisë Demokratike. Ky është zotimi dhe vendimi im i pakthyeshëm si kryetar i saj.

Hartimi i programit tonë dhe një pakete shpëtimi me qëllim nxjerrjen e Shqipërinë nga humnera e krizës, mjerimit dhe qorrsokakut ku ndodhet, duke e vënë në kursin e zhvillimit, në kursin e demokracisë së re, po merr formë dhe shumë shpejt do të jetë pjesë e konsultave të gjera me qytetarët, me sipërmarrjen, me fermerët me rininë dhe me grupe të tjera të interesit.

Në funksion të hartimit të programit dhe shpalosjes së alternativës të Partisë Demokratike janë vënë dhe po vihen burimet më të mira njerëzore me mbështetje të madhe e të çmuar nga partnerët tanë.

Zonja dhe zotërinj

Ligji i hetimit ndërkombëtar të aferës CEZ doli si si një emergjencë në kushtet e shpërthimit të skandalit më të madh financiar në historine e vendit, në valën e diskutimeve për projektligjin historik të dekriminalizimit. Ligji i hetimit ndërkombëtar është në funksion të ligjit të dekriminalizimit. Grupi ynë parlamentar do t’i avancojë njërin pas tjetrit duke kërkuar konsensus me shumicën por pa bërë lëshime dhe kompromnise që cënojnë thelbin e këtyre ligjeve.

Kemi paraqitur treqind amendamente për reformën në drejtësi, investimi më i madh në vëllim dhe në cilësi që ndonjë opozitë ka paraqitur ndonjëherë. Eshtë e kotë të deklarojmë vullnetin dhe disponimin tonë për një reformë të standarteve më të avancuara demokratike në fushën e drejtësisë. Treqind amendamentet tona flasim vetë. Vizioni ynë është aty. Qeveria mund të konfrontojë vizionin e saj me tonin për  të shkuar sëbashku drejt një varianti gjithpërfshirës.

Por askush të mos e çojë nëpër mend se me alibine e reformës së nevojshme në drejtësi mund të kapë politikisht drejtësinë për ta çuar prapa, për ta bërë më keq. Askush të mos mendojë se mund të përdorë e shfrytëzojë reformën në drejtësi për të shpërfytyruar balancat kushtetuese, për të risjellë në organet e drejtësisë prokurorë dhe gjyqtarë politikë të lidhur ngushtë me regjimin komunist para vitit 1990 dhe me kupolën e PS-së së Ramës sot.

Paketa jonë e shpëtimit ekonomik vjen menjëherë në radhë. Propozime të gjithanshme, e të mirëpeshuara për të rindezur motorrët e shpresës dhe zhvillimit ekonomik do ti bashkangjiten qëndrimeve tona të shpallura tashmë për qeverisjen e ardhshme të demokratëve, siç janët taksa e sheshtë 9 përqind dhe ulja e çmimit të energjisë dhe naftës, dy masa këto që do të rikthejnë në xhepat e shqiptarëve mbi 300 milion euro në vit që aktualisht i vjedh mafia, oligarkia dhe dyshja Rama-Meta me gabzerrët e saj të pangopur.

Megaskandalet korruptive dhe asfiksimi i ekonomisë, rënia de-fakto e kësaj qeverie kërkojnë nga ne të jemi gati për të thënë e bërë tonën në çdo situatë. Aleanca jonë është me Shqipërinë e vërtetë dhe me ndërgjegjen e shqiptarëve. Premtimi dhe zotimi ynë kongenital është Shqipëria e zhvilluar, moderne dhe perëndimore. Kjo na dikton të ngrihemi në standartin më të lartë të integritetit, kurajos dhe vendosmërisë duke shpërfillur çdo batak-pazar me fundin e kazanit të tranzicionit që është dyshja Rama-Meta.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shtator 2015